Çlirim HOXHA/ Arvizu një diplomat i përmasave botërore

574
Sigal

Të gjithë e dimë se si u largua Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës zoti Xhon Uidhers nga Tirana, pas përfundimit të mandatit të tij 3 vjeçar në Shqipëri. Uidhers ishte një diplomat erudit dhe mjaft i pëlqyer nga ana e shqiptarëve dhe, sipas deklaratave të tij konfidenciale, ishte ndjerë mirë mes politikës së zhurmshme shqiptare. Ajo që e bëri Uidhersin të ndihej i qetë, ishte fakti se të gjitha forcat politike në Shqipëri ishin Pro Amerikës, pavarësisht debatit dhe mospëlqimit të ish Kryeministrit Sali Berisha, të cilit nëse nuk i shkoje pas avazit bëhesh i papëlqyer për të. Pas largimit të Uidhersit (Qytetar Nderi i Vlorës) vendin e tij e zuri Ambasadori i respektuar Aleksandër Arvizu. Fillimi i mandatit të tij përkoi me intensifikimin e luftës opozitare nga ana e PS, ku krerët e opozitës së bashkuar bënin thirrje për ashpërsimin e qëndrimit opozitar ndaj Berishës. Opozita kishte shumë shkaqe të kërkonte largimin e Berishës në shtëpi, duke filluar nga zgjedhjet e 2009-ës, ku kërkohej mitingjeve dhe protestave pa fund hapja e kutive, gjë që Berisha nuk kishte ndërmend të hapte “Kutinë e Pandorës”. Opozita e bashkuar, e udhëhequr nga Edi Rama, intensifikoi protestat, ku kulmi arriti në 21 janar 2011 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë, ku mbetën të vrarë 4 protestues pa çadra pistoletë, pa stilolapsa pistoletë, pa bomba Molotov, pra me duar në xhepa në mes të bulevardit. Berishës dhe Bashës i mbeti dopjo-gjashta në dorë me ato vrasje dhe u vunë në shënjestrën e opinionit të brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Opozita e bashkuar kërkoi të organizonte një protestë homazh pas asaj të 21 janarit, por Berisha kërkoi ti kundërvihej duke ftuar mbështetësit e tij që të dilnin në bulevard në një antimiting të rrezikshëm, i cili i frynte luftës civile thënë më shkoqur. Pikërisht në këto situata del në pah roli konstruktiv i Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara zotit Aleksandër Arvizu, i cili ndërhyn pranë Berishës duke e këshilluar që të tërhiqej nga mbajtja e antimitingut dhe siç edhe u pa, arriti t’ia mbushte mendjen. Berishës iu përkëdhel sedra nga etiketimi i Ambasadorit Arvizu si “Burrë shteti” dhe e anuloi antimitingun e protestës që kishte deklaruar dhe po përgatiste. Arvizi kishte triumfuar, ai ja kishte arritur qëllimit duke shmangur një përplasje evidente mes opozitës dhe mbështetësve të qeverisë në rrugë. Pikërisht këtë gjë nuk arritën të kuptonin shumë analistë në atë kohë dhe shumë politikanë të opozitës së atëhershme e anatemuan Ambasadorin Arvizu, i cili nuk kishte bërë gjë tjetër veçse i kishte hedhur ujë zjarrit të përplasjes që po përgatitej. Të quaje Berishën “Burrë shteti” për opozitën e atëhershme dhe për shumicën e shqiptarëve ishte një marrëzi, por diplomacia e Ambasadorit Arvizu kishte triumfuar. Miku i mirë në ditë të vështira duket, thotë një fjalë e urtë popullore. Është e vështirë të mbash ekuilibër mes forcave politike në Shqipëri, pasi çdo mbështetje sado e vogël për njërën palë apo lider, do të konsiderohej e papranueshme nga pala tjetër dhe do të nisnin kritikat, mllefet, etiketimet etj. Sidoqoftë, Ambasadori Arvizu është treguar mjaftë i ekuilibruar dhe racional, por edhe deçiziv në momente kritike, siç ishte shuarja e protestës antimiting të PD-së pas ngjarjeve të 21 janarit. Por sa të vërtetë jemi treguar ne në raport me Ambasadorin Arvizu dhe Shtetet e Bashkuara në tersi. Dihet