Çlirim Hoxha/Vërejtjet e Amerikës dhe pushtetarët shqiptarë

546
Sigal

Ndalu bek se ka hendek, i thonë kësaj fjale, por ai që është gatuar me frymën e komunizmit ngadhënjimtar, me rrethimet e dyfishta imperialisto-revizioniste, me teorinë marksiste-leniniste, me luftën e klasave brenda gjirit të partisë, e madje brenda familjes, nuk ka se si të ndryshojë në thelb. Ai ngelet po ai, por me një ndryshim, ka treguar deri tani aftësi të rralla aktoreske, duke e dredhur bukur dhe duke u konvertuar nga një komunist ekstremist në një antikomunist të tërbuar. Ky është gabimi i vetëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që i besuan atij qysh në fillimet e demokracisë dhe akoma i besojnë?! I besojnë një njeriu që shtiret si një nga demokratët më të mëdhenj të botës, si një euforist patologjik që nuk ndalet në aventurën e tij sfiduese ndaj Evropës. I kanë besuar dhe i besojnë akoma, por deri këtu, pasi më tej rruga nuk u garanton siguri dhe është gati duke u shembur. Në fakt, në fillim të viteve 90 Shtetet e Bashkuara e panë Sali Berishën si një intelektual të mirëfilltë populist, si një antikomunist të konvertuar me shpejtësinë e dritës në një demokrat të tërbuar dhe të themi të drejtën, Berisha e justifikoi besimin e amerikanëve. Ai mbështeti ndryshimet politike në Shqipëri, paçka çfarë fshihte në brendësinë e idealeve të tij të vërteta, përkrahu të përndjekurit politikë, zhvarrosi të dënuarit dhe të pushkatuarit pa gjyqe të regjimit komunist, burgosi krerët komunist kryesor të regjimit, përfshirë këtu të venë e mësuesit të tij Enver Hoxha dhe pasuesin Ramiz Alia. Këto lëvizje dhe egërsia me të cilën Berisha iu paraqit botës demokratike, i dhanë atij shumë pikë në luftën kundër komunizmit, pasi në çdo miting dhe kudo ku shkonte, Berisha u bë frymëzimi i ithtarëve të tij për të dënuar komunizmin në çdo rast. Se çfarë përfaqësonte Berisha në vetvete kjo u pa qartë në vitet ‘94-‘95-‘96-‘97, kur ai e hoqi për një moment maskën dhe iu kundërvu Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i akuzuar ata për cenim të sovranitetit të Shqipërisë?! Pra, thirrjet e artikuluara nga Berisha dhe partia e tij për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa e më pas si Amerika, u bënë pluhur e hi dhe degjeneruan në luftë personale ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Kemi parasysh këtu burgosjen e kryetarit të PS Fatos Nano dhe shkatërrimin e procesit zgjedhor të vitit 1996 duke përgjakur sheshet dhe liderët e opozitës, deri me thyerje kafkash në rrugët e Tiranës. Berisha është një i sëmurë për mend pas pushtetit. Pushtetit si një tërësi vlerash dhe kompetencash dhe jo si një nocion abstrakt. Pas rrëzimit të piramidave në vitin ‘97 ra edhe Berisha, që me shumë sforco u largua nga presidenca, pasi kishte çuar në varr rreth 2000 shqiptar për shkak të politikës së tij të kokëfortësisë për ta mbajtur me çdo çmim pushtetin dhe kishte lënë pas një shtet pa shtet me rreth 10 mijë të plagosur, me ushtri dhe polici të shpartalluar dhe institucione të përdhosura keq. Por Berisha si një inatçi i sëmurë pas pushtetit, nuk mund ta gëlltiste gjatë ardhjen në pushtet të socialistëve dhe aleatëve të tyre në qershor ‘97 dhe nën mbikëqyrjen e forcave ushtarake të huaja. Ai nisi menjëherë protestat dhe mitingjet, duke sulmuar me molotov godinën e kryeministrisë e deri tek grushti i dështuar i shteti i 14 shtatorit 1998.

