Burra “hijerëndë” që vrasin gra

799
Xhoi Jakaj, Pedagoge

Pse burrat vrasin gratë, a ndodh ky fenomen i shkaktuar nga një ndjenjë e fshehtë mistike e trashëguar në gjene e që vjen nga thellësia e shekujve ? A ndodh ky fenomen si cenim i ndjenjës së superioritetit të mashkullit? A ndodh kjo, sepse niveli ekonomik dhe pozicioni shoqëror i gruas vazhdon të jetë ende i varur dhe tepër i dobët përballë brutalitetit mashkullor? A luan një rol të drejtpërdrejtë familja, origjina nga ku lind mashkulli, rritet i aftë ose i pa aftë për të dashuruar gruan e tij? Të gjitha këto pyetje më mundonin dhe do përpiqem përmes këtij shkrimi t’u jap përgjigje. Të vrasësh një femër do të thotë të vrasësh vetë jetën. Se natyra e krijoi gruan të lindë e të rritë fëmijë. Gruaja është buzëqeshja e ëmbëlsia e dashurisë nga pema e së cilës lind dhe fryti i saj. Atëherë si ka mundësi që ky fryt të rritet dhe të bëhet vrastari i kësaj bukurie që i jep hijeshi dhe ëmbëlsi jetëve tona. Nga vjen ky mllef prej të çmenduri që ngre dorën e godet e vret si të jetë zot mbi të. Historia na ka treguar në breza, se nënat që rritën me qumësht gjiri pjellat e tyre në çfarëdo kohe e shekulli jetuan kokulura, të pandiera, të urta atje ku të tjerët i martuan. Shumica prej tyre në mos themi të gjitha, nuk e zgjidhnin vetë fatin e tyre. Atë ua diktonte familja, mblesi, lidhjet mes fiseve, aleancat e gjithfarë ujdish që bëheshin. Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe ende ndodh në disa zona të thella. Po nga vjen kjo traditë? Padyshim këto rregulla në formë ligjesh që janë të shkruara në mendjen e gjithsecilit vijnë nga një kohë e largët, e ndikuar dhe nga kultura të huazuara. Këto rregulla të ashpra, të diktuara po me aq ashpërsi që nga shekujt e largët deri në ditët tona. Ne jemi trashëgimtarë të ilirëve, por në këtë pikë nga Iliria e zhvilluar nuk trashëguam vlerësimin dhe rolin që i jepej gruas në atë kohë, pasi pushtimet e njëpasnjëshme lanë mbi këtë popull dhe kulturat e tyre. Fati i keq i këtij populli ishte dhe pushtimi për afro 500 vjet nga perandoria osmane, e cila rrënjosi në këtë vend zakone, tradita e fjalë nga turqishtja. Pa përmendur këtu edhe fenë, e cila interpretohej ashtu si i leverdiste gjithkujt dhe çdo gjë rëndonte mbi kurrizin e grave, të cilat kokulura e të pafjala duhej t’i bindeshin burrit, pasi ato nuk kishin asnjë të drejtë fjale. Shkurt, ishin skllave të bindura të padronit të tyre që quhej burrë. Një rol tejet vendimtar mbi fatin e gruas në këtë vend ka luajtur dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit. Në thelb ky kanun ishte i krishterë, më tepër ndikimin e tij e gjejmë në pjesën veriore të Shqipërisë. Në këtë Kanun, i cili sipas historisë u krijua dhe mori trajtë të plotë mes viteve 1458-1481, midis të tjerave për gruan shkruan kështu: “Gruaja duhet me i rrogue pa zhibla burrit, me i ndejt nën sundim, m’u përgjigj detyrve të kunorës”. Pra sipas tij gruaja ishte e nënshtruara, e nëpërkëmbura në martesë. Duke iu referuar të gjithave sa kam shkruar më sipër, këto rregulla të egra me një mentalitet tepër të dobët dhe primitiv kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në jetën e vuajtur të grave shqiptare. Ato duhet të ishin të bindurat e fatit, ato ishin të nënshtruarat e burrit, ato ishin gojëkyçurat përballë dhunës. Në mes të kësaj dhune, ajo rriste dhe fëmijët. Aty rritej dhe djali që nesër do bëhej kryefamiljari. Ai shihte si trajtohej nëna dhe motra e tij dhe si rrjedhim duke u rritur mes dhunës, nesër dhe ai do bëhej dhunuesi. Duke qenë dhunuesi, ai