Çlirim HOXHA / Berisha foli, Vlora qytet transit për 100-vjetorin e Pavarësisë?!

633
Sigal

Nuk mund të anashkalohet Vlora me një shtatore të Ismail Qemalit në Tiranë dhe as të shpërngulen festimet në Kryeqytet, se ashtu ia ka qejfi një Kryeministri që sjellë vërdallë gjithë vendin.

Në këto momente nuk kanë vlerë as belbëzimet e opozitës, pasi ka më shumë se një vit që mediat kombëtare po shkruajnë e flasin për anashkalimin që, Qeveria po i bënte Vlorës dhe Ismail Qemalit në këtë 100 vjetor, por opozita rinte dhe vështronte yjet. Kryeministri Berisha i detyruar nga mediat dhe reagimet e ditëve të fundit, u dha shqiptarëve sihariqin e anashkalimit të Vlorës në këtë 100 -vjetor të pavarësisë dhe përqendrimin e festimeve në Tiranë, si asnjë herë më parë?! Madje Berisha hoqi edhe paralelizëm me Shtetet e Bashkuara, duke na treguar se edhe në Amerikë deklarata e pavarësisë qenka firmosur në Bibliotekën e Filadelfias, por festimet bëhen në Uashington?! Fakte interesante dhe tendenca për të imituar gjithçka, pasi vetëm kështu justifikohet qëllimi i vërtetë. Amerikanët janë popull tjetër me traditat dhe zakonet e tyre dhe ne shqiptarët jemi tjetër popull me traditat dhe zakonet tona patriotike. Dasma bëhet në Vlorë, këtu është dhëndri.  Të prishësh një traditë patriotike për të krijuar një tjetër, vetëm e vetëm për të anashkaluar Vlorën dhe kontributin e saj, nuk është vetëm alergji, por një veprim me prapashtesa të theksuara përçarëse dhe nëpërkëmbëse që nuk u shërben shqiptarëve. Gjatë këtyre muajve të gjithë vlonjatët kanë mbajtur frymën pas çdo mbledhje të Qeverisë, duke shpresuar se Kryeministri Berisha më në fund do fliste për Vlorën dhe do t’i akordonte Bashkisë së qytetit të Flamurit shumën financiare të domosdoshme për të realizuar projektet madhore që kishin nisur. Të gjithë janë zhgënjyer nga mbledhjet e njëpasnjëshme të Qeverisë shqiptare gjatë vitit të 100 vjetorit të Pavarësisë. Të gjithë kanë parë se si Kryeministri i PD-së, Sali Berisha, ka akorduar fonde financiare për një mauzoleun për familjen mbretërore, për ceremonira për sjelljen e eshtrave të ish-mbretit Zog në Shqipëri, për shtatoren e Ahmet Zogut etj., dhe në fund fare për një shtatore të Ismail Qemal Vlorës diku në Tiranë?! Madje edhe këtë pasi mediat e ngritën si shqetësim një vit e ca më parë. Thuhet se tani paskan ardhur ca para nga thesi i grisur i Qeverisë shqiptare, por që janë thjeshtë dhe vetëm një justifikim përpara vlonjateve. Rikonceptimi i Sheshit të Flamurit është në përfundim nga Bashkia e Vlorës dhe Shpëtim Gjika dhe për këtë nuk ka asnjë mëdyshje. Nuk jemi kundër nderimit dhe vlerësimit të figurave historike në këtë 100 vjetor, (veç tradhtarëve), por strumbullari i 100 vjetorit të pavarësisë është Vlora dhe Ismail Qemali. A thua se në 28 Nëntor 2012 është 100 vjetori i monarkisë shqiptare?! A thua se mbretëria shqiptare na paska shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe vet mbreti na paska ngritur Flamurin kuq e zi 100 vjet më parë në Vlorë?! Po Ismail Qemal Vlora ku është këtu?! Ku është themeluesi i shtetit të parë shqiptar pas 500 vjet robërie osmane?! Ku është ngritësi i Flamurit të Pavarësisë?! Ku është babai që i ridha emrin e humbur vendit tonë të stërlashtë Shqipëri, dhe bëri që të njihej ndërkombtarisht, duke e shpëtuar nga zhdukja e sigurt?!

