Blerina BRAHO / Presidenca, aty ku pasurohen policët e bashkisë

568
Sigal

Një demokraci funksionon vetëm atëherë, kur ajo është e mbështetur mbi bazën e ligjit dhe të akteve nënligjore që normojnë bashkekzistencën dhe krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për të gjithë shoqërinë. Pikërisht këtë ka pasur parasysh edhe komuniteti ynë lokal, i cili në mbështetje dhe i orientuar nga Europa ka përshtatur ligjin për autonominë e pushtetit lokal në mënyrë që përqasja e pushtetit lokal të jetë sa më afër realitetit europian. Në rastin konkret ne nuk do merremi me Pavarësinë financiare të pushtetit lokal, me kompetencat e ushtrimit të aktiviteteve të tyre ekonomiko-financiar , licencave, politikën  e kuadrit , infrastrukturës, tenderimet apo lejet e ndërtimit, ku të gjithë premtojnë dhe të gjithë mashtrojnë. Ne sot  do trajtojmë një fenomen, i cili në kohën kur në krye të Bashkisë të Tiranës ishte objekt i kritikave të pozitës  dhe kreut  të saj Berisha, si dhe të kandidatit që aktualisht është Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Dhe ky fenomen quhet ndryshe fenomeni i “karoatrecave”.  Darkat janë momenti më i përshtatshëm dhe më i rrezikshëm për të gjithë drejtuesit e mjeteve, të cilët po nuk e patën përpara syve, vjen dhe ta merr karoatreci i bashkisë. Dhe shtegu, ku gjuhet më mirë dhe nuk del pa gjë është pikërisht  Presidenca e Republikës. Aty gjen çdo mbrëmje gjuetarët e bashkisë të kompletuar me mjetet më moderne dhe më të përshtatshme të kohës, ato, që sot quhen karoatreca.  Është  sa komike aq edhe paradoks që në këto kohë të vështira krize ekonomike  ushtarët e bashkisë dhe barbarët e karoatrecave  u turren makinave për të mbushur xhepat e shpuar të pushtetit dhe të ortakëve privatë të karoatrecave. Që në fillim ne bëmë një marrëveshje me lexuesin, por edhe me ata që kanë mend në Bashkinë e Tiranës, përveç  urdhërdhënësve të karoatrecave që nuk kanë logjikë dhe se logjika e tyre është paraja dhe mbi paranë ata nuk pyesin. Po ku qëndron shqetësimi? Në Presidencën e Republikës  në pjesën e jashtme të rrugës qëndrojnë të parkuara automjete të nëpunësve të Presidencës. E para, duhet thënë se, nuk ka përse zaptohen vendet publike si rrugët, sheshet etj., nga kushdo qoftë, nëpunës i Presidencës apo deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. E dyta, rregulli dhe ligji është një për të gjithë. Atëherë, përse policët bashkiakë gjatë ditës në të njëjtin vend lejojnë automjete të parkuara për 2 dhe për 3 dhe nuk ndërhyjnë, ndërsa natën si bashibozukë zhgarraviten për të marrë dhe për t’u grabitur qytetarëve paratë e bukës së gojës? Po përpara Kuvendit përse bllokohen rrugët dhe policia bashkiake nuk duket me karoatrecat e saj?! Po në bulevardin kryesor të Tiranës përse nuk merren me karoatrec makinat e deputetëve që  bllokojnë gjysmën e bulevardit? Ka dhe shembuj të tjerë sa të duash zoti Kryekomandant i Policisë Bashkiake, por do të ishte mirë që ligji të ishte një për të gjithë dhe jo të veprohej me dy lloj gjykimesh dhe masash. Ju i merrni në mbrëmje për t’u marrë qytetarëve 70 mijë lekë dhe ata të shkretë do ua japin se në mëngjes i presin punët,fëmijët që do çojnë në shkolla e kopshte, por për ju kjo ka shumë pak rëndësi. Ju vetëm mjaftoheni të mbushni xhepat, të cilat u janë kthyer në thasë dhe nuk  mbushen dot kurrë se diku zbrazen shpejt e shpejtë. Lulëzim Basha nuk duhet të zhgënjejë ata që e votuan pavarësisht pengesave dhe dëshirës që kanë të djathtët ekstremë për ta sabotuar atë si kryetar. Ndaj policët e karoatrecave do ishte mirë të merren me bllokimet e stacioneve të autobusëve dhe qëndrimet e tyre në stacione, me lulishtet , bllokimin e kazanëve të plehrave etj.. Por këtë e kanë për detyrë vartësit e z.Basha. Gjithashtu, këta policë nuk pyesin as nënkryetaren e bashkisë, e cila është kthyer në një shpërndarëse licencash të kartave studentore, një lidhëse e mirë midis bashkisë dhe bankave të nivelit të dytë  si dhe mbytëse e zërave të konsumatorëve, njëkohësisht, banorë të kryeqytetit. Por kjo është tjetër çështje dhe shpejtë do dalin shumë nga veprimet e papërgjegjshme të nënkryetares së bashkisë, e cila është me sa duket edhe pjesë e “klanit  sabotator” ndaj Bashës në bashkinë e kryeqytetit. Tani  ligjin kanë filluar ta bëjnë të emëruarit e Kryetares së Parlamentit në bashki, të cilët janë njëkohësisht edhe drejtuesit më të lartë të policisë bashkiake. Pikërisht, këto lidhje duhen shkatërruar sa më shpejtë në të kundërt, nesër do jetë vonë dhe qytetarët dinë të zhvlerësojnë në mënyrë qytetare, nëpërmjet votës së lirë.