Ç’i thotë Drashovica politikës shqiptare me paterica?…

898
Sigal

Kristo MËRTIRI

Përsiatje nga cikli “Antiharresa”

Te Ura në Drashovicë e në tërë Labërinë, traditat e mira shekullore janë të paprekshme sot e kësaj dite. Ato prushërojnë në çdo zemër e vatër dhe nuk i cenojnë kurrë bindjet politike, të majta a të djathta qofshin. Përndryshe, nuk mund të besosh as engjëllin, as djallin ! Se pastaj vjen një ditë dhe dikush kërkon ta nisë historinë nga zeroja apo ta shkruajë me ndonjë penë tinëzare të kuislingëve të vjetër e të rinj të çdo pushtuesi, e aq më pak me penën zezonë të vrasësve të Dëshmorëve. Por të mos harrojmë: Në mungesë të statistikave zyrtare të asaj kohe të nëmur, Drashovica e Labëria kanë një “statistikë” të veçantë e unike, tepër origjinale dhe mbishekullore. Statistikë që nuk e zhduk dot asnjë sistem politik e suferinë historike dhe asnjë lloj fatkeqësie natyrore. Ajo kalon e sigurt, e sertë dhe e saktë si amanet i patretur e si stafetë e shenjtë brez pas brezi: Kënga Popullore! Ashtu gojë më gojë. Zemër më zemër. Vatër më vatër. Në gëzime e derte, kudo. Një vërshim i pandalshëm që rrjedh si buronjat e maleve hijerënda dhe rrëfen bukur përmasat e dy epopeve gjithnjë krahëhapur atje në Drashovicë, te Porta e Labërisë lavdi mbuluar. Erë barut e trëndelinë. Rrëfime të papërsëritshme për çdo betejë kundër pushtuesve, për cdo luftëtar atdhedashës që e merr vdekjen në sy. Një kronikë madhështore labe plot informacion, me figura shumë bukuri e perla gjuhësore-letrare që nuk besoj t’i ketë vend tjetër në botë. Pa pikë uji të tepërt, fjalë të gdhendura si gurë qosheje me aq merak, mjeshtëri e dashuri njerëzore. Autobiografi që vazhdon të zilepsë të tjerët matanë detit e maleve dhe i bën nder çdo enciklopedie evropiane e perëndimore. Autobiografi e shkruar me aq shume gjak e sakrifica, me dituri e mençuri natyrale, me talent të lindur natyrshëm e të rritur në male… Se Lufta e Drashovicës, vërtet filloi në 15 shtator, por mbaroi në 4 tetor 1943. Atje ku erdhën me dyfekët lidhur me gjalmë dhe luftuan “me një mbret dyzet milionë”. Dhe Vlorën e bukur në gropë nuk e lëshuan! Selam Musai “zemër me çika” erdhi nga malet e Tepelenës “me 300 e ca komita”, vërviti gunën e dhirtë mbi telat me gjemba dhe zuri topin armik nga gryka. Dhe u bë e mbeti legjendë e gjallë trimërie e shqiptarie. Prandaj ajo kënga e famshme ka 98 vjet që rrjedh e gurgullon nga Jugu në Veri. Në monizëm e në pluralizëm, kudo ku flitet e kuvendohet shqip… -O miku ynë në metropol! Ti je dhëndër në Vlorë, por aty ke edhe gjurmët e pashuara të babës tënd përballë hotel “Sazani”, ilegal bombat në trastë për Teli Ndinin me shokë…Ke 40 vjet që nuk u ndahesh gjëmimeve të historisë sonë kapak-kuqe.

