Çlirim HOXHA/Vlora parajsa turistike mbi tokë

734
Sigal

Karaburuni pengu ushtarak i pazhvilluar, Solomoni në buronja e Kuçit.

Gushti pa dyshim që e “mbyt” Vlorën me pushues të ardhur nga të katër anët e globit. Vlora hap dyert e mallit për këdo pasi parajsa u takon të gjithëve, vendasve dhe miqve. Vlora ka një diversitet të pakrahasueshëm turistik, ku deti dhe mali janë pranë e parë si askund tjetër me bukurinë dhe madhështinë e tyre. Vlora ka shumë plazhe të vegjël magjepsës për cilindo që kërkon të shplodh kockat e tij dhe të qetësoi shpirtin pas një viti pune dhe angazhimi. Dua ta nis këtë reportazh nga Kanina me ullishta, ballkoni i Vlorës, epiqendra e dhjetëra luftërave për liri. Kalaja shekullore do të linte pa mend cilindo që do të ngjitej deri atje, kalaja ku Rugjina mbretëroi deri në vetëmohim dhe ku Arjanitët sunduan me të gjitha dimensionet hapësirat jugore të Ilirisë. A e dini së në Malin e Shashicës ka ekzistuar një manastir? Manastiri moshatar me manastirin e Zvërnecit dhe kishën e Marmiroit në Pashaliman u dogj një natë të frikshme së bashku me bibliotekën e tij të pasur. Kanina e shumë kishave, teqeve dhe xhamive. Kanina e 5 kryeministrave, ku 4 prej tyre  jetuan dhe drejtuan Perandorinë Osmane, kurse i pesti, Ismail Qemal Vlora krijoi shtetin e parë modern shqiptar. Në prehrin e malit të Shashicës gjendet një lokal, Shpella e Fikut quhet ndryshe. Kush pushon në Vlorë dhe nuk është ngjitur deri atje, kot thotë se ka qenë në Vlorë. Rruga mban rreth 20 minuta me makinë, pasi është e dëmtuar vende-vende dhe që komuna Qendër duhet ta kishte riparuar përpara sezonit turistik. E pra, që nga Shpella e Fikur Vlora dhe gjiri i saj janë në pëllëmbë të dorës në një panoramë mahnitëse, mbresëlënëse dhe të paimagjinueshme. Vë bast me këdo për këto që po shkruaj dhe jam i sigurt që ata që do shkojnë atje do më japin të drejtë, në mos edhe një drekë për atë zbulim. Që aty qyteti dhe gjiri i detit deri poshtë drejtë Sazanit dhe Karaburunit, rezervojnë magjinë më të vjetër shqiptare që nga koha e krijimit të planetit tonë. Nuk po flas për mikpritjen e lokalit dhe gatimin cilësor, pasi do më merret si reklamë, por do të ftoja cilindo që vjen apo ndodhet në Vlorë të ngjitet deri atje një herë të vetme. Që aty të shfaqet edhe Manastiri i Zvërnecit, që kush nuk e ka vizituar ka humbur një tjetër mundësi të të qenit njeri me sy dhe vesh, me zemër dhe shpirt. Zbresim poshtë nga Kanina dhe shkojmë drejtë Manastirit të Zvërnecit, një tjetër parajsë tokësore që Zoti krijoi mbi tokë për strehimin e perëndive. Manastiri i Shën Mërisë daton në shekullin e X të erës tonë, ndërtuar në një ishull mbuluar nga qiparisat dhe lisat shekullor, ku kisha përbënë një monument brilant arkitektonikë të stilit bizantin. Aty pranë gjendet edhe varri i patriotes dhe qëndistares së flamurit Marigo Pozio dhe prapa ishullit gjendet edhe kisha e vogël e Shën Triadës. Më 15 gusht aty festohet ditëlindja e Shën Mërisë, ku besimtarët e ardhur nga kudo, gdhihen aty nënë prushin e shiut të yjeve që bien nga qielli. Zvërneci ka një plazh të madh me rërë të pastër dhe një det qelibar, por që tani duhet ta kesh xhepin plotë pasi plazhi nga publik është bërë privat dhe privati të ngre zgupthi nga rëra pa të pyetur farë nëse nuk paguan. Nxitojmë të kalojmë nga Zvërneci