Çlirim HOXHA/Heronjtë e luftës së drejtë çlirimtare të Kosovës nderohen në Vlorën e Pavarësisë së Shqipërisë

171

Shumë aktivitete e shoqëruan 100- vjetorin e Pavarësisë në qytetin e Vlorës, organizuar nga Bashkia e këtij qyteti. Por ato aktivitete, të cilat patën në qendër të vëmendjes heronjtë e luftës çlirimtare të Kosovës ishin padyshim më mbresëlënëset dhe më kuptimplotat. Njëri nga këta heronj të gjallë të asaj lufte të drejtë çlirimtare ishte Fatmir Limaj, ose “Komandant Çeliku” siç thirrej gjatë asaj lufte. Kishte kohë që Kryetari i Bashkisë së Vlorës zoti Shpëtim Gjika kish menduar t’i nderonte këta luftëtarë të mëdhenj të çështjes sonë kombëtare dhe vlerësimet nisën një vit më parë me Hashim Thaçin, të cilit Këshilli Bashkiak i Vlorës i akordoi titullin “Qytetar Nderi i Vlorës”, për atë kontribut të çmuar në luftën për liri e pavarësi.

Në prag të 100 -vjetorit të Pavarësisë, Shpëtim Gjika ndërmori iniciativën tjetër, duke i propozuar Këshillit të Bashkisë së Vlorës vlerësimin e Fatmir Limajt me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Vlorës”, për kontributin e madh të dhënë në luftën e drejtë dhe të ndershme për çlirimin e Kosovës, ashtu siç do të nderoheshin më pas të tjerë luftëtarë të mëdhenj të asaj luftë e deri tek Ramush Haradinaj, të cilit Gjykata Ndërkombëtare e Hagës i dha pafajësinë për herën e dytë, duke vulosur edhe një herë luftën e drejtë dhe të pastër që bëri UÇK-ja në vitin ‘99, kundër makinës shtypëse dhe pushtuese të Serbisë së Millosheviçit, atij kasapi të Ballkanit.

Askush nuk mund ta durojë robërinë për gjithë jetën, dhe do të vinte një ditë që ëndrra e Ismail Qemal Vlorës do të bëhej realitet me çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e saj të pavarur më 17 shkurt 2008.

Për çlirimin e Kosovës u derdh shumë gjak dhe u ndërmorën shumë sakrifica. Serbia e Millosheviçit kishte dekada të tëra që ushtronte aparteid në Kosovë, mu në zemër të Europës indiferente. Por nëse Europa ishte indiferente, nuk ishin të tilla Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe heronjtë e saj të mëdhenj, që nga Presidenti Bill Klinton e deri tek Medlin Ollbrajt e Uesli Klark, të cilët mbështetën hapur aspiratat e popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe pavarësi. Ndërkohë në terren luftonte UÇK-ja e komandantëve legjendar, mes të cilëve edhe Komandant Çeliku Fatmir Limaj, ky “Qytetar Nderi i Vlorës” udhëhoqi njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit, në një luftë të drejtë dhe duke respektuar të gjitha rregullat e luftës. Shqiptarët e kanë në gen respektin e rregullave të luftës, pasi janë luftëtarë të lindur, virtyt që ua ka mësuar historia. Në këtë aspekt Fatmir Limaj u dallua gjatë luftës për të mos bërë atë që bënin kriminelët e Millosheviçit mbi popullin shqiptar të Kosovës dhe ja doli. Ja doli të fitonte respektin dhe admirimin e të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe të mbarë popullit shqiptar, pasi në themel të bindjeve të tij ishte çlirimi i Kosovës, në përballje të drejtpërdrejtë në terren me kundërshtarin. Vlerësimi i zotit Fatmir Limaj me titullin “Qytetar Nderi i Vlorës” nuk ishte rastësi, por një vlerësim i çmuar dhe respekt i madh për atë luftëtar të madh të Kosovës, për atë komandant legjendar të UÇK-s, i cili mbante brenda vetes virtytet më të larta morale të popullit shqiptar, besën dhe burrërinë, çka e dallojnë atë nga armiqtë e Kosovës dhe të kombit shqiptar. Pritja që iu bë heroit Fatmir Limaj në sallën e teatrit “Petro Marko” të Vlorës, ishte elektrizuese. Këshilli i Bashkisë së Vlorës nuk do të vlerësonte kurrë një luftëtar që kishte shkelur rregullat e luftës, pasi ne e dimë se rregullat e luftës janë të njohura ndërkombëtarisht. Pikërisht, megjithëse armiku Millosheviç ishte i egër, aq sa ndërmori spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës duke i dëbuar ata nga shtëpitë e tyre, e padëgjuar më parë kjo gjë në Europën e fund-shekullit të XX, shqiptarët e Kosovës të organizuar në ushtrinë e tyre çlirimtare, luftuan burrërisht dhe me ndershmëri, pasi e dinin se bënin një luftë të drejtë të cilën e fituan, falë mbështetjes së NATO-s nga ajri. Duke pasur parasysh të gjitha këto merita të Fatmir Limaj, Këshilli i Bashkisë së Vlorës me propozim të Kryetarit të Bashkisë zotit Shpëtim Gjika, e shpalli atë “Qytetar Nderi i Vlorës”, pasi Vlorës i bëjnë nder qytetar të tillë, trima dhe të ndershëm.