Si nëpër Shqipëri dhe nëpër udhët helm të kurbetit të detyruar. Se dardha bie nën dardhë. Jo të gjithë e mbajtën faqen të bardhë. Sa për Drashovicën që bie ende erë barut e trëndelinë, mos e kurse kalemin e penën në gazetë. Ajo Urë e ai Hark mesazheshumë do të flasin përjetësisht, veç të tjerave, edhe për bashkimin popullor pa dallim feje, krahine e ideje. Do të ligjërojë me dinjitet përballë Polit(h)ikës, edhe për harmoninë shoqërore e mirëkuptimin qytetar përtej bindjeve të ndryshme partiake. Ti e di mirë, në Labëri historikisht polemizojnë edhe “me majën e gjilpërës” dhe ua heqin dushkun fjalëve. Ndërsa krenarinë, dinjitetin e burrërinë nuk i blejnë e as i shesin me para të pastra apo të pista. Drashovica e rrallë, i ka zët pazaret e politikës kolltukofagë, cicmicet dhe gërr-vërret pa bukë. Veçse dinë të japin edhe ujë në shoshë apo me bisht të lugës !…Konkretisht, në zgjedhjet e fundit lokale, 47 fshatra dhanë një leksion jo të vogël qytetarie e demokracie për çdo parti politike e për çdo kandidat që krekoset e parfumohet nëpër istikamet e Kryetarëve në kryeqytet dhe larg njerëzisë me hallet sa një mal. Por dinë të qeshin e të tallen edhe me çdo lloj politike me paterica. Pa u lëpirë e pa u bërë saç për lakrorin e partive të mbytura nga mashtrimet e gënjeshtrat. Fjala vjen, shembulli i Bashkisë së Labëri-Selenicës(nga më të mëdhatë në vend) nuk ka nevojë për komente të tepërta. Euforia megalomane e atij mitingut në Brataj (pa kaluar as dy vjetë) u shkri si kripa në ujë ! Populli votues e me këmbët në tokë, ia dha pa pishmanllëk besimin Njeriut fjalëpakë e punëshumë dhe aspak lumë e përlumë, një djali vendi e të sprovuar disa herë në krahinë. Dhe kjo zgjedhje nuk ishte rastësi. Por nuk dimë hollësira se sa e ka mbështetur Qeveria këtë Bashki jo dosido e me halle të bartura nga e kaluara. Apo inati “rilindist” rri ndezur ende mbi kurrizin e votuesve të pafajshëm ?!… Miqtë e mi të shumtë në Labëri, flasin kurdoherë zemërqëruar e pa maska. Por në gjoksin e Drashovicës tani sikur ka lezet më tepër se kudo ajo dekorata sipërore “Nderi i Kombit”. Në çdo shtator, patriotizmi i vërtetë aty preket në çdo grusht dheu. Ndoshta është nga trevat e rralla ku nuk gulçojnë ndarjet e përçarjet politike e partiake. Pëllëmbë e histori. Pëllëmbë e gjak. Pëllëmbë e sakrifica. Ç’i kanë parë sytë Lumit të Shushicës ! Që nga Kuvendi i madh ndërkrahinor me mbi 3 mijë luftëtarë (31 korrik 1911),ku kërkohej prerë një autonomi e plotë territoriale e Shqipërisë. Dhe gjer te Lufta e Vlorës(1920) dhe te Lufta e Drashovicës(1943). Tre ngjarje me kulm e themel te ky Hark i zjarrtë popullor, te kjo portë e moçme kanat-hapur për lule djemtë e nënave, te kjo vatër madhore atdhetarie me yll e shqiponjë krahëshkruar në krye sot e kësaj dite. (Të gjithë vlerësojnë e nderojnë daltën e Skulptorit të Popullit, gjirokastritin e mirë Muntaz Dhrami. Ndërsa unë nuk e largoj dot nga kujtesa një episod të hidhur nga fillimi rrumpallë i Pluralizmit të çoroditur: Artisti i madh ishte punësuar “privatisht” në gdhendjen e pllakave e gurëve në Varrezat e Sharrës! E kishin hedhur në rrugë ata sojsëzë që e nisën sistemin e ri politik me shkatërrime vlerash e rrëmbime hajnash nëpër trupin e drobitur të mëmëdheut. Atëherë, jo pa vështirësi, botova një shkrim të veçantë drithërues e akuzues. Po kush të dëgjonte? Fol o gur, fol o mur !… Një fat të tillë pësuan edhe qindra djem e vajza të Labërisë, brenda e jashtë saj. Kohë e krisur dhe e vithisur! Por gati të gjithë nuk e humbën toruan dhe as vrapuan pas berihajit pa kokë e pa këmbë. Megjithëse thikat e Polit(h)ikës i provuan gjer në kockë. Një model bashkimi e harmonie vëllazërore me njeri-tjetrin. Nuk fshihen kollaj gjurmët e arta që kanë lënë të parët. Prandaj përballë Vlorës “Gjak i kulloi xhamadani/ Nuk e mori dot dushmani !”