Çorganizim i organizuar në ujësjellësin e Tiranës

572
Nga Mystehak XHEMALI

Duke pasur besim se ky shqetësim do të bjerë në vesh të Kryeministrit, i cili orë e çast na kujton për një lloj bashkëqeverisjeje, po sjell në këtë shkrim aspak inatçor, ato sorollatje që i bëhen qytetarit, jo shumë larg selisë kryeministrore nga ujësjellësi i Tiranës, që është në vartësi të Bashkisë të kryeqytetit. E duke qenë se kryebashkiaku ynë i nderuar, si një bahçevan i mirë, është tejet i zënë me mbjelljen e pemëve, plus që një kohë të gjatë duhet ta shpenzojë për të dalë edhe në ekranet televizive, paçka se duhet t’u lërë edhe pak kohë atyre ndihmësve e shefave sektorialë për t’i bërë edhe ata të njohur për publikun, se kot nuk thonë “trimi i mirë me shokë shumë”, jam i kushtëzuar që këtë thirrje t’jua drejtoj juve, zoti kryeministër, që të ngarkoni ndonjërin nga nëpunësit tuaj për të parë konkretisht se si tallen punonjësit e ujësjellësit të Tiranës, duke i sorollatur qytetarët për një shërbim, të cilin ata e paguajnë, si i thonë fjalës, ‘sa frëngu pulën’. Qysh në fillim të herës po ju them se ky institucion, a SHPK siç e keni pagëzuar, ka një organizim të përsosur për të çorganizuar punën dhe për sorollatjen e qytetarëve, të cilëve, ç’është e vërteta, iu ka ardhur shpirti në majë të hundës. E pse jo, me këtë çorganizim ndoshta drejtuesit e ujësjellësit Tiranë duan të provojnë atë thënien proverbiale biblike se e keqja “i ra gurit e çau, i ra drurit, e thau, i ra njeriut e mbajti”. Me sa duket këta drejtues duan të eksperimentojnë e provojnë se deri ku shkon durimi i njeriut. E meqenëse ju, zoti Kryeministër, i doni gjërat konkrete, po i radhis ca gjëra, të cilat ndeshen shpesh në sportelet, ku qytetarët si delet në vathë, paguajnë çdo qindarkë sipas faturave të kripura që u vijnë çdo muaj nga ujësjellësi. Kështu kur qytetari ka bërë një kontratë për vënien e një matësi e që paraprakisht ka paguar lekët për këtë shërbim, edhe pse ky matës, që në gjuhën popullore quhet sahat, është vendosur e kanë kaluar mbi gjashtë muaj, a më shumë, kontrata ende nuk i vjen qytetarit, a ndryshe qyqarit, me justifikimin “epo ka edhe vonesa”. Dhe ai qyqari për këtë vonesë duhet të paguajë, jo vetëm lekët njëherësh për disa muaj e, ndoshta edhe kamatë mbi pagesat mujore. Por akoma më keq, zoti Kryeministër, e pësojnë ata fatzinj, të cilëve u janë mbushur librezat, ku shënohen pagesat mujore. Ju ndoshta nuk e keni provuar një gjë të tillë, pasi kam një lloj dyshimi se vetë personalisht ndoshta nuk jeni paraqitur ndonjëherë në sportelet e ujësjellësit për të paguar faturat e ujit. Në këto raste arkëtarja, pa i ngritur sytë nga kompjuteri, iu komunikon me një zë të mbytur: “Nuk kam ku ta shënoj shumën e paguar, pasi faqet e kësaj libreze janë të mbushura”. Në këto raste qytetari me zë të mekur i lutet ta pajisë me një librezë të re, ashtu siç veprohet edhe me sportelet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke i kërkuar se sa është çmimi i librezës. Por do ti që ajo sportelistja, duke të hedhur një vështrim plot mëshirë, të jep porosi që për të nxjerrë një librezë të re, në vend të librezës së vjetër, do të duhet të shkosh tek Drejtoria Qendrore, pavarësisht se do të duhet të bësh dhjetëra kilometra e të plotësosh aq shumë dokumente, sa që ti duhet t’i lutesh asaj që të të japë një fletë të bardhë për të shënuar listën e gjatë të shkresave që do të duhen, duke të porositur që atje duhet të shkosh vetë dhe me kartën e identitetit, se ndryshe nuk e merr dot librezën. Dhe mendo, zoti Kryeministër, sa fatzi është ai qytetar që e ka marrë me qira apartamentin e banimit, ndërkohë që qiradhënësi mund të ndodhet nja tre kontinente kaptuar. Mjerë atij ditëziu që i duhet kjo librezë. Një odise e gjatë sorollatjesh e pëson edhe ai qytetar që ka një ankesë për shërbimin., qoftë për faturimet, qoftë për mungesën e ujit. Edhe në këto raste të adresojnë të shkosh tek Drejtoria Qendrore, paçka se aty ku paguhen faturat ndodhet një drejtori zonale me një strukturë administrative, përfshi drejtorë e shefa sektorësh të fshehur pas 13 dyerve, në të cilat nuk e di sa punonjës vegjetojnë. Si për ironi të fatit në njërën nga këto 13 dyer shënohet me germa të mëdha kapitale “Zyra e ankesave”. Po kësaj si t’ia vëmë emrin ne, qytetarët, zoti Kryeministër? E sikur të mos mjaftonin këto, qytetari jo rrallë herë detyrohet të paguajë shuma lekësh për zëvendësime sahatësh. Shtangesh kur faturistja