Blerina Bajko/Barazia gjinore në shoqërinë shqiptare dhe problemet madhore

1043
Sigal

Barazia gjinore në vendin tonë çdo ditë e më shumë ndeshet me probleme të mëdha. Nëse sot, në Shqipëri, ky problem madhor, delikat dhe problematik, shtrohet me forcën e një imperativi, kjo nuk bëhet thjesht dhe vetëm nga “logjika matematikore”, se gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë, por nisur nga këndvështrimi modern i vlerësimit të pozitës dhe të drejtave të tyre, si pjesë integrale e të drejtave dhe lirive të njeriut. Kjo nuk lidhet thjesht dhe vetëm me konceptet e gabuara rreth raporteve  dalluese midis dy sekseve. Përtej dallimit burrë-grua, qëndron një gjë më esenciale, qëndrojnë të drejtat njerëzore dhe humane. Pikërisht, kjo është “esenca” njerëzore që i bën dhe duhet t‘i bëjë gratë bartëse legjitime të të drejtave të barabarta me burrat në kontekstin e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Pse është kaq mbrapa shoqëria jonë në arritjen e këtij objektivi madhor? Kryesorja në këtë mosarritje, në këtë mos realizim, ka të bëjë me faktin se  realizimi i këtij qëllimi do edhe mjetin e vet. Dhe mjeti  që e mundëson realizimin e këtij qëllimi është krijimi i një shoqërie moderne, të mundësive të barabarta për të dyja gjinitë dhe nëpërmjet bashkëveprimit të të dyja gjinive, të burrave dhe grave, në të gjitha fushat e jetës dhe të organizimit shoqëror. Nuk mund të realizohet barazia e vërtetë gjinore pa qenë prezente në shoqërinë tonë kushtet e lirisë. Shoqëria jonë ka qenë për një periudhë kohore të gjatë e privuar nga liria. Kemi qenë nën sundimin e diktaturës komuniste. Në vitet 90’ bëmë kalimin cilësor nga diktatura në demokraci. Ky hap i ndjeshëm  cilësor, kjo përmbysje e madhe, domethënë kalimi nga mbretëria e domosdoshmërisë, në atë të lirisë, ngjalli shpresë e besim të madh te gratë shqiptare. Në radhë të parë kjo lidhet me  të bërit prej tyre pjesë e këtij ndryshimi epokal, e  mbi të gjitha për të projektuar shpresa të reja, perspektiva të reja dhe objektiva konkrete  për arritjen reale të barazisë gjinore. Barazia gjinore përballet me probleme tepër të vjetra, por dhe me dukuri të reja, të cilat i mbajnë të ndezura “urat e zjarrit” kundër lirive dhe të drejtave të grave. Kanë lënë gjurmë konceptet  jo humane të Etërve të shenjtë të ritit katolik, të cilët e kanë konsideruar femrën si përgjegjëse për mëkatet. Ata e kanë konsideruar padrejtësisht  trupin e femrës si “derë për hyrjen e djallit”. Në vitin 586, “Këshilli i të Shkathëtëve” shpalli se gruaja nuk i takon gjinisë njerëzore dhe ajo “është krijuar vetëm për t’i shërbyer njeriut”. Në emër të këtyre definicioneve barbare gjatë historisë, janë kryer krime nga më mizoret ndaj femrës. Statistikat tregojnë se sot mbi 4 milionë gra në botë janë viktima të akteve të rënda të dhunës nga të dashurit apo bashkëshortët. Kemi afro 23 vjet që përjetojmë një realitet të ri. Demokracia ka krijuar shanse dhe mundësi të reja për afirmimin e rolit të gruas në shoqëri. Për hir të së vërtetës, duhet të pranojmë se janë shembur mjaft tabu të së kaluarës. Hapësirat e lirisë në vendin tonë janë zgjeruar. Shoqëria shqiptare nga dita në ditë po vetëdijesohet, për të drejtat dhe liritë e grave, si dhe për rolin që ato duhet të luajnë në shoqëri. Mirëpo për hir të së vërtetës, ky proces i rëndësishëm po kalon përmes një rruge tepër të vështirë dhe të mbushur me plotë kontradikta. Kudo në ambientet tona janë shumë të pranishme dhe madje të fuqishme  steriotipet gjinore dhe dhuna në familje. Për fatin e keq, me gjithë se kanë kaluar afro 23 vjet nga përmbysja e diktaturës komuniste në vendin tonë dhe nga vendosja e sistemit pluralist demokratik, shoqëria jonë shqiptare po lëviz tepër ngadalë, për të mos thënë që në mjaft raste vërehet edhe një kthim dramatik mbrapa. Një ndër shkaqet kryesore të kësaj lëvizje të ngadalshme në rrugën e emancipimit shoqëror të vendit tonë është fakti se shumë veprimtari, shumë konferenca e seminare, shumë aksione dhe  nisma të fokusuara në çështjet gjinore, në vend që t’u drejtohen mbarë shoqërisë, posaçërisht burrave, u adresohen vetëm grave dhe konceptohen si çështje ekskluzive vetëm të tyre!  