Ç’po i bën kazanit e tepsisë o pakrye-ministër!

200

Nga Viktor Tushaj

Ngado që të shkosh e këdo që të takosh e njëjta panoramë e zymtë e një shprese të vrarë mizorisht.

Ju kishte hije dikur elokuenca e fjalëve dhe filli i mendimeve ku edhe pse në thelb mashtruesë, u pëlqyen nga masa ëndërrimtare. Të duhej shumë pak për ta bërë realitet ëndërrën e këtyre njerzve.

Ata donin Europën, që do të thotë, drejtësi të barabartë, shëndetësi të barabartë, arsim të barabartë, shanse të barabarta dhe asgjë më tepër se të tjerat i bënin vetë.

Por ti me kazanin tënd të pëlqyer, timon e tepsi në duar tu desh pak kohë që ti nxirrje fundin e zi këtij vendi që me lodhje e stërmundim pat filluar të gjallërohet e të rimkëmbet.

Me një strategji të mirëmenduar, duke përshtatur modelin arrogant autokratik erdoganian e putinian e shkretove territorin dhe e afrove popullin tënd në buzë të greminës.

Tek lexoj shkrimet e analistëve të paguar majmërisht prej jush, kur shikoj kronikat superlativiste mediatike të mediave të paguara po prap majmërisht prej jush, kur shikoj e lexoj talljen dhe nëpërmkëmbjen e një populli nga Ju, qeveria, maxhoranca dhe ithtaret tuaj dhe nga ana tjetër kur shikoj padrejtësi e pabarazi pafund, varfëri të teskajshme, korrupsion galopant në çdo qelizë të shtetit, konflikt e tension social ngado, klimë e rënduar asfiksuese në të gjitha kategoritë dhe nivelet e bisnesit e të tjera e të tjera, e mendoj me bindje se një fund ka ardhur. Nuk ma do mendja se është fundi i popullit.