Blerina Llalla/ Dritëhijet e restaurimit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit

585
Në muajin mars u zyrtarizua hapja për publikun e Muzeut Arkeologjik të Durrësit pas rreth 5-vitesh ndërprerje. Ky aktivitet pati vëmendje nga disa nivele qeveritare, të cilët ishin prezentë në ceremoninë e çeljes. Gjatë ceremonisë së hapjes, disa deklarata nga vetë kreu i këtij institucioni dhe përfaqësues të tjerë i atribuohen qeverisë së shkuar. Është shqetësues fakti që ende pas dy vitesh në qeveri përfaqësuesit zyrtarë promovojnë arritjet apo finalizimin e çdo projekti duke cilësuar vetëm aspekte negative (sipas disa këndvështrimeve të ndryshme) të paraardhësve të tyre. Kryefjala përshëndetëse në çdo rast mbetet qeveria e shkuar. Por ndoshta kjo është një mënyrë efikase për të orientuar vëmendjen publike drejt së shkuarës dhe palës tjetër, për të shmangur vëmendjen mbi transparencën e disa proceseve specifike dhe kostove të investimeve nga buxheti i shtetit. Një teknikë komunikimi e aplikuar nga çdo klasë politike që nuk të orienton të hedhësh vështrimin drejt së ardhmes por të mban të atakuar veç në të shkuarën për të hedhur hi mbi të tashmen.
Mbyllja për 5 vjet e Muzeut Arkeologjik
Nëse do t’i referohemi informacioneve ndër vite mbi çështjen në fjalë dimë se ky muze i një rëndësie të veçantë për nga përmbajtja dhe në kontekstin historik e kulturor, u mbajt i mbyllur për rreth 5 vite për shkaqe jo shumë të qarta, por më i lakuari mbetet ai për një konflikt mbi pronësinë e truallit ku gjendet i vendosur ky muze. Argumente të tjera përveç komenteve për abuzime me fondet nuk ka. Ajo që dimë është se dëmi i shkaktuar nga ky fakt është sa infrastrukturor aq dhe ekonomik. Muzeu Arkeologjik i Durrësit u ndërtua në vitin 1951 me iniciativën e studiuesit dhe arkeologut Vangjel Toçi dhe u ka shërbyer shumë vizitorëve. Ndërsa godina e re e muzeut të sotëm u ndërtua dhe u përurua në prill të vitit 2002 me financim të një donatori gjerman, duke i ardhur më pranë publikut me një hapësirë më të madhe ekspozimi. Por disa vite më vonë u mor vendimi për një rehabilitim të këtij muzeu për shkak të mosmirëmbajtjes nga specialistët e fushës dhe për shkak të gjendjes së rënduar në të cilën ndodheshin objektet historike. 
Një milion e dyqind mijë USD për restaurim 
Në vitin 2010 u dhanë nga buxheti i shtetit një milionë e dyqind mijë dollarë për të realizuar të gjithë procesin e realizimit të restaurimit. Punimet filluan në vitin 2011 dhe projekti parashikonte ndërhyrje në fasadën e godinës tre katëshe, izolim tarrace, rehabilitim sheshi para godinës, si dhe vënien në funksion të katit të dytë që nuk ka qenë i hapur për vizitorët. 
Procesi pritej të mbyllej në një hark kohor prej tetë muajsh, por u ndërpre për shkak të pretendimeve mbi pronësinë e truallit nga një qytetar, si dhe për shkaqe teknike. Mbyllja e punimeve u bë e mundur në fund të 2013-s. Pas kësaj faze rikonstruktimi, filloi puna për muzealizimin e tij dhe ri-ekspozimin e objekteve historike, proces që mori më shumë se një vit kohë. 
