Besim Shyti: Po të shkruaj nga shtrati, o Mark Marku. Më ke befasuar me atë deklaratë!

722
Po të drejtohem me vonesë o Mark Marku! U mendova gjatë dhe u thellova gjatë tek ajo çfarë ke thënë për Dritëro Agollin tek gazeta Panorama e datës 12 shkurtit dhe të them të drejtën u befasova. Nuk ishte një mendim intelektuali, por i një politikani inatçi. Je shprehur se Dritëro Agolli është fajtor sa dhe Enver Hoxha për pushkatimin e poetëve Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Avzi Nelaj. Pse ti mendon, se lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve merrej me dënimet? Ajo ishte thjesht një organizatë shoqërore si Fronti Demokratik, Bashkimet Profesionale, Organizata e Rinisë dhe ajo e Gruas, po kush i pyeste ato për ato punë. Regjimi kishte ligjet e veta dhe organet e veta që merreshin me zbulimet e veprimtarive subversive dhe dënimet. Sa për realizmin socialist ke të drejtë veprimtaria e tij letrare ashtu është, por kush nuk ka vepra të realizmit socialist nga krijuesit e asaj kohe? Koha hyn gradualisht në krijimtari ashtu siç hyn dhe pluralizmi politik. Pse për çfarë po shkruhet tani, nuk po shahet ajo kohë dhe po lavdërohet kjo anarshia e sotme, se demokraci nuk është? Pastaj në atë kohë nuk krijoi vetëm Driteroi, krijuan dhe të tjerë me atë metodë, krijoi Ismail Kadareja. Edhe ky ish komunist si Drithëroi, ish deputet, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, nënkryetar i Frontit Demokratik, organizatës më të madhe politike, që përmblidhte në gjirin e saj tërë popullin shqiptar, përfshi dhe organizatat e tjera. Pse nuk thua ndonjë gjë për Ismailin apo pret të vdesë. Akuza pas vdekjes është më keq se vrasja pas shpine. Unë po të sjell dy pasazhe prej të dyve me që kanë qenë më të mëdhenjtë e asaj kohe, bile Ismaili më i preferuari për kontributin letrar, që ishte njeriu që rrinte më shumë në Francë se në Shqipëri. Dritëroi tek poema Nënë Shqipëri ka thurur vargjet:
Për Enver Hoxhën vargje thur tërë jetën, 
Se bukë i dha nëna me dhallë 
Na puthi ne fëmijët e rreckosur
Na puthi ne fëmijët mu në ballë. 
Kurse Ismaili në vëllimin poetik Koha botuar në vitin 1976 tek poezia Partia ime shkruan:
Unë me perënditë greke qesh, 
Me perënditë indiane qesh, 
Me ty jam i lartë si malet, 
Pa ty si një gogël vdes. 
Ku dallojnë këta të dy që krijuan në kohën e realizmit socialist? Po të lexosh oponencën e librit me poezi të Naim Frashërit do të gjesh se çfarë thotë Ismaili për socializmin partinë dhe Enver Hoxhën. Ndërsa në oponencën e vëllimit të parë të serisë “Heronj të heshtur” do të gjesh çfarë shkruan për heronjtë e sigurimit. Kurse djemtë dhe vajzat që rrezikuan jetën mbi muret e ambasadave i quajti, jashtëqitja e kombit. I solla këto dy figura, sepse këta kanë dominuar fushën e krijimtarisë letrare të asaj kohe. Më vjen keq, por në gjykimin tuaj nuk shoh intelektualin, jo se jo, por as analistin e vetvetes. E di që ju do thoni, se Ismaili është distancuar. Po, por kjo ka të bëjë me karakterin e njeriut si e bën distancimin, e bën se e ndjen dhe korrigjon veprime në të ardhmen apo mohon çfarë ke bërë, duke ia hedhur fajin regjimit për të cilin ke krijuar nga frika për të larë veten, apo t’u qëndrosh atyre që ke bërë dhe të bësh ndryshimin në të ardhmen, ata të dy e kanë bërë distancimin, por secili sipas mënyrës së vet. Realizmi socialist nuk ka vetëm të këqija, ka dhe të mira, ato duhen ruajtur se ndryshe mbeten pesëdhjetë vjet pa letërsi. Përfundimisht ke dalë jashtë logjikës së një intelektuali, duke bërë fajtor sa diktatorin dhe një kryetar shoqate pavarësisht se ato ishin krijuar nga regjimi për t’i kontrolluar, por jo për t’i pyetur. Do kisha dëshirë t’i kërkonit falje familjes se atij njeriu të madh. 
Sigal