drejtë vijës bregdetare për nga Uji i Ftohtë, pasi këtu fillon bluja qelibar e detit dhe maratona e panoramave që të shfaqen përpara syve si në një dokumentar turistik nga karaibet. Kalojmë Jonufrën me plazhet e saj të vegjël, duke mos anashkaluar Plazhin Zhiron, një plazh i vogël me rërë të bardhë. Për ata që nuk e dinë, ky plazh e mori emrin në kujtim të Plazhit Zhiron të Kubës në vitet gjashtëdhjetë, atëherë kur Nikita Hrushovi vendosi raketat sovjetike në atë plazh, të drejtuara nga SHBA, gjë që shkaktoi një incident të rëndë diplomatik ndërkombëtar dhe frikën e shpërthimit të një luftë bërthamore, ç’ka e detyroi Hrushovin të tërhiqte raketat dhe ti kthente ato në Rusi. Pas Jonufrës, për të cilën thuhet se aty ka jetuar edhe piktori i madh ikonograf Jonufri shkojmë në Radhimën e plazheve, hoteleve dhe restoranteve, ku mishi në hell ta bënë me sy anës rrugës si një traditë e zonës. Radhima e manderinave Klementina është një vendpushimi i paqtë, ku nata të ngop me gjumë buzë limanit më të famshëm të botës antike. Orikumi që vjen më pas ka marrë një zhvillim të paparë këto vitet e fundit, ku plazhet e tij gjenden mbi kalldrëmin e fundosur të Orikut antik. Tërmeti i Llogorasë në lashtësi ka qenë i përbindshëm për gjithë zonën dhe ka lenë shumë pasoja. Parku Arkeologjik i Orikumit me amfiteatrin e lashtë, dëshmi e antikitetit të lavdishëm të këtij qyteti. Këtu zbriti Cezari gjatë betejës me Pompeun në luftën civile romake. Aty afër gjendet Kisha e Marmiroit, e cila konsiderohej vend i shenjtë dhe ku u jepte zgjidhje problemeve me pjellorinë e grave. Gratë që kishin problem me lindjen, nga zona dhe rajoni, vinin në kishën e Marmiroit dhe ndryshonin për mirë. Orikumi ka dhjetëra restorante dhe disko verore, por banorët e tij kanë një breng, pronat e tyre mbahen peng i politikës që nuk ka pasur deri tani vullnetin për ti zgjidhur. Aty afër gjendet Baza Ushtarako Detare e Pashalimanit, një nga më të famshmet e Luftës së Ftohtë, vendstrehimi i 4 nëndetëseve dhe i shumë anijeve ushtarake. Pashalimani ka një postbllok që nuk lejon njeri të kaloi për në Karaburun. Gjoli i Pashalimanit ku gjendet peshku më i famshëm i ujërave të përziera, Kocja e Dukatit, kështu quhet, pasi gjiri i Pashalimanit është quajtur në lashtësi Gjiri i Dukatit përpara pushtimit turk, derisa një pasha turk i dha limanit emrin e tij Pasha-liman. Po ndalemi në gadishullin e Karaburunit, një pasuri turistike dhe strategjike e rrallë. Karaburuni ka një gjatësi prej rreth 15 km dhe gjerësi prej rreth 3.5 km. Në kohën e monizmit këtu gjuante të shtunave derra të egër ish Kryeministri Mehmet Shehu. Banorët e Dukatit e quajnë Karaburunin pronë të tyre, pasi aty kanë pasur kullotat denë-babadenë. Madje aty ka pasur dhe disa lagje të Dukatit dhe banorë të ndryshëm më kanë dëshmuar se kanë lindur në Karaburun. Për zhvillimin turistik të Karaburunit është bërë pengesë Baza e Pashalimanit, ku dikur Hrushovi dhe Zhukovi planifikonin të ndërtonin edhe një bazë raketash, ndërkohë që fusha e Dukatit do të ishte një aeroport ushtarak. Plazhet e vegjël të Karaburunit ja kalojnë për nga pastërtia dhe bukuria plazheve të dëgjuara të Karaibeve. Plazhi i Shën Janit, Plazhi i Gramës, Plazhi i Raguzës, Plazhi i Gjirit të Dafinës etj, janë magjik, janë të rrallë në gjithë planetin, janë të