Përtej mosrespektimit të afateve të caktuara nga të gjithë funksionarët e këtij dikasteri që kanë kaluar në duar këtë proces, ende sot e kësaj dite nuk ka pasur argumente konkrete mbi arsyet dhe shkaqet e këtij pezullimi. Mungesa e raporteve vjetore dhe analizave të punës për publikun e bën akoma më të pamundur evidentimin e problematikave të këtij procesi në vazhdimësi për 5-vite me radhë. Kjo në mënyrë që të justifikohen mungesat dhe harxhimet prej 1,2 milionë dollarësh, të cilat natyrisht janë menaxhuar në çdo fazë të projektit në vazhdimësi dhe jo në një dorë të vetme, si një këst i vetëm.
Deklarata kontraditore të Ministres Kumbaro
Duke mos pasur asnjë deklaratë apo raportim para publikut nga Ministrja Kumbaro, e cila pati rastin të asistojë dhe fazën përfundimtare të këtij projekti mbi investimet e deritanishme sipas fazave përkatëse, është akoma më e vështirë për ne të kuptojmë se si janë menaxhuar këto fonde dhe të arrijmë të bëjmë evidencë mbi kostot që kanë shkaktuar vonesat, pasojat e të cilave mund t’i dimë. 
Por Ministrja Kumbaro mjaftohet me një deklaratë gjatë ceremonisë zyrtare duke cilësuar se për këtë restaurim nuk kishte plan, as projekt dhe as fond për muzealizimin e tij dhe sidomos oborri i muzeut nuk ishte pjesë e projektit. Një deklaratë disi kontradiktore në vetvete sepse thuhet se nuk ka plan, nuk ka projekt dhe kur vjen çështja e oborrit, thuhet se nuk ishte pjesë e projektit. Atëherë referuar kësaj deklarate ne pyesim se si qenkan lëvruar gjithë këto fonde nga buxheti i shtetit dhe si janë realizuar tenderët përkatës kur nuk ka pasur një plan dhe projekt konkret? Dhe nëse ky fond është lëvruar e me të nuk është bërë asgjë (sipas deklaratës së Ministres në dhjetor 2014), çfarë është bërë me këto 1.2 milionë dollarë që po na shndërrohen në një fjalë goje? A ka hetuar Ministrja mbi këto shpenzime dhe dëme? Cilat janë masat e ndërmarra për të kompensuar këtë dëm dhe për të qetësuar opinionin publik ndaj këtij fenomeni nga ana e Ministres? A ka bërë Ministrja deklarata përpara qeverisë, publikut dhe institucioneve të drejtësisë në lidhje me këtë rast? Për të justifikuar dëmet dhe për të marrë masat e duhura ndaj shpërdoruesve të detyrave, si dhe për të ruajtur një imazh të mirë personal apo institucional aktual nuk mjaftojnë fjalët e thëna në erë që mund ta bëjnë më konfuz publikun ndaj fakteve reale dhe asaj çka u thuhet. Komunikimi në publik është përgjegjësi dhe impakti i tij bie drejtpërdrejt mbi imazhin, besueshmërinë dhe performancën e vetë institucionit. Prandaj deklarata të tilla nuk janë korrekte dhe të qëndrueshme deri në momentin që nuk shoqërohen me argumente dhe detaje konkrete e profesionale.