të njofton, se veç faturës të ujit të përdorur e atij të derdhur duhet të paguash edhe për sahatin e ri që të është instaluar. Qytetari afron më shumë veshët tek sporteli se ndoshta e ka dëgjuar gabim arkëtaren. Por ajo me gjakftohtësi përsërit edhe njëherë shumën e lekëve që duhet të paguash. E kur ti i thua se nuk i ke ato lekë, ajo të mbyll sportelin e me zë që tingëllon si një zilkë alarmi, të thotë “Shko gjej lekët dhe pastaj eja”. Kërkon shpjegime e shpjegime nuk ka. Por duket pas atyre dyerve të mbyllura dikush shqetësohet nga zhurma. Zyrtari i shqetësuar kërkon qetësi. Dhe kur qytetari i kërkon një sqarim, ai e ka atë në majë të gjuhës. “E ke pasur sahatin me defekt”. Kërkon i varfri qytetar, që pse nuk e kanë vënë në dijeni për këtë zëvendësim, apo pse ai nuk ka qenë i pranishëm kur është bërë zëvendësimi, aq më tepër kur sahati shënon zero metra kub uji, për arsye se ai matës i përket një lokali, që akoma nuk është vënë në punë. Atëherë si e paskan nxjerrë atë me defekt? Por tashmë dera është mbyllur me një kërcëllim të thatë e qytetari mbetet si guak para saj. Por qytetari mbetet akoma i pagojë, kur ky nëpunës shton se të gjithë sahatët do të hiqen e zëvendësohen me të rinj edhe për shkak se ata janë të pavulosur nga ujësjellësi. Ky është një skandal i padëgjuar ndonjëherë, kur dihet se ata sahat janë vënë nga ujësjellësi, disa prej të cilëve vetëm këto dy a tre vjetët e fundit. Qytetari ngre supet dhe në mendje i rrotullohet një pyetje pa përgjigje: Po pse duhet zëvendësuar me një sahat të ri, kur mund tu vësh vulën atyre ekzistuesve, të cilët janë vendosur po nga ky ujësjellës? Çfarë fshihet pas këtyre manovrimeve? A mos vallë sipërmarrësit privat, i cili zëvendëson këta sahatë, i kanë mbetur pa shitur matësit e ujit? Ndoshta… Ka edhe hallexhinj të tjerë, të cilëve për arsye nga më skandalozet, sapo shkojnë për të paguar faturat, arkëtarja iu komunikon se emri i tyre në sistem nuk koorenspondon me emrin e shënuar në librezë. Qytetari e merr këtë me shaka, por kur shikon seriozitetin e arkëtares e mbulojnë djersët e ftohta. E për të bërë këtë korrigjim, qytetarit i duhet të sorollatet nga njëra zyrë në tjetrën, jo me ditë, javë e muaj, por me vite. Nëpunësit ia hedhin fajin njëri tjetrit, se mirë thonë zoti Kryeministër, se faji bëhet qyrk e atë askush nuk do ta veshë. Dhe më e keqja qëndron në faktin se kur qytetari kërkon sqarime në Drejtorinë Qendrore të ujësjellësit Tiranë, pasi ato drejtoritë zonale për atje e kanë adresuar, të del përpara një burrë, pa atë varësen në qafë për t’u identifikuar e me arrogancë i tregon qytetarit se ai duhet t’i drejtohet gjykatës, ndërkohë që ju, zoti Kryeministër, na keni thënë se qytetarit i mjafton një buton ta shkelë atë dhe përgjigjen e shpjegimet do t’i marrë nga administrata. Kë të besojmë, zoti Kryeministër, juve, apo atë nëpunësin kapadai atje në ujësjellësin e Tiranës. E di zoti Kryeministër, që ti nuk ke kohë t’i lexosh gjithë këto prapësira të ujësjellësit në Tiranë, apo më keq akoma se ndoshta do ta ndjesh veten ngushtë kur një qytetar ta thotë troç se nuk ke administratë të besueshme e të përkushtuar në punë, pasi një pjesë e tyre janë viktimë e vetë çorganizimit dhe një pjesë të paaftë, por militantë të sprovuar në zjarrin e betejave elektorale, por unë do t’i përmend edhe nja dy gjëra të tjera për këta të ujësjellësit. të cilat edhe ty të kanë rënë në sy, kur ndonjëherë kalon në këmbë nëpër rrugicat e lagjeve të qytetit, të cilat jo rrallëherë u ngjajnë rrëkeve të përrenjve nga ujërat që rrjedhin nga tubacionet që përcjellin ujin e pijshëm. Apo kur shikon edhe disa andrime të qepur keq nëpër rrugët e rrugicat e lagjeve. Dhe e gjithë kjo pamje e shëmtuar mban vulën e ujësjellësit. Punonjësit e këtij sektori i sheh shpesh me nga një kazmë e lopatë tek hapin gropa, të cilat pastaj i mballosin me ca zhavorr e sipër këtyre varrezave të vogla hedhin pak bitum, duke krijuar kështu “mozaikun” e vatrave rrugore. Dhe së fundi, zoti Kryeministër, duke besuar në vullnetin tuaj të mirë për të bërë shtet, e meqenëse pushteti lokal përbën një hallkë në zinxhirin e ekzekutivit, t’i jepni një porosi kryetarit të Bashkisë këtu në Tiranë që të rrallojë ato daljet e tij aq të shpeshta në mediat vizive e të merret më shumë me organizimin e punës në ndërmarrjen e ujësjellësit për ta nxjerrë atë nga ai batak, lëmshi e qorollepsjeje, ku është zhytur e për ta vënë atë në shërbim të qytetarëve.
Sigal