Promovimi i të drejtave të grave dhe nismat për përmirësimin e pozitës së tyre në shoqëri shpesh herë bëhet nga këndvështrime feministe. Rrallë, për të mos thënë fare, ndodh që kur organizohen veprimtari apo aksione për probleme të barazisë gjinore,  të jenë  ulur së bashku në një tavolinë dhe të diskutojnë gjithashtu së bashku burrat dhe gratë. Pa adaptuar një kulturë dhe një qasje progresiste, e cila të sjell së bashku në një tavolinë burrat dhe gratë, pa  e konsideruar këtë gjë si domosdoshmëri dhe parakusht për transformimin e shoqërisë, nuk mund të pretendohet për kalimin nga kultura maskiliste, në një kulturë përparimtare të bazuar në barazinë gjinore. Në vendin tonë ekziston një fakt i rëndësishëm pozitiv. Të drejtat dhe liritë e grave janë ligjëruar në akte të ndryshme dhe të rëndësishme ligjore si pjesë integrale e të drejtave të njeriut. Ky është një hap progresiv me rëndësi të posaçme në rrugën e zhvillimit demokratik të vendit. Sot në vendin tonë  femrat po fitojnë gjithnjë e më shumë të drejta,  si dhe kanë më shumë rol dhe integrim në jetën sociale, politike dhe ekonomike. Sinjifikative është qeveria  aktuale e paraqitur pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Janë plotë 6 femra ministre. Me gjithë arritjet, të cilat konsiderohen relativisht të vogla, mjerisht, ende vazhdon diskriminimi ndaj femrave. Ky diskriminim ka arritur kulminacionin e tij këto dy-tre vitet e fundit me ushtrimin ndaj femrave të një dhune të egër fizike, psikologjike, keqtrajtime të ndryshme, e deri në vrasje makabre. Shifrat e vrasjeve të grave janë tepër shqetësuese dhe ato kanë një rritje në proporcion gjeometrik. Difekti kryesor  është i shoqërisë sonë, është i institucioneve që e kanë për detyrë të merren direkte dhe indirekt me zbatimin rigoroz të këtij legjislacioni bashkëkohor, është retorika boshe, janë sloganet shterpe, teorizimet boshe, deformimet e qëllimshme nga përmbajtja e ligjit. Ky defekt i rëndë, domethënë mos zbatimi konkret, me përpikmëri  dhe me rreptësi i ligjeve që rregullojnë dhe marrin në mbrojtje respektimin e të drejtave dhe lirive të grave, ka bërë që të kemi një realitet të rënduar dhe të mbushur me krime ndaj grave. Shoqëria jonë shqiptare, përveç hartimit të disa ligjeve, të cilat për hir të së vërtetës ndryshohen shpesh dhe nuk zbatohen, thuajse nuk po bënë asgjë  për të eliminuar dhe rregulluar disavantazhet, pengesat dhe problemet sociale, me të cilat ballafaqohen femrat në përpjekjet e tyre për pjesëmarrje dhe status të barabartë në shoqëri. Tranzicioni ynë i stërzgjatur dramatik ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë dukuri dhe problematika të reja sociale. Shumë gra janë tërhequr  nga jeta ekonomike. Kalimi nga ekonomia e centralizuar, në ekonominë e tregut, është shoqëruar me dy prirje, të cilat për fatin e keq tonin, po shkojnë në drejtimin e kundërt me prirjet analoge të vendeve të qytetëruara të BE-së.  Edhe pse në bazë të statistikave, këto vitet e fundit vërehet një rritje e numrit të grave të punësuara, statistikat e papunësisë, krahasuar mes dy gjinive, tregojnë se femrat janë shumë të prekura nga fenomeni i papunësisë. Ky fenomen negativ ka ndikuar ndjeshëm në  varfërimin e tejskajshëm të femrave dhe në desocializimin e tyre. Po rikthehen për fatin e keq strukturat patriarkale, sidomos në zonat rurale. Dhuna në familje ka marr një zgjerim të  frikshëm. Mbetet evident trafikimi i femrave për qëllime prostitucioni dhe shfrytëzimi seksual. Një prirje tjetër negative në vendin tonë është rritja e numrit të grave të punësuara në ekonomitë shtëpiake bujqësore  dhe në njësitë e vogla të biznesit, shumica e të cilave janë pronë e burrave të tyre. Tërheqja e grave nga sfera e punës dhe kthimi në modelin e familjes tradicionale, e ka dobësuar së tepërmi pavarësinë ekonomike të tyre. Pjesëmarrja masive e femrave në punë  është faktori themelor për afirmimin e personalitetit dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në jetën e vendit. Jo pak gra kanë arritur suksese në përpjekje për t‘u përshtatur me kushtet dhe kërkesat e ekonomisë së tregut, duke u afirmuar si drejtuese të afta në jetën politike, shoqërore, kulturore dhe në botën e biznesit. Por analizat dhe vëzhgimet dëshmojnë se janë pikërisht burrat ata që kanë arritur të ndryshojnë dhe ngrihen më shpejt në hierarkinë statusore, duke zotëruar vende pune, që janë më të paguara, duke siguruar pozicione vendimmarrëse në jetën politike, në sferën e administratës publike dhe në botën e biznesit. Ky realitet dëshmon për barrierat sociale dhe “kostot” më të larta të përpjekjeve që duhet të bëjnë femrat për të afirmuar personalitetin në një shoqërie të strukturuar historikisht për dominimin e meshkujve. Transformimi kulturor i shoqërisë është një proces i gjatë dhe kompleks dhe si i tillë kërkon jo vetëm apel, por edhe përmirësim të instrumenteve ligjore, ngritjen e strukturave mbështetëse dhe krijimin e barazisë së mundësive për punë, karrierë, vendimmarrje dhe përfaqësim. Shoqërisë tonë do t‘i duhet të përshkruajë një rrugë ende të gjatë për të mbërritur në atë “stacion” të historisë, ku barazia gjinore të pranohet  si një realitet i ri, ku burrat dhe gratë të kenë të njëjtat detyrime dhe të njëjtat privilegje, të njëjtat mundësi reale për afirmim të personalitetit dhe të pjesëmarrjes në të gjitha sferat e jetës shoqërore.

Studente e vitit të 5-të dega Diplomaci, në Universitetin Siena, Itali