Mosndarja e përgjegjësive dhe mosndëshkimi i fajtorëve
Tashmë jemi mësuar të jemi pjesë vetëm e momenteve përuruese apo inauguruese dhe ceremonira finale vetëm në fillimet dhe përmbylljet e çdo procesi, sepse për publikun nuk sigurohet një informim konstant mbi vazhdimësinë e çdo projekti apo nisme me interes publik. Kjo ndodh vetëm në rastet kur bëhet fjalë për vonesa dhe justifikime të rastit nga ana e palëve përgjegjëse. Atëherë për të pasur një informim sa më të saktë të publikut do të ishte më mirë të ndaheshin përgjegjësitë dhe të jemi realistë duke thënë se të dyja palët e përfshira në këto procese kanë përgjegjësi mbi mbarëvajtjen e punimeve dhe procedimeve përkatëse, përfshi këtu edhe stafet apo specialistët e paguar nga shteti për të punuar dhe ushtruar funksioni e tyre në shërbim të çdo programi dhe plani pune. Projekt ka patur, pasi, pa u përmbyllur faza restauruese nuk mund të kalohet tek projekti për muzealizimin apo restaurimin, pastrimin e konservimin e objekteve historike. Sikurse dhe investimet kanë qenë të shifrave të konsiderueshme, pasi procesi i restaurimit dhe konservimit apo pastrimit të objekteve historike kërkon kohë dhe ka kosto të larta, por ajo që nuk dimë janë shifrat reale të këtij investimi. Po ashtu mund të na lenë të kuptojmë se në të dyja rastet e menaxhimit të këtyre punimeve kemi të bëjmë me ndërhyrje në fasade, mure, kolona dhe në mënyrat e ekspozimit të objekteve në ambientet e brendshme. Kjo pasi sipas informacioneve të tjera për publikun dihet se ndryshe nga sa është thënë nga të dyja palët ende nuk janë rehabilituar kati i dytë dhe i tretë të këtij muzeu dhe ky do vazhdojë të jetë në fokus të punës së institucioneve të kulturës në vijim. Që do të thotë ato punime që janë zhvilluar janë të së njëjtës kategori dhe projekt ide, mund të ndryshojnë ngjyrat dhe servirja e informacionit. Tani për tani le të themi që më në fund u bë i mundur përpara çeljes së sezonit turistik një muze me vlera të veçanta historike dhe i një rëndësie të madhe për kulturën dhe turizmin kulturor shqiptar.
(APPA- Albanian Platform for Policy Advocacy)
Ftesë për pjesëmarrje nga “Albanian Platform for Policy Advocacy” 
Albanian Platform for Policy Advocacy fton mediat në prezantimin e projektit “Little Brother is Watching You”. Veprimtaria do të zhvillohet ditën e hënë, më 20 prill, ora 18:00 në mjediset e Hotel ‘Theranda’, ngjitur me Institutin e Medias, pranë shkollës ‘11-Janari’
Albanian Platform for Policy Advocacy fton mediat në prezantimin e projektit “Little Brother is Watching You”, ku për herë të parë një grupim kurajoz dhe i pavarur i profesionistëve të rinj të shoqërisë civile, advokon vazhdimisht për transparencë, llogaridhëni edhe drejtësi sociale.
APPA, e strukturuar në formën e një Think Tank-u (fabrikë idesh), i ofron publikut një analizë mujore kompetente dhe të pavarur rreth aktivitetit, proceseve dhe politikave që qeveria ndërmerr. 
Projekti në fjalë konsiston në monitorimin e qeverisë dhe aktivitetit tëi nstitucioneve publike, si dhe analizës së gjithë informacionit zyrtar që grumbullohet prej burimeve publike dhe të ligjshme (për informacion të detajuar ju lutem vizitoni faqen tonë zyrtare www.appatank.org). Objektivi është krijimi i një kulture të munguar politike midis qytetarëve dhe një frymë llogaridhënie nga ana e institucioneve qeverisëse, duke u fokusuar mbi punën dhe zbatimin e përditshëm të politikave dhe jo thjesht “ngjarjet e mëdha” që zakonisht trondisin jetën publike.
Gjatë veprimtarisë do të prezantohet edhe buletini, me një përmbledhje të raporteve të punës së çdo ministrie dhe do të diskutohen disa nga gjetjet më të rëndësishme të këtyre raporteve gjatë periudhës janar – mars, 2015. Veprimtaria do të zhvillohet ditën e hënë, më 20 prill, ora 18:00 në mjediset e Hotel ‘Theranda’, ngjitur me Institutin e Medias, pranë shkollës ‘11-Janari’.
Sigal