Gjatë kohës që ishte në opozitë Berisha u betua e stërbetua për demokraci të vërtetë dhe la të kuptohej se, nëse bëhej edhe një herë nuse, do të dinte si të nusëronte. Fakti që PS u përça në vitin 2005 nga Nano dhe Meta, të cilët i thanë Berishës, urdhëro pushtetin, ishte një ngjarje që nuk u prit mirë nga ndërkombëtarët, të cilët i quajtën disa politikanë shqiptar burra pa këllqe, për shkak se e mbajtën ende Berishën mbi kalë. Shtetet e Bashkuara u pajtuan me realitetin pasi nuk kishin se ç’bënin ndryshe. Mjaftonte që të gjithë politikanët shqiptarë të majtë dhe të djathtë betoheshin për Amerikën dhe kjo ishte më e rëndësishmja për ta. Amerika e toleroi shumë Berishën dhe pushtetin e tij, paçka se e kishte kritikuar vazhdimisht për korrupsionin dhe krimin në rritje. Por Shtetet e Bashkuara nuk mund ta toleronin më Sali Berishën, kur ky i fundit u lëshua pa fre përmes një nacionalizmi ekstrem, gjë për të cilën nxori nga shinat e lojës ato vlera të qenësishme të faktorit paqësor dhe garancitë e stabilitetit rajonal, për të cilat Shqipëria ishte shquar në dy dekadat e fundit.

Berisha ra në lojën e nacionalizmave në funksion të mbajtjes së pushtetit të tij personal. Berisha u bë xheloz me rritjen e popullaritetit të partive të tjera për shkak të veprimtarive patriotike që ato manifestuan në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë, por edhe për shkak të synimeve të tij elektorale për zgjedhjet politike të 23 qershorit dhe hodhi në qarkullim pretendimet e Shqipërisë së madhe, duke u kujtuar evropianëve dhe amerikanëve se, kufijtë natyral të Shqipërisë nisin nga Preveza, por duke u futur edhe në punën e brendshme të një shteti tjetër dhe konkretisht të Serbisë me çështjen e Luginës së Preshevës?! Të mbrosh shqiptarët kudo ku jetojnë është një detyrim i çdo qeverie, por të ngatërrohesh në punët e brendshme të një shteti tjetër, duke menduar se do fitosh pikë në sytë e bashkatdhetarëve të tu, ose-ose, edhe për ndonjë qëllim tjetër që lidhet me 23 qershorin, kjo është diçka që shkatërron ato parime esenciale që kanë udhëhequr shqiptarët në shekuj, mbrojtja e vlerave më të mira të sigurisë dhe paqes në rajon. Memo që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i lanë mbi tavolinë Kryeministrit, është diçka shumë e rëndë për një qeveri që pretendon se ka miq të mëdhenj dhe aleat potencial, siç janë në fakt Shtetet e Bashkuara. Të mos harrojmë ndihmën e pakursyer për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri. Të mos harrojmë Luftën e Kosovës. Të mos harrojmë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO etj., që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë kombit shqiptar. Por Sali Berisha nuk pyet për Amerikë kur i cenohet pushteti i tij personal dhe kjo u pa qartë në reagimet e trupit gjykues për vrasjet e 21 janarit, por më skandaloze akoma ishte reagimi i Ministrit të Drejtësisë apo edhe të disa deputetëve të mazhorancës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfaqësuar nga Ambasadori Arvizu. Ky ishte kulmi i kulmit i papërgjegjshmërisë së një klase politike të djathtë që drejton sot vendin në raport me aleatin tonë më të madh strategjik, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Amerika të dha ekspertët më të mirë pas kërkesës që i dërgove dhe të tregoi vrasësit e 21 janarit, ndërkohë që ti i ndërzen zagarët dhe i thua, hesht dhe mos fut hundët?! Deri këtu ka arritur puna ndaj mikut tonë më të madh të këtyre dy dekadave të fundit që Zoti na i solli me dorë. Mbështetja që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë dhe po i japin Shqipërisë dhe kombit shqiptar, nuk do të thotë që o burra të zgjojmë nacionalizmat shqiptare, apo të krijojmë një nacionalizëm të ri, i cili për hir të interesave që lidhen me zgjedhjet e 23 qershorit dhe me kulisat e tyre të qelbura, ka dalë në skenë me eufori dhe po u bie trumbetave politike në Ballkan. Në “Memon” që Shtetet e Bashkuara i lanë në derë Qeverisë shqiptare, kritikohet ashpër kjo frymë nacionaliste e Sali Berishës, i cili si Don Kishoti mbi kalë, po lufton me mullinjtë e erës. Kjo edhe për shkak se Shtetet e Bashkuara u vunë nën kritikat e disa aleatëve të tyre evropianë për nxitje dhe mbështetje të ambicieve të Shqipërisë së Madhe, gjë që nuk na rezulton të jetë e vërtetë. Nuk është e vërtetë pasi Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur gjithmonë aspiratat e popullit shqiptar për integrimin evropian dhe, edhe nëse një ditë ndodh bashkimi kombëtar i shqiptarëve, ky bashkim do të ndodhë në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë dhe Kosovës. Dikush mendon për faktin e kryer të një bashkimi të mundshëm, por kjo gjë nuk mund të ndodh me luftë, por vetëm përmes paqes dhe mirëkuptimit, me bekimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe, pa prishur harmoninë dhe sigurinë rajonale, ndryshe çdo tentative do të ishte e kotë dhe e rrezikshme.

