Blerina Braho/Kur me arsimin bëhet biznes në kurriz të studentëve

511
Sigal

TOEFL (Test of English as a Foreign Language) është një provim ndërkombëtar për të matur aftësitë në kuptimin dhe përdorimin e gjuhës angleze për ata që nuk e kanë gjuhë amtare. Provimi i TOEFL-it është kusht për pranimin në shkollat e mesme dhe universitetet e disa shteteve dhe pranohet nga të gjitha universitetet e botës si dëshmi e njohurive të gjuhës angleze.

Por, para pak kohësh Ministria jonë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) nxori një ligj, ku ndër të tjera thuhej se tashmë për një student të masterit apo doktoraturës ishte e detyrueshme të mbrohej gjuha angleze nëpërmjet provimeve të tilla si: TOEFL-i, IELTS-i, Cambrigde e të tjera si këto. Duhet thënë se, kjo është paksa paradoksale sepse studenti mund të hyjë pa asnjë njohuri në anglisht, por ama pas dy vitesh ai është i detyruar të japë një nga provimet e lartpërmendura, sepse ndryshe ai nuk diplomohet. Për këtë ligj vjet pati protesta të shumta nga studentët dhe sot ata ende vuajnë pasojat e tij. Kjo është edhe arsyeja pse biem përsëri në përsëritjen e kësaj teme.

Për ta shpjeguar më mirë çështjen. Sipas ndryshimeve të bëra në ligjin e arsimit të lartë, kandidatët që kanë vijuar programet Master dhe ato Doktoraturë gjatë këtij viti akademik do të mund të marrin diplomën e mbylljes së studimeve në fund të programit vetëm pasi të kenë dëshmuar mbrojtjen e gjuhës angleze sipas standardeve ndërkombëtare. Tipi i testit që jepet në këtë rast nga studentët tanë është TOEFL IPT (66 euro) dhe njihet tërësisht nga institucionet shqiptare, por njohja e tij ndërkombëtare është e paktë, vetëm universitet e pak shteteve mund ta njohin si vërtetim ndërkombëtar gjuhe. Kështu një studenti që mbaron masterin dhe testohet në TOEFL IPT, në rast se do të studiojë jashtë shtetit ai duhet të bëjë patjetër edhe një tip tjetër testi që, është TOEFL IBT (180$). TOEFL IBT teston katër aftësitë e rëndësishme për komunikimin efektiv: të folurit, dëgjimin, leximin dhe shkrimin e gjuhës angleze. Testi ndihmon studentet të tregojnë se kanë aftësitë e duhura për të qenë të suksesshëm në kuptimin dhe komunikimin e gjuhës angleze. Pra në fund një studenti i duhet të japë dy testet dhe të shpenzojë dyfish. Kjo bie në kundërshtim me vet synimin parësor që përmendej shumë nga përfaqësuesit e UT-së, kur fillimisht u miratua ky ligj, që është: “Ky do të jetë një test që do të ketë një kosto të reduktuar për studentët shqiptarë”. Por siç shohim, faktet tregojnë të kundërtën. Kanë qenë të shumta në redaksinë tonë rastet kur studentët janë ankuar për këtë padrejtësi që po i bëhet dhe objektivisht ata kanë të drejtë.

Sepse së pari, ky ligj bie në kundërshti me vetveten. Ai mohon dhe nuk njeh veten e vet kur njeh si vlerësuese të gjuhës së huaj këtë test, por nuk njeh testin që një student mund të jap në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në UT. Pas kësaj nuk kuptohet se ku qëndron përparësia e TOEFL-it kur të dyja certifikatat kanë thjesht njohje kombëtare dhe jo ndërkombëtare.

Kundërshtitë e shtetit ndaj vetes nuk mbarojnë me kaq sepse situata bëhet akoma më absurde kur shteti me anë të vendosjes së këtij ligji imponohet mbi studentët, dhe jo vetëm. Imponimi këtu është i dyfishtë. Së pari sepse imponohet një gjuhë e huaj pa të cilën gjithashtu studenti mund ta zhvillojë shumë mirë mësimin dhe së dyti sepse imponohet një gjuhë e përcaktuar. Shteti mendon se më e mira e të mirave është të mësohet pikërisht anglishtja. Nuk imponon thjesht gjuhën e huaj, por “një” gjuhë të huaj, që është anglishtja.

Gjithashtu, kur thuhet se kjo gjuhë dhe test i jep mundësi studentit të pasurojë literaturën e tij studimore, kjo tregon se fakultetet shqiptare vuajnë nga literatura studimore shqipe (çka fatkeqësisht është e vërtetë). Por ama studenti, si dhe lektori i tij, ka të drejtë ta zgjedh vetë gjuhën në të cilën do të marrë dijet dhe të pasurojë botën e tij intelektuale.

Dyshoj tek fakti se kundërshtimi i kësaj ideje tregon se studentët shqiptarë po tregohen jo globalistë apo jo mendjehapur, sepse kur sheh që ka shumë kontradikta dhe ngërçe tek ky testim, më mirë të pranosh titullin “prapanik”, që mund të të japin, sesa të vazhdosh t’i nënshtrohesh vullnetit (të kushedi se kujt) për t’u testuar ndaj disa njohurive që janë të nevojshme, por jo të detyrueshme.