Bredharakët, dredharakët dhe qesharakët…

907
Agim Jazaj
Faqet e bardha të mediave, u mbushën këto ditë edhe me yneret e rralla të faqezinjve; “personazhet- VIP”, nga fusha e të pagëzuarve: “Bredharakët, Dredharakët, Kredharakët dhe Qesharakët”- e politikës”! -Kështu më dërgonte një kartë dore të shënuar me nxitim, miku im i hershëm; Kiço Peshtanaku- andej nga gryka e Këlcyrë- Mezhgoranit, pendë-hali gjysmë shekullori; Kristo Mërtiri. Sapo kishte dëgjuar haberet me yneret, duket se i ishin ngritur kukujset, ishte bërë farmak… Edhe në Vlorë nga kjo “kope”, ky rasat: 3 -4 “aktorë”, këshilltarë (“deputetë”) të këshillit të bashkisë, të zgjedhur me dorë nga partia e LSI-së, në zgjedhjet e fundit, të vitit 2017, “kaluan ylberin” këto ditë, pa u qederosur, u larguan andej nga i kishin zgjedhur, nga ata që i kishin zgjedhur e votuar për t’i përfaqësuar dhe jo për t’i tradhtuar, e prerë në besë, këta të pa besë -sipas tyre! Këto ditë po vazhdojmë të dëgjojmë; për trafikun e rrallë, shitblerjen e këshilltarëve, i kthyer si dikur, tregu i Roskovecit: Këshilltarë bashkiakë nga Vlora, Laçi, Skrapari, Shkodra, Gjirokastra, Fieri… kanë ngritur plaçkat nga partia e tyre, LSI-ja, të zgjedhur nga elektorati i kësaj partie, për t’i përfaqësuar, ia mbathën këmbëve, tashmë në palcën e dimrit, edhe pse ka hyrë stina e pranverës, “janë blerë nga partia Socialiste”- shkruante një autor i njohur… Vargjet e hershme të poetit Ali Asllani “Mirëpo, ç’na pa syri, ç’na sheh syri” – kanë një tingëllim e drithërim aktual:
-Sidomos ju dredharakë, ju me zemër aq të nxira, 
Ju dinakë ju shushunja, ju gjahtarë në errësira.
Ç’na pa syri, ç’na pa syri: Hunda juaj ku nuk hyri, 
Te i miri te i ligu, te spiuni, më i ndyri… 
E gjitha kjo dramë sa qesharake, aq dhe drithëruese ngjan me një hajdutëri, vjedhje e njerëzve të zgjedhur me dorë, të prerë në besë nga të pabesët dhe perversët… 
Vota e deformuar, këshilltar të trafikuar
Trafiku i votës ka këputur frerët, sidomos në këto dy legjislatura. Është kthyer në biznesin më fitimprurës. Askush nuk i ndalon këta trafikantë, qoftë dhe nëpër pikat e kalimit doganor!
Ky trafikim, madje dhe i pasuar nga gradimi i trafikantëve, në të gjithë nivelet, është bërë sot biznesi më fitimprurës, për abuzuesit me votën dhe aspiratën e zgjedhësve. Të zgjedhurit dhe të votuarit në të gjithë nivelet e pushtetit, kalojnë e trafikohen serbes nga një parti tek tjetra, vetëm pas përfitimit të mandatit ose në përfundim të mandatit! Nga sahani te kusia!
Ikin nga sahani,
Shkojnë te tepsia,
Me rasat sharlatani,
E mbushur Partia!…
Asnjë i zgjedhur nuk mund të trafikojë votën e zgjedhësve, të vjedhë, trafikojë zgjedhësit, kur në sistemin e deritanishëm, nuk votohet për personin, por votohet për subjektin. Ky subjekt politik, me këta e për këta trafikantë këshilltarësh e deklaroi prerë gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2015, “divorcin” me PS. Madje pranoi edhe dështimet e zullumet gjatë bashkëqeverisjes. Deklarimin për të mos bashkë-qeverisur më me PS, duke u kthyer edhe në opozitë. Edhe për këtë ndarje dhe pendim, aksion politik, për t’i bërë opozitë partisë që bashkë-qeverisi, e votuan zgjedhësit. Pra, edhe këta këshilltarë, me demek u orientuan prerë për të mos qenë pjesë e tepsisë, u votuan… Ndërsa fabrikimet për financimet ruse të fushatës së PD janë pallavra, si i thonë këngës:
“Nuk janë shkaqe, por sebepe
Turpin e paçin për vete”!
Askush nuk i ka detyruar të pranojnë programin, statutin dhe të kandidojnë për subjektin përkatës edhe si këshilltarë! Çdokush mund të largohet nga subjekti politik, në një parti tjetër, të bredhë si qytetar me dinjitet. Po kurrë si i zgjedhur, pa dinjitet, pa pëlqimin e atyre që e kanë zgjedhur. Edhe nëse duhet të largohet kur është zgjedhur, mandati nuk është më personal, por i subjektit politik që e ka zgjedhur, i votuesve që e kanë votuar. Vjedhja e votës dhe deformimi i votës, prodhon pushtetin e vjedhur, shfrytëzimin e pushtetit! Duke gjykuar e analizuar këtë trafikim, abuzim, pervers nga të pabesët, as blerësit e rregullt, nuk e pranojnë këtë mall. Sepse është, si i thonë llafit, më thoshte dje miku im Ahmet Demaj, i njohur si një socialist i thekur: 
“Sikur edhe një dhi të zgjebosur të futësh në stallë, do bjerë zgjebja në gjithë tufën!”
Fituese rezulton ajo pjesë, që i largohet Qelbi të politikës shqiptare, fatkeqësi e shoqërisë shqiptare…


Sigal