Bexhet Zeqiri & Alush Zaçe/ Buxheti Shtetëror Publik dhe auditimi i shpenzimeve nga KLSH

648
Buxheti publik i Shtetit përfaqëson dokumentin themelor të financave të shtetit, ku ai reflekton anën politike, ekonomike dhe financiare të shtetit; ai është plani dhe veprimtaria e shtetit për vitin e ardhshëm fiskal. Ligji i buxhetit të shtetit është një program financiar për vitin e ardhshëm fiskal në të cilin shteti kryen funksionet e tij dhe realizon veprimtarinë e tij në fushat ekonomike, sociale dhe politike.
Që nga koha e Perandorisë Romake, nisur nga shtrirja e saj e gjerë territoriale, mbajtja e të ardhurave dhe shpenzimeve është mbajtur kryesisht në dy përmbledhëse të veçanta të deklaratave financiare. 
Origjina historike e buxhetit publik fillon kur populli jep pëlqimin paraprak në mbledhjen e të ardhurave dhe shpenzimet shtetërore, përmes përfaqësuesve të tij d.m.th ku asnjë taksë nuk caktohet, pa pëlqimin paraprak të popullit nëpërmjet përfaqësuesve të tij. Gjithashtu, këto fonde shpenzohen vetëm pas diskutimit nga përfaqësuesit e popullit. Britania ishte djepi i këtyre kërkesave. Koncepti modern i buxhetit publik ka qenë prej kohësh i lidhur me atë të shtetit modern. Së pari u çfaq në Britani dhe më pas në Francë ku zhvillohet më tej dhe përmirësohet në agun e të mirënjohurit, Revolucionit Francez i v. 1789. Një ndër përmirësimet e tij është se legjislativi nuk kënaqet vetëm me diskutimin e të ardhurave dhe shpenzimeve publike, por punon edhe për të realizuar të drejtën e tij, të kontrollit mbi ekzekutivin nëpërmjet mënyrës së përdorimit fondeve publike. Parimi i buxhetit publik vjetor konsiderohet si bazë për sistemin parlamentar, me të cilin parlamenti mund të ushtrojë kontrollin legjislative mbi operacionet qeveritare. Buxheti publik përfshin punën e vërtetë të qeverisë, brenda një kohe të caktuar. Kështu, suksesi i një qeverie nuk mund të gjykohet pa shqyrtuar buxhetin publik. Ky parim përdoret për të analizuar zbatimin e programit të qeverisë gjatë një periudhe të caktuar.
Kapitali është i ekspozuara ndaj luhatjeve ekonomike që shfaqen me periudhat e begatisë dhe recesionit ose ciklet ekonomike. Prandaj disa ekonomistë sugjerojnë përgatitjen e buxhetit publik për një periudhë që vazhdon për tërë ciklin ekonomik, i cili zakonisht shkon 7 deri 10 vjet. Nëpërmjet këtij buxheti, shteti mund të ndërhyjë për të trajtuar ndikimet e dëmshme ekonomike të ciklit ekonomik dhe të arrijë një ekuilibër duke realizuar më shumë të ardhura se shpenzime, duke krijuar kështu rezerva të cilat ruhen në një fond të veçantë, gjatë periudhës së begatisë. Në periudhën e recesionit, shteti ndërhyn nëpërmjet buxhetit publik për të rritur shpenzimet dhe në këtë rast Shteti mund të përdorë çfarë është kursyer në periudhën e begatisë, borxhin publik si dhe emetimin e parasë për realizimin e shpenzimeve.
Për përmirësimin e planifikimit dhe ristrukturimin e shpenzimeve publike, struktura duhet të ndërtohet mbi bazën e programeve të hollësishme. Për të përcaktuar nomenklaturën e strukturës, çdo ministri duhet të vlerësojë në detaje nevojat e saj dhe të propozojë një strukturë programesh. Numri i programeve duhet të jetë i tillë që të garantojë arritjen e objektivave. Përveç kësaj duhet të ketë të paktën një tregues i cili të matë rezultatet që priten nga secili objektiv i paracaktuar me qëllim që me mbylljen e vitit buxhetor të vlerësohet përmbushja e objektivave të miratuara në buxhet. 
Gjatë vitit 2014 nga auditimet e ushtruara nga KLSH për shpenzimet buxhetore në Ministritë dhe institucionet në nivel qendror rezulton një dëm ekonomik rreth 3.043 milionë lekë, nga të cilat 70 % ose 2 088 milionë lekë përfaqëson dëmin e evidentuar nga shkeljet e ligjshmërisë nga shitja e pasurisë dhe dhënia e objekteve me qira dhe me koncesion të pronës shtetërore, ndërsa 30 % e dëmit është zbuluar në shkeljet e ligjshmërisë për pagat dhe shpërblimet, në shpenzimet operative në prokurime, etj. Nisur nga këto zbulime rezulton se ligji “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë” është lehtësisht i thyeshëm nga pikëpamja e vendimmarrjes parlamentare, si dhe referuar faktit që ky ligj është në fazën e ndryshimit dhe rishikimit të tij nga Ministria e Financave, prandaj KLSH ka rekomanduar: 
Shqyrtimin e ndryshimeve të parashikuara në Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020 të ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” dhe miratimi i tij në Kuvend të bëhet me një shumicë të cilësuar parlamentare. Gjithashtu për disiplinimin e shpenzimeve KLSH ka rekomanduar, që në ligjin e mësipërm të përcaktohet që të ardhurat nga privatizimet duhet të përdoren së pari dhe kryesisht për të ulur borxhin publik, ku 50% të jetë kufiri i poshtëm, dhe pjesa tjetër prej 30 % të përdoret për financimin e investimeve kapitale si dhe 20% për dëmshpërblimin ligjor të ish të përndjekurve politikë. Përgjatë vitit 2014 KLSH ka sjelle në vëmendje të Kuvendit faktin se situatat buxhetore janë karakterizuar nga projeksione mjaft optimiste gjë e cila ka sjellë krijimin e një hendeku të thellë midis objektivave të planifikuara me ato të realizuara dhe që në mënyrë të pashmangshme ka çuar në rishikimin e treguesve buxhetore gjatë ekzekutimit të buxhetit. Po kështu në funksion të promovimit të një qëndrueshmërie dhe kredibiliteti të financave publike; të përmirësimit të planifikimit të performancës fiskale, të projeksioneve makroekonomike dhe parashikimeve buxhetore; ka rekomanduar ndërmarrjen e iniciativës ligjore për ngritjen e një Këshilli Fiskal i cili duhet të gëzojë statusin e një institucioni publik të pavarur, dhe që duhet të ketë një pavarësi operacionale shumë strikte e rigoroze nga politika. 
Lidhur me miradministrimin e shpenzimeve publike i është propozuar Ministrisë së Financave të ndërmarrë të gjitha masat për ngritjen e një grupi pune për hartimin e Ligjit “Mbi përgjegjësinë materiale” në të cilën të trajtohet përgjegjësia financiare e punonjësve të njësive publike (zyrtarët e lartë dhe punonjësit e të gjithë niveleve) për dëmet ekonomike të shkaktuara qëllimisht apo nga neglizhenca, gjatë ose në lidhje me procesin e ekzekutimit të detyrave zyrtare. Në vijimësi KLSH do të kërkojë në rrugë ligjore, zbatimin maksimalisht të rekomandimeve tona lidhur me menaxhimin e shpenzimeve publike, veçanërisht zbatimin e rekomandimeve ndaj drejtuesve të mesëm apo të lartë të pa aftë apo të korruptuar të njësive publike të audituara, duke kontribuar në forcimin kulturës së ndëshkueshmërisë në administratën publike.
Sigal