kishte dhe rolin e superiorit, por dhe pse me shumë cene kanuni nuk lejonte vrasjen e gruas, vetëm në rast tradhtie. Sot shoqëria është ndërgjegjësuar deri në një farë mase, demokracia ka shkruar rregulla të reja. Femra nuk është më ajo e dikurshmja, ndonëse në disa zona ende zbatohet Kanuni. Ky ndërgjegjësim i gruas ka bërë që shumë prej tyre të marrin në dorë frenat e jetës. Gratë e arsimuara janë shembulli më I mire që tregon se në këtë vend ka filluar ndryshimi por ky është vetëm një ndryshim i brishtë. Çdo ndryshim epoke ka dhe viktimat e veta. Edhe pse Shqipëria sot është një vend i hapur, kandidat për né BE, edhe pse është një vend ku teknologjia dhe interneti ka një shtrirje të gjerë në terë territorin e saj, në këtë vend ende sot pothuajse çdo javë ose çdo ditë ndodh vrasja e një nëne e një gruaje. Dje ndodhi vrasja e radhës me thikë buke. Kjo ndodh pasi pushteti superior i një mashkulli ka fuqinë absolute mbi qenien femër. Ai ende qëndron i fortë përballë rregullave dhe ligjeve të këtij shteti, sepse ligji ende nuk gjen forcën të thyejë këtë lloj mentaliteti në këtë vend. Ligji nuk ka ashpërsinë e duhur, ai nuk gjen zbatim nga organet ekzekutuese duke lënë të lirë dhunuesin. Një ndër shkaqet kryesore dhe më thelbësore është dhe gjendja e varfër ekonomike e shumë familjeve shqiptare. Shkalla e lartë e papunësisë, niveli i ulët arsimor, janë arsye më shumë që ngushtojnë rrethin e lirisë së gruas. Papunësia sjell tek ato një varësi ekonomike, pra një ekonomi e dobët bën që dhe një grua të jetë e dobët përballë brutalitetit mashkullor. Kjo dhunë ndaj saj ndodh në një vend të shenjtë që e ka emrin shtëpi. Kjo shtëpi është streha e saj, ku ajo ka sjellë në jetë fëmijë. Këta fëmijë janë direkt spektatorët e një drame që në fund përfundon në tragjedi. Shpeshherë duke menduar për mbarëvajtjen e jetës së fëmijëve të saj, femra duron dorën që ngrihet në të. Nëse largohet nga shtëpia, ajo nuk gjen mbështetjen e askujt, as të familjarëve të saj. Pasi femrës, pas martesës,prindërit nuk i njohin asnjë pronësi, në tërësi në mendësinë e këtij vendi. Nuk mund t’i përgjithësojmë të gjitha, por ky është një realitet i hidhur që është rrjedhojë i një zakoni të ardhur nga brezat. Femra martohet pa pasur një strehë të vetën dhe, kur në atë strehë që gjen dhe ndërton bashkë me burrin e ardhshëm gjen dhe dhunën, atëherë për të shpëtuar prej saj, kjo femër ku duhet të shkojë? Denoncime pa fund bëhen në komisariate, por që asnjëherë nuk janë marrë me seriozitet maksimal. As urdhrat e mbrojtjes. Dhuna në familje që çon deri në vrasje ka marrë përmasa katastrofike edhe te ajo pjesë e arsimuar e shoqërisë edhe te ato gra që të vetme i dalin për zot jetës dhe fëmijëve pa ndihmën e burrit, por edhe në këto raste ato përfundojnë viktima të njeriut me të cilin krijuan familje. Atëherë përse ky njeri vret akoma, pse ky mashkull nuk ndalet? Sepse egoja mashkullore, instinkti i lindur dhe i mbartur në gjene është më i fortë se çdo ndjenjë tjetër te këta njerëz që bëhen të padurueshëm ndaj zërit të një gruaje që thërret për ndihmë. Sepse qenia e tyre s’e pranon dot divorcin që, edhe pse shihet me sy jo të mirë, është zgjidhja e duhur dhe mënyra më e qytetëruar për të shuar konfliktet midis dy bashkëshortëve. Prandaj shteti duhet të vërë dorë mbi këtë tragjedi kombëtare. Një shoqëri e civilizuar duket nga emancipimi femëror. Femra lind jetën dhe kur ti e vret është si një erozion që shkatërron relieve, përmbys forma jete dhe shoqëri. Të ngrihet dora e ligjit me fuqinë më të ashpër ndaj burrave që vrasin gra! 
Sigal