Blerim Latifi: Boshnjakizimi

918
Derisa në qytetin Raka të Sirisë, këto ditë, gratë publikisht po i djegin burkat e imponuara nga terroristët e ISIS-it që e mbajtën për disa vite këtë qytet nën pushtetin e tyre, këtu tek ne, dëgjohen thirrje e kërcënime për vrasje të atyre që guxojnë të thonë ndonjë mendim kritik për burkan. Çfarë paradoksi! Mos vallë kemi ardhur deri në atë pikë, sa jemi bërë më arabë se arabët?

Në serinë e gjatë të atyre që gjithë këto vite u përballën me lloj lloj kërcënimesh me jetë, i fundit këto ditë ishte publicisti Berat Buzhala. Një status sarkastik i Beratit për tre gra të veshura me burka shpërtheu një histeri të pafundme të sharjeve dhe kërcënimeve ndaj tij, sidomos nga Maqedonia. Pasuesit kokëbosh të këngëtarëve tallava apo komandantëve që kanë bërë emër me betejat e shpikura pas luftës u sulën kundër Buzhalës me një mllef linçimi që do ta kishin zili edhe salafistët më fanatikë në rrugët e Rakas apo Mosulit.

Shtrohet çështja: Prej nga vjen ky pasion kaq i zjarrtë salafist tek shqiptarët e Maqedonisë. Prej nga ky preokupim i tyre kaq i madh me detajet doktrinore të islamit? Çfarë po ndodh me shqiptarët në Maqedoni? Si shpjegohet ky zell i tyre fetar që u ka pushtuar mendjet, zemrat dhe jetën sociale? 

Natyrisht spektri i këtyre pyetjeve është shumë i gjerë dhe përgjigjet në to kërkojnë një studim të thelluar shumë dimensional, sociologjik, historik dhe politik gjithsesi. Ky shkrim nuk mëton të sjellë këto përgjigje, por vetëm një konstatim, i cili del nga një vëzhgim i thjeshtë i realitetit social dhe kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë. 

Kombi shqiptar, i cili me aq shumë vështirësi, pas një procesi të gjatë historik, ia doli të ndërtohej në parametra të kombeve evropiane, sot, në pjesën e parë të shekullit XXI, është duke humbur një pjesë njerzore të tij dhe, pikërisht, shqiptarët e Maqedonisë. 

Si pasojë e shumë faktorëve historikë dhe atyre të sotëm, ata janë duke përjetuar procesin e shndërrimit nga grup etnik në komunitet religjioz. Ky është procesi i boshnjakizimit, të cilin, me vetëdije apo jo, janë duke e përjetuar bashkatdhetarët tanë në Maqedoni. Gjatë këtij procesi përkatësia e tyre etnike humbet terren para përkatësisë së tyre religjioze, që do të thotë se religjioni bëhet dimensioni primar i identitetit të tyre. Nga shqiptarë myslimanë, ata po shndërrohen në myslimanë shqiptarë. Dallimi në mes këtyre dy termave është tejet i rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar. Ky komb arriti të formohej në shekullin XIX vetëm, pse falë mençurisë së rilindësve u gjet formula e subordinimit të përkatësive të ndryshme fetare ndaj përkatësisë etno-nacionale. Falë kësaj formule shqiptarët arritën të ndërtonin unitetin e tyre politik përtej vijave ndarëse religjioze. Shembujt janë të shumë, por këtu po i përkujtoj dy prej tyre. Në fillim të shekullit XX, Shqipëria me popullatë shumicë myslimane kishte një kryeministër ortodoks, Fan Nolin. Në fund të shekullit XX Kosova po ashtu me shumicë myslimane e kishte shndërruar në profet politik Ibrahim Rugovën, i cili haptas promovonte dashurinë e tij për Vatikanin. 

Kjo është formula e cila e definon vetë shqiptarësinë si identitet : të jesh shqiptar do të thotë të pranosh se përkatësia nacionale është para përkatësisë fetare . Në momentin kur dikush heq dorë prej kësaj përparësie identitare ai pushon së qeni shqiptar. Mund të vazhdojë të jetë shqipfolës, por shqiptar nuk është. Në këtë rast argumentet biologjike nuk kanë vlerë, sepse kombi, para së gjithash dhe mbi të gjitha, është identitet kulturor. 