ndjenja e thellë e miqësisë dhe simpatisë që kanë shqiptarët për Shtetet e Bashkuara qysh 100 vjet më parë, ku shumë shqiptarë gjetën tokën e premtuar në Amerikë dhe ngritën aty shtëpinë e dytë. Amerika ka qenë e hapur për shqiptarët në të gjitha kohërat, paçka se komunizmi ngriti barriera ideologjike dhe i mbajti larg shqiptarët nga zhvillimi dhe emancipimi perëndimor për 50 vjet me radhë. Shtetet e Bashkuara ishin të parat pas rënies së komunizmit që nxituan të mbështesnin Shqipërinë dhe demokracinë e re që po instalohej, siç kishte bërë edhe Presidenti Uillson, paçka se në krye të saj u vendosën komunistët e konvertuar në demokrat. Ne shqiptarët kemi bërë miq të shumtë gjatë 70 viteve të fundit. Jugosllavët e pasluftës i hodhëm poshtë pas kishin qëllime të mbrapshta. Vëllezërit sovjetik i zhvatëm deri tek nëndetëset, por i flakëm kur ata hodhën Stalinin. Kinezët i zhvatëm më keq akoma, por një ditë të bukur ata nuk na pyetën ne për vizitën e Niksonit dhe ne (domethënë Enveri) e prishi miqësinë dhe përfunduam në rrënim ekonomik. Të gjithë këta ne i kishim quajtur miq për kokë dhe miqësinë me ta të përjetshme, por faktet treguan se nuk paska miqësi të përjetshme që nuk pyet për malet, detet, lumenjtë që na ndajnë. Ka disa kode shqiptari, që kanë ardhur nga mot-motet, ku më kryesori është Kodi i Mikut. Një fjalë tjetër e urtë thotë: “Shqiptari kur jep fjalën ther djalën”. Në rastin e armëve kimike të Sirisë, të cilat u kërkuan fillimisht të deneutralizoheshin në Shqipëri, u ngrit një tymnajë mediatike e mbarsur politikisht nga opozita, që ra brenda qëllimeve të saja për ta shfrytëzuar situatën në favor të rrëzimit të Edi Ramës dhe koalicionit të majtë nga pushteti dy mujor?! Në fakt mungesa e informacionit të zgjeruar (ndoshta kaq informacion kishte dhe vet Kryeministri) do të ishte diçka pozitive për qetësimin e protestuesve. Kryeministri Rama duhej të organizonte një takim me ambientalistët organizator të protestës, me qëllim dhënien e informacionit dhe diskutimin e kushteve që ka Shqipëria në infrastrukturën rrugore, hekurudhore, territoriale të vogël dhe portale të pamjaftueshme, përpara se të merrej një vendim përfundimtar. Fakti që Rama nuk u nxitua të merrte një vendim të njëanshëm kundra vullnetit të protestuesve dhe opinionit shqiptar. Fakti që Rama nuk i shiti shqiptarët e painformuar, u konsideruan pozitive, por Rama nuk ishte budalla që të linte Berishën dhe Bashën të shfrytëzonin situatën për ta rrëzuar vetëm dy muaj pas ardhjes në pushtet. Të gjithë jemi të bindur se futja e Berishës dhe Bashës mes protestuesve i komprometoi rëndë ata. Pra u pa qartë se qëllimi i protestës së PD-së nuk ishin “blerja e votave” në Korçë apo armët kimike të Asadit, por rrëzimi i Ramës nga pushteti. A e dini se, nëse Rama nuk do të kishte dëgjuar zërin e protestës së shqiptarëve dhe do të kishte thënë “PO”, turmat e militantëve të PD-së që ishin futur mes protestuesve të nxitura nga Berisha dhe Basha, do t’i drejtoheshin godinës së Kryeministrisë për të rrëzuar Ramën dhe pushtuar selinë e qeverisë. (të mos harrojmë 14 shtatorin 1998). Rama parimisht e kishte pranuar propozimin amerikan, por pa marrë asnjë vendim si qeveri dhe pa shkuar ende në Parlament. Nga ana tjetër Amerikanët përmes Sekretarit të Shtetit dhe Ambasadorit Arvizu kishin garantuar siguri në deneutralizimin e armëve kimike siriane. Amerikanët do të sillnin në Shqipëri laboratorët modern antikimik, ekipet e specialistëve botëror të çmontimit të armëve kimike dhe merrnin përsipër çdo risk. Amerikanët