“Basti” i humbur i Ambasadorit amerikan Donald Lu me Shqipërinë

901
Nga Beqir SINA

Fundvitin e kaluar, Ambasadori i SHBA, në Tiranë, zoti Donald Lu, vendosi “një bast të madh” me Uashingtonin dhe Tiranën, nëse do ta kuptoja kështu, atë shtyrjen e mandatit të tij edhe për gjashtë muaj – deri sa të zënë ato që ai i ka quajtur vetë “Peshqit e Mëdhenj”. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, ka deklaruar se mandati i tij përfundonte në janar të vitit 2018, por ai kishte kërkuar që të qëndrojë deri në verën e 2018. Kjo ndodhi kur Ambasadori i SHBA, tashmë përfaqësuesi diplomatik i vendit më i fuqishëm në botë, në Shqipëri, bëri të ditur se ai do të kërkonte, nga vartësit e tij në Uashington shtyrjen e mandatit të përfunduar. Dhe, faktikisht, kështu ndodhi, zoti Lu, është në detyrë deri në fund gjashtë mujorin e parë të këtij viti. I pyetur nga gazetarët në Shqipëri, për përfundimin e mandatit të tij, Donald Lu, është shprehur se nuk do të largohej në janar të 2018-s, por do të qëndrojë deri në verë, pasi sipas tij duke e argumentuar me atë se ai kishte akoma shumë punë për të bërë!? Mirëpo, që nga koha kur u rivendosën mbas 45 vjet ndërprerjeje të marrëdhënieve diplomatike mes Uashingtonit e Tiranës, pra 26 vjet më parë, kemi pasur 13 ambasadorë që ushtruan detyrën e Ambasadorit, me aq shumë “pushtet” dhe, ndoshta për mua, shumë pak diplomaci, por jo në mënyrë kaq të hapur dhe shtyrje të mandatit sa kjo ambasadori i katërmbëdhjetë Donald Lu. Mbasi, ky nuk është vetëm një rast “su generis” në historinë e diplomacisë, së SHBA, ku shtyrja e mandatit të Ambasadorit, mund të matet me “gishtat e dorës”, por një ndryshim i madh për diplomacinë amerikane, mbi Shqipërinë, por edhe prova e fortë se edhe basti 26-vjeçar i SHBA, dhe Perëndimit ndaj Shqipërisë, ka humbur dhe ka dështuar. Në Shqipëri, sot mbas 26 vjet demokraci, e thënë thjesht e trup, janë duke udhëhequr bijtë më të devotshëm të “pjellës” komuniste, duke filluar prej nga Kryeministri i vendit, Edi Rama , Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, dhe deri te Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa, që ka qenë dhe anëtar i Byrosë Politike të KQ të Rinisë së Shqipërisë. Mbrëmë, një ish-gjykatës i kohës së komunizmit, Avokati dhe kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri, që është në koalicion me Partinë Socialiste, ka bërë disa deklarata të forta gjatë emisionit “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, si për t’i treguar SHBA, dhe Perëndimit se në Shqipëri, me demokratizmin e saj dhe shtetin ligjor, kanë dështuar dhe e kanë humbur bastin. Ai tha se nuk mundesh të bëhesh sot Kryeministër apo ministër i rëndësishëm në Shqipëri, kryetar parlamenti, apo ambasador pa qenë i lidhur me ndonjë pjesëtar të ish-familjeve të ish-Byrosë politike, Komitetit Qendror, ish-Sigurimin e Shtetit apo dhe ish-strukturat e tjera diplomatike të regjimit të Enver Hoxhës. Ish-Gjykatësi i diktaturës, foli duke marrë si shembull, që në 26 vjet demokraci, në Shqipëri, nuk ke qoftë edhe një shembull të vetëm “sa për të bërë be”, që një ish-i persekutuar, një ish-i vuajtur në burg apo kampet e internimit, apo një ish-pjesëtar i familjeve të mëdha, të bëhet deputet, ministër apo edhe një ambasador i thjeshtë apo gazetar në ndonjë gazetë apo televizion të madh, sidomos me ardhjen e socialistëve në pushtet, as që bëhet fjalë, sipas tij. Bile ai shkoi edhe më larg në teorinë konspirative të këtij fenomeni në Shqipëri, prej kur Ramiz Alia e dorëzoi pushtetin, kur tha se ka një “filtër” të mistershëm edhe në përzgjedhjen e Edi Ramës!!! “Nuk është çudi që falë rezultateve që Xhafaj ka si ministër i Brendshëm në luftë ndaj krimit, por edhe nga mbështetja që ai ka marrë nga partnerët ndërkombëtarë të jetë një ditë kryeministër. Natyrisht, që Edi Rama, do ketë një