Çlirim Hoxha/ Koha për katarsis brenda mazhorancës dhe ndëshkim i të paudhëve brenda politikës

620
Nuk mund të vazhdohet më kështu dhe nuk duhet lejuar më që opinioni publik shqiptar të helmohet disa ditës nga elementë të pashpirt, nga smirëzinj dhe xhelozë të tërbuar, të etur për pushtet, para dhe gjak. Kësaj komedia i duhet dhënë fund një orë e më parë.
Gjullurdia që ka përfshirë opinionin publik kohët e fundit e ka zanafillën tek lufta e etur për pushtet që po bëhet në këtë vend në këto 25 vitet e fundit. Po e them që në fillim të këtij opinioni, Shqipërinë dhe përparimin e saj po e mban peng një dorë e “padukshme”. Po e mban peng një gjarpër me zile, i cili pavarësisht se ka frikë për veten e tij, fabrikon pa reshtur skenarë të zinj në dëm jo të individëve të caktuar brenda kësaj mazhorance, por ndaj këtij vendi, ndaj shqiptarëve në tërësi, ndaj përparimit dhe zhvillimit. Dhe vetvetiu më bien ndër mend vargjet perlë të të madhit Ali Asllani, sepse është shumë e çuditshme, shqiptarët kështu kanë bërë në çdo kohë dhe qeveri kundër njeri-tjetrit.
Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!
Nuk mund të vazhdohet më kështu dhe nuk duhet lejuar më që opinioni publik shqiptar të helmohet disa ditës nga elementë të pashpirt, nga smirëzinj dhe xhelozë të tërbuar, të etur për pushtet, para dhe gjak. Kësaj komedia i duhet dhënë fund një orë e më parë. Po si mund t’i jepet fund kësaj zallamahie që ka pushtuar këtë vend, edhe për shkak të disa medieve të papërgjegjshme, shërbëtore besnike të gjarprit me zile. Kjo mazhorancë erdhi në pushtet për të bërë disa nga reformat më thelbësore, mungesa e të cilave i ka shërbyer korrupsionit, klientelizmit dhe nepotizmit patologjik. Reformat kanë nisur dhe dëshira dhe vullneti për t’i çuar përpara duket qartë brenda mazhorancës qeverisëse. Por ka ngecur dhe nuk po bëhet dot reforma më kryesore, ku mbështeten të gjitha reformat e tjera dhe ecuria normale e kësaj mazhorance në raport me besimin e shqiptarëve dhe kushtet e ndërkombëtarëve. Nuk po bëhet dot reforma në drejtësi, e cila konsiderohet si çelësi i zgjidhjes së një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Në këtë aspekt çdo përpëlitje për t’ia dalë mban, është e dështuar pasi krimi dhe korrupsioni ka bërë rokadë në fushën e drejtësisë. Është emergjente, mendoi unë, që reforma në drejtësi të bëhet pa pritur që të japin OK ata që nuk kanë interes që kjo reformë të bëhet, pasi janë të lidhur me njëmijë fije me krimin dhe korrupsionin dhe kanë vendosur në pozita kyçe në sistemin gjyqësor njerëzit e tyre të besuar për ditë të vështira. Të gjithë shqiptarët e kanë të qartë dhe e kuptojnë se përse ka kaq shumë tentativa për destabilitet në këtë vend, qysh pas ardhjes në pushtet të kësaj mazhorance. Është dora e zezë, dora e “padukshme” që i trazon ujërat dhe ndjell pasiguri. Qëllimi është i qartë: t’u mbushi mendjen shqiptarëve se këta, pra mazhoranca qeverisëse, janë të lidhur me botën e krimit dhe korrupsionit dhe duhen rrëzuar që të hipim ne, të vimë ne të pa korruptuarit (harro Gërdecin). Të vimë ne paqësorët (harro 21 janarit). Të vimë ne babaxhanët (harro 230 milionë euro të rrugës Durrës-Kukës). Të vimë vetëm ne, ne jemi për shtetin e së drejtës?! Po ku ishe deri dje more derdimen, a nuk ishe në pushtet përpara një vit e gjysmë dhe çfarë bërë në këtë vend, përveç katrahurës?! Lejove të mbulohej harta e Shqipërisë nga jeshillëku i kanabisit. E bëje trafikun vetë me mjetet e shtetit dhe të policisë. Ngrite dhe krijove monopolet dhe çmimet të shkuan në stratosferë. Lejove që shumica e konsumatorëve të mos e paguanin energjinë elektrike dhe e zhyte vendin në borxhe korruptive. Ku ishe deri dje bej efendi, tani po kërkon fiq të pjekur në sini?!
Të zbresim më poshtë, sepse reforma po bëhen, por korrupsion dhe nepotizëm ka edhe brenda mazhorancës. Portali i hapur për të denoncuar korrupsionin, kleientelizmin, tarafllëkun dhe nepotizmin brenda mazhorancës, është një ide e mirë, paçka se mund të shfrytëzohet edhe nga keqdashësit që duan të baltosin këdo që u del përpara. Problemi është se sa seriozisht e kanë ministrat kur u vjen mbi tavolinë ndonjë denoncim i këtij lloji. Sa seriozisht e kanë deputetët e mazhorancës, të cilës për hir të së vërtetës, nuk kanë lenë gurë pa lëvizur për të sistemuar njerëzit e tyre, duke u kthyer krahët kontribuuesve direkt të ardhjes në pushtet. Ajo që flasin njerëzit dhe; ku ka zë s’është pa gjë thotë populli, janë drejtuesit e institucioneve të shtetit, disa prej të cilëve janë të kapur nga korrupsioni i shitjes së vendit të punës me para. Janë të kapur nga nepotizmi dhe tarafllëku dhe në qytetin e Vlorës kanë emra dhe mbiemra. Pikërisht këtu duhet të godas mazhoranca në ditët në vazhdim, të bëjë katarsis brenda vetes së saj. Pastrimi brenda radhëve të maxhorancës që drejton institucionet e shtetit në qytete, është një frymëmarrje dhe vendosje e ekuilibrave të prishur dhe përfolur në raport me qytetarët dhe elektoratin. Qeveria e majtë duhet mbështetur në aspiratat e saj për t’i çuar reformat deri në fund, me qëllim ndryshimin e situatës ekonomike, rritjen e punësimit dhe garantimin e një paqeje sociale për të gjithë. Shqipëria është Atdheu i shqiptarëve dhe jo mejhania e politikanëve.
Sigal