Çlirim Hoxha/Bravo Shpëtim Gjika, ju i dhatë 100 vjetorit të Pavarësisë dimensione epokale. (Pos 100 vjetor)

558
Sigal

Shqiptarët festuan madhërisht 100 -vjetorin e Pavarësisë, një shekull përpjekjesh vigane, një shekull luftërash për liri e pavarësi, një shekull liri dhe diktaturash deri në demokraci, një shekull, copëtime trojesh, rënie dhe ringritje përsëri. Askush nuk e imagjinonte se 100- vjetori i Pavarësisë do të merrte këto përmasa patriotizmi, do mblidhte kaq shumë shqiptar në sheshet dhe rrugët e Vlorës, do ndizte zjarr çdo zemër vlonjate, çdo zemër shqiptari kudo nga kishin ardhur, deri nga Australia e largët. Thirrjet e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës zotit Shpëtim Gjika ishin një ftesë e hapur për gjithë shqiptarët, shoqëruar kjo edhe me thirrjet mediatike, “Mblidhuni në Vlorë” padyshim e bënë punët e tyre dhe ashtu siç shkruante poeti ynë i madh Lasgush Poradeci, “Ç’u mbush mali me dëborë/ç’u mbush deti me pamporë/seç u mbush e shkreta Vlorë/plot me krushq e me dasmorë/…Ç’u zbardh  malet, ç’u zbardhë/ nga çdo anë seç na ardhë/shqipëtarët gunë-bardhë/seç na ardhë palë-palë/duke rrotulluar malë/kush me këmbë e kush me kalë/kush me shpejt, kush me ngadalë/kush i lum e kush i gjorë/kanë zbritur mu në Vlorë/mu në Vlorën e lirisë/n’atë thelb të Shqipërisë. E pra, kështu ndodhi edhe në 28 Nëntor 2012, kur nga të gjitha anët e horizontit zbritën në Vlorë mijëra e mijëra shqiptarë për të festuar ditën e madhe të Flamurit tonë kombëtar, 100- vjetorin e shtetit modern shqiptar të themeluar nga burri më i madh i këtyre 100 viteve, Ati i kombit tonë Ismail Qemal Vlora. Të gjithë e panë dhe e ndoqën ato që ndodhën në Vlorë disa dimë me radhë, deri në kurorëzimin e festimeve që arriti kulmin në 28 Nëntor në Sheshin e Flamurit.

Si u arrit të organizohet një festë e tillë gjigante dhe pengesat e qëllimshme?

Dihet tashmë se gazeta “Telegraf” ishte e para që në korrik të vitit 2011 kërkonte nga Qeveria marrjen e masave për nisjen e përgatitjeve për festimin e jubileut të 100- vjetorit të Pavarësisë. Madje i bëhej thirrje Kryeministrit t’i akordonte Bashkisë së Vlorës fondet e duhura financiare për vënien në zbatim të një sërë projektesh në infrastrukturë që Bashkia i kishte bërë gati, por që nuk kishte mundësi financiare për t’i vënë në zbatim. Gazeta “Telegraf” i vinte në dukje qeverisë mungesën e një shtatoreje të Ismail Qemalit në kryeqytetin aktual të Shqipërisë Tiranë, gjë që e konsideronte të pafalshme. Jo vetëm në korrik të 2011-s, por në vazhdim gazeta “Telegraf” botoi disa opinione të rëndësishme që lidheshin me përgatitjet që duheshin bërë për festimin e 100 -vjetorit të Pavarësisë dhe për mefshtësinë e Qeverisë dhe heshtjen e saj ndaj nevojave imediate që kishte qyteti i Vlorës për këtë jubile të madh. Bashkia e Vlorës dhe Kryetari i saj Shpëtim Gjika u treguan të duruar, madje shumë të duruar dhe mjaft të matur, duke u përpjekur të mos e atakonin Qeverinë dhe Kryeministrin Berisha, pasi ata mendonin që kjo Qeveri dhe ky Kryeministër do ti thërrisnin arsyes dhe do mbështesnin financiarisht projektet e gatshme të Bashkisë së Vlorës. Kjo nuk ndodhi deri në tetor 2012, kur Qeveria e vënë në darën e presionit mediatik akordoi 39 milion lekë për Bashkinë e Vlorës, kur projektet që Bashkia dhe Kryetari i saj Shpëtim Gjika i kishin nisur me kohë dhe ndodheshin në përfundim të tyre. Jo vetëm kaq, por Qeveria gjeti momentin më vulgar të ndërhyrjes dhe i bllokon dhe ia merr Bashkisë së Vlorës 870 milionë lekë, duke e zeruar arkën e saj në emër të borxhit ndaj CEZ?! A thua se nuk kishte një moment tjetër për ta bërë këtë gjë, por pikërisht pragu i 100 vjetorit të Pavarësisë?! Gjithkush mund të gjykojë si të dojë, por e vërteta dërrmon hekur, shkruan poeti i madh vlonjate Ali Asllani. Kjo ishte një tendencë e qartë për të minimizuar sa të ishte e mundur përmasat e festimit të 100- vjetorit të Pavarësisë në Vlorë dhe për ta zhvendosur qendrën e këtyre festimeve në Tiranë, gjë që dështoi, pasi qendra e festimeve dhe më kryesorja mbeti Vlora. Statistikat paraprake thonë se, në Vlorë, rrugët dhe sheshet e saj dhe kryesisht në sheshin e Flamurit kishte në 28 Nëntor rreth 1 milion shqiptarë të mbledhur rreth Flamurit tonë Kombëtar.

