Cërrikun e duan deri ditën e votimit

795
Artan Paja 
Cërriku është një qytezë e vogël për nga shtrirja gjeografike dhe ajo e banorëve, por shumë e madhe krahasuar me ”bëmat” e njohura të ndodhura një pas një ndër vite. U ndërtua fill pas krijimit të rafinerisë dhe përpunimit të naftës, ndërkohë që Enver Hoxha e pa të udhës që aty të ”ruheshin” edhe disa funksionarë të lartë të regjimit, siç ishin Dilaver Poçi, Veli Llakaj, Liri Belishova dhe një pjesë e mirë e familjes së ish Kryeministrit Mehmet Shehu. Qyteti po shtohej dita-ditës, ku krahas uzinës po kultivoheshin edhe kultura të tjera siç ishin ajo e bujqësisë, blegtorisë dhe pemëtarisë. Në dukje, njerëzit dukeshin të lumtur, por në thelb të tyre diçka ziente si vullkan. 

Varfëria, stërkëmbëshat, hilet, thashethemet, manipulimi në mënyrën më të lehtë, por edhe largimi i “elitës”, bëri që pas viteve 90 qyteza të degradonte më tepër, pasi me sa duket doli jashtë sistemit për të cilën qe ndërtuar. Populli i Cërrikut sërish e gjen veten në një lojë mbarëkombëtare, pikërisht në mars të vitit 1997. Burra, gra, fëmijë, pleq janë vigjilent të rrinë e të ruajnë me armë në dorë mos vijnë ”tartarët”. Qyteza i ngjan një qyteti të bombarduar në Irak. Të plagosur, viktima, trauma dhe anarshi e pakuptimtë. Më pas vijnë zgjedhjet e parakohshme dhe fiton në mënyrë absolute Fatos Nano. Ne dalim në foto bashkë. Diçka e madhe pritet të ndryshojë për mirë këtë qytezë të përvuajtur, por veçse presim…asgjë nuk ndodh. Në 1998 në Cërrik del dhe një President Republike, me emrin Rexhep Meidani. Presim me padurim zhvillimin e madh, punësimin si dhe një Bibliotekë për Qytetarët, por edhe këtë radhë asgjë nuk ndodh. Mesa duket qyteti mbetet i padukshëm në sytë e politikanëve që mbërrijnë kupolat më të larta të Qeverisje, në saj të votave dhuruar nga populli i Cërrikut. Dy vjet më pas, për dy mandate radhazi nga Cërriku del një tjetër emër i njohur i politikës së kohës, Dokle, i cili nuk është veçse një deputet i thjeshtë, por Kryetar i Kuvendit.

 Të gjithë presin me padurim revolucionin e madh, por…asgjë e madhe nuk ndodh që të zbusë sadopak varfërinë në këtë qytezë. Gjërat sa vijnë dhe përkeqësohen dhe njerëzit duket sikur plaken me zor. Të gjithë përdorin të gjithë. Duket si lojë që të zbavit, por më vonë kupton se sa lirë shiten ca gjëra, të cilat e kanë emrin jetë dhe që nuk mund të bësh shaka me to. Cërriku i ditëve të sotme, ndonëse me një shtrirje më të gjerë për shkak të hartës së re, është i njëjtë me regjimin e Pinoçetit. Askush nuk do t’ia dijë për askënd. Asnjë zyrtar i lartë nuk merret më me njerëz të varfër, deri sa të vijnë zgjedhjet e radhës. Administratorët e lartë të bashkisë së “Pinoçetit” vazhdojnë të luajnë me zbukurimet e fasadave, të ”arnojnë” institucionet aktuale, të bëjnë ndonjë lulishte të tipit alla Franceze, ndërkohë që mjerimi i sotshëm është i ngjashëm me mjerimin e Migjenit, ku ”Shegertin e Vogël” e sheh në çdo orë të ditës duke shtrirë dorën, por askush nuk ja hedh sytë. Po të ndjekësh mbledhjet e Këshillit Bashkiak,dhe rendin e ditës, do të vëresh atë ”Bocelën” e bukur, kush do të bëhet Qytetar Nderi këtë muaj, ndërkohë që asnjë prej këshilltarëve nuk propozon ndonjë thes miell për familjet e varfra, apo t’u lidhin dritat atyre që janë fatkeq dhe në pikë të hallit. Por njerëzit duken të lodhur dhe pa asnjë shpresë tek ata që i qeverisin, ndërkohë që dhe ata që bëjnë padrejtësi në kurriz të kësaj shprese, duket se i bren ndërgjegjja. Aktualisht sot në Kuvend janë tre deputetë të dalë nga zgjedhjet e fundit, Ulqini i PS, Duzha i LSI dhe Arbiola Halimi e PD, por deri më tani asnjë zhvillim ekonomik nuk ka parë qyteti dhe banorët e saj. 
Sigal