Brexit/Zanafilla dhe pasojat e një procesi

636
Redi Sheqeri 

Referendumi që u mbajt më 23 qershor për qëndrimin apo jo të Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian solli një rezultat që shumë pak veta e prisnin, fitoren e kampit pro daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja. 

Kush e kërkoi referendumin për qëndrimin apo jo të Britanisë së Madhe në BE dhe për ç’arsye?

Ish-kryeministri i Anglisë, David Cameron, për të mbajtur të bashkuar partinë konservatore britanike, i dha premtimin antieuropianëve që kishte brenda partisë, se do mbante një referendum për daljen apo jo të Britanisë nga BE-ja. Mbasi fitoi përsëri zgjedhjet partia konservatore dhe arriti të shpallej përsëri kryeministër, David Cameron u nis me mision në Bruksel për të plotësuar katër kritere që ai i quante jetike për shtetin e vet, në raport me BE-në dhe në rast të arritjes së kësaj marrëveshje, do lobonte fuqimisht pro BE-së përpara referendumit, edhe pse ai vetë ishte një euroskeptik. Cameron nuk donte një integrim të mëtejshëm të Britanisë në BE, si dhe kërkonte plotësimin e katër pikave kyçe, të cilat ishin: 
– Një frenim emergjent i përfitimeve të emigrantëve në punë për 4 vjet, në rast se ka nivele të jashtëzakonshme të migrimit. Mbretëria e Bashkuar do të jetë në gjendje ta përdorë levën e frenimit për 7 vjet.

– Përfitimi për fëmijët e emigrantëve të BE-së, që jetojnë jashtë vendit tani do të paguhet në një normë të bazuar në koston e jetesës në vendin e tyre – e zbatueshme menjëherë për të sapoardhurit dhe nga 2020 për 34,000 kërkuesit ekzistues.

– Ndryshimin e traktateve të BE-së për të deklaruar në mënyrë të qartë se referencat për kërkesën për të kërkuar bashkim gjithnjë e më të ngushtë “nuk zbatohet për Mbretërinë e Bashkuar “, do të thotë që Britania “nuk mund të detyrohet në integrimin politik”

– Aftësia e Mbretërisë së Bashkuar që të miratojë “një mbrojtje emergjente” për të mbrojtur qytetin e Londrës, për të ndaluar firmat në Mbretërinë e Bashkuar që të detyrohen të zhvendosen në Europë dhe për të siguruar që bizneset britanike nuk do të përballen me “diskriminim”, meqenëse janë jashtë eurozonës.

Mbasi arriti marrëveshjen historike me BE-në dhe pasi u kthye fitimtar në Londër me statusin special të Britanisë së Madhe të shkëputur nga Brukseli, David Cameron vendosi që referendumin do e mbante më 23 qershor 2016, duke menduar se statusi special i fituar prej tij do ishte një arsye e mjaftueshme për të mbajtur një referendum, me një rezultat që sipas tij do sillte qëndrimin e Britanisë në BE, por me një status më të favorshëm.

Lobimet e dy kampeve

Lobimi i kampit pro qëndrimit në BE me kryesues David Cameron bëri gabimin më trashanik të mundshëm, i tregoi popullit britanik pasojat negative që do vuante Britania nga dalja nga BE-ja, pa i dhënë më përpara shpjegime në lidhje me benefitet që ka dhe do kishte akoma në rast qëndrimi në BE, dhe këtë mesazh populli britanik e mori si kërcënim, një kërcënim që nuk i pëlqeu aspak. Nga krahu tjetër, lobimi i kampit pro largimit nga BE-ja e kishte kuptuar që populizmi gjithmonë fiton. Është më e lehtë për njerëzit që të kuptojnë një argument në lidhje me çështjet që i prekin ata drejtpërsëdrejti. Nigel Farage, Michael Gove dhe Boris Johnson jo vetëm që e shfrytëzuan këtë më së miri, por arritën që problemet me politikat kombëtare që po haste Britania t’ia atribuonin BE-së si shkaktar kryesor i tyre. Ishte e lehtë për ta të mashtronin një popull të keqinformuar duke i bërë që lehtësisht të ngatërrojnë politikat kombëtare të Britanisë me politikat e BE-së.

