Brunilda Spiro: Këshilla për ju të dashur prindër

10
Të dashur prindër, gjatë perëndimit, dielli struket duke bërë një hije të pazakontë, një hije që sikur na thotë, bijtë e mi, ndriçojeni tani tokën dhe veten, unë kam besim tek ju! Përgjegjësi të madhe na lë mbi supe, por ne as e kuptojmë dhe as e vrasim mendjen për këtë. Ne jemi të pavetëdijshëm për fenomene të natyrës, që na flasin me një gjuhë të ndryshme. Ne i urrejmë përgjegjësitë, që i njohim, jo më ato që shkojnë përtej të zakonshmes. Unë shpesh pas perëndimeve të tilla, në perëndim të ndryshëm nga tuajin, shumë larg tokës mëmë, mendoj për përgjegjësi, të cilat kaq larg, në vend që të zvogëlohen, marrin përmasa… Nëse po marr guximin t’ju shkruaj, jam e vetëdijshme që do më gjykoni, pasi edhe unë njësoj si ju kam vepruar. Po ju lutem të më dëgjoni dhe vlerësoni çfarë dua t’ju them, jo si prind, por si një mësuese, që me guxim kam shkruar për problemet e “reformave”, në arsimin shqiptar, ende pa ikur kaq larg. Meqë kam dhënë mësim në arsimin privat dhe në arsimin shtetëror, kam njohur dy sjellje të prindërve shqiptarë, që i kuptoje më mirë, në takimet e caktuara me prindërit: Atë ditë që kishim takim me prindër në shkollën private, shihja edhe tek vetja, edhe tek koleget që kishim tension. Qysh në mëngjes, dukej qartë që ishim kujdesur për lukun e flokëve, veshjen dhe thonjtë. Si azmatike që isha ndjeja pak mungesë frymëmarrje, pasi aromat pështjelloheshin mes tyre, si në një kopsht me lule të të gjitha llojeve. Ndërsa në fytyrë kishim stamposur një buzëqeshje klasike , të mirë se ardhjes pa dëshirim dhe me zor flisnim, për të mos e hequr dhe harruar si një maskë një përdorimshe. E tillë edhe ishte. Vriteni pak mendjen prindër shqiptarë! Ju na detyronit. Ju tejkalonit mundësitë e mësuesit, që paguheshin me lekët tuaj, me një rrogë mjerane, ju që nuk përtonit të vishnit veshjet më të shtrenjta, aromat që nuk iknin nga korridoret për një javë dhe çantat firmato të modës së fundit. Dyluftimi fillonte, ju që mendonit të sundonit mësuesin dhe mësuesi që nuk donte të sundohej prej jush. Njëherë në muaj, ju rreshtoheshit dhe lodheshit duke u ankuar, sa humbnit shkëlqimin e parapërgatitjes titane për t’u dukur mbretëreshat e mbrëmjes… Viktima ishte nxënësi. Nga ana tjetër, kur zhvilloheshin takimet me prindër në shkollën shtetërore, ndodhte krejt e kundërta. Kam një përvojë të ditës së parë, që më ka mbetur në memorie. Isha kujdesur përsëri për lukun dhe veshjen time…Me emocion po prisja prindërit e klasës sime, por askush nuk po dukej, megjithëse ora e caktuar po mbaronte dhe pas meje do vazhdonte me takimin mësuesja e klasës së 10, pasi atë vit unë kisha maturantë. Vetëm pak para se të binte zilja erdhën dy gra, që të pasigurta dhe si me droje po drejtoheshin nga unë. Nëse pas tyre nuk do hynin edhe dy nga nxënëset e mia, nuk do e kuptoja që ishin prindër. M’u drejtuan me respekt, të përzier me një përulje, që më çuditi dhe nuk po përqendrohesha dot. Sytë pa dashje më vajtën tek palltoja e njërës prej tyre, i mungonte një kopsë dhe pak më poshtë te mënga ishte pak e grisur. I zgjata dorën, duke u përpjekur të buzëqesh dhe e mblodha veten, kur kisha detyrimin t’i flisja për vajzën e saj. Më shihte dhe tundte kokën, aprovonte gjithçka i thosha dhe pasi mbarova, me pa përsëri me atë vështrimin lutës dhe të përulur, duke më bërë të kuptoj me ato pak fjalë që tha, se unë dija gjithçka. Unë dhe vetëm unë, kisha në dorë gjithçka për shkollimin dhe edukimin e vajzës së saj. Viktima përsëri është nxënësi. Prindër shqiptarë, Ju, jeni fajtorët e vërtetë! Dy sjellje të kundërta, por në thelb të