Çlirim Hoxha/ Koalicioni transformues PS-LSI

569
Thuhet se fituesi nuk gjykohet dhe vërtetë me rezultatin e arritur në zgjedhjet e 21 qershorit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane të udhëhequr nga PS dhe LSI, nuk ke çfarë të thuash veç vlerësimeve pozitive. Sidoqoftë do të mundohem të zbardh sado pak disa probleme që mund të ishin zgjidhur ndryshe nëse impenjimi i drejtuesve politik do të maksimalizonte punën derë më derë me votuesit. Po ndalem posaçërisht tek Vlora, Himara, Selenica, tre nga bashkitë më të mëdha të jugut të vendit brenda Qarkut të Vlorës. Qyteti i Vlorës hyri në këto zgjedhje me tre kandidat, Dritan Leli të PS dhe Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Genc Deromema i PD dhe Aleancës për Punë dhe Dinjitet dhe Vasil Bedini i pavarur, një tendencë pozitiviste kjo në rrafshin elektoral, ku tradita shqiptare përjashton çdo hapësirë pavarësie nga politika. Dritan Leli vinte në këto zgjedhje si një befasi e forcës politike e cila e propozonte dhe si çudi e strukturave të PS të Vlorës, e cila ishte mësuar me nxjerrjen e kandidaturave nga gjiri i saj. Hutimi dhe befasia e parë u kapërcye me sukses. Socialistët e Vlorës kishin harruar për momentin se PSSH nuk e drejtonte më Fatos Nano, por një tjetër liberal-socialist i përmasave evropiane Edi Rama. Rama erdhi në Vlorë për të shkundur strukturat dhe për t’ua bërë të qartë se kandidati që ai kishte përzgjedhur për bashkinë e Vlorës i plotësonte të gjitha pritshmëritë për të drejtuar Bashkinë e re të Vlorës. 21 qershori 2015 i dha të drejtë Ramës dhe shuajti çdo iluzion të mbidheshëm dhe të nëndheshëm kur Dritan Leli mblodhi në fushën me luleshtrydhe dhe futi në shportën e tij jo pak por mbi 15 mijë vota, çka bëri të shastisen edhe më skeptikët e shekullit. Megjithëse numri i votuesve në Vlorë kishte pësuar rënie krahasuar me zgjedhjen e vitit 2011 dhe ato të përgjithshme të vitin 2013, Vlora e majtë mbeti më e majtë me PS dhe LSI dhe i dha kësaj aleance maksimumin e mundshëm. Përse pati një rënie të numrit të votuesve në 21 qershor në Vlorë, do të pyes dikush? Ka shumë arsye. Rënia e numrit të votuesve në Vlorë ishte e përgjithshme dhe po ti referohesh qendrave të votimit, rënien më të madhe e ka pësuar PD me rezultate zhgënjyese krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Duket se kjo forcë politike po shkon drejtë braktisjes së elektoratit dhe shumë pak idealistë dhe interesaxhinjë i kanë mbetur në garazh. Nga ana tjetër edhe PS pati rënie të pjesëmarrësve në votim krahasuar me zgjedhjet e kaluara, por po ta krahasojmë me PD-në, PS është fituese e padiskutueshme e çdo qendre votimi dhe në kuadër të bashkisë së re dhe shtrirjes së sajë territoriale mblodhi për kandidatin mbi 15 mijë vota të vlefshme. Vet Aleanca për Shqipërinë Evropiane mori 29 këshilltar nga votat për subjektet, ku PS dhe LSI dominojnë këtë aleancë me 18 këshilltarë e para dhe 5 këshilltarë e dyta etj. Një tjetër arsye e rënies së votuesve në Vlorë ishte edhe goditja e INUK-ut disa muaj përpara zgjedhjeve, por shumica e qytetarëve të Vlorës e kanë mbështetur atë aksion, çka e tregoi fitorja e aleancës së majtë. Kryeministri Rama ka qenë i vendosur dhe i bindur në kostot sociale që do shkaktojnë reformat e ndërmarra prej tij dhe mazhorancës qeverisëse, por në fund të fundit ky shtet duhet bërë dhe nuk ka operacion pa dhimbje. Rezultati i 21 qershorit e dëshmon më së miri këtë drejtim të miratuar nga shqiptarët. Pakënaqësi të tjera mund të ketë edhe brenda radhëve të PS, por kjo gjë nuk përbënë arsye për të lëkundur mospjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 21 qershorit. Socialistët dinë të orientohen edhe në situata të vështira për ta dhe kjo nuk do shumë mend. Në fund të fundit durimi është një pemë me rrënjë të hidhura, por me fruta të ëmbla, thuhet diku.
