Behxhet Sh.SHALA/ Nobeli për Kosovën dhe Serbinë

518
Sigal

Shpërblimi Nobel përveçse është nder për fituesin, kombit që i takon, shtetit, shtetas i të cilit është, apo shtetit ku i është dhënë strehim politik është edhe një biznes shumë përfitues si për laureatin ( i merr 1 milionë euro) ashtu edhe për industrinë përcjellëse në të cilën përfshihen një armatë e tërë e çakejve të uritur për famë dhe para. Shqiptarët si popull i talentuar dhe i shumëvuajtur, i lashtë dhe patriotik, kozmopolit dhe multietnik deri me tani dy herë e kanë fituar këtë shpërblim. Gonxhe Bojaxhiu apo Nënë Terezë e Kalkutës së Indisë dhe Ferid Muradi, shtetas amerikan, ndryshe me prejardhje shqiptare, i ish-Maqedonisë. Askush nga fituesit e mëparshëm, por edhe ata pas tyre nuk e kanë fituar këtë shpërblim më me meritë se këta të dy. Nëna Terezë e Kalkutës tërë jetën e saj ua ka kushtuar kujdesit ndaj të sëmurëve nga lepra në kohën kur të gjithë kishin hequr dorë nga ta. Këtë nuk e ka bërë askush tjetër. Sakrificë dhe vetëmohim i pazakonshëm! Shëruese e shpresave të thyera dhe ofruese e dashurisë për ata që ishin lënë në mëshirën e ndërgjegjeve të pista! Ferid Muradi gjithashtu ishte shpëtimtari që i rikthente në jetë ata që ishin buzë vdekjes apo që kishin vdekur…seksualisht! Me viagrën e tij të famshme shpëtoi shumë çifte nga shkurorëzimi, por njëkohësisht shkatërroi shumë martesa duke i shndërruar tereqtë e lodhur në dema të tërbuar. Prandaj, Feridi me të drejtë llogaritet një lloj alkimisti! Feridët në përgjithësi janë të rrezikshëm! Ferid Murati e riktheu dinjitetin mashkullor duke e ngjallur trurin e mashkullit, i cili kishte pushuar së vepruari! Edhe Nëna e Kalkutës si dhe Baba i Viagrës kishin problem komunikimi në gjuhën shqipe. Si shumica e gazetarëve në Kosovë dhe deputetët kosovarë me prejardhje shqiptare në Parlamentin e Republikës së Kosovës! Kandidati, ta them i parapaguar për shpërblimin Nobel për letërsi, ishte dhe mbeti shkrimtari “rebel” në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe “disidenti” i demokracisë në të cilën e kishte të “rrezikuar” jetën shumë! Prandaj u largua në pik të ditës nga Shqipëria! Është fjala për Ismail Kadarenë, komshiun e Hoxhës nga Gjirokastra, i cili për dallim nga dy fituesit e Nobelit me prejardhje shqiptare e flet gjuhën shqipe shumë bukur! Nobelistët në fushën e letërsisë janë shpërblyer kryesisht për shkak të disidentizmit të tyre e më pak për shkak të cilësive në letërsi! Duket se kohëve të fundit ka devijim nga kjo praktikë ndryshe Kadare, si disident i dy diktaturave në Shqipëri, komuniste dhe asaj “demokratike” do të duhej të ishte fitues i padiskutueshëm i Nobelit. Ose kosovari me prejardhje shqiptare nga Kosova Halil Matoshi, i cili është i njohur për disidentizmin e tij. Ka qenë disident i të gjitha sistemeve ndërkaq ka pushuar së qeni i tillë kur është sistemuar mirë. Tash është disident i vetvetes. Deri në disidentizmin e radhës! Po përflitet se mund të nominohen për shpërblimin Nobel kryeministrat Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi. Në fakt, po i mashtrojnë keq. Kryeministri ynë e ka merituar Nobelin për vet faktin se e ka emëruar z.Gjergj  Dedaj zëvendësministër për Kulturë, Rini dhe Sport. Gjeniale, me një fjalë! Edhe Hashimi është alkimist që antivlerat i bën vlera! Gjergjin e ka bërë pjesë të trashëgimisë kulturore. Diçka si Hoçën e Madhe. Ndërkaq Ivica Daçiç në fund të bisedimeve do të shpërblehet nga Aleksandar Vuçiç i cili aktualisht po e shqyrton dosjen e nominimit se ku do të vendoset kryeministri serb. Në burgun e Nishit, Zabellën e Pozharevcit, në Sremska Mitrovicë apo centralni zatvor – CZ në Beograd!