njëjta. Prindër që mendojnë që vetëm shkolla dhe mësuesi do realizojë edukimin e fëmijës së tyre. Nëse po ju akuzoj ju, njësoj akuzoj edhe veten time, si prind, ndërsa si mësuese, tani që jam larg dhe nuk kam asnjë konflikt interesi, po ju them, se përse ju akuzoj: -Ju silleni njësoj si çdo shqiptar, për të gjitha problemet që ka vendi ynë, nga mosqeverisja dhe toleranca e pajustifikueshme e gjithsecilit prej nesh. Ju toleroni veten tuaj, ju toleroni përgjegjësinë tuaj, e para se e largoni përgjegjësinë nga vetja dhe e dyta, që përjetoni së bashku me fëmijët tuaj “reformat” në arsim dhe kurrë nuk dëgjova që të çoheni dhe t’i kundërshtoni. Por si të kundërshtoni diçka që nuk e njihni apo dini? Unë, fatkeqësisht jam e bindur, që askush prej jush nuk i mori t’i studiojë ato, të bëhet pjesë e diskutimeve të tyre. Sa prej jush e dinë që në shkollat tona duhet të funksionojë vërtet dhe jo formalisht këshilli i prindërve? Këshilli i prindërve, i cili në botën perëndimore, është drejtuesi de facto i shkollës. Ju e dini që çdo klasë ka një këshill prindërish, prej tre anëtarësh, por ju edhe kur zgjidheni në atë këshill, që shpesh e bëni me zor, nuk merrni pjesë dhe as ushtroni asnjë funksion. Gjithçka mbetet në letër, mjafton që ne mësuesit të kemi tre emra, për të qenë në rregull me shtetin. Ndërsa kryetarja e këshillit të prindërve të shkollës, fatkeqësisht shitet, duke marrë shpërblimin e “kujdesjes”, për fëmijën e saj. Kjo kryetare, si pasqyra e mentalitetit tonë, ka funksion shumë të rëndësishëm në shkollë, akoma deri dhe në përzgjedhjen e mësuesve… Kush po tallet me shtetin, ne apo ju? Të dyja palët, sepse edhe shteti nuk përton të tallet me ne. Po kush humb më shumë në këtë mes? Pyeteni veten! Një tjetër farsë është reforma me devizën: “Shkolla qendër komunitare”. Po ju pyes përsëri, sa prej jush e dini çfarë është dhe sa bëheni pjesë e saj? Shkoni nesër dhe pyesni çfarë është, do surprizoheni. Nëse do e bëni, sigurisht. Nuk keni kohë, jeni të zënë me punën, me punët në shtëpi, me kafet në lagje apo me internetin? Kohët e fundit, shpresoj ta dini, bëhen shpesh anketime me nxënësit. Ata shkruajnë dhe tregojnë realisht problemet që kanë, por ju prindër të këshillit të klasës dhe akoma më lart, të këshillit të shkollës, keni dijeni për rezultatet e anketimeve? Nëse jo, përse nuk e kërkoni të drejtën tuaj. E dini që rezultatet e tyre, manipulohen? Në rastin më të mirë, thuhen vetëm problemet e mësuesit opozitar, sepse gjoja shkolla jonë është e papolitizuar… Të zhytur në hallet e jetës dhe përditshmërisë tuaj, ju njësoj si prindërit e kohës sonë mendoni që mjafton fëmija të shkojë në shkollë dhe, nëse ka mend do mësojë. Vini ose nuk vini fare në takimet me prindër, një fenomen që ndodh sidomos në shkollat shtetërore, sa shpesh mësuesit shkruajnë një numër jo të saktë të pjesëmarrjes së prindërve, për të qenë përsëri formalisht në rregull. Do ju lutem prindër shqiptarë, sinqerisht dhe me shqetësim të drejtë, pasi njoh mirë çfarë ndodh, merrni në dorë drejtimin e shkollave, se nuk ka më kohë! Mos prisni shumë nga reformat, asgjë mos prisni prej tyre, mos besoni se ato realizohen realisht. Edhe në rastin kur janë të frytshme në letër, ato realizohen zero… Nëse nuk e keni kuptuar akoma, që asnjë reformë nuk zbatohet realisht në atë vend, kjo është e meta juaj, por e dyshoj, sepse nga pas ose në biseda mes miqsh dhe familjarësh e dëgjojmë shpesh shprehjen: “Ky vend nuk bëhet!”, por asnjë prej nesh nuk e sheh veten përgjegjës. Sipas mendimit tim, ne jemi përgjegjësit kryesorë, sepse kështu jemi gatuar. Nuk kanë faj ata që na drejtojnë, ne jemi një vend