Çlirim Hoxha/ Të kthejmë shpresën e shqiptarëve përmes masave konkrete ekonomike

634
Ka 25 vjet që nga ky atdhe që quhet Shqipëri është larguar 1/3 e popullsisë dhe rrjedhja vazhdon pa fund. Vallë ku po shkojnë Shqiptarët, këtë të gjithë e dinë, por edhe shkakun e largimit të gjithë e dinë. Shqiptarët nuk lejojnë më që jeta t’u shkas nëpër shalë mes varfërisë dhe fukarallëkut. Njeriu një jetë ka dhe nuk ka shans tjetër për të jetuar më mirë nëse nuk lëviz nga vendi. Ka mëse 6 muaj që epidemia e largimeve ka marrë përmasa të ethshme dhe të frikshme njëkohësisht, pasi Shqipëria po braktiset me kuç e me maç. Disa thonë se po braktiset nga thashethemet gjermane, disa të tjerë thonë se po braktiset nga ethet skandinave, thonë e çfarë nuk thonë, por Shqipëria po braktiset. Ikin dhe vetëm ikin në terr pa ditur se ku shkojnë dhe ç’farë pret. Qëllimi është vetëm të ikin nga ky vend, nga kjo tokë që i lindi dhe i rriti, por që i la fukarenj. Të gjithë japin alarmin se Shqipëria po braktiset, por askush nuk guxon të thotë disa të vërteta të dhimbshme. Shqiptarët po ikin nga varfëria, nga papunësia, nga pa drejtësia, nga korrupsioni, nga pa mjekësia. Tani u kuptoi qartë se cila është arsyeja e vërtetë e largimit masiv të shqiptarëve drejtë vendeve të BE-së. Gjatë qeverisjes 8 vjeçare të PD-së, kjo e fundit për të mbajtur pushtetin dhe pasuruar gjithfarë horrash që e drejtonin në të gjitha hallkat e pushtetit, lejoi kultivimin në masë të bimëve narkotike. Vërtetë Lazarati dhe Malësia ishin epiqendra të rëndësishme të kultivimit dhe tregtimit të hashashit, por bimët narkotike mbilleshin në të gjithë fshatrat e Shqipërisë, mjafton të bëje për vete inspektorin e policisë të zonës, komunën e me radhë. Më kot nuk kishte lindur kënga që këndohej në fshatrat e jugut; “Sa të jetë Sali Gjoni/ mbillni, hani dhe këndoni”. Ndryshimi i pushtetit në 23 qershor 2013 solli edhe ashpërsimin e masave kundër kultivuesve të bimëve narkotike, si një presion i BE-së, por edhe si një aspiratë e Rilindjes që erdhi për t’i dhënë fund trafikut të kësaj bime. Kjo bëri që të gjithë ata të rinj dhe familjar që e kishin mbështetur jetesën e tyre tek kultivimi i bimëve narkotike të gjendeshin përballë ekzistencës ekonomike të familjeve të tyre, ku papunësia është evidente. Një fishkëllimë u lëshua në vjeshtën e vitit 2014 dhe agjencitë e udhëtimeve nisën prerjen e biletave për në “Misir”. Të mos harrojmë faktin se shqiptarët qysh pas liberalizimit të vizave ia kanë mbathur me të gjitha mënyrat, por pas nëntor-dhjetorit 2014 kjo arrati mori trajta epidemike dhe infektoi zona dhe qytete të tëra. A duhet që Qeveria të vepronte ndryshe? Unë them jo! Puna e një qeverie progresiste është të mos i gënjejë shtetasit e saj përmes lejimit të kultivimeve dhe trafikimeve të jashtëligjshme. Opozita po shfrytëzon ikjet e shqiptarëve duke akuzuar Qeverinë për varfërimin e tyre. Por opozita e sotme kur ishte dje në qeveri lejoi këto kultivime hashashi dhe trafikimin e tyre, sepse nuk ishte e zonja të siguronte investime të huaja dhe punësimin e shqiptarëve. Asaj i interesonte pushteti me çdo kusht dhe çmim dhe mbyllte sytë ose bashkëpunonte me trafikantët dhe kultivuesit. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe ekonomia familjare është vështirësuar, çka e tregojnë më së miri këto ikje, ikje ditën dhe natën si në ëndrra. Ikje përtej imagjinatës sepse në këtë vend nuk ka drejtësi dhe po nuk pate para nuk fiton dot as të drejtën tënde dhe as punësim nuk gjen dot sipas arsimit dhe aftësive. Njerëz të zhgënjyer nga politika po largohen familjarisht dhe nuk e dinë se ku po shkojnë, sikur këtu të kishte rënë ndonjë epidemi katastrofale. Fakti që në disa fshatra të Vlorës policia zbuloi dhe asgjësoi sera me fidan hashashi, tregon se këta këtë punë kishin bërë edhe më parë, por nën hyqmin e policisë. Në këto rrethana Qeveria duhet të ndryshoi kursin ekonomik të vendit përmes planifikimit industrialo-bujqësor. Është emergjente të bëhet kjo gjë, duke alternuar sistemin kapitalist dhe sistemin socialist. Politikanët shqiptar që erdhën në pushtet pas rënies së komunizmit, nuk ishin të aftë të ruanin çka kishim trashëguar nga e kaluara, por i rrafshuan me tokën dhe sot shqiptarët janë me duart lartë. Askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për ato shkatërrime marramendëse që i ndodhën këtij populli në këto 25 vjet. Unë mendoi se Qeveria shqiptare duhet të mbështetet tek planifikimi ekonomik. Nuk mund të hapen vende të reja pune me lëvizje të sforcuara dhe nuk mund të zhvillohet bujqësia nëse politikat e tregun nuk i favorizojnë fermerët për sigurimin e garantuar të tregjeve. Për këtë shkak dhe pa humbur kohë Qeveria shqiptare duhet të marri kredi për ndërtimin e fabrikave në të gjithë vendin. Në çdo qytet të Shqipërisë duhet të nis ndërtimi i planifikuar i fabrikave, kryesisht të industrisë së lehtë dhe ushqimore. Vetëm kështu do të hapen vende pune dhe do të kthehet shpresa tek shqiptarët. Dikush me të drejtë do të më akuzoi se po u sjell ndërmend sistemin socialist të centralizuar në kundërshtim me ekonominë e tregut. Por jo, nuk kam këtë qëllim. Qeveria shqiptare ka ndërmarrë reforma esenciale në këto dy vjet, të lëna qëllimisht pa u implementuar nga paraardhësit e tyre. Qëllimi është që njerëzit të punësohen, që ato produkte bujqësore dhe ato industrial-ushqimore të prodhohen në vend. Shoqëria shqiptare është kthyer në shoqëri konsumatore, ku po pasurohen vetëm ponopolistët me mbështetje politike, kurse populli shqiptar po rripet dita ditës si në mesjetën e zezë. Pasi Qeveria shqiptare ta orientoi zhvillimin ekonomik të vendit përmes planifikimit, fabrikat që do të ndërtohen do të jenë shtetërore fillimisht dhe më pas do të jepen me koncesion deri në privatizimin e tyre. Pra çdo gjë duhet filluar nga e para. Të mos harrojmë faktin se biznesi shqiptar është i mefshtë në sipërmarrje të tilla me synim zhvillimin e vendit dhe shtimin e kapitalit. Ka me qindra milioner shqiptar që janë kahil ti mykin parat e tyre nëpër banka se sa ti hedhin në qarkullim për zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Në këto kushte roli i shtetit duhet të jetë primar. Ka shumë modele në botë që sugjerojnë zhvillimin ekonomik të vendit, por asnjëri prej tyre nuk po zbatohet në Shqipëri. U fol me vite për zona të lira ekonomike, për Shqipërinë si dragua i Ballkanit, por askush