Sot me të drejtë shumëkush shqetësohet, pse tipa si Gëzim Kelmendi përbuzin figurën e Skënderbeut dhe idealizojnë ato të sulltanëve osmanë. Është shumë e kuptueshme pse ata e bëjnë një gjë të tillë. Si pasojë e vetë asimilimit ata kanë pushuar së qeni shqiptar. Ata mund të jenë vetë asimiluar në turq, arabë, boshnjakë ose në diçka prej krejt këtyre, por shqiptar më nuk janë. Si rezultat Skënderbeu nuk mund të jetë heroi i tyre. Heroi i tyre është Ballaban Pasha, shqiptari katolik i Matit që u bë turk dhe, si komandant i Sulltanit, derisa vdiq luftoi kundër atdheut të vet. Por, në fund të fundit vetë asimilimi individual nuk është problem. Njerëzit janë të lirë të bëjnë zgjedhjet e tyre identitare. Problem është transformimi kolektiv identitar i shqiptarëve të Maqedonisë. Historikisht, të pandikuar nga lëvizjet kombëtariste shqiptare të kohës së Rilindjes dhe më pas, të sunduar gjatë nga pushtete agresive serbe dhe maqedone që u mohonin kulturën e organizuar kombëtare dhe u afirmonin identitetin fetar, sot në kushtet e ringjalljes globale të përkatësive dhe ideologjive fetare, shqiptarët e Maqedonisë janë tërësisht të pambrojtur nga fenomeni i boshnjakizimit. Shkollat e tyre të dobëta kombëtare dhe kultura letrare e mediale e zbehtë nuk mund t’i bëjnë ballë nacionalizmit ortodoks maqedon që imponohet përmes presionit shtetëror, si dhe milionave të islamit politik turk dhe salafizmit arab. Vetë Shqipëria dhe Kosova janë duke pasur problem me këta dy të fundit, e lëre më shqiptarët e Maqedonisë, që kurrë nuk e kanë njohur forcën ideologjike të shtetit nacional. Natyrisht, në këtë kontekst fajin e ka elita politike shqiptare atje, që, e dhënë pas obsesionit të pushtetit, është shkapërderdhur në dhjetëra parti, duke varrosur mundësinë për të ndërtuar një subjekt të vetëm politik që mbron dhe shtyn përpara agjendën kombëtare të shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë. Nga kjo duhet përjashtuar zëra individualë në politikë dhe publicistikë, por ata janë të pafuqishëm para trendit kolektiv. Këta zëra janë jehona e fundit e mendimit politik të Arbër Xhaferit, i cili, sot, po të ishte gjallë, do të turpërohej nga histeria salafiste e bashkatdhetarëve të tij kundër Berat Buzhalës. Ndërkaq ne sot duhet të ndihemi tepër keq që në vend të veprave të Arbër Xhaferit tek shqiptarët e Maqedonisë lexohen me zell skolastik tekstet e propagandës salafiste, e cila, në fund të ditës, injorantët i transformon në militantë të përkushtuar të xhihadit. Kjo përbën një degradim kulturor, në përmasat e një tragjedie për një komb që ka aspirata evropiane.

Në kontekst historik fenomeni i boshnjakizimit nuk është i panjohur për ne. Si pasojë e situatave në të cilat përkatësia fetare ka fituar terren përballë përkatësisë etnike ne kemi humbur një popullatë të tërë përgjatë Malit të Zi dhe rajonit të Sanxhakut, e cila është asimiluar në popullatën boshnjake. Teoria e orientalistit Hasan Kaleshi, se islamizimi i shpëtoi shqiptarët nga asimilimi sllav këtu jo vetëm që përgënjeshtrohet krejtësisht, por në fakt kemi një rast të qartë ku islamizimi ka shkaktuar asimilimin e shqiptarëve. Kur kjo kishte ndodhur ishin rrethana të vështira historike për shqiptarët, por të na përsëritet sot e njëjta histori është është e pafalshme për të gjithë ne që jemi gjallë dhe një kritikë për ata, që më 1912 nuk arritën ta shpallin pavarësinë kombëtare shqiptare në Shkup, qytetin më të madh shqiptar të asaj kohe.

Sot është e pafalshme të lejohet procesi i boshnjakizimit, përkatësia e tyre etnike humbet terren para përkatësisë së tyre religjioze, që do të thotë se religjioni bëhet dimensioni primar i identitetit të tyre.

Kur kjo kishte ndodhur ishin rrethana të vështira historike për shqiptarët, por të na përsëritet sot e njëjta histori është është e pafalshme për të gjithë ne që jemi gjallë dhe një kritikë për ata, që më 1912 nuk arritën ta shpallin pavarësinë kombëtare shqiptare në Shkup, qytetin më të madh shqiptar të asaj kohe.

Marrë nga gazetaekspress.com
Sigal