Blerina DHRAMI/ Qytetaria Vs Bindjet (militantizmi)

1022
Në vendin tim të dashur së fundmi ka nisur një luftë e ftohtë, në heshtje, mes atyre me bindje politike të një krahu të caktuar politik dhe atyre që si unë në thelb kanë disa bindje të caktuara, të cilat i demonstrojnë, por në fillim demonstrojnë qytetari dhe atdhedashuri, patriotizëm, besim tek njerëzimi dhe vlerat e larta morale, etike dhe shoqërore. Më pas bindje për një platformë politike. Kohët e fundit kam krijuar bindjen se “Demokrat” lind, edukohesh dhe vështirë të konvertohesh; kjo, sepse e kam të pamundur të besoj tek njerëz hakmarrës, represiv, njerëz të mbushur me mllef ndaj vetes dhe çdo vlere njerëzore për të arritur qëllimet e tyre individuale. Sigurisht që njeriu është qenia më egoiste që ekziston, ama njeriu është qenie sociale, i vetëm nuk ekziston dhe nuk është i aftë të bëjë asgjë. Thashë ‘Demokrat’ lind, sepse “Demokrati” ka në thelb vlera njerëzore të larta, moral, respekt për qenien njerëzore, besim tek njeriu, besim tek vlerat, respekt për autoritetin e ligjit dhe vlerëson mundësinë, inteligjencën, forcën për të ecur në jetë; ose këto janë vlera që unë besoj, mbi të cilat jetoj dhe edukoj fëmijët e mi dhe dua një shoqëri që i kultivon dhe i rrit këto vlera çdo ditë. Ndryshe po ndodh çdo ditë në vendin tim, në vendin tonë të dashur, atdheun e shtrenjtë për të cilin nuk flet më njeri, nuk shqetësohet më askush…Çdo ditë rrisim mërzinë, depresionin, lodhjen ndaj kësaj jetë dhe çdo ditë mundohemi të ikim sa më larg kësaj toke, duke zhdukur çdo ndjenjë brenda nesh. Pse vallë? Shoqëria shqiptare sot është në gjendje të llogarisë sa lekë harxhon çdo politikan, sa lekë vjedh çdo nëpunës dhe nuk di si ndihet, nuk shqetësohet më për veten, për brezin që po rrit, për vlerat që po vret çdo ditë. Kush po drejton sot po e bën keq, shumë keq, sepse po na jep kohë të merremi me ta dhe nuk po kryen asgjë të mirë për këtë vend, për qytetarët normal, për ata pa bindje, për profesionistët. Edhe ata që bëjnë opozitë dinë vetëm që kjo qeveri nuk shkon mirë por, nuk kanë një ide të qartë se çfarë duhet të ndryshojë, dinë vetëm që duhet të ndërrojmë ngjyrë në fletën e votimit. Këtij vendi çdo ditë e më shumë po i mungon njerëzimi, po i mungon thelbi i qenies njerëzore, ndoshta për shkak të besimit tim të Krishterë, unë e shoh botën ndryshe, por një njeri për mua nuk është i djathtë ose i majtë, në fillim është njeri dhe unë e shoh si njeri, si qenie njerëzore me gjithë kompleksitetin e një qenie njerëzore edhe nuk prekem, nëse këta njerëz sillen keq, nëse me bëjnë keq, sepse nuk po me humbasin mua vlerat, por atyre. E njëjta gjë ndodh me drejtuesit tanë. Në thelb i mëshiroj sepse nuk janë mjaft të zgjuar përderisa njerëzit e thjeshtë merren dhe i gjykojnë. Merren me matjen e punës së tyre, llogarisin sa vjedhin ata nga xhepat tanë. Në historinë botërore kemi parë plot shembuj si të lashtë ashtu edhe modern, po ju marr vetëm dy shembuj, Akili në Greqinë e Lashtë vendosi të vdiste si hero, si Perëndi vetëm për Lavdi! Sot vështirë të gjejmë njerëz në kërkim të lavdisë dhe Shqipëria ime e dashur ka aq shume nevojë për njerëz të tillë, Stiv Jobs shpiku Apple, sot të gjithë përdorim shpikjen e tij, por askush nuk u mor me përfitimet e tij ekonomike askush nuk tha që ai vodhi, sepse të gjithë ishim dhe jemi të verbuar nga gjenialiteti i tij. A përfitoi ai nga kjo?! Patjetër dhe për