Begzad BALIU/ Lamtumira e fundit – edukatorit të gjuhës shqipe

604
Sigal

Dje në Tiranë u nda nga jeta akademiku Shaban Demiraj. Ndarja e tij në moshën 94- vjeçare sigurisht nuk do ta kishte atë përmasë dhembjeje që e merr ndarja familjare, kolegjiale e institucionale, ku ka punuar, sikur Profesori i nderuar gjatë këtyre viteve të shumta të mos kishte krijuar një biografi posaçërisht të veçantë dhe njerëzisht miqësore me shumë breza që la pas. Me të marrë të lajmit për shkuarjen e tij në amshim, dhembjen e tyre e shfaqen jo vetëm albanologët dhe bartësit e institucioneve të albanologjisë, po edhe shumë studiues dhe mësues gjuhe, të cilët dekada më parë kanë qenë studentë të tij, kandidatë magjistrature a doktorate. Nuk mund të mos themi prandaj se kjo miqësi e kushtëzon edhe këtë tekst të përzishëm, që më shumë se prezantim është obligim, dhe më shumë se sa obligim është përshëndetja dhe lamtumira e fundit me Profesorin!

Edukatori i shumë brezave

Profesor Shaban Demiraj u lind më 1 janar 1920 në Vlorë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen (medresenë) në Tiranë, ndërsa studimet e larta gjithashtu në Tiranë. Pas Luftës së Dytë Botërore punoi pedagog në Vlorë, Tiranë e Gjirokastër, ndërsa nga viti 1954-1990, në Universitetin e Tiranës. Vitet e rinisë dhe të pjekurisë i kaloi mes nxënësve, prandaj nuk është e rastit pse kjo periudhë prej pedagogu me gjasë do të ketë ndikim në jetën e tij prej edukatori të shumë brezave edhe në Universitet, pavarësisht përkushtimit të tij prej shkencëtari me durim, të cilin nuk e ka njohur bota shkencore e shekullit XX.

Gjatë kësaj periudhe prej rreth 40 vjetësh Profesor Shaban Demiraj, sikur do të thonë shumë bashkëkohës të tij dhe shumë breza të tërë studentësh, do të gjendet pranë studentëve fillestarë dhe pranë studentëve të formuar e të përkushtuar për studime të mëtutjeshme, që shkruanin artikujt e parë gjuhësor, pranë specialistëve të gjuhës që interesoheshin për vjeljen e trashëgimisë gjuhësore kombëtare në terren dhe pranë mësuesve që do të shkojnë në skajet e atdheut për të dërguar dritën e diturisë; pranë studiuesve shumë herë të atakuar nga individë dhe struktura politike që të përjashtojnë dijen teoriko-gjuhësore bashkëkohore të shkollave europiane, si dhe pranë studiuesve të huaj (albanologë e ballkanologë), të interesuar për nxënien e gjuhës shqipe apo studimin e saj. Në jetën e një pedagogu do të mjaftonte të përmbushte vetëm njërën prej këtyre veçorive, ndërsa Profesor Demiraj i përmbushi të gjitha këto, dhe i përmbushi jo një kohë a një rast po në të gjitha vitet e tij prej pedagogu dhe gjatë një jete të tërë prej shkencëtari. A është kjo një prej arsyeve pse ai me qetësi dhe durim mbamendës për shumë dekada udhëhoqi institucione arsimore e shkencore dhe bashkorganizoi konferenca shkencore me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. A është kjo arsyeja pse Profesor Shaban Demiraj do të ftohet a do të dërgohet për të ligjëruar jo vetëm në Universitetin e Tiranës, po edhe në Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Shkupit, Universitetin e Romës, të Palermos, të Kluzhit, të Kopenhagës etj. Le të kujtojmë këtu edhe një moment të veçantë: kur në fillimet e demokracisë shqiptare Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i duhej një udhëheqës, prej të cilit kërkoheshin vlerat kulmore akademike dhe baraspesha politike, ishte pikërisht Profesor Shaban Demiraj të cilit ju besua drejtimi i saj.