ditë një fund kohor në detyrën e shefit të qeverisë dhe nuk është çudi që ai të “ikë” edhe vetë. Në këtë mënyrë, duket se Fatmir Xhafa, do jetë Kryeministër”, tha Idajet Beqiri, gjatë emisionit. Duke treguar madje se ka mik të tij qysh në rini ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafën, ish-gjykatësi i kohës së diktaturës avokati Idajet Beqiri, tregoi se dikur ministri aktual i Brendshëm, ka qenë vartësi i tij në gjykatën e Krujës, kur Beqiri ishte kryetar i kësaj gjykate dhe Xhafa gjyqtar. “Kemi qenë të dy gjykatës, por edhe anëtarë të Byrosë së Komitetit Qendror të Rinisë së asaj kohe. Unë e njoh shumë mirë Fatmir Xhafën dhe kam vlerësimin maksimal për të. Gjithnjë, ka qenë korrekt, i përkushtuar dhe i vlerësuar në punë”, tha Beqiri. Kështu, që për mendimin tim, nuk ka nevojë për më shumë koment për të treguar, sepse Ambasadori Donald Lu, e ka “humbur” bastin, edhe pa e vënë atë. Sepse, në çdo vend të rruzullit, mundet të vendosësh baste dhe të marrësh besë, për gjithçka, por kurrsesi nuk mundet të vendosësh bast në Shqipëri, dhe t’i zësh besë komunistëve dhe bijve të tyre. Pikërisht, atyre që udhëheqin Shqipërinë, sot, ata që janë të lidhur dhe të “dashuruar” kaq shumë sot me SHBA, kanë qenë të këtillë baballarët e tyre, edhe me “Jugosllavinë”, në fillim, pastaj u bënë me Moskën -BRSS, Kinën popullore, e tjera vende komuniste e marksiste leniniste, nëpër botë, deri sa u lidhen dhe investuan me organizatat e para terroriste nëpër botë, si ato në Palestinë – Hamasin e Al Fatahun. Dihet se pas rënies domino së regjimeve komuniste, SHBA, dhe Perëndimi, megjithëse të fundit e mirëpriti edhe Shqipërinë, vendin me diktaturën dhe regjimin më të egër në botë, të hynte edhe ajo në rendin më demokratik botëror. Udhëheqësit e SHBA, dhe perëndimorë e bën atë, ngase besonin se hapja e Shqipërisë, dhe ndryshimi i sistemit do ta lidhnin Shqipërinë, në sistemin e bazuar në rregulla që u krijuan pas rënies së komunizmit në të gjithë Evropën Jug-lindore. Ata shpresonin se integrimi ekonomik do të inkurajonte Shqipërinë që të evoluojë në një ekonomi tregu dhe se, ndërsa ata rriteshin ekonomikisht, populli i saj do të përfitonte liritë demokratike, të drejtat dhe sundimin e ligjit. Dhe, kështu nisi megjithëse me shumë vështirësi, sepse ishte e vështirë të shkulej ajo fara e keqe e komunizmit që ishte mbjellë për 45 vjet me Enver Hoxhën, në Shqipëri, por sidoqoftë, vendi që e nisi nga zero, edhe nisi e ndryshojë diçka për të mirë. Por, një “bast” i humbur me Shqipërinë, ishte edhe revolucionin bolshevik, si ai ’97-s, i cili e shkatërroi Shqipërinë, ra shteti demokratik i brishtë, atëherë kur u ngritën bijtë e komunizmit, të cilët dinë vetëm me revolucion të vijnë në pushtet, ashtu si erdhën edhe pesë vjet më parë me drogën dhe krimin në 2013-n, me Kryeministër Edvin Kristaq Ramën. Nën udhëheqjen e Edi Ramës, Kryeministër, Gramoz Ruçit, Kryetar Parlamenti, Ditmir Bushatit Ministër i Jashtëm dhe Fatmir Xhafës Ministër i Brendshëm, zoti Ambasador, ju ende mund të shikoni se me Shqipërinë, jo gjashtë muaj shtytje mandati, por edhe 6 vjet të tjera ju garantoj se bastin e keni të humbur, dhe madje sipas meje keni për ta shpaguar atë. Mos harro zoti Ambasador, se i ke të freskëta premtimet kur Edi Rama, mori pushtetin gjashtë vjet më parë, si e mbushi ai Shqipërinë me premtime dhe premtoi se do bënte shtet, do të bënte Shqipërinë, një vend të “lulëzuar”, do ta “fuste” ne Evropë, dhe se ai do të çonte me në fund këtë vend drejt sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Por sot iluzioni i shqiptarëve është shkatërruar, mbi 50 mijë shqiptarë kanë aplikuar vetëm për vitin e fundit për t’u larguar. Në të vërtetë, Rama, ka drejtuar politikën dhe ekonominë ndaj represionit, kontrollit shtetëror dhe konfrontimit me të gjithë kundërshtarët e tij.
Sigal