Çlirim HOXHA/ Drejtorët e rinj arsimor të qarqeve në “ankand” përpara qytetarëve

532
Sigal

Rilindja në arsimin shqiptar po ecën me ritmin e breshkës. Ky është konstatimi i shumë qytetarëve, të cilët nuk po arrijnë të kuptojnë se ç’po bën në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve Ministrja dy mujore Lindita Nikolla?! Dy muaj për të ndryshuar gjendjen nuk janë shumë, por nuk janë edhe pak, po të kihet parasysh se Qeveria Rama ka ardhur në krye të vendit me një program ambicioz në të gjitha fushat. Pritshmëria e 1 milion shqiptarëve, që votuan koalicionin e majtë, ishte që Rilindja si ide, si koncept dhe si angazhim të ecte me shpejtësinë e dritës. Problemet në Shqipëri janë aq shumë të mahisura sa nuk ka kohë për të bërë eksperimente dhe për të fjetur mbi dafina. Dy muaj për qeverinë e re janë shumë, po të kihet parasysh plani i 100 ditëve të para, por ka gjëra që nuk mund të presin jo 100 ditë po as 30 ditë, siç është arsimi shqiptar. Çfarë pret zonja Ministre për të përzgjedhur drejtuesit e rinj të arsimit në qarqe dhe a është logjike, që deri në përzgjedhjen e tyre me konkurs të komandosh element të djathtë që s’kanë të bëjnë fare me 1 milion votat e shqiptarëve?! Çfarë janë konkurset e përzgjedhjes dhe përse nuk u organizuar këto konkurse brenda muajit të parë të detyrës suaj në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve?! Kaq e vështirë paska qenë kjo gjë dhe kujt i intereson që ju të tregoheni më fanatike se Papa në këtë drejtim?! A nuk ka arsimi shqiptar mësues të shkëlqyer dhe drejtues të zotë, të cilët mund ta marrin përsipër detyrën pa qenë nevoja fare për konkurse të tilla butaforike?! Kot thuhet që e majta gjendet në pushtet, pasi në drejtimin e arsimit shqiptar janë ata drejtues të politizuar të PD-së, të cilët e kanë lëshuar frerin e kërkesë llogarisë dhe mbarëvajtjes së punëve, aq sa nuk i pyet më njeri për Sali bej. Si mundet të besosh në konkurset për drejtuesit e arsimit në qarqe zonja Ministre, kur gati 2/3 e listave që janë paraqitur në konkurse përbëhen nga element që nuk i përkasin Rilindjes tënde?! A mundet të punosh ti e qetë me këta element të politizuar, të nxitur për të marrë pjesë në konkurs dhe a mundet të kryesh reforma të thella në arsimin shqiptar?! Më e bukura fare që morëm vesh është se, 5 nga kandidatët e përzgjedhur për drejtues të arsimit në qarqe do dalin të prezantohen në popull për të parë se kush i do dhe kush nuk i do?! Nëse kjo gjë është e vërtetë atëherë mund të themi se nuk kemi të bëjmë me normalitet këtu, por me një “ankand” për shitjen e kaposhëve të detit për vitin e ri?! Këtu paska arritur puna, ndërkohë që koha e reformave në arsim ka mbetur në vend numëro dhe duhet të ishte bërë brenda një muaji zëvendësimi i të gjithë drejtuesve të arsimit në qarqe e nëpër shkolla. Drejtuesit e rinj duhet t’ia nisnin punës me programin e Rilindjes për arsimin, por fatkeqësisht asgjë nuk ka ndodhur. Në krye të arsimit janë komanduar ata që ishin, apo zëvendësit e tyre të PD-së dhe nëpër shkolla janë po ata. Janë po ata që i rrethuan shkollat me fast food-e duke shtuar rrezikun e obezitetit tek fëmijët dhe sëmundjet kardiovaskulare. Janë po ata që i nxjerrin nxënësit në mitingje dhe protesta në orën e mësimit duke shkelur rregulloren e shkollës dhe ligjin (si në protestën e fundit). Janë ata që kanë marrë ryshfete për një provim, apo 4000 euro për një vend pune. Janë ata që janë nënë urdhrat e partisë së tyre për çdo lëvizje politike në kurriz të mbarëvajtjes së arsimit dhe shkollave. Ndërkohë që mësuesit e përzënë nga puna pas vitit 2005 për shkak të bindjeve politike janë ende në rrugë, por kush do t’ia dijë për ta. Ministria e Arsimit dhe Sporteve duhet të ulet me këmbë në tokë dhe ti leri eksperimentet, por të marrë në dorë drejtimin e drejtorive arsimore dhe ato të shkollave të arsimit parauniversitar. Duhet të kishte nisur me kohë reforma në arsimin shqiptar, i cili ka degraduar keq dhe është kthyer në çerdhe militantësh të korruptuar dhe pa sens. Mësues injorant po masakrojnë dijet e fëmijëve tanë, pasi janë futur në radhët e arsimtarëve përmes blerjes së vendit të punës dhe militantizmit partiak. Ligjin në arsim po vazhdojnë ta bëjnë drejtuesit e PD-së që humbi keq zgjedhjet e 23 qershorit, të cilët treguan për 8 vjet në pushtet se arsimi ishte vetëm një parajsë për karrierë, korrupsion apo një vendstrehim i vegjetacionit të injorantëve. Ritmet e Rilindjes në arsimin shqiptar janë nga më të ulëtat e të gjithë sektorëve dhe Kryeministri Rama duhet të ndërhyjë seriozisht për këtë. Ka mësues të aftë që presin që pas 23 qershorit apo 15 shtatorit që të kthehen në shkolla. Ka mësues të aftë të persekutuar nga drejtuesit e PD-së në shkolla që e meritojnë drejtimin e shkollave dhe zbatimin e politikave moderne për arsimin. Ka mësues me bagazh të lartë intelektual dhe menaxhues të cilët janë të njohur dhe nuk kanë pse presin konkurset butaforike për drejtues të arsimit në qarqe, duke u shenduar pa dashje në kavie eksperimentale. Më kot thuhet se e majta ka ardhur në pushtet pas 23 qershorit, kur shikon se në arsimin shqiptar ujërat kanë zënë erë prej 8 vitesh. E që këneta të ketë lidhje me detin e Rilindjes përmes Dajlanit, zonja Ministre Nikolla, lëviz me shpejtësinë e dritës, ndryshe largohu!