Blerina BRAHO:Kur politika zmbrapset prej artit

622
Sigal

Dikur i madhi Bismark ka pas thënë se, “Politika është arti i të mundshmes”, ndërsa nuk duket se ky aforizëm i shkon shumë përshtat artit të politikës shqiptare, mbi të gjitha kur ajo harrohet dhe zmbrapset tërësisht prej artit të vërtetë. Atij arti që të drithëron mishin dhe të dërgon në një botë tjetër paralele, jashtë kësaj botë të mbytur nga intrigat dhe dinakëritë. Atje ka vetëm paqe shpirtërore, ka vetëm gëzim të brendshëm dhe harmoni mes njerëzve. Jo më kot njerëz të mençur e të mëdhenj përgjatë historisë i kanë thurur himne dhe kushtuar jetën e tyre muzikës, fushës më hyjnorë të artit, e cila të godet pa ndjerë dhimbje. Është ashtu siç citon Hygo: “Muzika shpreh atë që nuk mund të thuhet me fjalë dhe që nuk mund të mos thuhet”. Të gjitha këto emocione, ishim të bekuar t’i përjetonim natën kur Elhaida Dani na mrekulloi më zërin e saj. Përveç krenarisë dhe nderimit e të qenit një komb, një gjak, Elhaida na shkëputi të gjithëve nga monotonia dhe ditët e nxehta e gjithë tension të politikës shqiptare. Atë natë, askujt nuk i interesonte se çfarë thuhej lart e poshtë nëpër studiot televizive për zgjedhjet e ardhshme; atë natë, askujt nuk i interesonin premtimet e pambajtura dhe dogmat politike; atë natë, shqiptarët brenda e jashtë trojeve ishin të gjithë një trup e një mendje. Elhaida duhej të fitonte! Po, po, duhej të fitonte! Dhe ajo fitoi! Atëherë mijëra mesazhe gëzimi dhe krenarie buruan prej të gjithë shqiptarëve, për ta kurorëzuar atë, mbretëreshën e asaj nate. Tek ajo vareshin prej kohësh të gjitha shpresat dhe ëndrrat tona për ta parë tek kurorëzohej fituese e “Zërit të Italisë”, dhe atëherë shpresat tona kapën qiellin. Tek shihnim tek triumfonte një shqiptare e denjë për zërin që mban në kraharor, por që gjithashtu bëri shumë njerëz për vete me thjeshtësinë dhe përuljen që e karakterizonte. Pikërisht, këtu, duket edhe madhështia e njerëzve të mëdhenj, në modestinë e tyre! Mbase të gjitha këto pritshmëri dhe ndenja krenarie prej nesh, rënduan paksa në kurrizin e Elhaidës, sepse mbi të gjitha kurorëzimi si fituese është individual, Elhaida fitoi si person. Megjithatë, ajo e ndau me ne, me gëzim, çdo fitore të “betejave” të saj deri në fitimin e luftës së madhe. Por nuk mund të thuhet se, e njëjta mbështetje i erdhi prej shtetit tonë (sigurisht pa lënë mënjanë mbështetjen morale dhe urimet pas fitores). Shumë mirë ekrani i TVSH, kanali shtetëror shqiptar, mund të bënte një lidhje direkte dhe të tregonte mbështetjen e tij duke transmetuar direkt konkurrimin e Elhaidës. Nuk ndodh përditë që një shqiptare e talentuar arrin kaq lart me mund e talent të triumfojë në një shtet të huaj. Për njëherë të vetme të gjithë shqiptarët do të thonim: “hallall taksat që paguajmë për Televizionin Publik”. Por jo nuk pati asgjë të tillë. Edhe pse mund të duket si një faktor i parëndësishëm dhe i kot të diskutohet pas fitores, në fakt ai tregon shumë. Tregon dhe vërteton atë që të gjithë ne e dimë: ftohtësinë dhe braktisjen që i bën shteti shqiptar talenteve të vërteta. Shoqëria shqiptare, të gjithë ne bashkë duhet ta pranojmë se, nuk jemi aq të ndërgjegjësuar, të zhvilluar apo dhe të fortë sa t’i mbajmë, t’i rrisim, e t’i kultivojmë talentet shqiptare, që në një kohë të caktuar talenti të mbajë vulën shqiptare. Përkundrazi, ne i dënojmë të punojnë në heshtje dhe të krahasohen nga vlerat me një hierarki vlerash të paqenësishme. Shqipëria duhet t’u jetë këtyre talenteve mirënjohëse që ata e tregojnë dhe e i japin vlerë origjinës së tyre, që ata bashkëndajnë talentin, suksesin dhe kontributin e tyre me ne. Elhaida ne të falënderojmë ty që tregove fytyrën tjetër të shqiptarit të talentuar dhe mirënjohës për ata që i zgjasin dorën. Të falënderojmë ashtu siç ti na falënderove ne nga skena italiane, e ngritur në ovacione për talentin tënd.