Shpëtim Gjika.

A e dini se sa vështirë e ka patur Shpëtim Gjika zbatimin e projekteve madhore që kishin nisur në Vlorë. Rikonceptimi i Sheshit të Flamurit duke e sjellë atë në kohë dhe duke ruajtur me fanatizëm simbolet kombëtare që ai përfaqëson, ishte një ndërmarrje gjigante. I gjithë sheshi që ishte i shtruar me asfalt, u gërrye dhe u shtrua me pllaka mermeri ardhur nga malet e Labërisë në një mozaik gjigant oval, ku në qendër ishte shatërvani i vjetër me katër sferat e tij të njohura. Një transformim bashkëkohor dhe përqasje moderne ndodhi aty, duke e rrethuar me ndriçim dekorativ. Rreth varrit monumental të Ismail Qemal Vlorës u kryen ndërhyrje të posaçme, shtrim me pllaka mermeri dhe guri dhe vendosje e emrave të 40 firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë. Rikonceptimi total i lulishtes rreth varrit dhe ndriçimi i saj me ndriçues dekorativ. Një tjetër shesh, ai “Pavarësia” në Skelë përpara Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, iu nënshtrua një rikonstruksioni total dhe një rikonceptimi modern. Një shëtitore moderne, një rrugë e re pedonale, palma dhe stola gjithandej. Aty u vendosën shtatoret e Isa Boletinit dhe Ismail Qemal Vlorës, aty do shëtisin vlonjatët dhe pushuesit e shumtë gjatë verës. Projekti i tretë ishte Bulevardi Ismail Qemali që lidh Sheshin e Flamurit me sheshin Pavarësia, rreth 2.5 km i gjatë. Ky magjistral  palmash madhështore u rikonstruktua, u rindriçua dhe u dekorua madhështish nga një staf shpirtrash patriotik me në krye Shpëtim Gjikën që e dashurojnë Vlorën. Po aktivitetet e shumta kulturore dhe artistikë që i paraprinë 100- vjetorit të Pavarësisë? Vlora ziente nga gëzimi dhe hareja, kudo të shihte syri njerëz të lumtur me flamuj në duar. Përkujtim dhe nderim të figurave simbol të kombit tonë nga Këshilli i Bashkisë së Vlorës me propozim të kryetarit të Bashkisë zotit Gjika. Ceremoni mbresëlënëse që ndodhin një herë në 100 vjet shoqëruar nga Himni i Flamurit tonë kombëtar. U përkujtuan të gjithë firmëtarët e Aktit të Pavarësisë. U përkujtuan dhe nderuan heronjtë e mëdhenj të kombit tonë. U vlerësuan me të gjitha nderimet si Qytetar Nderi i Vlorës ish komandantët e UÇK-së e deri tek Akademiku madhështor Rexhep Qosja dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara 2007-2010 Xhon Uidhers të pranishëm dhe që zbuluan shtatoren gjigante të Ismail Qemal Vlorës në Sheshin “Pavarësia” në Skelë. Të gjitha këto i kushtuan Shpëtim Gjikës orë të tëra pa gjumë, telefonata pa fund, porosi dhe urdhra të dhëna dhe të ndjekura në çdo detaj. Për të gjitha këto u prit me shpresë çdo mbledhje e Qeverisë, por më kot. U ndoq çdo sajt i Këshillit të Ministrave me shpresë se diku ishin akorduar fonde financiare për Bashkinë e Vlorës, por më kot. Nga Qeveria deri në mes të tetorit nuk kishte asnjë lajm dhe asnjë letër për Bashkinë e Vlorës dhe projektet e saj. Në këto kushte Shpëtim Gjika nuk kishte qëndruar duarkryq. Takimet e tij me biznesin vlonjat dhe më gjerë kishin vënë në lëvizje angazhime të mëdha, pasi në skenë luhej fati i festimeve të 100- vjetorit të Pavarësisë, luhej fati i vet Vlorës dhe komunitetit të saj, të cilët pak donin t’ia dinin në kishte apo jo mundësi Bashkia. Të gjithë sytë i kishin nga Shpëtim Gjika dhe stafi i tij. Por Gjika nuk u përkul përpara vështirësive dhe bëri të pamundurën e të pamundurave, duke nderuar veten, Bashkinë që drejton, qytetin e Vlorës që menaxhon dhe mbarë shqiptarët kudo në botë. Patriotizmi i Shpëtim Gjikës u shpalos me të gjitha virtytet e një njeriu vital dhe të papërkulur. Fati e donte që të ishte ai Kryetar i Bashkisë së Vlorës në këtë 100 -vjetor. Historia ngarkoi Shpëtim Gjikën me barrën e rëndë të përgjegjësive për përgatitjen e Vlorës për 100- vjetorin e Pavarësisë. Gjika i mori parasysh të gjitha dhe u vu në garë me sfidat e kohës, por në fund triumfoi. Me siguri, mbas 100 vjetësh, kur stërnipërit tanë të festojnë 200 -vjetorin e pavarësisë, do hapin arkivat e kohës dhe do shohin se si e kanë festuar 100- vjetorin e Pavarësisë stërgjyshërit e tyre. Do hapin arkivat e kohës dhe do pyesin, se kush ka qenë kryetar i Bashkisë së Vlorës kur u festua 100- vjetori i Pavarësisë dhe se si e përgatiti ai Vlorën për atë jubile.