pashfrytëzuar, janë të marrë peng nga një shtet që dergjet më kot, por nuk bënë dot turizëm. Atje mund të shkohet vetëm me anije, pasi rruga automobilistike kalon nëpër Bazën e Pashalimanit dhe është e ndaluar. Nuk ka plazhe më romantik se plazhet e Karaburunit. Banorët e Dukatit kanë vite që kërkojnë kthimin e pronave të Karaburunit nga kullota në pronësi, pasi kanë që nga Lufta e Trojës që i posedojnë ato prona-kullotë, por që ky shtet deri tani ka bërë rolin e indiferentit, ndërkohë që çirret për një turizëm të zhvilluar?! Nuk mund të zhvillohet turizmi pa u kthyer banorëve pronat e Karaburunit dhe pa i orientuar se si mund të ndërtojnë dhe çfarë të ndërtojnë në funksion të turizmit. E imagjinoni Karaburunin të mbushur me vila të bardha me plazhe magjik, ku mund të pushojnë edhe milionerët e botës, të cilët parkojnë jahtet e tyre në portin e jahteve në Orikum. Karaburuni ka edhe shpella interesante, ku më e madhja dhe e veçanta është Shpella e Haxhi Alisë. Ka marrë këtë emër për shkak të piratit ulqinakas Haxhi Alia, i cili u zinte pritë karvanëve tregtare që vinin nga Venecia për në Korfuz. Qeveria e re shqiptare duhet ta marrë seriozisht zhvillimin e turizmit në Gjirin e Vlorës dhe kryesisht në Karaburun dhe ishullin e Sazanit. Karaburuni është i mbushur me resurse turistike nga më të paimagjinueshmit. Prapa Karaburunit në thellësinë 20-30 m gjenden koralet e kuqe, një degë e të cilës në tregun e zi shkon në 2000 euro. Përpara disa vitesh pirat Italian janë pikasur duke u zhytur prapa Karaburunit, me qëllimin e grabitjes së koraleve të kuqe. Por aty pranë gjendet edhe ishulli i Sazanit, i vetmi që ka Shqipëria në të gjithë gjatësinë e vijës bregdetare të saj. Sazani ka mbetur jetim pas largimit të marinës shqiptare dhe asaj italiane. Dikur ish Kryeministri Pandeli Majko kishte shprehur idetë e tija për kthimin e ishullit të Sazanit në qendër kazinosh për miliarderët e botës, ndërkohë që aty mund të ngrihej edhe muzeu i Luftës së Ftohtë me një nëndetëse dhe disa luftanije të vjetra. Kthehemi për pak çaste në Parkun Kombëtar të Llogorasë. Është quajtur kështu që nga lashtësia pasi ishte vendi ku mblidheshin burrat e Dukatit për të kuvenduar. Logu i burrave, logora, dialog, bisedime apo marrëveshje me gojë, sipas studiuesit Asqeri Boçi. Llogoraja është një park madhështor pishash dhe bredhash të lashtë, mbarsur me histori dhe legjenda mbresëlënëse, ku burojnë ujërat e ftohta të malit. Mbi hotelet dhe restorantet e Llogorasë gjendet Qafa e Cezarit. Sipas vendasve, këtu ka mbërritur Perandori i Romës Jul Cezari me legjionet e tij gjatë luftës kundër Pompeut, ku është pritur nga dukatasit, të cilët kanë shtruar një gosti për nder të tij. Mish keci i pjekur në hell dhe Cezarit dhe shoqëruesve të tij u pëlqeu shumë. Dikush i propozoi perandorit për të marrë me vete disa krerë dhi nga të Dukatit për ti mbarshtruar në Romë, por Cezari kishte thënë: “E megjithatë nuk do të jenë kaq të shijshëm sa këtu”. Kalojmë Qafën e Llogorasë ku të përshëndet Pisha Flamur, një monument natyror mjaftë i bukur, ku të gjithë fotografohen me pishën shekullore. Sapo zbret kthesat magjike dhe të frikshme të Llogorasë ku poshtë mezi dallohet kufiri midis qiellit dhe detit, syri të kap disa vija të bardha, ose rrugë të bardha krijuar nga gërryerjet e përroit të