nuk e mori seriozisht këtë zhvillim, sepse lindën dhe u krijuan monopolet dhe lidhjet mafioze me politikën, me qëllim pasurimin e pa fre të një grushti shqiptarësh. Si mundet të zhvillohet bujqësia shqiptare e pa planifikuar dhe si mundet kjo bujqësi të dal në treg, kur tregu mbytet nga prodhimet e vendeve fqinje, të cilat vijnë me kosto më të lirë, por edhe përmes monopoleve?! Kuptohet, monopoleve nuk u intereson zhvillimi i bujqësisë dhe industrisë në Shqipëri. Të nderuar qeveritarë, mos prisni që dikush nga shtetet që ju vizitoni, të nis të investoi menjëherë në këtë vend. As investitorët e huaj nuk vijnë në këtë vend me treg të vogël, prandaj do të ishte e nevojshme të krijohej “Tregu i përbashkët ballkanik” si një derivat i Tregut të përbashkët evropian”. Uluni këmbëkryq me Qeverinë Kineze dhe nisni tratativat për ri-industrializimin e vendit. Në qytetin e Vlorës kishte dikur disa fabrika, si ajo ushqimore që prodhonte vaj, sapun, karamele e llokume, esenca etero-vajore etj. Kishte një fabrikë çimentoje dhe një fabrikë për zhveshjen e orizit. Kishte në qytetin e Vlorës një ndërmarrje grumbullimi të bimëve medicinale. Kishte në qytetin e Vlorës një kombinat të peshkut, të ngjalave, të salcës së domates, të kompostove, reçelrave dhe arançatave etj. Kishte në qytetin e Vlorës një fabrikë për prodhimin e llambave elektrike, e cila prodhonte me cilësi të lartë në krahasim me llambat e sotme,e që digjen sapo kthen kurrizin. Kishte në qytetin e Vlorës një fabrikë për regjjen e lëkurave të quajtur ekstratanin. Kishte në qytetin e Vlorës një uzinë mekanike që prodhonte pjesë për fabrikat dhe uzinat e tjera. Kishte në qytetin e Vlorës një ndërmarrje artistike ku prodhoheshin qilima dhe sixhade për eksport, prodhime xunkthi, qëndristari, prodhime të gdhendur në dru etj. Nuk po flas për uzinat kimike të Sodës dhe PVC apo ndonjë tjetër, por në të gjitha këto uzina dhe fabrika punonin vlonjatët që ushqenin familjet e tyre. Vërtetë nuk i kishin rrogat të larta, por pa bukë nuk mbeteshin. Edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë kishte fabrika dhe uzina ku ishin të punësuar me mijëra qytetarë. Po sot? Sot mjerisht shqiptarët po ikin dhe po ikin. Rinia po e braktis këtë vend, pasi priti 25 vjet që situata të ndryshonte. Rinia që dergjet rrugicave të fshatrave dhe qyteteve tona, që dergjet me orë të tëra kafeneve me një filxhan bosh përpara ri dhe pret. Pret që të bjeri breshka nga qielli dhe mosha ikën dhe bënë të sajën. A do martohen këta njerëz një ditë? A do krijojnë ata familje të reja? Kush guxon të martohet sot i papunë dhe i pastrehë? Për të gjitha këto unë mendoi se, qeveria shqiptare duhet të mbledhë të gjithë ekonomistët më të zot dhe të nis planifikimin e ekonomisë për të kthyer shpresën, për ta shpëtuar nga braktisja këtë vend, këtë rini, këto familje. Vetëm Qeveria e sotme mund ta bëjë këtë gjë, të tjerët do bëjnë siç kanë bërë, do lejojnë hashashin, do lejojnë mos pagimin e energjisë elektrike, do lejojnë korrupsionin dhe padrejtësinë në këtë vend, vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin. Unë mendoj se duhet lëvizur me shpejtësi. Indiferentizmi dhe pritja do të jenë fatale.
Sigal