“Çami dhe greku”, sherri në PD-në e Vlorës!

606
Nga Ergys Alushi

Në situatën që është krijuar me listat e kandidatëve për deputet të PD në disa qarqe të vendit, edhe lista e Vlorës, nuk ka kaluar pa probleme.

Por, ndryshe nga problematikat e krijuara si pasojë e disa dorëheqjeve nga lista e kandidatëve, në listën e Vlorës ka krijuar habi dhe çoroditje, vendosja në një listë e dy njerëzve, që vazhdimisht janë konsideruar “armiq” midis njëri tjetrit, Vangjel Dule i PBDNJ dhe Dashamir Tahiri, i komunitetit çam. Pakënaqësitë e krijuara në komunitetin çam të Vlorës kanë qenë të shumta, duke përfshirë këtu edhe kandidatët për deputetë të PDIU në qarkun e Vlorës, të cilët në shumë reagime e kanë cilësuar deri edhe “tradhtar” zotin Tahiri, i cili ka pranuar të jetë në një listë me kundërshtarin, sipas tyre, të zgjidhjes së çështjes çame, Vangjel Dule. Në një deklaratë të tijën në nisje të takimeve elektorale në qytetin e Vlorës, me banorë të komunitetit çam, zoti Tahiri, në lidhje me vendosjen e kandidaturës së tij në një listë të përbashkët me zotin Dule është deklaruar se “e vetmja gjë qe ka rëndësi është përmbushja e të njëjtit qëllim që është rrëzimi i qeverisë Rama”, duke shtuar se PD në qarkun e Vlorës do të fitojë 5 deputetë, duke rrezikuar edhe Ramën që të zgjidhet deputet. Ndërkohë nga ana e kandidatit, njëkohësisht edhe kryetar i PBDNJ, Vangjel Dule, nuk ka ende asnjë reagim në lidhje me këtë listim të dy emrave në një listë të përbashkët. Për një pjesë të komunitetit çam të Vlorës, duket shumë e rëndë që duke votuar për Tahirin, me votat e tyre do të zgjedhin si deputet, kundërshtarin e zgjidhjes së çështjes çame, Dulen. Ndërkohë të tjerë çamë, bëjnë thirrje se Çamēt e Vlorës e të Shqipërisë, nuk duhet të përçahen e të shajnë njëri tjetrin për qenien në një listë për deputet të PS në Qarkun e Vlorës, Vanghel Dules e Dashamir Tahirit. Në opinionet e tyre ata i konsiderojnë Dulen e Tahirin si dy njerëz që nuk e duan njëri tjetrin, por janë të ftuar në “festën” e një miku të përbashkët, të cilët nuk mund t’ia prishin mikut, festën! Në Vlorë, mendojnë se nuk duhet t’ia mohosh Dashamir Tahirit kontributin për zgjidhjen e çështjes çame, (aq sa të lë lobi grek dhe ne e dimë kush është lobi grek, duke përfshirë këtu edhe kryetarin e PDIU, Shpëtim Idrizi), aq më tepër nga ata që sot janë në PDIU, të cilët përfaqësoheshin e krenoheshin deri dje me Tahirin, që ka qenë deputet i kësaj force politike!

Tahiri i ka dhënë provat që e “kap nga veshi” Dulen, kurse të tjerët janë fshehur gjoja pas “diplomacisë”. Situata vazhdon të mbetet ende të paqartë dhe duket se duket se do të jetë një mision i vështirë për PD dhe çamin Tahiri, për t’i bindur çamët që të votojnë për kandidaturën e këtij të fundit.
Sigal