Çlirim HOXHA/Më mirë vonë se kurrë, Vlora është vendi, ku duhet të falemi të gjithë

583
Sigal

Duke qenë në valën e punës për përgatitjen e një tjetër aktiviteti në përkujtim të 100- vjetorit të Qeverisë së Parë Shqiptare, dëgjuam zëdhënësen e Qeverisë zonjën Majlinda Bregu që dha lajmin se Kryeministri Berisha do ta sjell Qeverinë e tij në 4 dhjetor në Vlorë, ku do të organizojë edhe mbledhjen e radhës në kujtim të 100- vjetorit të mbledhjes së parë organizuar nga Ati i Kombit tonë të lashtë Ismail Qemal Vlora. E prita me qetësi këtë lajm dhe e vlerësova si një reflektim të Kryeministrit Berisha ndaj Vlorës dhe madhështisë së historisë së saj shqiptare. Disa më thanë se kjo është një lëvizje pas pilafit e zotit Berisha, por unë nuk jam plotësisht dakord me këtë konstatim. Kuptohet, Berisha dhe Qeveria e tij janë gjithmonë në syrin e ciklonit mediatik opozitar dhe të pavarur, por kjo s’do të thotë se nuk dinë të vlerësojnë lëvizje të emancipuara dhe që vijnë në respekt të reflektimit të 100 -vjetorit të Pavarësisë, ku të gjithë shqiptarët anë e këndë botës e panë me sytë e tyre dhe e dëgjuan me veshët e tyre atë që ndodhi në Vlorë në 28 nëntor dhe disa ditë më parë. Është e vërtetë që pas 28 nëntorit, 100 vjetorit të Pavarësisë, 4 dhjetori përbën një tjetër kulm, 100 vjetorin e krijimit të të parës qeveri që nga koha e Skënderbeut, çka ka një domethënie të madhe, pasi këtu nisi rrugën shteti i pavarur i Ismail Qemal Vlorës me një kabinet qeveritar që hapi shtigjet për dekadat që do pasonin. Pas 4 dhjetorit Shqipëria do përkujtoj me radhë të gjitha institucionet dhe hallkat e shtetit që u themeluan 100 vjet më parë nga Ismail Qemali. Zonja Bregu tha se, në 4 dhjetor Qeveria e Kryeministrit Berisha do ta zhvilloi në Vlorë mbledhjen e saj të radhës, në respekt dhe përkujtim të mbledhjes së parë të Qeverisë së Ismail Qemalit. Kjo tregon se Berisha ka reflektuar ndaj asaj që ndodhi në 28 nëntor në Vlorë, por edhe ndaj asaj që nuk u tregua në lartësinë e detyrës për të bërë të pamundurën në mbështetjen që duhet ti kishte dhënë me kohë Bashkisë së Vlorës për realizimin e projekteve patriotike që kishin të bënin me 100 vjetorin e Pavarësisë dhe identitetin tonë kombëtar. Ishte e pafalshme që në përbërjen e komisionit qeveritar të festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë të mos përfshihej Kryetari i Bashkisë së Vlorës, i cili edhe në mitingun madhështor dhe të pa imagjinuar të 28 nëntorit, bëri thirrje për bashkim?! Kohët e fundit dhe sidomos pas vizitës së Sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës zonjës Hillari Klinton në Tiranë, Berisha është parë të jetë shumë entuziast. Madje, ky entuziazëm i Berishës është reflektuar edhe në disa deklarata të tija me sens nacionalist, çka u ka prishur gjumin fqinjëve tanë hileqar. A i ka pasur seriozisht këto deklarata patriotike Berisha, apo është nxitur dhe vënë në garë nga forca të tjera politike, qoftë edhe të reja, kjo mbetet për tu parë, pasi jemi në prag të zgjedhjeve politike të 2013-s dhe politika është e pritur të përdor gjithçka që shkon në interesin e saj për marrjen apo mbajtjen e pushtetit. Pas përhapjes së lajmit se Berisha do rikthehet në Vlorë në 4 dhjetor së bashku me Qeverinë e tij, shumëkush ka rritur shpresën për ndonjë lëvizje të papritur të Kryeministrit në favor të Vlorës dhe qytetarëve të saj. Nëse ardhja në Vlorë e Berishës dhe kabinetit të tij në 4 dhjetor do jetë një gjest simbolik dhe vetëm kaq, kjo nuk do sillte asnjë produkt konkret në jetën dhe emocionet e qytetarëve të Vlorës dhe atyre shqiptar. Berisha dhe kabineti i tij duhet të vij në 4 dhjetor në Vlorë me një axhendë të përcaktuar mirë, ku veç homazheve dhe luleve tek varri i Atit të Madh të kombit tonë, themeluesit të të parës qeveri të Shqipërisë moderne post-otomane, ai ka shansin të shkoi në Skelë në sheshin “Pavarësia” tek shtatorja gjigante e Ismail Qemal Vlorës dhe e Isa Boletinit, të cilat nuk i pa dhe nderoi dot në 27 dhe 28 nëntor, pasi mendjen e kish në Tiranë. Gjithsesi, ardhja e Qeverisë në Vlorë për të përkujtuar dhe nderuar qeverinë e parë të Shqipërisë të udhëhequr nga Ismail Qemali në 4 dhjetor, nuk duhet të jetë një simbolikë e thjeshtë. Berisha ka rastin të nderoi dhe tregoi me vepra se është dhe mbetet konsekuent në respektimin e historisë sonë kombëtare, asaj historie që është shkruar me gjak dhe sakrifica në këto 100 vjet shtet të pavarur dhe që zuri fill në Vlorë më 28 nëntor 1912, në atë thelb të Shqipërisë, siç shkruante Lasgush Poradeci.

