Besim Shyti: Çadra e Lirisë apo…!?

546
A mundet t’u besojë populli këtyre, që kur kanë qenë ne fuqi, i kanë vjedhur votat, kanë shkatërruar dhe kanë vrarë njerëz? 
Jam menduar shumë për çadrën e PD-së, me gjithë që fshati që duket, s’do kallauz -thotë populli, unë jam përpjekur të gjej diçka të mirë, diçka pozitive që të premtojë diçka të mirë për këtë vend. Kam pritur gjatë por nuk shoh asgjë të re. Fjalët e kryetarit të PD-së janë po ato; o qeveri teknike, o rrugë tjetër s’ka.

Lëvizja është për të përshëndetur për evitimin e dhunës dhe korrektësinë paqësore. Për këtë e përgëzoj dhe po të ishte se ajo do ishte një lëvizje qytetare si ajo kundër helmeve, ndofta do ta përkrahja me gjithë zemër, por kjo lloj lëvizjeje është organizuar nga PD-ja dhe unë kam një shije të hidhur nga kjo parti dhe udhëheqësi shpirtëror i saj, për të mos thënë kryetari de fakto i saj, se Lulëzim Basha është zëri i kryetarit de fakto, është zëdhënësi i tij. Kështu që unë mbetem mosbesues tek Çadra e Lirisë, sepse nuk mund të sjellë liri as PD-ja, as lidershipi i saj, zëdhënësi i tij, jo se jo. Nga se nisem që nuk besoj? Kjo nuk është mençuria e kryetarit de jure, por skenar i kryetarit de fakto, ai tërë kohën kështu ka ecur me të hedhur.

Gjithkush që do t’i hidhte një sy rrugës së PD-së do bindej, pse. Lidershipi i PD-së rrëmbeu meritat e një lëvizjeje qytetare siç qe ajo e studentëve për ndryshimin e regjimit, veproi me dredhi dhe ua hoqi studentëve PD-në nga duart. Pas kësaj ajo konkurroi në zgjedhjet e para pluraliste të marsit 1991, të cilat i fitoi PP, ndërsa PD i bojkotoi. Nga ai parlament u krijua qeveria Nano. PD përdori dhunën, organizoi protestën e Shkodrës, vrau pas shpine një nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore, Arben Brocin dhe shpërtheu dhunën që dogji komitetin e PP, ra qeveria Nano dhe u krijua qeveria e stabilitetit e përberë nga PP-PD me kryeministër Ylli Bufin dhe zëvendës Gramoz Pashkon. Por Berisha e donte pushtetin për vete, tërhoqi ministrat, krijoj krizë qeveritare dhe u kalua në qeveri teknike me kryeministër Vilson Ahmetin. Mbaj mend atëherë deklaratën e njërit nga ministrat e PD-së, Emin Mysliut që i tha Berishës: ”Mo e prish qeverinë, se pas kësaj unë shoh gjak”. Në zgjedhje e parakohshme në mars 1992, fitoi PD dhe krijoi qeverinë me kryeministër Aleksandër Meksin, vetë Berisha u bë president. Të parin futi në burg kryetarin e PS-së, Fatos Nanon dhe gazetarët Martin Leka, Aleksandër Frangaj, Flamur Matohitin, kryeredaktorin e “Zërit” Xhixhon, lejoi firmat piramidale që shkretuan vendin, shkeli embargon me Jugosllavinë dhe e furnizoi Milosheviçin me naftë e armë për të luftuar kundër popujve të tjerë përfshi dhe Kosovën. Vendosi një regjim policor dhe i mori me forcë zgjedhjet e vitit 1996, ua bëri të pamundur komisionerëve socialistë qëndrimin në komisione duke i keqtrajtuar me shikasit deri sa i detyronte të largohen. Rrahu dhe gjakosi protestuesit e partive opozitare duke përfshirë Servet Pellumbin, Arben Imamin, Edi Ramën, gazetarin Bardhok Lala e shumë të tjerë.

