Behxhet Sh.SHALA/ Për 2000 euro bëhesh kryetar komune !

523
Sigal

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 3 nëntorit 2013

Fytyrat e vjetra me premtime të reja: Fushata  parazgjedhore po vazhdon pa tensione të mëdha dhe mund të llogaritet relativisht e qetë. Në aspektin e sigurisë fizike për kandidatët, por edhe për votuesit e mundshëm. Është karakteristikë se numri i pjesëmarrësve është stabël, që nënkupton se disa subjekte politike e kanë mbështetjen e një trupi votues tradicional.  Kanë votues të parapaguar. Përjashtim bën veriu i Kosovës, ku është rikthyer koha e Boshko Buhës, hedhësit legjendar të bombave në Luftën e Dytë Botërore. Pa pasoja në njerëz dhe jam i sigurt pa pasoja edhe në rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve. Sepse, eparhu i Eparhisë Rashko – Prizrensko  ( i maskuar si Kryeministër i Serbisë ) Ati Ivica Daçiq, në Kishën e Graçanicës, gjatë një liturgjie fetare, thirri votuesit serbë të votojnë për Zajedniçka Republika Listën Srbska nëse duan t’i shërbejnë Serbisë dhe ta kenë Serbinë në Kosovë! Karakteristikë e kësaj fushate është se premtimet që po bëhen, ndërlidhen kryesisht me zgjedhjet parlamentare, prandaj edhe i llogaris si zgjedhje të përgjithshme. Gjithashtu, është interesant, se fushatat po udhëhiqen kryesisht nga liderët e subjekteve politike që pretendojnë të dalin fitues. Kandidatët e nominuar rrinë të paluar si nuset ditën e hënë, kur vizitohen nga gratë e mëhallës që presin të marrin dorë. Kështu është edhe në politikë! Kandidatët për kryetar kryesisht i varin shpresat për fitore te kryetari i partisë. Mënyra e bërjes së fushatës ka pësuar ndryshime nga zgjedhjet paraprake. Është kombinim i Obama style dhe ai i Fierit! Obama style është kur ulesh para votuesve, në shoqëri të kryetarit dhe komunikon me ta përmes fjalës së kryetarit. Nëse të jepet fjala! Modeli i Fierit është ai i lypësve të lëmoshës nga Shqipëria, derë më derë! Apo dorë me dorë! Modeli i Fierit garanton, më së shumti, vota sidomos nëse përdoret kur dielli perëndon dhe ikën drita! Një numër i kandidatëve preferon debatet televizive, sepse ajo është e vetmja mënyrë të duken se janë gjallë. Si “hulumtues terreni” në këtë fushatë shquhen sidomos Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj me Dacin si përcjellës, Albin Kurti dhe i Madhi Behgjet Pacolli. Hashim Thaçi duket se ka kondicion fizik dhe oral për lakmi. Fizikisht është i fortë si Sali Berisha e oralisht si Hydajet Hyseni! Isa Mustafa gjithashtu ka një përgatitje të mirë fizike, sepse nuk po ndalet së shëtituri nga vendi në vend, ndërsa oralisht është perfekt. Po flet pa letra para. Ramush Haradinaj këto vizita në terren i ka zëvendësim të shëtitjeve në Gërmi, ndërkaq oratorinë e ka tradicionale. Dukagjinçe! Albin Kurti ka fituar pak në peshë dhe këto vizita mund t’i ndihmojnë në rikthimin e linjave trupore të mëparshme. Ndërkaq, sa i përket oratorisë ka kondicion sa vet Fidel Kastro! Dua të them se, të gjithë këta bartin në vete një karizmë! Kush më të vogël, kush më të madhe! Gjuha e përdorur është kryesisht në suaza të së lejuarës, kulturës politike dhe personale si dhe përgatitjes intelektuale të tyre. I Madhi Behgjet Pacolli, falë Zotit të Madhërishëm e shëroi pikërisht në kohën e duhur lëndimin e këmbës, apo zogun e këmbës! Interesant, këtë vit shumë gjëra po sillen rreth zogut! M’u bë zemra mal, kur një ditë të bukur pata nderin t’i shoh duke parakaluar në qendër të Prishtinës çiftin e mrekullueshëm, Behgjet Pacollin me… Baton Haxhiun. B&B! Kombinim i përkryer i trurit dhe hurit!

