Bedri BLLOSHMI/ 20 Shkurti 1991

561
Sigal

Lufta e Ftohtë, duket se e arritëm qëllimin e saj. Për gati 46 vjet, popujt e Europës Lindore provuan një ëndërr absurde dhe të mjerueshme. Mbas shumë vendeve të Europës Lindore, që e groposën komunizmin, radha i erdhi Shqipërisë. Ishim në burgun famëkeq torturues dhe vdekjeprurës të Burrelit. Në burgun e Burrelit në këtë burg varr masiv, ishin tretur dalëngadalë dhjetëra e qindra burra që luftuan për një Shqipëri ndryshe. Këta burra, këta shqiptarë të vërtetë i shkriu tortura dhe uria gërryese që solli komunizmi. Burgu i Burrelit, një vend groposje për ajkën intelektuale që shihte vetëm nga perëndimi, ka rënkuar dhe vazhdon të rënkojë sa të jetë njerëzimi, për të vetmin faj se donin vendin e tyre, Shqipërinë. Këta trima, këta largpamës e ëndërronin vendin e tyre një vend të lirë e të lulëzuar e jo të rënkonte nën thundrën e Rusisë Staliniste. 20 shkurti i vitit 1991, Burreli, kjo Makurë mishngrënëse, i ishin thyer ingranazhet, i rrethuar me vendgroposjet e pushkatimet e çdo nate, nga ata që këndonin Bijtë e Stalinit jemi ne që derdhim gjakun anembanë, po jepte shpirt. Në burgun e Burrelit kishte rënë forca e torturave çnjerëzore, policia nga një egërsi e pashpjegueshme, ishte kthyer në një qenie të lëvizshme në mënyrë mekanike. Edhe pse jetonim bashkë me injorancën dhe gjithmonë nën urdhrat e të tjerëve, e kuptonim se gjërave u ishte hapur rruga për ndryshim. Në burgun e Burrelit ishte prishur çdo rregull i brendshëm, vizita e z. De cuellar në Shqipëri kishte bërë që çdo budalla komunist me në krye zv. Diktatorin Alia, po mendonin që të gjenin një vrimë si minjtë kur ua prishin dyshemenë e shtëpisë. Aty po liroheshin pak e nga pak të burgosurit, të stërmunduar, të plakur para kohe çdo javë apo çdo dy javë. Dita historike e 20 shkurtit, më gjeti në oborrin e burgut, po bënim xhiro duke diskutuar në mënyrë të zjarrtë e gjithë urrejtje. Dikush më thërret tek dera e dhomës; “Hajde shpejt brenda, hajdeni të gjithë,  shikoni televizorin”. Unë po shikoja gati i hutuar, sepse lëvizjet e këtij që më thërriste më habitën: “Hajde Bedri, hajde se u përmbys diktatori, populli e shkuli e po e tërheqin zvarrë, sheshi është plot me policë që mbajnë qentë prej litari, sheshi zien, hajde, hajde e shiko”. Me vrap vajta në sallën e televizorit dhe u ndala tek dera, aty rrinte dhe roja i brendshëm (polici), shikonte e nuk ia ndante sytë ekranit të televizorit. Po aq shumë u hutova, sa ngela i shtangur, nuk po flisja. Hera e parë në jetën time që ndjeva gëzim të pakufi. Salla ziente nga duartrokitjet, të gjithë të burgosurit qëndronin në këmbë duke duartrokitur.

 Aq i shtangur isha, sa i ra në sy dhe policit që ishte pranë meje.

– Hë, –  hungëriu polici – pse s`po thua asnjë fjalë, ti s`pushon asnjë sekondë pa dërdëllitur, fol?

–  Dëgjo, – i them – unë nuk kam menduar kurrë dhe nuk mendoj asnjëherë si ti, por rri urtë e shih si po e tërheqin zvarrë, sa shumë e ka dashur populli, po i hipin përsipër dhe po godasin bronzin me këmbë. Kjo sipas teje është dashuri apo urrejtje? Shiko, dikush zbërthen pantallonat e po e pshurr, shiko, shiko sa të gëzuar janë, shyqyr o Zot i lavdishëm që vure dorë mbi këtë katil.

–  Po ty Bedri, s`po të shoh aq të gëzueshëm.

–  Po ta them unë pse u hutova, sepse mendoj se kushedi çfarë kasaphane do bëjnë komunistët dhe sigurimsat tani, kushedi se sa bij nënash po kalojnë nën rrotat e atyre makinave, kurse ti mendon se ku do punosh tani,  se do ngelesh papunë, a e kupton se burgjet do zbrazen?

Ditët pasonin njëra- tjetrën dhe bëheshin më të gëzueshme dhe me një shpresë të gjallërueshme. Kjo gjendje shpirtërore që jetonim ne të burgosurit na gjallëroi, duke menduar gjithsecili për një jetë tjetër edhe pse të dënuar, të plakur para kohe nga dëshpërimi, ndryshimi ishte i pashmangshëm, ky ndryshim do ta ndryshonte fatin tonë.

Dhe ja, më 29  mars 1991, bashkë me 7-8 të burgosur të tjerë, na hapën portën e rëndë prej hekuri me disa shule, të cilët kërcisnin sa herë i lëvizte polici.

–  Hajdeni jeni të liruar, të gjithë oficerët e komandës qëndronin në rresht, në heshtje, duke parë prenë e tyre që po largohej, pa e ditur se ku, sepse streha jonë që na lindi ishte rrafshuar nga terroristët komunistë dhe pjesa tjetër e familjes ishte degdisur kushedi se ku pa adresë, njësoj si fati i atyre që i pushkatuan dhe i groposën duke fshirë çdo shenjë.

Po largoheshim me shikim nga mbrapa, duke parë këtë skëterrë të rrethuar me tela me gjemba. Po largoheshim duke lënë pëshpërimën e shpirtrave të groposur në tokën e tyre, po largoheshim duke u drejtuar drejt shpirtrave të një tjetër vepre të komunizmit, të sajuar me shumë kujdes, atë të 19 shkurtit 1951 të quajtur  “Bomba” në Ambasadën Sovjetike, ku u masakruan intelektualët me listë. Po largoheshim duke rikujtuar masakra të tjera në Shqipërinë  e copëtuar nga viti i mbrapshtë 1913… .