Rënia e firmave piramidale solli revoltën e popullit që kërkoi dorëheqjen e qeverisë dhe Presidentit. Berisha në vend të reagonte urdhëroi gjendjen e jashtëzakonshme. Në këto kushte të jashtëzakonshme u rizgjodh president për herë të dytë. Kjo e acaroi me tej gjendjen, sidomos në Vlorë. Berisha dërgoi Shikun dhe ushtrinë. Me këtë akt ai provokoi protestuesit që u hodhën mbi forcat e Shikut dhe dogjën komisariatin dhe tre shikas, ushtria nuk veproi kundër popullit. Protestuesit sulmuan bankat, institucionet. Shteti ra. Ndërhynë ndërkombëtarët dhe u krijua qeveria e pajtimit kombëtar me kryeministër, socialistin Bashkim Fino, që e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme në qershor 1997, të cilat u fituan nga PS. Më 14 shtator 1998, duke shfrytëzuar vrasjen e Azem Hajdarit, Sali Berisha me falangat e tij sulmoi institucionet qendrore dhe pushtoi me dhunë kryeministrinë, kryesine e kuvendit popullor dhe televizionin, por u detyrua të tërhiqet me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Në vitin 1999 kur zhvillohej lufta në Kosovë Berisha protestonte në Sheshin “Skënderbe” kundër qeverisë Majko. Zgjedhjet e 2009 i vodhi PD, këmbëngulja e PS për të hapur kutitë nuk u dëgjua dhe nuk u zbatua nga PD, përkundrazi në protestën e saj Berisha dhe Lulzim Basha vranë katër protestues. Në zgjedhjet vendore për Bashkinë e Tiranës, zhvilluar me 2010, Edi Rama fitoi me 10 vota më tepër, këtë e konfirmoi dhe ambasadori amerikan që ishte prezent, por doli Berisha me deklaratën, se kemi dhe ca vota të hedhura gabim dhe Ristani i gjeti ca vota më tepër për t’ia dhënë fitoren Lulzim Bashës.

Sali Berisha ka deklaruar sa herë në parlament për rrokje armësh, për revolucion, që do të thotë shkatërrim i vendit. Këtë transmeton nga çadra dhe Lulzim Basha, luftë, thyerje dyersh, heqje zvarrë. “Këta që vranë një herë, vrasin dhe me dorë të prerë” -ka thënë Çajupi.

A mundet t’u besojë populli këtyre, që kur kanë qenë ne fuqi, i kanë vjedhur votat, kanë shkatërruar dhe kanë vrarë njerëz? Ja pse populli nuk i mbështet, se thërret hajduti kapeni hajdutin.

Po marr dhe një aspekt pune. Saliu dhe Meksi e kthyen në nevojtore Tiranën, Rama e pastroi. Luli katër vjet nuk mbërtheu një dërrasë në ndenjëset e trotuareve, Veliaj po shtron rrugicat po ndërton lulishte dhe kënde lojërash për fëmijët, çerdhe e kopshte. Populli shikon dhe vlerëson. Bërtasin shumë për drogën por Lazaratin, jo që s’e prekën, por e mbrojtën kur ishin në pushtet. Nuk po flas për Gërdecin, Rrugën e kombit dhe marrëveshjen e detit që janë shkëmbinj të rëndë mbi shpinat e Berishës dhe Bashës. Dhe vetë populli e di që ata i tremben Vettingut, prandaj s’i mbështet.

Berisha ka skenarin e një 97 tjetër, prandaj ka bërë thirrje për lufte, për të rrokur armët në parlament dhe jashtë tij, thirrje për revolucion. Dhe Basha këtë po thotë me shprehjet; thyeni dyert, hiqini zvarrë. Këto thirrje janë jashtë çdo logjike, prandaj unë mendoj se ajo çadër nuk është e lirisë, por…druhem se mund të na çojë në Çadrën e skllavërisë.
Sigal