Çlirim HOXHA/Vlora, 22 vite të humbura kot përmes një demokracie të çalë

634
Sigal

Fushata elektorale, apo parafushata elektorale ka nisur dhe po shënon çdo ditë e më shumë ngritje të temperaturës politike mes maxhorancës dhe opozitës. Të paktën në qytetin e Vlorës ajo që po i jep tonin kësaj parafushate është PS-ja e qytetit bregdetar, ku shumë të rinj, deri dje indiferentë, i sheh sot të angazhuar në atë që quhet Rilindje Shqiptare. Kryetari i PS-së Bashkia Vlorë, zoti Edmond Leka na tha dje se, ka një prurje të madhe të të rinjve vlonjate që janë bërë pjesë e FRESSH-it dhe që duan të angazhohen si pjesë e organizatave socialiste të qytetit. Kjo rini aktive e FRESH-it të Vlorës nuk po qëndron asnjë çast e qetë, por po merr pjesë në të gjitha aktivitetet që zhvillohen në qytet, po organizon vet aktivitete me librin, me poezinë, krahas atyre politike etj.. E kundërta ndodh me të rinjtë e PD-së në Vlorë, të cilët deri tani vetëm heshtin, ose vihen në lëvizje të detyruar nga drejtorët e shkollave për të mbushur mitingjet politike të kësaj force partiake. Ardhja e Edi Ramës në Vlorë të enjten paradite dhe shpalosja e programit të PS-së për turizmin dhe infrastrukturën, diçka e rrallë kjo në Shqipëri, ku një lider politik del cep më cep dhe prezanton apo publikon projekte konkrete për zhvillimin ekonomik të vendit. Në fakt, kanë kaluar 22 vite demokraci të humbura kot dhe që kanë sjellë, duam apo nuk duam, një zhgënjim të madh në popull për këtë klasë politike të dështuar. Monopolizimi i demokracisë nga një komunist si Sali Berisha e la Shqipërinë në një situatë varfërie për 22 vjet me radhë. Kuptohet, nuk mund të ndodhte ndryshe, vet formimi politik i tij e bënë të pamundur kapërcimin e mentalitetit dhe ideologjisë së klasave. Megjithëse, Berisha ka mundur të mbijetojë politikisht, për shkak të talentit të tij aktoresk, kusuret po i vuajnë shqiptarët. Ethet e pushtetit nga të cilat është i sëmurë Kryeministri, mund të shkaktojnë epidemi kaosi dhe dhune në një vend që e ka pasur edhe më parë të tilla pasoja. Një gjë nuk po arrijnë të kuptojnë një pjesë e shqiptarëve, të cilët shkojnë djathtas qorrazi. E kam fjalën për të djathtën që përfaqësohet nga Berisha, pasi gjatë këtyre 22 viteve Shqiptarët në përgjithësi janë më keq se përpara viteve 90?! Askush nga shqiptarët, veç të përndjekurve politik dhe ish pronarëve, nuk do ishte ngritur të ndryshonte sistemin politikë në Shqipëri, nëse do e dinte se për 22 vitet e ardhshme ata do të mbeteshin të papunë, do të ushqeheshin me lista në dyqane, do të merrnin ilaçe me lista në farmaci, do të dëgjonin e shikonin se si drogohen të rinjtë, se si vajzat kthehen në prostituta për kafshatën e bukës, se si mbyten shqiptarët në det, se si vriten me njëri-tjetrin për një gardh e për një copë tokë, se si ekzekutohen pa të keq për një gërvishtje makine etj.. Askush nuk do ishte ngritur të ndryshonte sistemin politik në Shqipëri po ta dinte se ata që erdhën më pas me Berishën në krye, do të shisnin të gjithë asetet dhe pasurinë kombëtare tek të ashtuquajturit investitor të huaj, do të shisnin detin me çka nën të, do të shkatërronin dhe copëtonin një nga minierat më të mëdha dhe rentabël në botë, atë të kromit, do të shpartallonin vendburimet e naftës dhe gazit, do të rrafshonin me tokën të gjithë industrinë dhe do ta shisnin për skrap, do të shpartallonte ushtrinë dhe do ta çarmatoste, duke shitur armatime, tunxh, barot si ai i Gërdecit, avion, tanke, artileri, e deri tek nëndetëse. Askush nuk do kërkonte të ndryshonte sistemin po ta dinte se një pjesë e fëmijëve shqiptar do të mbeteshin pa shkollë dhe shkollat do të ktheheshin në kasolle si ato të kohës së Qemos, apo sepse, në këtë vend do të hapeshin universitete në çdo fshat që do prodhonin diploma pa vlerë. Shumica e vlonjatëve nuk do ishin ngritur të ndryshonin sistemin, po ta dinin se ai që do vinte në pushtet pas 22 marsit 92 do ta linte Vlorën pa investime, edhe përpara 100 -vjetorit të pavarësisë. Askush nuk do ishte ngritur të ndryshonte sistemin po ta dinte se do gënjehej me firmat piramidale, do shiste shtëpi dhe bagëti për t’i futur në skemat piramidale dhe do ngelej me gisht në gojë. Të gjithë