Çlirim HOXHA/ Shkëlqimi dhe rënia e shokut “Zylo”

623
Sigal

Tani po e marrim vesh se Banka e Shqipërisë paska qenë shtet brenda shtetit, pra një institucion financiar ku guvernatori ishte vet zot e vet shkop. Kjo na paska qenë pavarësia aq shumë e trumbetuar e Bankës së Shqipërisë, ku guvernatori dhe Këshilli Mbikëqyrës majmeshin përditë me parat e këtij populli. Ky paska qenë bunkeri financiar, ku nuk e dinte askush se ç’bëhej atje brenda, ku rrogat dhe shpërblimet ishin marramendëse, ndërkohë që shumica e shqiptarëve janë të papunë dhe tek buka e gojës. Ky ishte Këshilli Mbikëqyrës, anëtarët e të cilit hanin me të dyja bulçitë sa majtas dhe djathtas, sepse Shqipëria e varfër vetëm këta kishte, që zhvatnin nga të gjitha anët. Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, anëtar i Bordit Drejtues në filan institucion, anëtar i Bordit Drejtues në filan Universitet. Zhvat të zhvatim, paçka se pagat e punonjësve shqiptar janë të ulëta dhe pensionet qesharake. Po kujt i bëhej vonë se niveli ekonomik i këtij vendi është për tokë, mjafton që Bankën e Shqipërisë ta kishim të fortë, me guvernator absolut, me Këshill Mbikëqyrës aman, vetëm mjekrat u mungonin të dukeshin gjigant dhe profetik. E kur t’i shikoje kur shkonin në mbledhje kokat e financës shqiptare, prej të cilëve varej inflacioni, varej indeksi, varej norma e interesit, varej era dhe shiu, stuhia dhe dielli. Po shoku Zylo?! Si nuk dinte gjë shoku Zylo se ç’bëhej brenda godinës së lartë të Bankës së Shqipërisë?! Burrë i pashëm dhe autoritar përpara mikrofonave, kur deklaronte normën e interesit dhe nivelin e inflacionit të Shqipërisë, ndërkohë që minjtë livadhisnin skutave të thesarit ku populli i shkretë mendonte se i kishte hambarët plot me drithë monetar. 7 milionë dollarë të zhdukur brenda një institucioni “hermetik” të mbytur nga nepotizmi patologjik i politikës jargavane, ku kalemxhinjtë programojnë ekuilibrat e anëve, duke i dhënë edhe një mandat tjetër të majmë shokut Zylo. Ç’i duhej atij posti i Presidentit të Republikës, sikur ja zunë njëherë emrin në gojë gjatë tentativave të dështuara për konsensus politik. President i Republikës me 200 mijë lekë në muaj rrogë. Jo ore, të ikte ai nga 90 mijë dollar në vit për një “byth” Presidenti Republike?! Dhe për kë shtet pra? Për rrumpallën Shqipëri, që mbeti për 24 vjet si bishti i kavallit të Europës së pasur, ku hajdutëria u bë me pushtet, ku i ligu bëri ligjin, ku trafikanti u bë politikan apo bleu magjistraturën, u bë gjykatës apo prokuror, u bë noter se pagoi 80 mijë euro, bleu tokë në tokën e pronarit të ligjshëm, fitoi gjyqe që nuk duhej ti fitonte, u bë kryetar komune dhe vuri bark…Ç’e pyet se çfarë është bërë në këtë vend në këto 24 vjet, të gjitha komeditë dhe tragjeditë këtu në këtë tokë janë luajtur. Dhe erdhi komedia e fundit me katër akte. Shoku Zylo nuk pranonte të jepte dorëheqjen sepse nuk e kish mësuar këtë gjë në shkollë?! Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk pranon të jap dorëheqjen, paçka se mban përgjegjësi direkt për keqmenaxhimin e thesarit të kësaj banke. Zv/guvernatorja nuk dha dorëheqjen sepse fajin e ka vetëm guvernatori, ndoshta sipas saj. Dhe vjen një ditë dhe kjo Zv/guvernatore që deri dje flinte gjumë në zyrën e saj, na komandohet Guvernante e bankës së Shqipërisë me bekimin e të mëdhenjve të këtij shteti?! Kaq e lehtë paska qenë zhdukja dhe përgjegjësia e zhdukjes së 7 milionë dollarëve nga thesari i bankës?! Shpërdorim detyre akuza e ngritur për Guvernatorin, po për Këshillin Mbikëqyrës, cila është përgjegjësia? Po për Zv/guvernatorin, cila është përgjegjësia? Mendoi se nuk është kaq e thjeshtë, prandaj Banka e Shqipërisë duhet audituar në themel me qëllim që të shohim se ç’është bërë në këto vite në institucionin bankar më të rëndësishëm të shtetit shqiptar. Të shohim se si janë licencuar bankat e nivelit të dytë dhe sa të sigurta janë depozitat e qytetarëve që u kanë besuar këtyre bankave. Ku janë zhdukur 7 milionë dollarët e Bankës së Shqipërisë dhe a do kthehen ato përsëri në bankë? Ekspertët e krimit ekonomik duhet ti bëjnë të ditur opinionit se si janë zhdukur dhe ku kanë përfunduar 7 milionë dollarët që u vodhën nga thesari i bankës, nën hundën e shokut Zylo, të zëvendëses së tij, të Këshillit Mbikëqyrës dhe të rojeve sylesh. Gazeta e madhe “Telegraf” , ka kohë që denoncon, paralajmëron, investigon dhe publikon fakte për Bankën e Shqipërisë. Si u shit hotel “Dajti” nga ana e Qeverisë “Berisha” dhe si e bleu shteti tjetër brenda shtetit, pra  Banka e Shqipërisë 30 milionë euro këtë karakatinë të kohës së Qemos?! Ku u përdorën 30 milionë eurot që Berisha i mori “dhuratë” nga shoku Zylo. Mos vallë u hodhën për fushatë elektorale, siç duan të thonë disa “gojë të liga”?! Hetimi për Bankën e Shqipërisë dhe aktivitetin e saj duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe Parlamenti shqiptar duhet të ndryshoi me urgjencë ligjin për Bankën e Shqipërisë. Nuk mund të ketë institucion apo person të pavarur që nuk kontrollohet nga askush në këtë vend. Populli shqiptar prandaj i voton deputetët dhe u jep fuqi të plotë, me qëllim që të dominojnë jetën politike dhe ekonomike në këtë vend, duke bërë ligje që ti shërbejnë shtetit dhe të mbrojnë të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi.