Bizesmeni i floririt që futi në sherr SHBA me Erdoganin

598
Nga David Ignatius

Personi kyç i mosmarrëveshjeve SHBA-Turqi do të përballet me drejtësinë
Një nga pikat kyçe të përkeqësimit të marrëdhënieve dhe tensioneve në rritje ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë, është pikërisht insistimi i i presidentit të zemëruar, Rexhep Tajjip Erdogan, i cili në mënyrë të përsëritur kërkon që prokurorët amerikanë të tërheqin akuzat ndaj biznesmenit turko-iranian të floririt, i cili pritet të dalë para gjykatësve për akuzat e pastrimit të parave dhe mashtrimit në shumë të mëdha. Kundërshtitë u shfaqën qartazi të enjten, ndërsa presidenti Erdogan protestoi hapur gjatë një konference për mediet në Ankara, kur tha se biznesmeni, Reza Zarrab po detyrohej të bënte “dëshmi të rremë” për disa çështje korrupsioni. Turqia alarmoi Uashingtonin duke arrestuar një zyrtar të konsullatës amerikane në Turqi javën e kaluar, në atë që disa zyrtarë amerikanë i druhen, se kjo ishte një manovër, të cilën autoritetet turke po përpiqen ta përdorin për të imponuar lirimin e Zarrab para fillimit të gjyqit të tij parashikuar të zhvillohet me 27 nëntorit në Nju Jork. Zyrtarët turq dhe ato amerikanë pritet të takohen të takohen javën e ardhshme për bisedime dypalëshe, një përpjekje kjo për të shtensionuar tensionet mes palëve. Por, çfarë pisllëqesh mund të rrëfejë Zarrab para gjykatësve? Seanca e paraqitjes së pretencës së prokurorit të çështjes, Pret Bharara, e zhvilluar në muajin maj të vitit të kaluar, hedh më shumë dritë mbi këtë çështje. Duke cituar një raport të prokurorëve turk, të dhjetorit të vitit 2013, MEMO-ja e prokurorit Bharara thekson se, provat e prokurorëve turq “përfshijnë një përshkrim të detajuar të një skeme të gjerë ryshfeti dhe korrupsioni, e zbatuar nga Zarrab dhe disa persona të tjerë, të cilët kanë paguar dhjetëra milionë dollarë dhe euro ryshfete për zyrtarë të lartë të qeverisë dhe disa drejtues të lartë të një banke qeveritare, për të krijuar lehtësira për rrjetin e Zarrab dhe kryerjen e transaksioneve në favor të qeverisë iraniane “duke shmangur sanksionet amerikane kundër Iranit”. MEMO-ja e prokurorit Bharara thekson se këto “përfundime janë konfirmuar dhe nga e-mailet e siguruara nga hetimet e kryera nga FBI” për të njëjtën çështje. Fushata e Erdoganit për të liruar Zarrab ka qenë vërtetë e jashtëzakonshme. Gjatë një takimi privat me Zëvendëspresidentin e atëhershëm të SHBA-ve, Joe Biden, takim i zhvilluar me 21 shtator 2016, në të cilin zyrtarët e SHBA-ve thanë se gjysma e bisedës 90-minutëshe i ishte kushtuar pikërisht çështjes së Zarrab, ai insistoi në lirimin e tij dhe shkarkimin e prokurorit Bharara, Dhe gruaja e Erdoganit gjithashtu diskutoi të njëjtën çështje dhe u shpreh në mbrojtje të biznesmenit turko-iranian po atë natë me Jill Biden. Ministri i atëhershëm i drejtësisë i Turqisë, Bekir Bozdag, vizitoi në tetor prokurorin e atëhershëm Loretta E. Lynch, për të argumentuar, se çështja në fjalë nuk ishte “e bazuar në asnjë provë” dhe, se sipas tij, Zarrab duhet të lirohej. Erdogan apeloi personalisht për çështjen në fjalë dhe gjatë dy bisedave të fundit telefonike me presidentin, Barak Obama, në dhjetor dhe në fillim të janarit, kërkoi lirimin e tij, thonë ish-ndihmësit e presidentit. “Nga ajo që kuptohej nga insistimi i tij për çështjen në fjalë, obsesioni i Erdoganit për këtë çështje kishte të bënte me faktin se, nëse gjërave do u shkohej deri në fund, do të publikoheshin informacione që do të dëmtonte familjen e tij, dhe në fund të fundit, dhe atë personalisht”, tha një ish-zyrtar i lartë i administratës Obama. Qeveria e Erdoganit forcoi marrëdhëniet me ekipin e Donald Trump që para zgjedhjeve presidenciale. Michael Flynn, asokohe ndihmës i