Hashim, amanet Millutinin e Gojbulës dhe Gvozdenin e Besianës…., : Ndonëse jemi shtet ende në pelena, i kemi 19 ministri, po aq ministra, nja 300 zëvendëskryeministra dhe 1500 zëvendësministra. Që na dallon nga shtetet tjera dhe na bënë të ndjehemi krenarë. Por, meqë jemi shtet në zhvillim e sipër dhe në rrugën e integrimit në BE, NATO apo Shengen Jugosllavia, si copëz e Shengenit të Madh, kemi nevojë të forcohemi edhe më shumë institucionalisht, por edhe me resurse njerëzore. Prandaj është e domosdoshme ta formojmë fillimisht edhe një ministri për të vazhduar edhe me të tjera! Ç’ka janë për ne 100 ministri, ne jemi Kosovë e jo Gjermani! Duket se do të formohet Ministria e Shtetit. Pa shihe njëherë sepse nuk po bëjmë hajgare! Ministria e Shtetit dhe…! Për këtë pak më vonë pasi të jap një sqarim. Me kryeministrin e tashëm kam pasur raporte të qëndrueshme. Nuk do t’i quaja as idilike e as romantike. Jo me fajin e tij sepse nuk jam aspak tip romantik. Kam lexuar shumë romane, por kur nuk u bëra romantik. Mbeta vetëm lexues! Por gjithmonë bëhet shkaktar i treti, i cili krijon situata dramatike në raportet midis miqve. Në rastin konkret, fajtori ka emër dhe mbiemër, Behgjet Pacolli! Hasha më la mua për Pacollin dhe ngushëllimin po e gjej vetëm duke e dëgjuar Medën! Faleminderit Medë, rrofsh sa malet dhe këndofsh përjetë! Pacollit i erdhi vërejtja për atentatin ndaj miqësisë sime me kryeministrin dhe për fillim e theu zogun e këmbës. Po nuk mblodhi mend vjen ndëshkimi tjetër! Për këtë arsye më shumë i besoj drejtësisë hyjnore se asaj tokësore! Qoftë madje edhe e EULESH-it! Pacollit sinqerisht i urova shërim të shpejt. Pacolli mbeti me zog të thyer ndërsa Hashimi duket këmbët i ka të shëndosha! Po si shoqëri dhe shtet në zhvillim përfundimisht jemi të padrejtë duke mos dalluar vlerat nga antivlerat. Të gjithë flasim dhe brengosemi për Zogun e Tunës ndërsa askush nuk e përmend Zogun e Thyer të Këmbës së Pacollit. Me përjashtim timin. Miku i mirë dihet në ditë të vështira!

Millutini nga Gojbula mund të jetë person i trilluar apo i vërtetë. Mund të jetë gjallë apo  në rrethin e 86 të Ferrit të Dante Aligerit! Më kujtohet se si fëmijë fare i vogël dëgjoja se kur kalonin qerret me dru nga fshati i dajave Lupç i Epërm për t’u shitur në tregun në Vushtrri duhej të kalohej nëpër fshatin Gojbulë ku Millutini ishte polic, doganier, prokuror dhe gjykatës. Gojbula ishte zonë neutrale e mbretërisë së Kral Millutinit. Kush shpëtonte vetëm me një të sharë ishte me fat! Ndonjë shpullë apo shqelm merrej si ushtrim fitnesi. Po dogana paguhej në formë të një pule të shoqëruar me vezë, fasule apo ndonjë bylmet. Millutini hante vetëm ushqim të shëndosh , ekologjik! Kur nuk ishte në ditë të mira nuk na lejonte fare të kalonim nëpër fshat! Na bënte bllokadë sikur Maqedonia! Madje, njërit nga katundi i dajave pati mbetur me dhëmbë të thyer pas një kundërshtimi verbal ndaj tiranisë së Millutinit. Në fakt, nuk kishte dhëmbë edhe për t’u lavdëruar dhe dhëmbët e socialit nga plastika i rrinin më mirë! Ia pa hajrin Millutinit. Madje, kur shkonim dhe e vizitonim dajën me “ dhëmbë të rinj”, sepse në atë kohë kishte pak të tillë me dhëmbë të socialit dhe na dukeshin shumë interesant, i shihnim dhëmbët  që qëndronin në një bokall të qelqit me ujë. Më vonë kur kuptova se si dukej akuariumi e ktheva mendjen te dajat përkatësisht pacientit të Millutinit , dhëmbët e të cilit notonin në akuarium në vend të peshqve.