e hëngrëm sapunin për djathë dhe kujtuam se brenda 22 viteve demokraci ne do rreshtoheshim ndër vendet më të zhvilluara ekonomike të Europës. Shembuj të zhvillimit 20 -vjeçar ka plotë në botë, si Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara etj.. Do thotë ndonjëri, po ato s’janë si ne se notojnë mbi naftë. Po, është e vërtetë, ata kanë naftë, rërë dhe vapë. Kaq kanë ata, por kanë kokë dhe jo vetëm koqe, kurse ne nuk kemi asnjë nga këto, as poshtë e sa lartë. Ne kemi më shumë se kushdo në rajon, kemi naftë dhe gaz, kemi krom, bakër dhe ar, kemi hekur-nikel, kemi boksite, kemi lumenj dhe liqene, kemi dete, male dhe fusha, kemi laguna, kemi plazhe të virgjër, por nuk kemi kokë dhe jemi vetëm për të vjedhur përmes pushtetit, për të vrarë përmes shtetit, për t’u pasuruar përmes ryshfetit. Le të kthehemi tek fushata elektorale, apo parafushata dhe të shohim se ç’thuhet në Vlorë për listën e kandidatëve për deputet. Ka një tendencë për të prezantuar në Vlorë emra intelektualësh të njohur në fusha të ndryshme të jetës shoqërore. Në fakt, çdo kryetar partie do të mbante nën mëngë asin e tij, si një e drejtë për të parë pak më larg se të tjerët, por do të ishte mirë që emrat e kandidatëve për deputet të Vlorës, duhet të dalin nga baza dhe ti nënshtrohen një gjykimi dhe vlerësimi nga baza. Një parti politike dhe anëtarësia e saj nuk janë një turmë dhensh që shkojnë vetëm nga i drejton çobani, por vullnetar politik që kanë pranuar një statut dhe një program dhe mbi këtë statut dhe atë program kanë të drejta dhe detyra. Kanë të drejta të zgjedhin dhe të zgjidhen, mirëpo në rastin e formatimit të listës për kandidat për deputet, nuk do ishte e drejtë vendosja e vetos nga ana e kryetarit të partisë në qendër apo e drejtuesve poshtë në qarqe, ndryshe nuk do të quhej parti politike, por çeta kaposhësh që bëjnë ligjin dhe s’pyesin për askënd. Çdo deputet aktual dhe që do të jetë sërish në listën e kandidatëve për zgjedhjet e 23 Qershorit, duhet të tregoi përpara anëtarësisë së partisë dhe elektoratit që e votoi në mandatin e kaluar, se si e ka përfaqësuar dhe sa herë është shfaqur në foltoren e kuvendit për të ngritur çështje dhe probleme që e shqetësojnë elektoratin, apo qytetin nga vjen. Kurse për kandidatët e rinj, kjo është një çështje me spec. Gabimet e bëra në disa raste me kandidat për deputet, apo për kryetar qarku, komune dhe këshilltar, nuk duhet të përsëriten më. Monopolin e qejfit ndaj këtij apo atij emri nuk duhet ta ketë askush, veç strukturave të një partie politike në demokraci. Teoria e faktit të kryer është teoria që të djeg më shumë nesër, ndaj është mirë që të ketë një konsensus sa më të gjëra brenda strukturave të një force politike. Vlora, të paktën, është një qytet që deri tani është drejtuar mirë nga një personalitet si Shpëtim Gjika, por Vlora dhe elektorati i saj nuk duhen sfiduar me kandidime të postuara nga lartë, pa patur një informacion të detajuar për secilin kandidat, informacion që merret shumë kollaj përmes drejtuesve lokal të një partie politike, apo qeverisjes vendore. Anashkalimi i këtij informacioni apo opinioni do ta dëmtonte rëndë imazhin e çdo drejtuesi në qendër dhe do tu jepte rrugë mllefeve dhe pakënaqësive. Është anëtarësia e partisë ajo që vihet në punën më të vështirë në teren për të marrë kontakte me elektoratin dhe për ti nxjerrë njerëzit në votim, prandaj kjo anëtarësi duhet të jetë e motivuar, e dëgjuar dhe respektuar kur vjen fjala për emra kandidatësh për deputet. Nëse dikush shqyhet për të futur emrin në listë për kandidat për deputet, duhet të tregoi motivet përse e kërkon këtë kandidim, pasi sot është bërë e modës që tentohet të futen në kandidim, edhe përmes mënyrave të pandershme dhe pastaj kur zgjidhen deputet, harrojnë se kush punoi që të zgjidhesh dhe si u zgjodh dhe rendin e ministrive dhe drejtorive për të siguruar aksione e monopole për veten, fisin dhe farefisin. Ne nuk do të dëshironim që të shikonim një deputet se si lyhet e përlyhet për t’u pasuruar gjatë mandatit që i ka besuar elektorati, ndërkohë që njerëzit e thjeshtë, votuesit e tij vuajnë për bukën e gojës. Ja se si shkruan poeti i madh Ali Asllani tek “Hakërrim”:

Dallavera nëpër zyra, dallavera në Pazar,

dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’

Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi

që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!

 Në takimin e të enjtes me Edin Ramën, të rinjtë e FRESSH-it kishin shkruar një parullë ku thuhej: “Rilinda fillon nga Vlora”. Jo pa qëllim ishte shkruar kjo parullë, pasi ka ndodhur nëpër vite që shumë premtime i janë bërë Vlorës si një nga qytetet më të mëdha të vendit, qyteti i pavarësisë, i historisë dhe i turizmit, i cili do kthehej në zonë e lirë ekonomike, do bëhej porti më i madh i Adriatikut dhe Jonit, se në Vlorë do ndërtohej aeroporti më i madh turistik i rajonit (ai i Poros) që në programin për turizmin dhe infrastrukturën të PS nuk u zu në gojë, por asgjë nga këto nuk kanë ndodhur për qytetin e Flamurit. Vlora dhe vlonjatët janë lënë me atë çka ka bërë dhe bënë përditë Bashkia e këtij qyteti, të cilës Berisha, ashtu siç deklaroi Shpëtim Gjika, i ka akorduar gjatë 8 viteve zero investime, zero grande. Deputetët e PD-së së Vlorës punuan dhe luftuan për veten e tyre dhe jo për qytetin nga dolën. Zgjedhjet e 23 Qershorit duhet të çojnë në përmbysjen e madhe të situatës, pasi populli i Vlorës dhe ai shqiptar në përgjithësi, është totalisht i zhgënjyer, i mashtruar dhe i nëpërkëmbur. Po ta kishim ditur kështu këtë demokraci 22 -vjeçare, më mirë të mos e ndryshonim sistemin, tha Edi Rama në Vlorë, duke u angazhuar që Rilindja do nisi nga Vlora.