fushatës së presidentit Trump, u punësua si lobist pro-turk dhe firma e tij vazhdoi të merrte para nga Turqia dhe gjatë periudhës së tranzicionit të pushtit. Pasi Flynn dha dorëheqjen nga posti i tij i Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare në shkurt të këtij viti, turqit filluan të punonin me Rudy Giulianin, një këshilltar dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Trump. Çështja në fjalë është tejet jetike për Erdoganin, sepse pikërisht kjo çështje ishte bërë shkak për “përplasjen” me klerikun turk që jeton në ekzil në Pensilvani. Erdogan fajëson ndjekësit e Gylenit për grumbullimin dhe publikimin e provave në dhjetor të vitit 2013 për Zarrab, dhe mediat turke në atë kohë raportonin se çështja në fjalë përfshinte akuza dhe prova edhe kundër familjarëve të Erdoganit. Kur Erdogan u takua me Biden një vit më parë, ai pretendoi se Bharara ishte një mashë e gulenistëve, thekson një ish-zyrtari i administratës. Përfshirja e Giulianit është vetëm një prej shumë aspekteve të pazakonshme të këtij rasti. Ai kontaktoi Bhararën më 24 shkurt për ta informuar se kishte planifikuar të udhëtonte për në Ankara në emër të Zarrab. Trump pushoi Bharara në mars; dhe gjatë kësaj periudhe, Giuliani filloi të shtonte presionin ndaj Departamentit të Drejtësisë për “disa marrëveshje midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë”, për të mbështetur “interesat e sigurisë” amerikane si dhe për të ndihmuar Zarrabin, tha Giuliani në dëshminë e tij në gjykatë. Pavarësisht përpjekjeve të shumta për të ndaluar ndjekjen penale, çështja ndaj tij vazhdoi dhe madje akt-akuza u zgjerua dhe u plotësua dhe me detaje të tjera muajin e kaluar, duke përfshirë dhe një ish-ministër të kabinetit të qeverisë turke dhe tre ish-drejtues të tjerë të një banke në pronësi në të qeverisë. Më vonë, Ministri i Drejtësisë, Bozdag më 11 shtator dënoi akuzat e reja të përfshira në dosjen e kësaj çështjeje, duke i cilësuar si një tjetër “përpjekje për grusht shteti”. Erdogan thotë se pas akuzave të dhjetorit të vitit 2013 qëndrojnë gylenistët, të cilët sipas tij kanë komplotuar kundër rrethit të tij të brendshëm dhe i akuzon ata si organizatorë të tentativës së dështuar të grushtit të shtetit të korrikut të vitit të kaluar. Erdogani mund të ketë shpresuar se Trump do të mbështeste shtysën e tij për të çliruar nga akuzat Zarrabin. Dhe Trump fillimisht dukej se simpatizonte homologun e tij turk, duke e ftuar atë në Uashington për një takim në maj të këtij viti. Por, kjo vizitë u shndërrua në një problem jo të vogël që dëmtoi imazhin e këtij takimi, kur rojet e sigurisë së Erdoganit sulmuan protestuesit jashtë rezidencës së ambasadorit turk; dhe hapësira e manovrimit të Trump kohët e fundit është ngushtuar ndjeshëm dhe për shkak të hetimeve që rrethojnë administratën e tij. Disa zyrtarë amerikanë i druhen faktit se Erdogani po përpiqet të përdorë arrestimin e pastorit Andreu Brunson, i arrestuar një vit më parë, i akuzuar si mbështetës i Gylenit dhe arrestimin javën e kaluar të Metin Topuz, një punonjës i përhershëm i konsullatës amerikane në Stamboll, për të cilin një gazetë turke pretendonte se ishte në kontakte me një prokuror pro Gylenit në vitin 2013. Dhe Erdogan vetë sugjeroi muajin e kaluar një shkëmbim të Brunson me Gylenin. Fraza “aleat i NATO-s” përsëritet aq shpesh për Turqinë, saqë errëson shumë prej veprime kontradiktore dhe autokratike të ndodhura kohët e fundit në Turqi. Uashingtoni është realisht i shqetësuar për atë që mund të ndodhë në të ardhmen. 

Lidhja: https://www.washingtonpost.com/amphtml/opinions/global-opinions/the-man-at-the-crux-the-of-us-turkey-dispute-is-about-to-go-on-trial/2017/10/12/92c4c7a2-af96-11e7-be94-fabb0f1e9ffb_story.html
Washington Post
Sigal