Begzad BALIU/ Studiuesi që ngriti monumentin e Ndre Mjedës në letrat shqipe

661
Sigal

Më 30 maj 2014 u nda nga ne studiuesi, intelektuali dhe atdhetari i një formati të veçantë Mentor Quku. Lajmi për vdekjen e tij mbuloi me pikëllim jo vetëm Familjen e tij, por edhe institucione të tëra me të cilat ka bashkëpunuar, miqtë e shumtë anë e kënd hapësirës shqiptare dhe më gjer. Ndonëse kishte lindur në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939 kanë qenë të paktë miqtë dhe të njohurit e tij që kanë besuar se Mentor Quku nuk ishte një shkodran mijëvjeçar. Përvoja e tij jetësore të kujton atë përvojë që në botimet historiko-letrare e kemi lexuar për Hil Mosin. Ai ishte shkodran që luftoi jo vetëm në malet e Shkodrës por edhe në Korçë, që disa nga poezitë e tij kryesisht me sfond epik i shkruante në gegnishte, ndërsa poezitë me përmbajtje më lirike në toskërishte. Mentor Qukut pati fatin që në rini të fillonte mësimet në Shkodër dhe t’i vazhdonte në Tiranë, për t’iu kthyer përsëri Shkodrës dhe zonave rurale të saj deri në veri (Kukës), por për një kohë shumë të gjatë në Barbullush (1965-1991), për tu rikthyer përsëri në Shkodër (drejtor i Muzeut) dhe i Seminarit Ndërkombëtar “Shkodra në shekuj”. Në shkollën e mesme “Shejnaze Juka”, në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe në Universitetin Shtetëror të Tiranës – Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Mentor Quku mori dijen akademike në fushë të edukimit dhe metodave të tij, prandaj ai punoi me shumë përkushtim jo vetëm në mjediset shkollore me nxënës, por si një pedagog me vetëdije historike që vinte nga një familje nacionaliste. Në stilin e një rilindësi punonte pa ndërprerë për të mbledhur gjithë trashëgiminë kombëtare, historike, etnografike e folklorike, gjuhësore e pedagogjike për t’i botuar apo prezantuar në mjediset shkencore e kulturore, ku jetonte apo edhe në qendra më të mëdha si Shkodra e Tirana. Gjatë kësaj periudhe ai botoi edhe një mal tekstesh pedagogjike e psikologjike për shoqërinë, familjen dhe shkollën. Pas rënies së sistemit komunistë në Shqipëri Mentor Qukut ju hapën mundësitë për të përmbushur pasionet e tij prej hulumtuesi e studiuesi në fushë të trashëgimisë kombëtare, në veçanti studimet për Ndre Mjedën. Në Shkodër ai drejtoi jo vetëm Muzeun e Shkodrës po edhe Seminarin Ndërkombëtar “Shkodra në shekuj”, rreth të cilit mblodhi disa qindra studiues jo vetëm nga Shqipëria e Kosova po edhe nga Europa e Amerika. Për më shumë se dy dekada ai more pjesë edhe në shumë konferenca shkencore e kulturore, në të cilat në të shumtën e rasteve ai sillte rezultatet më të reja për Mjedën.