Palasës. Pikërisht aty gjendet Plazhi i Cezarit, por pa pasur një tabelë orientuese dhe joshëse për secilin që kalon andej. Në këtë plazh zbarkoi Jul Cezari me legjionet e tij, me qëllim që ti delte nga prapa krahëve Pompeut në Orikum e me tej akoma tek Shkëmbi i Kavajës. Kalojmë Dhërmiun e plazheve magjik, Jalën e papërsëritshme dhe mbërrijmë në Himarë, ku na tërheq si magnet Shpella e Spilesë. Këtu dhe pikërisht në këtë shpellë Uliksi vrau Ciklopin Polifem pas kthimit nga odesea 10 vjeçare nëpër ishujt e Egjeut pas përfundimit të Luftës së Trojës. Shpella e Spilesë duhet të bëhet e vizitueshme për turistët dhe të përfshihet në axhendat turistike të kompanive. Nëse Bashkia e Himarës, apo Instituti i Monumenteve të Kulturës do të tregonin kujdes të veçantë për të, kurioziteti do të ishte i madh. Kapërcejmë malet e vetëtimës dhe dalim në luginën e Lumit të Vlorës për të shkuar në Buronja të Kuçit ku buron Shushica. Thonë se fama e këtij uji kishte mbuluar botën. Kjo bëri që edhe vet Solomoni me gruan e tij Makeba të shkonte atje për të provuar ujin. Solomoni ishte mbreti më i zgjuar i botës që jetonte në Akaba të Jemenit. Ai ishte martuar me vajzën më të pasur të botës, bija e mbretit të Huribëve. Ajo kishte trashëguar nga i ati Harbesi një pasuri përrallore, që llogaritej në 100 mushka të ngarkuara me flori safi. Buronjat e Kuçit kanë një histori mitike, të cilën as vendasit nuk e dinë. Fama e atij uji kishte pushtuar botën sa e detyruan Solomonin dhe Makebën të niseshin për ta shijuar. Dikush mund ta konsiderojë këtë si një legjendë. Por kjo nuk është legjendë. Kjo gjendet prej qindra vjetësh e shkruar dhe e ruajtur në arkivat e Vatikanit. Buronjat e Kuçit janë krijuar pas zhdukjes së Atlantidës, kontinentit të zhvilluar që u përpi nga ujërat e oqeanit botëror, kështu ka thënë Solomoni. Ai e kish dëgjuar këtë të vërtetë nga goja e paraardhësve të tij të zgjuar. Ka ndodhur një kataklizëm atëherë. Bëhet fjalë për dymbëdhjetëmijë vjet më parë. Ishulli i madh i Kretës kishte lëvizur nga vendi, duke ndryshuar pozicionin e tij. Kjo lëvizje e papritur kishte shkaktuar ankth dhe tmerr tek pellazgët, banorët e vjetër të ishullit. Madje, edhe sirenat e detit kishin dalë në breg të lemerisura.  Pikërisht kur Kreta po lëvizte, u bë edhe mbytja e Atlanditës. Fundosja e kontinentit shkaktoi shtypjen e gjirit të tokës dhe si pasojë e kësaj shtypje plasën ujërat e shenjtëruara në zonën malore kaonike të Kuçit në afërsi të brigjeve detare të Jonit. Ja çka thënë Solomoni për Buronjat e Kuçit: “Ato burime janë fantastike dhe unë me Makebën kemi shkuar të pimë nga ai ujë i mrekullueshëm, që është i vetmi në botë”. Por në Buronjat e Kuçit nuk ka qenë vetëm Solomoni. Tek Buronjat e Kuçit Odisea organizoi festën e fitores së Luftës së Trojës. Por jo vetëm ai. Perandori i Romës Jul Cesari i kishte Buronjat e Kuçit si stacionin e tij ushtarak, ku aftësonte legjionet e tij për marshimet në thellësi të vendit në ndjekje të Pompeut. Aty ushtarët ngarkonin ujin e famshëm dhe kuajt pinin të etur. Nëse kjo histori e vërtetë dhe vlerat jetëdhënëse të ujërave magjik që burojnë nga Kuçi do të njiheshin vërtetë, drejtë tij do nxitonin nga të katër anët e botës. Ky është turizmi që shqiptarët duhet të promovojnë, pasi kanë një pasuri të paçmuar që nuk e ka kush në botë.