. Prandaj politika me paterica e Tranzicionit, aty duhet të ulë kokën e të reflektojë sadopak ndaj bëmave e gjëmave “antikomuniste” në tri dekada. Se populli e ka gjetur herët gjuhën e bashkimit e të mirëkuptimit. Polit(h)ika pa moral dridhet e përdridhet si sapun mbi gunë. Dhe harrojnë se “Nëse lind një luftë politike, shpesh hyjnë në garë me të liqtë”. Ky postulat i lashtë duket sikur është shkruar sot e jo nga filozofi mendjendritur Aristotel. Ose ata që sundojnë pushtetin,”shumica lakmojnë fitimet më të mëdha se sa nderin”…Por Vegjëlia nuk është qorre, mban shënim e nuk harron. Për shembull, më e fundit hata ishte ajo në Resulaj të Selenicës. 8 arkivole në një ditë! Ngjarje që tronditi mbarë Shqipërinë, brenda e jashtë saj. Vetëm Polit(h)ikës sikur nuk i lëvizi fare qerpiku (?!). Sepse edhe turpin e ka ngrënë me bukë. Asnjë deputet e shtetar i lartë nuk u duk hiç pranë fukarenjve fatkeq. Dhe qesëndisin me të drejtë fjalimet me “Policimi në Komunitet”, policim që ka vite në drejtim të paditur. Dhe demagogjia e hipokrizia dolën lakuriq ! Vetëm dorën e ngrohtë të Bashkisë patën pranë, shpirtërisht e ekonomikisht. Plagë e madhe që thërret, kullon e ulërit thekshëm përmes kësaj katrahure morale e politike… A i vure re veteranët e pasardhësit që bien në gjunjë vetëm para Flamurit Kombëtar ? Pyesim kështu sepse në Drashovicë dinë të nderojnë ish luftëtarët “monumente të gjalla të historisë”. Ata nuk janë aspak të prapambetur e as “nostalgjikë” të pandreqshëm, ata mbetën idealistë të kulluar për një Botë të Re. Por edhe te kjo Urë e tek ky Hark i mrekullueshëm, bëhen copë e cikë përçartjet djallëzore e antishqiptare mbi Luftën e shenjtë ANC, përçartje që herë pas here helmatisin si nepërkat nën gur disa ekrane e gazeta me kartat e djegura të “luftës civile” e të “antikomunizmit” kallpazan. Boll i kanë lënduar veteranët e pasardhësit ! Zemra e tyre rënkon thellë e më thellë kur shikojnë e dëgjojnë sulmet donkishoteske mbi të vërtetat historike apo vrapin çmendurak të qeverive për të dhënë fonde të posaçme në “rehabilitimin” e disa figurave tepër të errëta. Dhe ky lëngim rëndohet më tej, sidomos kur veprimet kryhen nën qeverisjen e ashtuquajtur të majtë(?!). Hipokrizi e burracakëri e pështirë që hedh pas krahëve ringritjen e muzeve, të lapidarëve të Lirisë, bustet e monumentet heroike etj. Ashtu siç i mbrojnë në Drashovicë. Sepse shkatërrime e veprime të tilla mesjetare, në fund të fundit, tregojnë ashiqare përgatitjen e një neodiktature… Shembulli i këtij thesari Lirie e Demokracie të vërtetë në Drashovicë e gjithë Labërinë, do frymëzojë gjatë në histori e në cdo sistem politik. Sepse mbi të gjitha, bijat dhe bijtë e kësaj krahine stërralli, askush nuk i kthen dot “në mish për topat e luftës politike”! Kjo pasqyrë karakteri e dinjiteti shkëlqen edhe në Festivalet e tyre folklorike, atje, nën Harkun e lidhur fort te dy brigjet e dy luftërave epope. Sepse “Përshtypja që del prej këngës labe, është mall i ashpër dhe shpirt heroik…Këngët më të dashura të tyre janë këngë trimash, të cilat mund të lindin me shpejtësi të çuditshme”. Këtë nuk e them unë, e ka thënë akademiku i pavdekshëm Eqerem Çabej. Janë copëza të ndritura historie. Siç i kanë dalë popullit nga zemra e goja ! Ndonëse mund të gjesh edhe “lisa të përzhitur nga rrufetë”. Veçse kurdoherë të lira e sovrane. Si Drashovica jonë, që i rri larg Polit(h)ikës me paterica moniste e pluraliste…