Shkencëtari i arritjeve kulmore

Profesor Shaban Demiraj përveç me jetën dhe pasionin e tij prej pedagogu shquhej edhe për vepra e tij të formatit të madh e të thellë shkencor, pjesa më e madhe e të cilave kishin jo vetëm botimin e parë në Tiranë por edhe në Prishtinë në gjuhën shqipe, si dhe në vende dhe në gjuhë të tjera, si: Historia e gjuhës së shkruar shqipe (1970), Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe (1972), Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe (1975), Morfologjia historike e gjuhës shqipe I-II (1973/1976), Gramatika e gjuhës shqipe (morfologjia – bashkautor dhe redaktor (1976), Gramatikë historike e gjuhës shqipe (1986), Gjuha shqipe dhe historia e saj (1988), Eqrem Çabej – Një jetë kushtuar shkencës (1990), Gjuhësi ballkanike (1994), Fonologjia historike e gjuhës shqipe (1996), Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe (1999), Gjuha shqipe – Probleme dhe disa figura të shquara të saj (2003), Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët (2008) etj.

Më të gjitha këtë vepra kontributi i Profesor Shaban Demirajt në fushë të gjuhësisë shqiptare është i veçantë dhe tashmë i vlerësuar, si një trashëgimi e rëndësishme e albanologjisë së gjysmës së dytë të shekullit XX. Në gjuhësinë shqiptare, sigurisht vendin më të merituar zë për sintezat e mëdha të tij në fushë të morfologjisë dhe të fonologjisë historike, si dhe në fushë të historisë së gjuhës shqipe, të vendit të formimit të saj e të prejardhjes së popullit shqiptar.

Në sintezat e tij për morfologjinë, fonologjinë dhe historinë e gjuhës shqipe jo rrallë janë përfshirë edhe veçori krahasuese të gramatikës së shqipes me gjuhët e tjera të Ballkanit dhe më gjerë, prandaj nuk është e rastit që kërkimet e tij t’i kulmojë edhe me vepra, sikur është Gjuha shqipe dhe historia e saj, në të cilën gjuha shqipe shquhet me të gjitha vlerat e saj krahas gjuhëve indoevropiane, ballkanike dhe mesdhetare; apo me vepra të tjera sikur është Gjuhësia ballkanike, në të cilën gjuha shqipe, sigurisht më parë dhe më shumë se gjuhët e tjera, do të trajtohet në kuadër të marrëdhënieve të tyre historike të arealit ballkanik dhe brenda zhvillimit të strukturave gjuhësore të familjes së gjuhëve ballkanike.

Në vend të lamtumirës

Megjithëse, vepra shkencore të Profesor Shaban Demirajt kisha lexuar dhe studiuar edhe më herët, përpjekjen e parë për të shkruar për kontributet e tij e pata bërë posa më kishte rënë në dorë vepra për Profesor Eqrem Çabejn – Një jetë kushtuar shkencës.

Në të vërtetë edhe më parë, duke studiuar veprat e bardëve të albanologjisë së brezit të tij (Aleksandër Xhuvanit, Eqrem Çabejt, Idriz Ajetit, Mahir Domit etj.,), kisha vënë re një veçori të punës së tij prej shkencëtari: karakterin metodologjik të qasjes së tij në studimet shkencore, pra aspektin analitik dhe sintetik të kërkimit.

Derisa bardët e albanologjisë së brezit të tij, sintezat e tyre i përmbyllnin me tekste përgjithësuese të formatit të fjalëve hyrëse të Konferencave shkencore (Buda, Domi, Hadri etj.), apo në nivel të studimeve shkencore për fenomene a dukuri të caktuara albanologjike (Ajeti, Kostallari, Ismajli etj.), studimet e Profesor Demirajt, që në fillim shkonin drejt monografisë shkencore, apo që më parë shihej se do të ishin kapituj të monografive vijuese. Duket se as propozimi që iu bë për të shkruar monografinë për Profesor Eqrem Çabejn nuk ishte i rastit! Te kjo vepër biografike, për herë të parë, kisha vënë re tekstin e liruar plotësisht nga ideologjia, me të cilat ishin të ngarkuara kryesisht veprat e kësaj kohe, dhe  madje shkencëtarin e shkarkuar nga historicizmi i mbishtresuar, me të cilin ngarkoheshin jo vetëm tekstet e kësaj natyre në Tiranë, po edhe në Prishtinë, kur ishte fjala për veprat që ju kushtoheshin personaliteteve poliedrike, sikur ishte Profesor Çabej.

Recensionin e botuar në shtypin ditor dhe në dy buletine të Prishtinës (1995/1996) ia pata dhuruar në mëngjesin e 22 nëntorit 1997 në Tiranë, kur po merrja pjesë në Akademinë kushtuar 25 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Si duket, Profesori e lexoi gjatë ditës prandaj pasdite gjatë një takimi rasti më uroi për shkrimin dhe me një zë të qetë, prej akademiku të shenjtë, më porositi: “Megjithatë, mësuesi është mësues, e nxënësi mbetet nxënës i tij”. E kuptova “vërejtjen”, e cila dilte si rezultat i modestisë së tij përballë figurës dhe veprës së Profesor Çabejt. Përtej dashurisë që kisha për veprën e Çabejt, që në Prishtinë kishte vlerat e shkencëtarit kult, dhe për kontributin e të cilit unë përgatisja temën e magjistraturës, në recensionin tim për librin e Profesor Demirajt kushtuar Çabejt shquaja gjithashtu, disa veçori prijëse teorike e metodologjike, gjuhësore, historike, kulturore e pedagogjike të Profesor Demirajt, madje jo vetëm brenda veprës kushtuar Profesor Çabejt, por edhe në kontekst të studimeve albanologjike të kohës.

E kam takuar edhe disa herë në Prishtinë e në Tiranë, por për herë të fundit e kam takuar në fillim të dekadës së parë të shekullit XXI. U takuam tek po dilnim në të njëjtën kohë nga Arkivat e Shtetit, në Tiranë. Ankonte nga këmba e lënduar, prandaj më tha që do të ishte mirë po të më përcillje, sa ta kalonte semaforin. E përcolla, po nuk u ndalëm deri në qendër të Tiranës. Filluam menjëherë me interesimet e mia albanologjike, për të cilat ai kishte kaq shumë zgjidhje metodike dhe të literaturës. Në fund e pyeta nëse po vazhdonte me ballkanologji apo me histori të gjuhës, duke ia kujtuar se në Gjuhësinë ballkanike  i kishte dhënë shumë hapësirë maqedonishtes. Po, më tha, e kam lexuar këtë “preokupim” tuajin edhe në recensionin që i keni bërë kësaj vepre vite më parë, por dua ta kujtoj se të jesh pranë të voglit është vlerë dhe humanizëm, të cilën gjuhëtarët e shkollës austro-gjermane me punën që e kanë bërë për gjuhën shqipe dhe historinë e saj  na e kanë mësuar dy shekuj më parë. Mos harro se po bëhesh historinë i gjuhës dhe duhet të trashëgosh diçka nga historia e brezave që janë marrë me historinë e gjuhës, e në mënyrë të veçantë me gjuhën e popullit të vogël shqiptar. Porosi më të çmueshme nuk mund të prisja nga një personalitet i urtë e një shkencëtar sintetik i historisë së gjuhës shqipe.

Nga kjo kohë, këtë vlerë humane të shkollës austro-gjermane, porosi e fundit për mua e Profesorit tim Shaban Demiraj, ua përcjell studentëve të mi në çdo fillimviti akademik!

Këtë do tua përcjellë edhe kësaj radhe, por në mënyrë të veçantë emocionale, si porosi e Profesorit, të cilit dje ia dhamë lamtumirën e fundit!

Prishtinë, më 31 gusht 2014