Gvozdeni përkthyer në shqip i Hekurti ishte një kohë arsimtar e pastaj edhe drejtor në një shkollë të mesme në Besianë. Ishte çetnik me librezë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë me një zë prej baritoni.  Këndonte duke na sharë: “jebem vam majku shiptarsku, jebem vam Allbaniju i jebem vam flamur sa zog”. Kur të rrihte këtë punë e bënte paq. Kryesisht të shtrinte për toke duke të shqelmuar ndërsa duart i ruante. Thonë se gjatë luftës dukej si Bred Piti me uniformën e policisë rezerviste sebe.

Prandaj, në kohën e riformatimit të Qeverisë besoj se duhet të të gjendet një mundësi që ata të kenë ndonjë post. Nëse Millutini nuk është në këtë botë atëherë së paku duhet të dekorohet për humanizëm nga presidentja e Kosovës. Gvozdenin në asnjë mënyrë nuk duhet ta lëmë pa ndonjë post. Si mundësi e mire është që ai të zgjidhet dhe integrohet me policët e Serbisë në veri e që do të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës. Të zgjidhen në pako! Të kaluarën e kanë të pastër dhe nuk duhet të bëhet kurrfarë verifikimi! As nga Aki e as nga kaki. Për Gvozdenin garantoj se ai i ka duart e pastra  sepse të ka rrahë ose me shqelma ose me ndonjë stupc bejsbolli ( si adhurues i futbollit amerikan ) apo kabllo elektrike!

Disa shqetësime serioze që më lënë pa gjumë:

  1. Paralajmërimi i AKR –së se mund t’i bojkotojë zgjedhjet nëse nuk ndërpritet fushata e parakohshme parazgjedhore, që po bëhet në mënyrë të kundërligjshme, për mua është paralajmërim që më ka tmerruar. Nuk mund t’i paramendoj zgjedhjet  lokale pa pjesëmarrjen e AKR-së në to. Por, shpresoj se pasi Partia e Fortë e tërhoqi kërcënimin për bojkot të zgjedhjeve kështu do të veprojë edhe AKR –ë , si parti pak më e “fortë”!
  2. Tango(a) lif(v)e ; I kemi disa media që të bezdisin. Që duan të të hyjnë edhe në intimitet. Në brekë qofshin ato edhe tanga. Ishte një lajm për tangat e presidentes. Ishte një lajm se mund të paditen në gjyq ata që filmuan dhe shkruan për tangat e presidentes. E pakripë fare! E kam një pyetje për trimat dhe trimëreshat e gazetarisë kosovare. Ku ishit dhe pse nuk  shkruanit atëherë kur ish ambasadori Dell u hiqte tangat edhe femrave edhe meshkujve?! Të politikës dhe të shoqërisë civile. Ku bëjnë pjesë edhe mediet!  E kam një këshillë. Duke shkruar për tangat e presidentes nuk fitoni asgjë. Prandaj lëreni këtë lojë. Luajeni lojën shpërblyese Tango life. Këtu nuk jeni pa gjasa. Mund të fitoni diçka!
  3. Më  shqetëson ndërrimi i besimit politik për një grusht eurosh apo valutë tjetër. Mercenarizëm moral. Mercenarizëm i Judës. Kur Juda e tradhtoi Krishtin këtë e bëri për 30 monedha të argjendit . Mirëpo nuk e shau. Madje e puthi në ballë pas tradhtisë. Ndërkaq disa që brenda natës e ndërrojnë partinë janë më të këqij se Juda. Përveç që marrin para kur shiten ata fillojnë ta shajnë dhe fyejnë kryetarin dhe partinë e  mëparshme. Që e patën lavdëruar dhe himnizuar deri në çastin kur e ndërruan grazhdin!
  4. Shumë po më shqetëson rritja e dhunës në Familje (n) Moderne – KQZ e cila po mbijeton në lokalet e Kafenesë të Oki. Së paku kështu duken personazhet në Komisioni Qendror Zgjedhor ku Adnani si mashkull e sulmon Valdeten si femër!

Një lajm i mire dhe një i keq në Kosovën e lirë : Më në fund do  të ketë rritje të rrogave për policët të cilët kanë kërkuar rroga prei 600 eurosh. Këtë rritje e kanë kërkuar policët e MUP-it të Serbisë që do t’i veshin uniformat e Policisë së Kosovës. Madje jo si kërkesë por si kushtëzim! Policët që i kanë shërbyer Kosovës mbesin me rroga të njëjta dhe pa sigurime shëndetësore. Pak në mëshirën e Buxhetit të Kosovës e shumë në mëshirën e Zotit!