Zhvillimi i referendumit dhe rezultati shokues

Në fillim të numërimit të votave të referendumit pati një siguri rreth kampit pro qëndrimit dhe një dorëzim të lehtë të kampit pro largimit por rezultati i shokoi të dyja kampet kur u shpall si fitues kampi pro largimit. Mbase mund të themi që shokun më të madh e pësoi populli britanik. Rezultatet e referendumit ishin: 
Pro-largimit: 51.9% me 17,410,742 vota
Pro-qëndrimit 48.1% me 16,141,241 vota
Ky rezultat tregoi që populli anglez ishte i ndarë në mes. Theksoj popullin anglez sepse populli skocez dhe ai irlandezo-verior e shprehën nëpërmjet votave qëndrimin e tyre pro-europian. Statistikat treguan që mosha e vjetër në Britani kishte votuar pro-daljes nga Bashkimi Europian ndërsa të rinjtë kishin votuar pro-qëndrimit.

Pasojat 

– Dorëheqja e menjëhershme e David Cameron
– Shfaqja e problemeve të brendshme të Britanisë së Madhe ku popullsia shfaqet ekstremisht e përçarë
– Skocia dhe Irlanda e Veriut nuk janë dakord me rezultatin dhe kryeministrja skoceze Nicola Sturgeon mund të kërkojë një referendum të dytë për ndarjen nga Britania e Madhe me qëllim për tu ribashkuar me BE-në. Rrugën e Skocisë mund ta ndjekë më vonë edhe Irlanda e Veriut
– Një pendesë e menjëhershme e një pjese të popullit britanik të cilët kishin votuar për daljen e Britanisë nga BE-ja. Mbas daljes së rezultatit po kërkohet fuqimisht një referendum i dytë nga ana e pro-evropianëve për shkak të rezultatit shumë të ngushtë të të dy kampeve
– Tronditje ekstremisht e fortë ekonomike për Britaninë me rënien e paundit
– BE-ja kërkon daljen sa më shpejt të Britanisë nga Unioni
– Përkrahja e rezultatit të referendumit nga ana e liderëve të partive të ekstremit të djathtë në BE si psh Marine Le Pen apo Geert Wilders.
– Rrezikohet stabiliteti jo vetëm i Britanisë por edhe i Bashkimit Europian.
E ardhmja e Britanisë së Madhe dhe e Bashkimit Europian
Bashkimi Europian kërkon nisjen sa më shpejt të negociatave për daljen e Britanisë së Madhe, por David Cameron nuk e ka kërkuar aktivizimin e Artikullit 50 dhe duke marrë parasysh dorëheqjen e tij, kryeministri i ardhshëm britanik do vij në pushtet me një detyrë dhe një gjendje kombëtare ekstremisht të vështirë. Problemet janë intensifikuar shumë më shumë në momentin që liderët e kampit pro-largimit nga BE-ja pranuan në mënyrë indirekte që nuk do i mbanin premtimet e tyre, gjë që shkaktoi jo vetëm pakënaqësi por edhe një irritim tek populli britanik. Duket që vullnetin që nuk e kanë shumica e politikanëve britanik, po e shfaq populli britanik i cili po i kërkon ndihmë BE-së për të qëndruar në Union, duke e shoqëruar kërkesën për ndihmë edhe me një falje. Gjithashtu një pjesë e popullit britanik ndjehet e mashtruar, e fyer dhe e poshtëruar kur mendon që gjithë kjo situatë erdhi nga një lojë e politikanëve britanik që sollën referendumin më qëllim forcimin e partisë dhe ardhjen e tyre në pushtet duke shtuar edhe mashtrimet dhe dhënien e informacioneve të gabuara përpara zhvillimit të referendumit. Zhgënjim të madh pësuan si BE-ja, e cila pati besuar për një qëndrim të Britanisë dhe për një forcim të Unionit, edhe vetë Britania e Madhe e cila mund të mos quhet më e tillë në të ardhmen. Bashkimi Europian e quan tashmë Britaninë e Madhe jashtë saj ndërkohë që populli britanik kërkon ta zhbëjë katastrofën duke mos e njohur referendumin. E ardhmja flet për një periudhë më të vështirë dhe më të errët për Britaninë e Madhe, sesa për vetë Bashkimin Europian.
Sigal