i vogël, me të meta dhe të mira që çuditërisht të metat nuk i ndreqim dhe virtytet nuk i përsosim, ne nuk ndryshojmë. Thonë që toleranca është veti e të mençurit, por mençuria jonë, po na kushton, sepse ne tolerojmë servilët, spiunët, të paaftët, dashurojmë mafiozët dhe të djallëzuarit, ulim kokën para arrogantëve… Ne jemi të trembur në shpirt prej tyre, sepse e kaluara në diktaturë nuk mund të tretet kaq lehtë nga ne, prandaj, meqë e dimë si jemi, kemi arritur në shkallën më të lartë të njohjes së vetvetes, atëherë, mos shpresojmë që qeveritë të ndërrohen dhe të ndryshojnë, të pandryshueshmit. Merrni drejtimin vetë, të gjeni të çarat përmes kodit, do arrini të ndryshoni ata që janë shpresa e atij vendi, mos prisni! Drejtuesit kujdesen të jenë formalisht të saktë me shtetin, që në vitet e fundit, kujdeset shumë për formën, për dukjen dhe jo për përmbajtjen. Formalisht bëhen zgjedhjet e këshillit të mësuesve, formalisht mbledhjet, që ngjasojnë me funerale, që askush nuk flet, duke varrosur shpresën e atyre pak mësuesve që kanë akoma ideale… Kërkoni përgjegjësi tek vetja, mos ia lini të ardhmen e njeriut më të shtrenjtë rastësisë dhe të tjerëve! Ju i doni ata vërtet. Bëhuni pjesë e shkollës, shkoni dhe merrni pjesë në mbledhjet, në orët mësimore, jo në orët e shtirura, që parapërgatiten, e gjoja quhen, “orë të hapura”. Bëhuni bashkë dhe mos u zgjidhni me zor në këshillat e klasës dhe shkollës, merrni pjesë në përzgjedhjen e mësuesve, meqë reformat kopjohen në perëndim, bëhuni perëndimorë! Mos lejoni të gënjeheni nga vetja, merrni pjesën e përgjegjësisë suaj, duke kontrolluar fëmijët tuaj në shtëpi, duke i udhëhequr ju ata dhe jo ata juve. Ju luani rolin kryesor të edukimit, ndërsa shkolla i përsos ato, duke shtuar dhe përforcuar njohuritë. Bëheni mësuesin aleat dhe jo armikun tuaj, duke iu dhënë mësuesve që punojnë vlerësimin që iu takon. Ju do e dini vërtet, kush prej tyre e meriton, nëse do bëheni pjesë e drejtimit të shkollës. Të vlerësosh atë që e meriton, është domosdoshmëri, për të ecur gjithçka më mirë. Ju duhet të drejtoni shkollën, jo vetëm drejtuesit formalistë! Në letër ju është dhënë e drejta, realizojeni realisht!Ju mundeni! Mbështetni mësuesin që punon dhe sillet denjësisht me fëmijën tuaj, sepse ka shumë prej tyre, që iu dhemb në shpirt, që nuk iu vlerësohet puna. Kam njohur shumë prej tyre dhe ua shihja në sy dhembjen që kishin, kur drejtues dhe mësues servilë dhe hipokritë, jo vetëm që i injoronin arritjet dhe punën e tyre, por edhe shpesh i dënonin me intriga. Ata përsëri të mirë janë, sepse i afti dhe i miri mund të thyhet pak, por përsëri e gjen forcën dhe mençurinë, tek vetja dhe mirësia e tij. Mos lejoni që mësues të paaftë dhe të vegjël në shpirt dhe mendje, të marrin merita që nuk iu takojnë, sepse hipokrizia, që ka mbytur atë vend dhe ata që e drejtojnë, në mënyrë formale, përsëri për dukjen e gjërave dhe jo për thelbin organizojnë deri mbrëmje të fundvitit për mësues të dalluar dhe fatkeqësisht dhe turpërisht, shkojnë në to ata që nuk punojnë, që tallen me nxënësit dhe orën e mësimit, arrogantët dhe servilët e drejtuesit. Të njëjtët që rrëmbejnë projektet që paguhen dhe udhëtimet nëpër Botë. Ta dini që siç sillen me kolegët, njësoj sillen me fëmijët tuaj dhe dëmin që iu bëjnë. Prindër merrni në dorë edukimin e fëmijëve tuaj! Edukoni veten se si do e bëni dhe bëjeni! Ju duhet të drejtoni shkollën, jo vetëm drejtuesit formalistë, në letër ju është dhënë e drejta, realizojeni realisht! Perëndimet, do ju bëjnë juve të reflektoni si bijtë e natyrës, që merr pjesë indirekt dhe na flet me një gjuhë që ne duhet ta kuptojmë.