Do të ishte mirë dhe mjaftë me vlerë për Vlorën që në mbledhjen e saj të datës 4 dhjetor Kryeministri Berisha dhe Qeveria e tij të merrnin përsipër faturën financiare të të gjitha shpenzimeve të kryera nga Bashkia e Vlorës me rastin e përgatitjeve dhe festimeve që u kryen për atë 100 vjetor dhe të deklarohej për ndonjë tjetër projekt financimi. Ky do të ishte një mesazh i paqtë dhe një ridimensionim i vlerave të bashkëpunimit të Qeverisë me pushtetin vendor, paçka krahëve politik të cilave u përkasin. Shikoni se ç’bëhet në Amerikë. Presidenti Obama pret në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë, kandidatin republikan dhe kundërshtarin e tij në garën presidenciale të 6 nëntorit Mit Romin dhe drekojnë së bashku?! Se çfarë thanë ata për njëri-tjetrin gjatë fushatës presidenciale i mori era, në fund fitoi Amerika. Tek ne ndodh krejt ndryshe dhe ky është një nga problemet më të mëdha të klasës politike në Shqipëri. Këtu debatet dhe këndvështrimet politike shikohen në sensin e armiqësisë dhe jo të respektit dhe bashkëpunimit të ndërsjellët në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nëse në politikë je futur apo angazhuar për qëllime thjeshtë personale, shumë shpejtë kundërshtarin tënd do ta shigjetosh si armik dhe jo si partner. Nëse në politikë je futur për ti shërbyer vendit dhe popullit tënd, kundërshtarin tënd do ta shohësh si partner, si mik që ndani gjënë më sublime të jetës, atë të zhvillimit dhe mirëqenies së vendit dhe popullit tuaj.

Në mbledhjen e 4 dhjetorit të Qeverisë Berisha në Vlorë, ne presim të shohim prezent si të ftuar edhe Kryetarin e Bashkisë së Vlorës, edhe Prefektin e Qarkut të Vlorës, edhe Kryetarin e Këshillit të Qarkut të Vlorës. Kjo prezencë do ti jepte më tepër rëndësi përkujtimit të 100 vjetorit të themelimit të Qeverisë së parë shqiptare. Por, do të ishte mirë që në këtë mbledhje Qeveria Berisha të vendoste të bënte një ndryshim, jo vetëm simbolik, por edhe protokollar. Të vendoste zëvendësimin përfundimtar të portretit të Presidentit me portretin e Ismail Qemalit në të gjitha institucionet shtetërore të vendit, ose krahas portretit të Ismail Qemalit të jetë edhe ai i presidentit të radhës. Dihet se shumica e vendeve të botës ka në zyrat e shtetit portretin e themeluesit të shtetit, çka i jep dimensionet e vërteta figurës së tij dhe historisë që i vjen nga pas. Ismail Qemal Vlora është babai i Shqipërisë moderne, është Ati i Kombit tonë të lashtë dhe atij dhe vetëm atij i takon merita e madhe e të qenit përjetësisht në zyrat dhe institucionet e shtetit dhe kombit tonë. Kryetari i Bashkisë së Vlorës zoti Shpëtim Gjika ka kohë që e ka bërë një lëvizje të tillë që nga 24 janari i këtij viti, kur nisën përgatitjet për festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Ky veprim kishte një simbolikë të veçantë, pasi portreti i themeluesit të shtetit duhet të jetë prezent në auditorët dhe analet e këtij shteti, në zyrat dhe institucionet e tij. Po marrim si shembull Turqinë. Portreti i Mustafa Qemal Ataturkut gjendet kudo, në çdo zyrë dhe cep të shtetit dhe kjo është e padiskutueshme. Nuk ka qytet, nuk ka lagje, nuk ka shkollë, nuk ka institucion, nuk ka fshat ku të mos jenë portretet, bustet dhe shtatoret e themeluesit të Turqisë moderne, Mustafa Qemal Ataturkut dhe ky është jo vetëm nder për veprën e tij, por çimenton identitetin kombëtar të Turqisë evropiane ku ndahen dy epoka. Le të kthehemi në pak rreshta tek Qeveria e parë e krijuar nga Ismail Qemali në 4 dhjetor 1912, vetëm një javë pas shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit tonë kombëtar. Kryeministër Ismail Qemali, Ministër i Drejtësisë Petro Poga, ministër i Punëve të Jashtme Ismail Qemali, ministër i Punëve të Brendshme Myfit Libohova, Ministër i Bujqësisë Pandeli Çale, Ministër i Financave Abdi Toptani, Ministër i Punëve Botore Mit’hat Frashëri, Ministër i Arsimit Luigj Gurakuqi, Ministër i Luftës Mehmet Pash Derralla, Ministër i Post-Telegrafave Lef Nosi. Jetëgjatësia e Qeverisë së Ismail Qemalit shkoi deri në 24 janar të vitit 1914. Jehona e saj qe mjaftë e madhe dhe determinuese për fatet e kombit tonë, i cili po përpëlitej në grahmat e ekzistencës së tij gjatë nëntorit 1912, por një dorë vigane e shpëtoi dhe i dha emrin e lashtë Shqipëri, ardhur shpirt më shpirt e zemër më zemër që nga agimet e epokës njerëzore, nga pellazgët dhe ilirët e lashtë.