Themeluesi i mjedologjisë dhe institucionalizimit

Kolana e studiuesit Mentor Quku për Ndre Mjedën, në studimet filologjike shqiptare është përpjekja e parë e një studiuesi për të sjellë të plotë gjithë pasurinë materiale e shpirtërore të njërit prej shkrimtarëve të veçantë të letrave shqipe dhe një përvojë e jashtëzakonshme për të gjithë hulumtuesit shqiptarë që një ditë do të provojnë të bëjnë objekt studimi periudha, ngjarje, personalitete apo vepra të caktuara historike, letrare apo kulturore të traditës a të sotmes sonë. Mentor Quku, është shembulli më i mirë i punës afatgjatë dhe të durueshme për të na e dhënë sa më të plotë jetën dhe veprën e një shkrimtari. Ai ka dëshmuar se kërkimet dhe sintezat e mëdha historiko-letrare nuk janë çështje e një projekti, doktorate apo konference, po çështje të një jete. Në këtë Kolanë ai na ka dhënë vit pas viti nga 2004-2013 çdo ditë shkrimtarin dhe studiuesin Ndre Mjeda, si dhe veprën letrare e shkencore të tij jashtëzakonisht të plotë në trembëdhjetë vëllime: Mjeda 1 (1866-1888): RINIA, 2004; Mjeda 2 (1888-1899): Albanologu, 2006; Mjeda 3 (1899-1912), i përbërë nga dy libra: Alfabeti, 2007; Liria, 2008; Mjeda 4 (1912-1925): Identitet, 2009; Mjeda 5 (1925-1937): Gjuhëtari, 2010; Mjeda 6, i përbërë nga dy libra: Bibliografia (e Mjedës), 2012; Bibliografia (mbi Mjedën), 2012; Mjeda 7: Bashkëkohësit, Tiranë 2005; Mjeda 8: Album, 2010; Mjeda 9, Përmbledhje, 2013, sado kemi menduar se kemi qenë mjaftueshëm të njohur me të. Përkundrazi, studiuesi Mentor Quku na e ka dhënë Mjedën në një format të pazakonshëm, në të cilin është përfshirë një pasuri e madhe dokumentesh, ngjarjesh, sintezash, vlerësimesh, fotografi, fototipe letrash dhe tekste – autografe, si dhe në raste të caktuara edhe versione e tekstesh të krijimtarisë së tij letrare. Këto të fundit madje kryesisht vetëm në nivel të sprovave për një paraqitje të plotë në vëllime të veçanta, sikur duket të jenë projektuar nga autori, pasi të ketë përfunduar edhe vëllimin e dhjetë për Ndre Mjedën. Në studimet albanologjike të dy dekadave të fundit, shpesh është shtruar çështja e botimit të veprave të autorëve të panjohur deri më tash, si kusht për të shkruar historinë e plotë të letërsisë shqipe. Kjo kërkesë është plotësuar e po plotësohet, kur më pak e kur më shumë, dhe jo vetëm në një mënyrë. Një mënyrë tepër të veçantë këtë e ka bërë studiuesi i përkushtuar Mentor Quku, duke dhënë shembullin e punës afatgjatë dhe të durueshme për të na e dhënë sa më të plotë shkrimtarin dhe studiuesin Ndre Mjeda, si dhe veprën letrare e shkencore të tij, për të cilin kemi menduar se kemi qenë mjaftueshëm të njohur. Kjo është arsyeja pse ende pa përfunduar kjo kolanë, para autorit shtroheshin kërkesa të reja, sikur janë: botimi tekstologjik i veprës letrare të tij, botimi filologjik i veprës gjuhësore të tij, botimi i një vëllimi me studime të pabotuara, pjesën më të madhe të të cilit sigurisht do ta zinte dorëshkrimi i Profesor Jup Kastratit, në rreth 160 faqe makine shkrimi, botimi i një a dy vëllimeve me studime të zgjedhura nga të gjitha periudhat dhe nga e gjithë hapësira shqiptare, po edhe nga të gjitha gjuhët në të cilat janë shkruar artikujt për Mjedën. Në këtë mënyrë, shpresonim që Ndre Mjeda të japë shembullin e paraqitjes komplekse dhe shumëpërmbajtësore të veprës së Mjedës. Vetëm pasi të kemi veprën e tij të plotë dhe variantet e saj, ne do ta kemi të plotë dhe të sigurt Fjalorin e gjuhës së Ndre Mjedës, një vëllim (dorëshkrim), i të cilit tashmë ka një gjysmëshekulli që është përgatitur; vetëm pasi ta kemi të plotë veprën e tij, ne do të mund të përgatisim jo vetëm Fjalësin e gjuhës së veprës së tij, po edhe Fjalorin e termave estetike të tij, Fjalorin e rimës së pasur të tij, ndikimin e shkollës austriake në mendimet gjuhësore të tij dhe sidomos ndihmën që Mjeda ju dha disa prej albanologëve më të shquar të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX. Gjatë kësaj periudhe, kryesisht në dy dekadat e fundit, Mentor Quku mori edhe vlerësimet e institucioneve shkencore, kulturore e arsimore pranë të cilave punoi: Medaljen “Mësues i Merituar” (1991); “mirënjohjen e qytetit të Shkodrës (2011) dhe së fundit titullin “Profesor Nderi” i Universitetit të Shkodrës.

Lamtumirë miku im!

