Çlirim Hoxha/Teoritë shkatërrimtare që i çuan shqiptarët në papunësi dhe mjerim

566
Sigal

Pas më shumë se 20 viteve demokraci, gjithkush bënë një analizë në vetvete me ato që kishim dhe që nuk i kemi më. E kam fjalën për industrinë shqiptare të ngritur me aq shumë mund dhe sakrifica gjatë 50 viteve të regjimit komunist, por që u rrafshua me tokën nga e ashtuquajtura demokraci e Sali Berishës, e cila pasuroi disa kokrra, por mbolli mes shqiptarëve papunësinë më të madhe të parë ndonjëherë që pas Luftës së Dytë Botërore dhe një emigracion që nuk u ndal asnjëherë drejtë Evropës dhe SHBA.

PD që erdhi në pushtet në mars të 1992-shit kishte hedhur në qarkullim disa teori që rezultuan fatale për shqiptarët dhe që nuk ishin gjë tjetër veçse një shportë mashtrimesh të paskrupullta. “Ta fillojmë nga kuota zero”, ishte një nga teoritë më fatale për këtë vend, pasi duke nisur dhe duke u zbatuar privatizimi masiv i pasurisë kombëtare, Shqipëria u kthye në pirgje gërmadhash dhe hekurishtesh, të cilat pasuruan kompanitë e botës, por jo shqiptarët. Le të marrim Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, i cili u mor nga kompania turke “Kurum”, e cila nuk do ta kishte të lehtë nëse do t‘i duhej të vinte në punë minierat e hekur-nikelit të Pishkashit, Përrenjasit dhe Gurit të Kuq, si dhe fabrikat e pasurimit të këtij minerali. Fakti që “Kurum” erdhi në Shqipëri me lugë në brez, jo për faj të saj, por pasi gjeti një teren të përshtatshëm ku çeliku ishte sheshit, ku nuk duhet të bënte gjë tjetër veçse ta grumbullonte këtë metal dhe ta shkrinte e hidhte në kallëpe, nxiti një shkatërrim masiv të asaj çka ishte ngritur që pas vitit 1944 e deri në fund të viteve ‘80.

Me qindra pika grumbullimi të hekurit mbinë në çdo cep të Shqipërisë dhe një betejë e egër nisi me shkuljen nga vendi të fabrikave, uzinave e kombinateve që kishin punësuar e mbajtur me bukë me mijëra punonjës dhe specialist të të gjitha fushave. Nuk u kursye asgjë dhe parat rrodhën e po rrjedhin lum në arkën e “Kurum”, përderisa pirgjet me hekurishte po vijnë nga të gjitha anët e Shqipërisë. Në këtë ndërmarrje gjigante janë përfshirë edhe një specie hajdutësh, jo vetëm ordiner por edhe politikë, ku uzina gjigante kanë shkuar për dhjam qeni dhe janë shkrirë në furrat e “Kurum” në Elbasan, ndërkohë që vendet e Europës lindorë, pra vendet ish- komuniste nuk prishën dhe shkatërruan asgjë, por i kanë në punë këto uzina, fabrika dhe kombinate, i kanë modernizuar ato dhe punonjësit e tyre vazhdojnë të punojnë dhe t’i trashëgojnë këto pasuri gjaku dhe djerse të brezave të tërë. A e dini se vet kinezët kanë shprehur rezerva për shkatërrimin e Uzinës së Plehrave Azotike të Fierit, të cilën, sipas tyre, e kishin blerë me flori nga Franca për Shqipërinë. Po sa e sa uzina dhe fabrika, kombinate gjithashtu u shkatërruan, u zhveshën dhe u shitën për skrap?! A e dini dhe të gjithë e dimë, që në “luftën e skrapit” u përfshinë edhe politikan dhe njerëz të veshur me pushtet. Kjo zallamahi mbi tokë dhe nënë tokë e ka bërë këtë tokë qilizmë të korrupsionit, sikur të kishin mbërritur arkeologët e të gjithë botës dhe të gërmonin dhe zbulonin thesaret e antikitetit.

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për shkatërrimin e Fabrikës së Llambave Elektrike në Vlorë? Ajo fabrikë kishte arritur të prodhonte llamba me cilësi të lartë, të cilat kalonin edhe kohën normale të parashikuar të skandencës, por prodhonte çdo gjë që i duhej ekonomisë shqiptare në fushën e elektricitetit. Ajo fabrikë rentabël mund të modernizohej akoma më shumë dhe të vazhdonte aktivitetin, por u copëtua nga një qeveri që u duk në horizontin  e fillim viteve ‘90 me kazmë dhe vare në duar. Po Kombinati i Konservave në Vlorë ku punonin me dhjetëra punëtor ku është? Të gjithë vlonjatet e brezave para viteve ‘90 e mbajnë mend mirë se çfarë prodhonte ai kombinat. Të gjithë e mbajnë mend se si rreshtoheshin makinat me domate në një gjatësi 5 km nga Pusi i Mezinit e deri në Skelë në radhë për të shkarkuar. Të gjithë i kanë provuar konservat e peshkut apo të ngjalës, të frutave apo perimeve që dilnin nga repartet e atij kombinati të bërë hi dhe pluhur. Po Uzina Mekanike e Vlorës ku është sot. Ku është sot fabrika e çimentos, fabrika e pllakave të eternitit, fabrika e orizit, fabrika e ekstrataninit? Ku është sot kombinati ushqimor me fabrikat e vajit dhe të sapunit? Ku janë sot makinerinë e uzinës së sodës dhe pvc-së? Ku janë sot ofiçinat e dhjetëra parqeve automobilistikë, të ndërmarrjeve të prodhimeve artizanale e deri tek stacioni hekurudhor i shkatërruar?! Të gjitha u shkrin në Elbasan pasi u dërguan atje si skrap duke lenë me mijëra punëtorë pa punë dhe duke i detyruar shqiptarët të marrin arratinë udhëve të botës. Mora si shembull vetëm Vlorën, por e gjithë Shqipëria ishte një minierë e madhe ari për kompaninë turke “Kurum”, ndërkohë që shqiptarëve u mbetën në duar disa lëmosha taksash qesharake.