Zotërinj, duhet të kuptojmë një gjë. Anashkalimi i Vlorës është i qëllimshëm dhe ka nisur vite më parë. Pesë vjet më parë kur po festonim 95 vjetorin e Pavarësisë, qeveritarët e djathtë që drejtojnë këtë vend, nuk patën besë sa të mbaronin ceremonitë dhe t’ia mbathnin drejtë Tiranës për të festuar atje. Askush nuk po e kuptonte, por nxitimi i tyre qe aq i madh saqë kishin harruar ta përshëndesnin qiellin e Vlorës me fishekzjarrë, ashtu siç ka qenë tradita shumëvjeçare?! Duke parë situatën sot, askush nuk do besojë se pesë vjet më parë Ministria e Mbrojtjes kishte harruar detyrat e saj ceremoniale dhe protokollare në ditë të shënuara, siç është jubileu i pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Më kot pritën vlonjatët atë mbrëmje të 28 nëntorit 2007 në sheshin e Flamurit. Atje nuk kishte as mortaja dhe as ushtar të dërguar nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes për këtë ditë të shënuar?! E njëjta gjë mund të ndodh edhe në 28 nëntor 2012, mos t’u duket shaka. Shumë ujëra kanë rrjedhur në politikën e djathtë shqiptare dhe ajo që është më kryesorja, ka të bëjë me zbehjen e patriotizmit shqiptar. Anashkalimi i Vlorës dhe tendenca e Berishës për t’i përqendruar festimet në Tiranë dhe jo në Vlorë në 28 nëntor, është padyshim maskarada e radhës e kësaj maxhorance amalgamë, gjë që do të linte shije të hidhur. Ajo që ndodhi pesë vjet më parë na jep shpresë se do përsëritet, pasi vet Kryeministri Berisha deklaroi në mbledhjen e grupit të tij parlamentar se, epiqendra e festimeve do të jetë Tirana e jo Vlora?! Do të ishte në nderin e kësaj Qeverie që të vinte në Vlorë dy ditë para 28 nëntorit dhe të qëndronte këtu për të marrë pjesë në festimet që kanë nisur nga ana e Bashkisë së Vlorës, duke shmangur mllefet politike ndaj njeri-tjetrit, pasi vetëm në Shqipëri ndodh që kundërshtarët politik nuk e shohin veten si mbartës së bindjeve diversive në të mirë të vendit, por si armiq të betuar në luftën për pushtet?! Po Shqipëria dhe interesat e saj ku janë këtu?! Absolutisht këtu nuk ka Shqipëri, këtu nuk ka Vlorë dhe 100 vjetor të Pavarësisë. Këtu ka vetëm mllefe dhe armiqësi përçarëse dhe pikë! Të paktën në 28 nëntor duhet të jenë të gjithë bashkë në tribunat e Vlorës, në sheshet ku gjëmon historia, të përulen me respekt përpara varrit të burrit më të madh të kombit në këto 100 vjet, Ismail Qemal Vlorës dhe veprës së tij vigane. Në 28 Nëntor Presidenti i Republikës duhet të ngrejë Flamurin tonë Kombëtar në orën 10:00 në Sheshin e Flamurit dhe përballë vlonjatëve dhe gjithë shqiptarëve. Pikërisht në këtë moment, sipas traditës protokollare shtetërore, të cilën Ministri i Mbrojtjes zoti Arben Imami duhet ta ketë parasysh, ngritja e Flamurit nga Presidenti i Republikës shoqërohet me disa të shtëna artilerie, si një nga çastet më solemne të të gjitha kohërave. Pikërisht në këtë çast gjaku i çdo shqiptari vlon në deje dhe krenaria e të qenit shqiptar nuk njeh kufij. Në mbrëmje mortajat e ushtrisë shqiptare do hedhin fishekzjarrë në një spektakël mbi qiellin e sheshit të Flamurit në Vlorë (nëse nuk “harrojnë” prapë si para 5 vjetëve).

Ku është koncerti i madh qeveritar që mbahet me këtë rast në qytetin e Vlorës dhe cili është dirigjenti që do të drejtojë orkestrën e madhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit?! Deri tani ne nuk kemi dëgjuar për ndonjë koncert qeveritar dhe për përgatitjet e tij në Vlorë, siç ka ndodhur në çdo jubile të Pavarësisë?! Ja një tjetër anashkalim i Vlorës dhe i historisë nga ana e Qeverisë. Në 28 nëntor në Vlorë do të ketë shumë veprimtari organizuar nga Bashkia e Qytetit dhe kryetari i saj zoti Shpëtim Gjika, të cilët, duhet thënë, po bëjnë të pamundurën për ta festuar me dinjitet këtë 100 vjetor. Ftesat e Bashkisë së Vlorës kanë ditë që kanë fluturuar në destinacionet e duhura brenda dhe jashtë Shqipërisë, në trojet shqiptare, në diasporë e kudo ku ka shqiptarë dhe ku rreh zemra e patriotizmit kuq e zi. Të gjitha ftesat ftojnë shqiptarët që të mblidhen në 28 nëntor në Vlorë, në sheshin e Flamurit, në sheshin e bashkimit tonë kombëtar. Po Qeveria ku është në këtë 100 vjetor me Vlorën?! Cila është agjenda e saj protokollare në lidhje me 28 nëntorin në Vlorë?! Berisha e tha vet, Vlora qytet transit në 28 nëntor 2012?!

Mendoj se Shqipëria nuk duhet të ketë më shakaxhinj të përparimit, nga ata që i dinë të gjitha dhe që i bëjnë të gjitha. Kush është politikan i zgjuar i ruhet këtyre gjërave sot, që të mos përqeshet nesër. Shikoni se ç’bëhet. Edhe ullinjtë e Vlorës sivjet janë plot. Druri i ullirit është magjik dhe jo më kotë jeton 1000-2000 vjet. Ulliri i shikon dhe i ndjen të gjitha ato që ndodhin dhe ato që fliten. Në këtë 100 vjetor të Pavarësisë pa tjetër që duhen përkujtuar dhe nderuar të gjitha figurat që i kanë shërbyer këtij kombi dhe për këtë askush nuk duhet të ketë dilemë, (veç atyre që e kanë njollosur veten më bojë të zezë). Ka plotë data të tjera përpara 28 nëntorit për këto nderime, por në 28 nëntor të gjithë duhet të jenë në Vlorë dhe të nderojnë dhe të festojnë 100 vjetorin e pavarësisë dhe aktin titanik të Ismail Qemal Vlorës, shpallësit të pavarësisë, ngritësit të flamurit tonë kombëtar, themeluesit të të parit shtet shqiptar pas 500 vjet robërie osmane, kjo është çështja. Kush i thotë vetes shqiptar e bir shqiptari në 28 nëntor duhet të gdhihet dhe ngryset në Vlorë.