Profesor Mentor Qukun e kemi njohur prej më se dy dekadash. E kemi njohur prej veprave të tij, e kemi vlerësuar për bëmat e tij në institucionet kulturore e shkencore dhe e kemi çmuar për veprimtarinë e tij në ndërtimin e një bote shkencore gjithëshqiptare. Duke bashkëpunuar për Seminarin ndërkombëtar “Shkodra në shekuj”, duke organizuar shumë aktivitete mes Prishtinës e Shkodrës dhe duke komunikuar shpesh, tepër shpesh, Profesor Mentor Qukun e kishim emër të përveçëm në në jetën tonë. Në këtë mënyrë, me punën e tij, me ngrohtësinë miqësore që ofronte, me parimet e komunikimit që reflektonte Profesor Mentor Quku, Shkodrën na e patë bërë më të afërt se kryeqytetin e moçëm Prizrenin dhe kryeqytetin e tanishëm Tiranën, më të ngrohtë se Durrësin apo se vendlindjen time Gjilanin. Në të vërtetë hapësirën etnike na e patë njësuar në ato përmasa që nuk e kemi njohur më parë. Në jetën tonë kulturore e shkencore, në miqësinë tonë të paskajshme, Profesor Mentor Qukun do ta kujtojmë për përkushtimin e tij në hulumtimin dhe studimin e jetës dhe veprës së Ndre Mjedës. Qindra letra, mesazhe, aktivitete, komunikime nga më të ndryshmet me të dhe miqtë tanë anë e kënd globit lidhen me kërkimet e tij në gjurmë të trashëgimisë së Ndre Mjedës dhe institucioneve a veprave shkencore, fetare e letrare që ruanin. Miqtë e tij dhe miqtë tanë qenë bashkuar dhe njohur pikërisht rreth një qëllimi: hulumtimit të jetës dhe veprës së Ndre Mjedës. Ata tashmë përbëjnë një institucione virtual, të cilin e drejtonte pa zhurmë dhe mburrje, por me vullnet e dashamirësi Mentor Quku. Në këtë mënyrë, Ai e ngriti Mjedën në ato përmasa kërkimore e institucionale, të cilin zor se mund t’ua përshkruajmë bardëve të letërsisë shqiptare: Gjon Buzukut apo Jeronim De Radës, Naim Frashërit apo Gjergj Fishtës. Duke e njohur vullnetin e tij për të çuar larg misionin e kërkimeve shkencore, modelet e së cilave i ka të pakta dija shqiptare dhe madje ajo e rajonit dhe duke bashkëpunuar në shumë nga këto aktivitete, nuk na kishte shkuar mendja se në këtë rrugë mund ta ndërprente kush fundin e tij, për të mos thënë, vdekjes sikur ia kishim kthyer shpinën, sepse kishim punë shumë më të rëndësishme se ajo. Por ja që ai iku. Ndoshta nuk e kishim kuptuar ne, sepse Ai kishte shumë dekada që jetonte me trupin dhe frymën e tij mes thellësisë tokësore të kërkimeve të antikitetit mjedian dhe frymës qiellore të bardit shpirtëror të tij, Ndre Mjedës. Tashmë ai i realizoi të dyja, ndërkohë që ne ende nuk duam ta besojmë, sepse nuk mund ta kuptojmë mungesën fizike të tij mes nesh.

Prishtinë, më 1 qershor 2014

 

 

box

Fadil Kraja: Shkencëtari Mentor Quku na ind se ka vendosur të zbardhë çdo gjë që është ose e errët, ose e shtrembëruar, për jetën dhe punën kolosale të Ndre Mjedës. Atëherë përse të mos nderojmë punën e Mentor Qukut dhe të krenohemi për veprën e tij? Përse të mos e quajmë me plot gojën mjediani i madh Mentor Quku, unikali në këtë fushë?

box

Fatbardha Hoxha: Me dije, dashuri dhe përkushtim të lakmueshëm, studiuesi Mentor Quku, ka kërkuar pareshtur të zbulojë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, të shmangë deformimet apo gabimet që sjellin kohët. Janë aq shumta, të argumentuara dhe bindës ballafaqimet, krahasimet, debatet e polemikat që ai sendërton në serialin e monografive të tij, për çështje të koklavitura e të ndërlikuara të Lëvizjes Kombëtare, si për çështjen e alfabetit, të lëvizjes demokratike në Shqipërinë e viteve ’20, për historinë e shkollës shqipe, të letërsisë etj., çfarë provon se argumentet e shumta e kanë zhdërvjelltësuar edhe metodën edhe optikën e vlerësimit të dukurive ose, thënë ndryshe, kanë përcaktuar stilin e tij si studiues. Ai ka arritur të japë, duke tejkaluar nivelin e deritanishëm, mozaikun e shumvlershëm të Mjedës, që është jashtëzakonisht i pasur dhe i larmishëm.

box

Arjeta Ferlishkaj: Lidhja Quku-Mjeda është një fatalitet me fat, një lidhje deri në palcë. Më shumë se tridhjetë vjet Quku “bashkëjeton” me njeriun dhe personalitetin Ndre Mjeda. Ai është i vetëdijshëm për atë që ka marrë përsipër dhe po ia del më së miri të kryej këtë detyrë dhe i vetëm. Puna me Mjedën e mbush me energji dhe i jep forcë për të ecur para pa u ndalur. Ky optimizëm dhe vullnet i mirë e ka sjellë këtu ku është sot. Mirënjohje! E kemi menduar, dikush ia ka thënë. Të gjithë duhet t’ia themi këtë fjalë Mentor Qukut. Për të kjo është mbështetja më e madhe.