Shqipëria numëron, sipas regjistrit themeltar të gjendjes civile, afërsisht 4.5 milion banor, ndërkohë që censusi i fundit nxori një popullsi prej 2.8 milion banorësh. Kjo tregon se afërsisht 1.7 milion shqiptar janë larguar nga vendi gjatë këtyre 22 viteve, pasi u gjendën përballë politikës së tokës së djegur nga ana e qeverisë së Sali Berishës, që vuri në zbatim të ashtuquajturin “privatizim të pasurisë kombëtare”. Ai privatizim pasuroi disa individë, por popullin shqiptar në shumicë e hodhi në rrugë?! Kush do mbajë përgjegjësi për këtë? Cili autor dhe kryeshtetarë do shkoi nesër në bankën e të akuzuarve? A duhet të përgjigjet dikush për këtë masakër? Të shohim dhe të presim kur në Shqipëri të mos ketë mbetur më asnjë copë metali si skrap, a do të qëndroi më këtu kompania “Kurum”? Qofsha i gabuar në mendimet e mia, por ashtu siç po venë punët, Shqipëria nuk ka më as fabrika dhe as uzina dhe një papunësi rreth 1 milion njerëz që jetojnë me lista në dyqane dhe rropaten rrugëve dhe kafeneve pa asnjë shpresë. Në vendet e lindjes ish komuniste asgjë nuk u prek dhe sot të gjitha fabrikat, uzinat e kombinatet e dikurshme janë në punë, kurse këtu u rrafshua gjithçka. Një miku im më tha një ditë: Duhet litari me dhjam për iniciatorët, orientuesit dhe zbatuesit e teorisë famëkeqe, “Ta fillojmë nga kuota zero”. A do mbajë ndonjë herë përgjegjësi Kryeministri i sotëm i këtij vendi, frymëzuesi i kaosit politik dhe ekonomik në këtë vend gjatë 22 viteve?! Mendoj se një epokë aspak e lavdishme po mbyllet për shqiptarët dhe po afron një epokë e re, e cila mbështetet në filozofinë e Edi Ramës për një Rilindje Kombëtare. Faraonët ranë, piramidat ngelën. Duket qartë që “Faraoni” i sundimit 22 vjeçar të këtij vendi po sfumohet me shpejtësi, duke lenë pas një popull të papunësh dhe emigrantësh. Duke lenë pas një demokraci të deformuar qysh në themel, një luftë të egër ndaj kundërshtarëve të tij politike për ta marrë dhe mbajtur me çdo çmim pushtetin. Duke lenë pas një korrupsion galopant dhe duart me gjakun e Gërdecit dhe 21 janarit. Por pas ndryshimit të madh që të gjithë e presim pas 23 qershorit, dikush duhet të përgjigjet për varfërinë e shqiptarëve, për papunësinë dhe shkatërrimin ekonomik të tyre. Shqiptarët u kthyen gjatë këtyre viteve nga një popull prodhues, në një popull konsumues, ku bujqësia u kthye në kohën e feudalizmit dhe toka lërohej me qerre, kuaj dhe gomarë. Mjetet e mekanizuara nuk i blejnë dot fermerët e thjeshtë që përbëjnë shumicën në fshat, pasi nafta ka vlerën e floririt në këtë vend me pasuri hidrokarburesh. Një program gjigant po u shpaloset çdo ditë e më shumë shqiptarëve këto muajt e fundit, programi i Edi Ramës,  Për Një Rilindje Kombëtare. Kemi konstatuar që është një program i detajuar për çdo sektor të ekonomisë, çka, nëse zbatohet vërtetë, gjë që unë e besoj, do të gjeneroi energji të jashtëzakonshme për zhvillimin e këtij vendi dhe për një mirëqenie të pranueshme për këtë popull të vuajtur. Sali Berisha është bërë xheloz me ambiciet dhe angazhimet e Edi Ramës dhe po përpiqet që ta kopjoi dhe t’i dal përpara me disa deklarata që zor se do të gjejnë zbatim. Do të uli me 10% tatimet për pagat nga 30 mijë lekë e poshtë, tha së fundmi?! Po kur ua fute shqiptarëve dhe sidomos administratës publike taksën e sheshtë, a të kujtohet zotëri?! Rama flet për taksë progresive, ti e kundërshton, dhe nga ana tjetër deklaron se do ulësh me 10% tatimin mbi pagat?!

Ti e mbyte biznesin e vogël me taksa dhe tani po vjen rrotull të kundërshtosh taksën e biznesit të vogël që Rama ka deklaruar se do ta heq me të ardhur në pushtet. A e di more zotëri që biznesi i vogël është i fundosur, pasi tregton me lista nga mjerimi dhe papunësia e shqiptarëve, paçka se ti e rreshton veten të katërtin në botë?! Mesa di unë, popullsia e atyre vendeve që vijnë të pestët, të gjashtët e kështu me radhë prapa Shqipërisë tënde, nuk blejnë me lista nëpër dyqanet e biznesit të vogël?!

Ka shumë për të thënë e shkruar mbi deformimin më skandaloz që i ke bërë demokracisë në këto 22 vjet dhe shkatërrimit të ekonomisë, prandaj me të drejtë shqiptarët pyesin: A do të vihen përpara drejtësisë ndonjë ditë shkaktarët?