Berisha nuk e di se ligji për ndryshimin e Himnit është bërë që në vitin 2002

908
Sigal

Një ligj që daton në vitin 2002 me nr. 9826, thotë se: ‘Betim mbi flamur’, është teksti i Himnit Kombëtar

Një ditë pasi kryeministri i vendit, Sali Berisha, foli për ndryshim të Himnit të Flamurit, apo më mirë thënë për plotësimin e tij, studiuesit reagojnë. Arsyeja?! Kryeministri i vendit po kërkon diçka që zyrtarisht është çështje e zgjidhur dhe s’ka nevojë për t’u marrë më asnjë modalitet. Z.Berisha tha: “Të bisedohet edhe me akademinë, më institutin, me kompozitorët dhe himni duhet të kthehet në variantin e tij të plotë ashtu siç e shkroi Aleksandër Drenova”. Por kjo që kërkon kryeministri ka ndodhur tanimë. Një ligj që daton në vitin 2002 me numër 9826, e ka sqaruar këtë pikë dhe thotë shprehimisht se ‘Betim mbi flamur’, është teksti i himnit kombëtar. Profesor Shaban Sinani ka qenë në grupin e punës në hartimin e këtij ligji, i cili është miratuar më pas në unanimitet të plotë. Çka do të thotë se në variantin e vendosur, në ligjin e vitit 2002 që është në fuqi, gjithçka kërkon kryeministri është e kotë apo më mirë thënë, truku i  radhës. “Me Kushtetutën e vitit 1998, lindi detyrimi për hartimin e një ligji për himnin dhe simbolet kombëtare. U punua nga një grup i Akademisë së Shkencave me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për 2 vjet dhe më 22 korrik 2002 u miratua në Kuvend ky ligj, i cili duke mbajtur parasysh faktin se gjatë periudhës së komunizmit, himni këndohej deri në strofën e dytë dhe nuk vazhdohej më pas, për shkak se Republika e Shqipërisë ishte ateiste, u pa e udhës të theksohej që, teksti i Himnit të Flamurit të ishte teksti integral i shkruar nga Asdreni”-sqaron studiuesi Sinani këtë çështje. Çka do të thotë se ligji është aty, edhe strofa e hequr është po aty dhe në këtë rast, kryeministri i vendit thjesht duhet të informohet për këtë çështje. Sepse nuk ka nevojë as për këshillime me akademikët (të cilët e kanë kryer misionin e tyre në vitin 2002) dhe ca më pak me kompozitorët pasi nuk kërkohet krijimi i një muzike të re dhe asnjë ndërhyrje në nota. Kompozitori Gazmend Mullahi thotë: “Në këtë rast është thjesht dhe vetëm një kthim në këndimin e himnit në origjinal, jo vetëm që nuk ka nevojë për rishikim tani por sa mirë që do të kthehet ajo strofë pasi nga ana muzikore ishte e mangët kur nuk këndohej”.  Por nëse kthehemi në historishkrimin e Himnit të Flamurit, përshtypja e parë e të gjithë atyre që dëgjuan kryeministrin në mbledhjen e së enjtes mbrëma, menduan për një ndryshim të madh, një kërkesë nga kryeministri i vendit, Sali Berisha, në këtë 100-vjetor të pavarësimit të vendit, që tingëlloi si e pabërë dhe e padëgjuar më herët. Por në këtë rast fatmirësisht nuk të ketë një komision, një konkurs apo çfarëdo tjetër të këtij lloji për ndryshimin e Himnit. Por edhe nëse do të ishte kështu, kjo s’do të qe hera e parë, por hera e pestë prej ekzistencës së tij, në vitet 1907 kur është kënduar për herë të parë nga Kori Kishtar Shqiptar në Bukuresht, pjesë e të cilit ishin 30 të rinj shqiptarë. Apo më mirë thënë, ky do të jetë konkursi i pestë (në pastë një konkurs) që do të synojë ndryshim të Himnit Kombëtar. Dy ish-udhëheqës të këtij vendit, Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha kanë dashur ta bëjnë këtë gjë, vetëm se në asnjë rast nuk ka funksionuar, pasi vargjet dhe muzika e tij janë ngulitur, tani prej më shumë se një shekulli pasi ky himn daton më herët se sa vet pavarësia e vendit. Ishte viti 1922, kur për të parën herë u shpall konkursi ‘Himni Zyrtar Kombëtar’ nga Këshilli i Ministrave të asokohe. U shpallën edhe fitues tekstet e Ernest Koliqit dhe Kristo Floqit. Nuk ka asnjë dokument që ta vërtetojë këtë fakt, por studiuesja Valbona Karakaçi në librin e saj studimor ‘Himni Kombëtar i shqiptarëve’ shkruan se në këtë konkurs të parë, mendohet të ketë marrë pjesë edhe Asdreni. Pak dihet se me ç’tekst. Asgjë nuk ndodhi. Shqiptarët vijuan të këndonin himnin e krijuar në Bukuresht nga Asdreni, të ‘importuar’ në Shqipëri nga atdhetari Hil Mosi dhe i shpërndarë gjerësisht mandej. 15 vjet më vonë, në vitin 1937 një tjetër konkurs shpallet saktësisht për të njëjtën çështje nga Mbreti Zog i Shqipërisë së asokohe. Edhe këtë herë shpallen fitues dhe himni mbetet në letra. Pas çlirimit përsëritet e njëjta situatë. Një konkurs që daton në vitet 1945-1946 është në kërkim të një ‘Himni i Shqipërisë së Re’ me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos. Rezultati u bë i ditur me rastin e shpalljes së Shqipërisë Republikë më 11 Janar 1946. Himni pati interpretime të ndryshme sidomos nga kori i ushtrisë por kaq. Përpjekja e radhës, një sipërmarrje dhe investim pakëz më serioz daton në nisje të viteve ’70-të të shekullit të shkuar dhe investohen në këtë konkurs emrat më të njohur të letërsisë shqipe dhe muzikantët më të mirë. Më të mirët në këtë garë për të ‘mposhtur’ himnin kombëtar ish ai i krijuar nga Çesk Zadeja dhe Nikolla Zoraqi me poezi të Fatos Arapit, ‘E lirë u ngrit toka jonë’ dhe kënga e Pjetër Gacit, ‘Për ty atdhe’.  Marrën pjesë në konkurs poetë të tillë si Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi etj., dhe muzikantë si Çesk Zadeja, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Pjetër Gaci, Fehim Ibraimi etj. Përfundimi i gjithë këtyre orvatjeve dhe tentativave të konkurseve shtetërore është i qartë. Asgjë dhe askush nuk ka mundur dot ta zëvendësojë dhe ta ndryshojë atë që ka qenë prej vitit 1907 dhe vijon të jetë, Himni Kombëtar.