Jobs dhe Apple do të flitet për breza me radhë. Ismail Qemali, a nuk përfitoi duke bërë atë që bëri për Shqipërinë. Po a i llogariti njeri fitimet atij apo ishin të gjithë të zënë, siç janë edhe sot duke nderuar veprën e tij, të cilën e shijojmë ende? Të gjithë ata që na drejtojnë janë zhveshur nga ndjenja, nga humanizmi, nga respekti për qenien njerëzore dhe po mendojnë përfitimet personale, ato që të lënë pa emër, pa shpirt, pa zemër dhe në fund ato përfitime ashtu sikundër edhe rroga mizerabël e një punonjësi do paguajnë dy metra dërrasë dhe në varrezat e një qyteti. Askush më nuk aspiron të ketë një emër të madh, një ëndërr të madhe për këtë vend, sepse u ka vdekur shpirti dhe trupi vazhdon të endet pa qëllim, mbushur me mashtrime dhe gënjeshtra, të cilat ata bëjnë sikur na i thonë dhe ne bëjmë sikur i besojmë. Sot ndihem e revoltuar tek eci rrugëve të qytetit tim, a thua se nuk jemi shqiptarë po vizitorë në këtë tokë. Nuk na dhimbset me asgjë, as fëmijët që po rriten, pa arsim, pa shëndetësi, me korrupsion në gjak e në vena. Vendi po lëngon nën drejtimin e bijve të vet më keq se nën pushtim të huaj. Dikur, nëse merrja një notë të keqe prindi më ulërinte mua, sot nëse një fëmijë vlerësohet keq, të bërtiturën e ha mësuesi kemi përparuar duhet thënë, por në drejtim të kundërt. Lufta që më shqetëson ka të bëjë pikërisht me këto vlera, njeriu ka vlera dhe duhet t’i ruajë ato. I majtë apo i djathtë qoftë nëse jam një njeri maskara, si mund të jem një i djathtë i mirë, dhe nëse unë jam një njeri i mirë do të jem një i majtë, po i mirë sepse bindja nuk më bën njeri. Vlerat më bëjnë të tillë dhe kushdo qoftë grupimi politik ku bëj pjesë vlerat e mia do të rrisin edhe vlerat e këtij grupi. Vetëm një lutje kam për këtë brez: synoni të lini pas një vepër të madhe, një vepër që do të mbajë emrin dhe firmën tuaj, nuk ka pasuri më të madhe, nuk ka ndjenjë më të madhe dhe as kënaqësi më të madhe se kjo. E di që nëse një politikan më dëgjon tek flas kështu do të qeshi dhe do mendoj se jam e çmendura e radhës, ajo që nuk di ç’flet, kështu që këtë shkrim po ja dedikoj atyre që duan të bëhen drejtues të këtij vendi dhe sot për sot opozitës: bëni që çdo qytetar i këtij vendi të besojë se nuk ju ndryshon vetëm ngjyra, se keni ideale, se e doni këtë tokë, se doni që ky brez që rritet, të jetë më i mirë se ju, se doni të mirën e këtij vendi me shumë se të mirën tuaj. Më bëni të besoj se ato vlera që çuan në ngritjen dhe formimin e kësaj force janë ende gjallë. Më bëni të jem krenare që jam në fillim qytetare e këtij vendi sepse e dua këtë tokë. Me bëni të jem krenare, sepse kam lindur “Demokrate”, të besoj se kam vlerën e një qytetari, një vlerë universale dhe të njëjtë në mos më të madhe se të një militanti “injorant”, i cili puth tokën ku shkelin ata që këtë vend po e lënë të shkretë, më bëni të respektoj atë që përfaqësoni si vlerë dhe jo pushtetin që keni edhe pse mendoni se jeni më lart, edhe ose portofoli ju rëndon më tepër se e gjithë ajo çka unë kam, më tregoni që meritoni besim dhe më vlerësoni si njeri,- fjalë me 5 shkronja, por që për mua vlen me tepër se çfarëdo lloj përcaktimi që juve ju duket më i vlefshëm. Jam qytetare e këtij vendi, jam banore e kësaj toke dhe për mua është e shenjtë, meriton t`i përulemi për gjithë poshtërimet që i bëjmë… Meriton njerëz që e duan. Unë dua të jem një qytetare, e cila ka një bindje jo e kundërta!
Sigal