Biblioteka “Mitrush Kuteli” e qytetit të Pogradecit, në kushte skandaloze

2429
Bardhyl Berberi
Në zemër të qytetit në qendrën kulturore “Lasgush Poradeci” në katin e dytë të saj ndodhet biblioteka e qytetit, e cila mban emrin e mjeshtrit të prozës shqipe: “Mitrush Kutelit”, por përveç emrit të Kutelit që mban kjo bibliotekë aty gjithçka është jashtë normalitetit; pa ngrohje dhe me tavane që kullojnë ujë, pa u futur tek fondet ku ka 8 vjet që nuk është futur asnjë libër në këtë bibliotekë. Thuhet që këtë vit Bashkia ka akorduar 240 mijë lekë, por drejtoresha e kësaj qendre, Dasara Xhangolli na thotë, se ky fond nuk do të përdoret se është i ngrirë nga borxhet! Po le të ndalemi konkretisht. Sapo futesh nëpër sallat e bibliotekës do të ndeshësh me mure me suva të rrëzuara nga lagështira. Në sallën kryesore të librit shqip tavanet kullojnë ujë dhe duhet një çadër që mos të bjerë uji në kokë. Aty nuk sheh këmbë lexuesi. I ftohti i madh, temperaturat e ulëta dhe dëbora me shiun që të bie mbi kokë, e bëjnë të pamundur qëndrimin nëpër tre ambientet e kësaj biblioteke.

Drejtuesit e bibliotekës na thotë se gjatë këtyre ditëve të ftohta në mungesë të ngrohjes ka rënë numri i lexuesve, për të mos thënë, se nuk shkel këmbë lexuesi dhe për vetë faktin se në ditët me shi dhe dëborë tavanet kullojnë ujë dhe aty mund të lexosh vetëm me çadër e duke pasur nëpër këmbë kova që mbushen nga tavanet që kullojnë.

Po kaq dramatike është situate edhe në seksionin e fëmijëve. Salla pa ngrohje dhe tavane që kullojnë ujë pa pushim. Edhe këtu nuk gjetëm asnjë lexues të vogël. Të vjen vërtet keq kur mëson se në këtë bibliotekë nuk ndodhet një rrjet kompjuterik, pa folur për të pasur internet! Por telashet në këtë bibliotekë nuk kanë të sosur! Fondi i librave është krejt qesharak. Ka tetë vjet që Bashkia nuk ka sjellë asnjë titull libri. Madje edhe kur ka blerë para tetë vjetësh ndonjë titull i ka blerë shkrimtarë të panjohur dhe që shkruajnë për herë të parë që nuk kanë asnjë vlerë për lexuesit, por që janë miq të drejtuesve të kulturës dhe bëjnë bamirësi duke blerë këto libra tip “limonata”! Ka një lajm se është miratuar një fond që të rregullohet tarraca, por nuk i dihet, sepse edhe para disa vitesh u miratua një fond, por nuk u zbatua dhe fondi duket se iku në drejtim të paditur… Përgjegjësia e financës pranë qendrës kulturore A. Shkullaku e pyetur rreth këtij problemi na thotë se, fondi miratohet nga Bashkia dhe ata janë të pafuqishëm për të blerë libra të rinj për bibliotekën e qytetit. Gjatë vitit që kaloi kishim një fond shumë të vogël për bibliotekën “Mitrush Kuteli”, vetëm për blerjen e pesë gazetave ditore të shtypit qendror dhe dy revista, mendo se çfarë ngelet për libra. Për vitin 2018, thotë ajo, ende nuk më ka ardhur se sa është fondi për bibliotekën por nuk besoj se do të ketë ndonjë fond serioz për bibliotekën e qytetit. Por problem ngelet ngrohja, e cila mungon nëpër sallat e bibliotekës telashet në këtë bibliotekë nuk kanë të sosur. Por e vërteta është se këtu ka jo pak probleme. Këtu ka dy punonjëse të talentuara të kësaj biblioteke që kanë dekada që punojnë në këtë bibliotekë të cilat ndonëse edhe me një pagë modeste ato mundohen të bëjnë diçka! Biblioteka “Mitrush Kuteli” e qytetit të Pogradecit me 55 mijë banorë ka 17020 tituj librash dhe një fond prej 37746. Në evidencën zyrtare gjenden 25558 libra të tërhequr nga lexuesit ndërsa anëtarë të regjistruar në këtë bibliotekë janë 11360…

Biblioteka “Mitrush Kuteli” e lënë pas dore nga Bashkia e qytetit nga ajo varet, jo vetëm që nuk rrezaton kulturë, por është ambient kulturor më pa kulturë që ka qyteti i Pogradecit. Ka shumë qytetarë të indinjuar, të cilët shprehen, se të lesh pas dore bibliotekën e qytetit që mban emrin e gjeniut të letrave shqipe “Mitrush Kuteli” në këtë gjendje do të thotë të përdhosësh emrin e tij, madje jo vetëm që nuk e nderon emrin e tij por e turpëron. Më mirë do të ishte që t`i hiqnin emrin e Kutelit se sa të përdhosnin me këtë ambient skandaloz.

Diçka që mund dhe duhet ndrequr sa më parë: Zotërinj të Bashkisë që paguheni me lekët e taksapaguesve, mos harroni se “Libri ka ndryshuar mendjet e njerëzimit dhe më pas mendjet kanë ndryshuar botën”! Pogradeci i gjigantëve të letrave shqipe, Pogradeci që me të drejtë mburret me këtë dy gjeni, Lasgush Poradecin dhe Mitrush Kutelin a nuk meriton të shihni edhe një aspekt tjetër? Ju që keni bërë ndriçimin “modern” të qytetit nuk gjetët dy ndriçues për këto dy monumente, që në orët e mbrëmjes të mos duken si hije të stërzgjatura në bregun e liqenit?! 


Sigal