* Historishkrimi i Himnit Kombëtar Shqiptar

1907-1908: Themelohet në Bukuresht, Kori Kishtar Shqiptar në përbërje të të cilit janë 30 të rinj shqiptarë. Mitropolia rumune jep leje të mishërohet shqip në një kishë të vjetër të Bukureshtit të quajtur Shën Gjergji i Vjetër. Për këtë kor dhe nga ky kor do të këndohet për herë të parë Himni Kombëtar Shqiptar.

1908-1909: Himni dërgohet për herë të parë në atdhe nga kolonia shqiptare e Bukureshtit në vitin 1908 përmes Tashko Ilos dhe Hil Mosit. Kur ndodhej përkohësisht në gjirin e shoqërisë Bashkimi, atdhetari Hil Mosi, e dëgjoi këtë himn, e pëlqeu dhe e solli së andejmi në Korçë ku e përhapi nëpërmjet anëtarëve të shoqërisë Vllazëria. Mësimi dhe përhapja e himnit filloi nga Korça në të gjithë Shqipërinë përmes mësimit të këngës.

21 prill 1912: Për të parën herë tekstin origjinal të Himnit të Flamurit shkruar nga Asdreni me titullin Betimi mbi flamur, e ndeshim në gazetën Liri e Shqipërisë, në Sofje.

28 nëntor 1912: Himni këndohet në ditën e shpalljes së pavarësisë si marsh patriotik.

28 nëntor 1913: Mbërrin në Vlorë me rastin e përvjetorit të pavarësisë, orkestra frymore e qytetit të Shkodrës, Daulla drejtuar nga Frano Ndoja. Banda interpreton ndër të tjera në një koncert publik edhe himnin kombëtar.

Shkurt 1919: Tingujt e himnit përcjellin për në shtëpinë e fundit, në varrezat e Kaninës, Ismail Qemalin.

-Konkurset për Himnin

1922: Këshilli i Ministrave shpall konkursin për Himnin Zyrtar Kombëtar. Tekstet e Ernest Koliqit dhe Kristo Floqit shpallen si më të mirët. Në këtë konkurs mendohet të ketë marrë pjesë edhe Asdreni.

1937: Si pjesë e aktiviteteve për 25-vjetorin e vetëqeverisjes, organizohet një tjetër konkurs për himnin kombëtar. Fitues i konkursit kur morën pjesë 76 krijime shpallet himni i Beqir Çelës me pseudonim Osoja i ri. Më pas pati edhe një konkurs për muzikën ku u shpall fitues një kompozitor italian E.A. Mario  por edhe për këtë nuk pati vendim zyrtar të mëtejshëm.

1945-1946: Organizohet konkursi i parë shtetëror për himnin kombëtar. Fitues shpallet ‘Himni i Shqipërisë së Re’,me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos. Rezultati u bë i ditur me rastin e shpalljes së Shqipërisë Republikë më 11 janar 1946. Himni pati interpretime të ndryshme sidomos nga kori i ushtrisë.

Fillimi i viteve ’70-të të shek. XX:

Këshilli i Ministrave, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, shpalli konkursin për Himnin e Republikës. Në fund u arrit në dy variante:

1. Himni i krijuar nga Çesk Zadeja dhe Nikolla Zoraqi me poezi të Fatos Arapit: E lirë u ngrit toka jonë.

2. Kënga e Pjetër Gacit, Për ty atdhe.

Marrin pjesë në konkurs poetë të tillë si Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi etj dhe muzikantë si: Çesk Zadeja, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Pjetër Gaci, Fehim Ibraimi etj.

1992: Himni Kombëtar rikonfirmohet si Himni i Flamurit pas ndryshimeve demokratike me ligjin ‘Për flamurin’. Në nenin 4 të Kushtetutës thuhet Himni Kombëtar është Himni i Flamurit.

*Marrë nga libri i studiueses Valbona Karakaçi,

“Himni Kombëtar i shqiptarëve”  botuar nga ‘Naimi’, Tiranë 2009.