Ai është gati të shesë edhe vendin e varrit për pushtetin, por ta mbajë atë me çdo kusht, me çdo çmim. Pra, siç po kuptohet, PD po tenton të kthehet një detashment të armatosur politik, e ngjashme me partinë e Adolf Hitlerit. Pushteti merret me vota tw vjedhura dhe mbahet me grykën e pushkës, kjo wshtw esenca nw fjalw. Ndoshta Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta provonin edhe një herë se me kë kanë të bëjnë. Herën e parë, në vitet ‘94-97 nuk ishte faji i Shteteve të Bashkuara që të besuan dhe mbështetën, pasi nuk të njihnin mirë dhe ua hodhe. Herën e dytë, 2005-2013, është faji i Amerikës që të mbështeti dhe përkrahu, pasi të kishte provuar një herë. Ja faktet, Ministri i Drejtësisë iu kundërvu Amerikës për reagimin e Ambasadës ndaj një vendimi gjykate?! Një reagim kryekëput i papranueshëm nga një gjykatë e varur kokë e këmbë. Edhe sikur shkallët e tjera të gjykimit të japin drejtësinë e munguar për 21 janarin, Ambasada e Shteteve të Bashkuara kishte të drejtën legjitime të reagimit të menjëhershëm pas vendimit të parë, pasi degradohej dhe zhvleftësohej një ekspertizë e FBI-së e kërkuar dhe thirrur zyrtarisht nga Qeveria Shqiptare dhe Prokuroria?! Lëre se çfarë argumentoi më pas gjykata, pas reagimeve publike ndaj vendimit të saj. Sulmi ndaj Shteteve të Bashkuara nga ana e gjykatës dhe Ministrisë së Drejtësisë, apo krejt mazhorancës, duke i kujtuar Amerikës se ka vrarë në muret e ambasadave, do ta merrte përgjigjen zyrtare përmes “Memos” që iu la në tavolinë kësaj qeverie kundër nacionalizmit të dalë boje, që po artikulon prej kohësh kryeministri i përkohshëm i këtij vendi. Besojë se Shtetet e Bashkuara duhet ta kenë kuptuar përfundimisht se me kë kanë të bëjnë.