Atmosfera festive në qytet dhe protagonistët e saj.

Pa dyshim që ndezja e patriotizmit në Vlorë në prag të 100 -vjetorit të Pavarësisë, nuk është thjeshtë një ndjenjë sublime e vlonjateve, për të cilën askush nuk duhet ta vërë në dyshim. Por këtij geni, këtij shpirti patriotik të vlonjateve iu përgjigjën flakë për flakë jo vetëm Kryetari i Bashkisë zoti Shpëtim Gjika, por edhe mjaftë personazhe të njohur në jetën publike të qytetit. Një nga këta është Arben Beqiraj N/Kryetari i Bashkisë së Vlorës që mbulon kulturën. I palodhur, i kudo ndodhur dhe mjaftë racional, ai u dha udhë shumë punëve në mbështetje të Kryetarit të Bashkisë, jo vetëm si një detyrim pozicioni, por si një talent në fushën e bashkëpunimit administrativ dhe informativ. Gjithashtu Iliri Metaj, Drejtor i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve menaxhoi të gjitha aktivitetet që kjo drejtori pati planifikuar deri në detaje, duke sjellë në Vlorë gërshetimin e traditës me modernen. Nuk mund të lemë pa përmendur jashtë strukturave të Bashkisë, koordinatorin e Festivalit Mbarëkombëtar të Folklorit si dhe drejtorin e “Aulona Folk Festival” zotin Sejmen Gjokoli, i cili duke sjellë në Vlorë grupet më të mira të folklorit kosovar, ndezi në Vlorë, sheshet dhe rrugët e saj pasione të çartura të një patriotizmi, i cili i kaloi kufijtë e imagjinatës. Në sheshet dhe rrugët e Vlorës kërcyen nën ritmin e lodrave me qindra valltar ardhur posaçërisht për ditën e madhe, së bashku me qytetarët mikpritës vlonjate, të cilët dëshmuan edhe një herë se në Vlorë ka lindur dhe mbetet shpirti dhe zemra e patriotizmit shqiptar. Koncerte nga të gjitha anët dhe hareja kishte pushtuar mbarë një popull që gëzonte deri në agim.

Ide dhe mendime të qytetarëve pas festës.

Festimi me madhështi i 100- vjetorit të Pavarësisë krijoi edhe një përvojë të vyer për të gjithë dhe sidomos Bashkinë e Vlorës, e cila ishte në krye të punëve. Duke marrë mendimin e disa qytetarëve të Vlorës në lidhje me menaxhimin e trafikut në qytet, pas përvojës së fituar gjatë këtyre ditëve, po shprehim idetë e tyre në pak rreshta: Sheshi i Flamurit duhet të mbetet i bllokuar përgjithmonë për trafikun e makinave dhe pronë e këmbësorëve, pasi investimi që është kryer në të nuk do t’ia vlente të sakrifikohej. Qarkullimi i makinave që vijnë nga Skela drejtë qendrës së qytetit duhet të kanalizohet në kthesë majtas tek xhamia, rruga “Kristo Negovani”, dhe Transballkanike, kapelja dhe dalja para postës, ose drejtë spitalit. Hyrja për në Vlorë duhet bërë vetëm në drejtimet Drejtoria e Policisë, Parku Urban dhe Transballkanike. Për t’u futur në brenda qytetit duhen shfrytëzuar rrethrrotullimet Zyra e Punës e deri në Skelë. Të gjithë qytetarët e Vlorës kanë falënderuar me mënyra të ndryshme Kryetarin e Bashkisë zotin Shpëtim Gjika, i cili i dha Vlorës dinjitetin e merituar, duke e ngritur ndjenjën e patriotizmit shqiptar në nivele rekord që nga koha e 28 Nëntorit 1912, kur Ismail Qemali do të shkruante në kujtimet e tij: “Një zjarr e madh patriotizmi ka pushtuar qytetin ku linda…”