Para një jave u përpoqa të bëjë një analizë për kandidatët që garojnë për kryetar të Prishtinës! Pa pretendime, se jam i pagabueshëm! Mund edhe tash të gaboj, por them se për të parin e Prishtinës do të vendosin LDK – Isa Mustafa, PDK- Agim Çeku dhe VV – Shpend Ahmeti! Me një sondazh të porositur dhe të paguar edhe Kaçusha mund të bëhet kryetare sikur Salihu, Korabi, Valoni apo Besniku. Madje edhe pa balotazh! Kryetari legjendar i të Fortëve bën përjashtim. Është jashtë çdo konkurrence! Realiteti  është ndryshe nga dëshira, apo perceptimi! Gjatë analizës sime nuk jam mbështetur në ndjenja, por në fakte. Një mik imi më qortoi se në analizën time të fundit i kam siguruar Isës së paku 1000 vota. Tash, kur përsëri them se Isa do të fitojë edhe një mandat, mos ia kam siguruar edhe 1000 vota shtesë ?! Unë nuk siguroj vota për askënd dhe nuk i marr vota askujt! Aktualisht në Prishtinë ende nuk janë krijuar rrethanat që zgjedhjet t’i fitojë një subjekt tjetër pos LDK –së. Nuk jam anëtar i kësaj partie e as simpatizues, mirëpo nuk shoh se dikush tjetër në Prishtinë mund t’i fitojë zgjedhjet përveç Isa Mustafës! E them gjithashtu se kurrë më parë nuk ka pasur kandidatë më të fortë në garë për kryetar të Prishtinës se sot. Ky kualitet garuesish është investim i mirë për të ardhmen e Prishtinës, në veçanti dhe skenën politike të vendit në përgjithësi!

Premtimet që po bëhen në këtë fushatë është vështirë të realizohen edhe me buxhet të Emirateve të Bashkuara e lëre më me këtë buxhet social të Kosovës. Por në shprehje po vjen minhauzenizmi , filozofi kjo e njohur nga grofi Minhauzen, mbret i gënjeshtrave! Dhe imagjinata si dhe humanizmi i mbuluar me interesa krejtësisht personale! Kështu, kemi premtime se Kodrën e Trimave do ta bëjmë si Gërminë në kohën, kur edhe kjo ka filluar të shndërrohet në betone dhe depo për mbeturina që nuk riciklohen! Tjetri ofron t’i dhurojë 70 hektarë komunës ( ka gabuar se 10 hektarë janë të një komandanti ) pronë personale nëse fiton kandidati i tij, i cili pastaj do t’ia trefishojë kompensimin këtij “dhuruesi”! Llapjanët do ta çrrënjosin analfabetizmin duke mësuar shkrim – lexim kur të hapen degët e fakultetit filologjik në Besianë. Po ofrohet zgjidhje  për Trepçën duke e privatizuar në llogari të një politikani grykës, i cili e ka penguar deri më tani privatizimin duke i përjashtuar nga loja edhe anglezët! Po premtohen aq shumë vende të reja të punës sa që do të detyrohemi të angazhojmë fuqi punëtore nga Kina dhe India! Nga Bangladeshi dhe Pakistani! Nga Koreja e Veriut dhe Serbistani! Po premtohen impiante për përpunimin e ujërave të zeza në kohën kur jemi mësuar  me aromën e tyre! Shumë pishina, halla sportive dhe stadiume të futbollit. Që janë aq të nevojshme kur dihet se kemi sportistë kulminantë me mijëra medalje olimpike, botërore, europiane etj! Dikush premton ndërtim të udhës për tramvaj ( mbitokë ), tjetri ndërtim të metrosë ( nëntokë )! Kam rezervë për mbitokë, sepse mungojnë ekspertët ndërsa për ndërtim të metrosë ( nëntokë ) jam shumë optimist, marrë parasysh të vërtetën e pamohueshme se nëntokën e kemi shumë të zhvilluar ! Dhe shumë të profilizuar! Të përkrahur edhe ndërkombëtarisht!