e kishin lakun në fyt, ata donin t’i hiqnin armët kimike nga Siria një orë e më parë. Ata kishin arritur një marrëveshje me rusët. Ata nuk mund të deneutralizonin armët kimike të Asadit brenda territorit Sirian, ato mund të binin në dorën e terrorizmit ndërkombëtar dhe Amerika e kishte paguar në 11 shtator nga terrorizmi. Zhurma që u bë në Shqipëri kundër ardhjes së armëve kimike dhe deneutralizimin e tyre në territorin tonë, për mendimin tim ishte e panevojshme dhe e nxituar deri në momentin e mungesë së informacionit, pavarësisht se protesta ishte një leksion demokracie kur dihet se në qeveri ishin progresistët. Futja në lojë e opozitës për interesat e saj, e baltosi keq protestën, por në fund opozita nuk fitoi asgjë. Berishës i mbeti dopjo-fusha në dorë kurse  Bashës i mbeti dopjo-gjashta në dorë me antiamerikanizmin e tij. Ambasadori elokuent Arvizu e bëri publike bisedën dhe garancinë që kishte marrë nga Basha për ardhjen e armëve kimike dhe deneutralizimin e tyre në Shqipëri, por Basha e drodhi pasi u ysht nga ustai i tij, i cili donte të rrëzonte Ramën nga pushteti dy mujor. (frikë nga reprezaljet e Ramës ndaj tij dhe bëmave të tij). Ambasadori Arvizu e tha qartë dhe prerë. Shtetet e Bashkuara nuk kishin qëllim të dëmtonin Shqipërinë dhe shqiptarët. Çështja e armëve kimike ishte emergjente për Amerikën dhe amerikanët iu drejtuar mikut të tyre të ngushtë në Ballkan. Harruan shqiptarët se kush e çliroi Kosovën krah UÇK-së?! Harruan shqiptarët se kush i futi në NATO, paçka se nuk i plotësonin kushtet?! E pra, miku i mirë duket në ditë të vështira dhe Amerika kishte një marrëveshje dhe donte me çdo kusht të shkatërronte armët kimike të Asadit, donte t’i hiqte ato armë një orë e më parë nga Siria, por i duhej një vend aleat i ngushtë. Miku nuk lihet në baltë dhe, edhe nëse shqiptarët do t’i thoshin “PO” Shteteve të Bashkuara, nuk e besojë se armët kimike të Sirisë do deneutralizoheshin në Shqipëri. Kur specialistët amerikanë të shkatërrimit të armëve kimike të mbërrinin për të parë infrastrukturën e Shqipërisë, me siguri do zhgënjeheshin dhe do kërkonin një mënyrë tjetër. Fakti që u vendos së fundi bordi i një anije për shkatërrimin e këtyre armëve, flet se nxitimi i shqiptarëve ishte i pamotivuar. Shtetet e Bashkuara kanë një bosht të qartë në politikën e tyre ndërkombëtare në raport me aleatët. Ambasadori Arvizu e theksoi publikisht se ishte prerë në besë nga drejtuesit e opozitës lidhur me këtë çështje. Në këtë rast nuk i hidhet faji Kryeministrit Rama, por faji i mbeti opozitës dhe Bashës, të cilët nuk arritën t’i qëndrojnë fjalës, miqësisë ndaj Shteteve të Bashkuara, aleatit tonë kryesor strategjikë në botë. Ambasadori Arvizu ka bërë shumë gjatë mandatit të tij për forcimin e marrëdhënieve midis të dyja vendeve tona. Ai ka folur përherë me gjuhën e Uashingtonit, paçka se ndonjë politikani të qullur, apo ndonjë analisti snob nuk i kanë pëlqyer sjelljet dhe deklaratat e tij, të cilat kurrsesi nuk janë personale. Arvizu tregoi gjatë këtyre tre viteve se Shtetet e Bashkuara janë një aleat i madh dhe i besueshëm i shqiptarëve, dhe se, qëndrimi i tij në Shqipëri si Ambasador i Shteteve të Bashkuara e justifikoi plotësisht qëllimin për të cilin ishte mandatar. I kudogjendur, i matur, i qetë, i hapur ndaj publikut përmes komunikimeve virtuale, Ambasadori Aleksandër Arvizu i shërbeu më shumë miqësisë midis popullit shqiptar dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, ndaj do mbetet në memorien e shqiptarëve si një mik i madh i tyre.