Bledi Dervishaj/ Shërimi i sistemit të drejtësisë

639
Dje kanë hyrë në fuqi ndryshimet Kushtetuese të procesit reformues në Drejtësi. Nga dita e djeshme kemi bazën e shëndoshë ligjore për të realizuar ndryshime pozitive në sistemin e mbrojtjes dhe dhënies së të drejtës. Edhe pse kushtetutën e kemi ndryshuar disa herë, në mos gabofsha është i vetmi ndryshim në kushtetutë i miratuar nga të gjithë ligjbërësit me votë unanime (140 Pro), çka është një ogur i mirë dhe një mundësi për të rishprehur mirënjohjen për gjithë ata që e bënë të mundur këtë. Kur po niste ky proces, në tryezat e para konsultative në tetor 2014, një mik i nderuar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, na dha publikisht disa këshilla, në formë recete që mesa duket, i kemi marrë parasysh, dhe që po na japin efekte pozitive. Më kujtohet shumë mirë ai qëndrim aq miqësor i diplomatit të nderuar, që me qetësinë dhe urtësinë e tij, na referoi publikisht ndër të tjera se: “Reforma në drejtësi është koncept i thellë dhe i gjithanshëm… Ka një pritshmëri nga shqiptarët dhe bashkësia europiane, që kjo reformë do të sjellë ndryshime të vërteta. Është e rëndësishme që mazhoranca të vendosë tonin e duhur, duke iu përqasur të gjitha grupeve të interesit, si dhe opozitës në mënyrë të sinqertë. Ne e nxisim qeverinë që të ndjekë udhërrëfyesin e BE-së. Gjithashtu, i takon opozitës që të mbajë një situatë të shëndetshme… Është e qartë se mbështetja kombëtare dhe ndërkombëtare është e disponueshme për këtë reformë.

Sigal

Në përfundim, tha personaliteti i huaj, dua t’ju lë një recetë.

1. Së pari, duhet që të merrni hapa të matur, sepse reforma është një proces dhe jo një maratonë shpejtësie: Procesi për reformën në drejtësi duhet të jetë tërësor dhe gjithëpërfshirës;
2. Udhërrëfyesi i BE-së duhet të jetë orientuesi kyç;
3. Reforma duhet të përfshijë të gjithë aktorët;
4. Të kërkohet pjesëmarrja e Komisionit të Venecias;
5. Procesi nuk duhet të politizohet, por të jetë konsekuent me nevojat e qytetarëve shqiptarë”.”.
6. Me kaq, e shumë fjalë të tjera të mençura, e mbylli fjalën e tij personaliteti i lartë i huaj.
Sot me shumë kënaqësi, kur ligji kryesor, baza e reformës, është votuar dhe kjo votë PRO reformës u dha në mënyrën më konsensuale të mundshme, mund të thuhet se vërtetë ka filluar shërimi, shërimi i sistemit të drejtësisë, shërimi ynë.
Së pari, deri tani kemi realizuar hapa të matur;
Së dyti, kemi filluar të dëgjojmë dhe pyesim njeri-tjetrin, por dhe të na dëgjojnë miqtë, e të tjerë ;
Kemi ndjekur dhe duhet të vazhdojmë të ndjekim rrugën më të mirë për të realizuar punën që kemi nisur. Së bashku përfshi këtu, edhe vet të sëmurin, kemi gjetur diagnozën e saktë. Kemi pyetur dhe kemi marrë mendimin e më të mirëve, se si mund ta realizojmë këtë shërim, sa më shpejt, dhe ashtu siç duhet. Kemi pyetur të gjithë, se cilat janë nevojat e tyre, dhe cili është ilaçi më i mirë për rritjen e besimit ndaj sistemit. Një sistem drejtësie i pastër dhe i shëndoshë e mban shoqërinë të tillë, dhe promovon vlerat më të mira të saj. Jam besimplotë se po të vazhdojmë me përpjekje të përbashkëta e të sinqerta, mund ta jetësojmë me sukses këtë reformë.