Parashikimet për fitoren e kandidatit të Vlorës 
Nuk do të bie aspak dakord me deputeten Elmazi të PD-së, e cila përpiqet të justifikoi humbjen e thellë të PD në Vlorë me argumentin e 13 mijë votave fiktive të marra nga kandidati Leli?! Vet PS dhe Aleanca për Shqipërinë Evropiane kishin parashikuar një fitore me rreth 13 mijë vota për kandidatin Dritan Leli në zgjedhjet e 21 qershorit. Ky parashikim u tejkalua kur të dhënat flasin për mbi 15 mijë vota. Ndoshta zonja Elmazi e ka llogaritur rezultatin brenda qytetit të Vlorës ku ish kandidati Gjika kishte marrë mbi 5000 vota nga zgjedhjet e 2011-tës. Harrohet se bashkia e re e Vlorës nuk është më në kufijtë e Pusi Mezinit në veri – Uji i Ftohtë në jug 10 km, por në kufijtë Ura e Mifolit në veri – Qafa e Llogoras në jug rreth 60 km, Llakatund në lindje – Zvërnec në perëndim 20 km. Zonja Elmazi harron gjithashtu se PD e saj u braktis nga votuesit, të cilët ose nuk shkuan fare në votim, ose gjetën dikë tjetër për t’ia besuar votën, pasi e panë që kjo parti vazhdon të jetoi me iluzionet dhe metodat e vjetra të liderëve të çmendur. Investimet madhore që kanë nisur në qytetin e Vlorës ishin shembulli më i mirë që banorët e qytetit të ëndrrave dhe të diellit besuan tek Edi Rama dhe mazhoranca qeverisëse. Fitorja e thellë në Vlorë u arrit sepse Dr. Dritan Leli diti të shpalos një program ambicioz ndryshimesh, diti të prezantohet publikisht si djalë i Vlorës sikundër është në realitet, si intelektual me vizion të qartë demokratik, si orator i shkollës progresiste, si dëgjues i mirë i halleve dhe problemeve që ka Vlora dhe banorët e saj patriot. Por Dr. Dritan Leli ka fatin e madh se ka në mbështetje Deputetin e parë të Vlorës dhe Kryeministrin Edi Rama, ku së bashku do sjellin ndryshimin e madh, duke filluar me urgjencë nga infrastruktura e brendshme e qytetit e bombarduar keq në kohë paqe. 
“Kandidatët e tjerë benë një fushatë të qetë, por atyre u mungoi mbështetja evidente e forcave të tyre politike dhe aleancës për punë dhe dinjitet”
Sa për kandidatin e PD zotin Genc Deromema do të thosha se ai vjen nga një familje tradicionale vlonjate dhe bëri një fushatë të qetë dhe të qytetëruar. Mosha e tij e re është premtuese dhe me perspektivë, por në këto zgjedhje i mungoi mbështetja evidente e forcës së tij politike dhe aleancës për punë dhe dinjitet. I mungoi alternativa bindëse për një qytet Evropian. Kjo forcë politike ishte mpakur në këto zgjedhje, i mungonin njerëzit, mezi plotësonte komisionet e votimit dhe numërimit, çka duhet ti bëjë drejtuesit që të punojnë më shumë dhe të mos shohin ëndrra me sy hapur. Për kandidatin e pavarur zotin Vasil Bedini dua të them se ai shpalosi shenjat e një qytetarie, duke guxuar të futet mes dy kandidatëve të dy aleancave më të mëdha politike në vend. Zoti Bedini guxoi dhe provoi të çante brenda bastionit të së majtës shqiptare siç është Vlora. Mendoi se është e vështirë të çash në Vlorë me kandidaturë të pavarur dhe kur dihet se Vlora ka për deputet të parë Kryeministrin e vendit Edi Rama. Duke u ndalur tek Selenica dua të them se, humbja e Kasëm Cenajt ishte e papritur dhe e pajustifikuar. Selenica dhe e gjithë zona e Lumit të Vlorës që bënë pjesë tashmë në bashkinë e re të Selenicës, dominohet nga e majta në shumicën e saj. Si mundet që këtë bastion ta fitojë e djathta dhe e djathta tradicionale?! Duket që për Selenicën është punuar dobët nga shtabet e Aleancës për Shqipërinë Europiane, ose ka pasur mosmarrëveshje për kandidatin e vendosur. Mund të ketë pasur edhe aludime dhe dikush apo shumë kush mund të ketë fjetur me millonain për inat të Kasëmit apo LSI që e vendosi atë, por kjo është diçka e pajustifikueshme. Pakënaqësi mund të kesh deri në momentin e caktimit të kandidatit, por pas caktimit të kandidatit duhet mbledhur mendja dhe mbështetja dhe puna nuk duhet të mungojë. PS e rrethit të Vlorës duhet të analizoi me përgjegjësi shkaqet që çuan në këtë humbje deri në riorganizimin e kësaj force politike sipas bashkivë përkatëse. Për Himarën dhe fitoren e Gjergji Goros atje duhen thënë fjalë të mira pasi Aleanca për Shqipërinë Evropiane e kryesuar nga PS triumfoi dhe mbylli një shteg të gër-vëreve nacionalistëve të disa të shiturve që përpiqen më kotë t’i japin Himarës status minoriteti pa minoritet brenda. Me fitoren e Gjergji Goros Edi Rama mbyll në Himarën e re një kapitull deformimesh të qëllimshme nacionalitetesh të paqena dhe hap një perspektivë të Himarës shqiptare, turistike dhe europiane.
Sigal