Çfarë përshtypje lënë në debate kandidatët: Varësisht nga përvoja, kandidatët e shfaqin sigurinë apo pasigurinë e tyre. Të bindur se do të fitojnë pa konkurrencë janë ata që kanë udhëhequr komunat për dy mandate. Nuk e besoj se fundi do të jetë ashtu siç e deklarojnë. Dikush do të digjet keq! Nuk e besoj se do të ketë ndryshime të mëdha. Lufta për kryetarë të komunave do të zhvillohet midis PDK-së, LDK-së, AAK –së dhe Zajedniçka Lista Republika Srbska. Do të ketë më shumë balotazhe se në zgjedhjet paraprake. Përcaktues të fitoreve apo humbjeve do të jenë: Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Rexhep Taip Erdogan dhe Ivica Daçiq si të angazhuar drejtpërdrejt në fushatën zgjedhore. E metë e këtyre zgjedhjeve është se partitë opozitare që duan t’i fitojnë zgjedhjet nuk ofrojnë asgjë konkrete, por i listojnë gabimet dhe dështimet si dhe premtimet e parealizuara të pozitës! Mbi këtë koncept e ndërtojnë fitoren e tyre! Lëshim i radhës është se ka pak kandidatë të pavarur në këto zgjedhje. Janë dy kandidatë që  peshojnë në bursën politike; Refki Suma dhe Nexhmedin Spahiu. Dhe një kandidate e pavarur e kategorisë pendël; Adriana Hoxhiq! Refki Suma ka qenë kandidat model për një qeverisje të mirë dhe të moralshme në shërbim të qytetarëve. Pozicionin e ka pasur shumë më të fortë sa ishte kandidat i pavarur ndërsa tash, i përkrahur nga VV e ka vënë në diskutim statusin e kandidatit krejt të pavarur ndonëse është favorit absolut në Han të Elezit! Nexhmedin Spahiu hyri në balotazh si kandidat i Behgjet Pacollit në zgjedhjet e fundit. Tash e ka shumë larg balotazhin. Ndërkaq Adriana Hoxhiq do të fshihet si pendël nga Zajedniçka Lista Republika Srbska!

Kandidatja e AAK –së për Burim , Donika Kadaj Bujupi po rrezaton siguri duke e ngrohur fitoren e sigurt të  Haki Rugovës. Mbase edhe pa balotazh! Po, Donika ka paraqitje shumë të mirë, mirëpo e kanë futur si qengj në mesin e ujqve të vjetër në krye me kryeujkun Haki Rugova! Edhe ana e mençur dhe kryekontabilistja e Behgjet Pacollit, Mimoza Kusari do ta ketë thuaj të pamundur fitoren ndaj shën Palit në Gjakovë. Kundërkandidat për balotazh, gjykuar sipas numrit të pranishëm në tubime zgjedhore mund ta ketë Hajdar Beqën e PDK-së i cili, pas një paraqitje jo shumë të sigurt në fillim të fushatës , tash ka paraqitje shumë të mirë, të argumentuar dhe të strukturuar logjikisht. Nëse merret për bazë numri i të pranishmëve  në këto tubime atëherë mund të konsiderohet se PDK në Gjakovë dhe Besianë me kandidatin Naim Fetahu do të kenë një rritje të konsiderueshme. Në Gjakovë fitorja është e shën Palit ndërsa në Besianë gjasat për fitore i ka Agim Veliu. Për rezultatet në komunat tjera mbase do ta marr guximin të jap parashikime në shkrimet e radhës. Por, nuk mund pa e theksuar faktin se është një kandidate  për kryetare të komunës e cila më ka impresionuar me paraqitjen e saj. E cila ka qenë shumë larg kandidatëve tjerë ndonëse nuk ka gjasa të bëhet kryetare e komunës. Ajo është Labinota Demi- Murtezi, kandidate  e Partisë së Drejtësisë për Gjilan.

Koincidencë e rastit apo Aleancë e Shenjt: Serbia është Kosovë dhe Kosova është Serbi thoshte Daçiqi në Beograd dhe Prizren dhe Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi tha Erdogan në Prizren! Për t’i konkretizuar këto slogane, Daçiq do ta përdorë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, ndërsa Erdogan do ta përdorë Ahmet Davutogllun me Thellësitë Strategjike. I pari sheh ëndrra me sy hapur për Velika Serbija, ndërsa i dyti për rikthim të Perandorisë Otomane! I pari duhet të distancohet nga krimet 150 vjeçare të Serbisë ndaj shqiptarëve ndërsa i dyti duhet të distancohet nga krimet 500 vjeçare të perandorisë ndaj shqiptarëve! Vetëm atëherë mund të flitet për normalizim dhe ardhmëri!