Bashkim KOÇI/Votë poshtëruese…

583
Sigal

Kam qenë i mendimit, ashtu si shumica e shqiptarëve  që regjimi i Berishës duhej të largohej nga pushteti një sahat e më parë, madje, në kohën më të shkurtër të mundshme. Kishte ardhur caku, ku nuk durohej më, ku po kuptonim se çdo vonesë, qoftë edhe një çast i vetëm, ishte me kosto të lartë për  vendit, ekonomikisht dhe psikologjikisht.  Dhe ja ku erdhi dita e uruar, 23 Qershori. Jo për të sjellë ndonjë krahasim me përmbajtje folklorike, por është vendi që të thuhet, të shkruhet e zeza mbi të bardhë, të bëhet e ditur botërisht se populli në këtë ditë të shumëpritur vërshoi si lumë drejt qendrave të votimit për të larguar “të paudhin”, atë që na e ka për borxh çuarjen e vendit në këtë derexhe, mu në buzë të greminës. Në një farë mënyre qytetarët atë ditë nuk shkuan për të hedhur një copë letër në një kuti magjike, me mendimin për të bërë ritin, apo për t’u shprehur  nëpërmjet votës siç bëhet në botën e qytetëruar. Jo! Këtë radhë shqiptarët  duhet të bënin diçka më shumë, diçka që u kujtonte vitin 1992, duhet të  përmbysnin një regjim. Nëse në atë vit të largët ishin kushte krejt të ndryshme nga këto të sotmet, pra ishte shumë më e lehtë të ndesheshe me një regjim gati-gati të vetëdorëzuar përpara protestës popullore, ky i sotmi, për të qenë të vërtetë, ishte shumë më i fortë, i gatshëm për të përballuar zemëratën, madje i përgatitur me gjithçka të nevojshme për të diktuar e realizuar projektin ogurzi: që shqiptarët të “legjitimonin”  vazhdimësinë e regjimit. Prishja e rregullit të lojës në një shtet demokratik, prishja me dashje e asaj që populli mezi e ka ngritur, pra të institucioneve të pavarura, të cilat sigurojnë liritë e njeriut, ndëshkohet rëndë. Sali Berisha, kryeministri ynë i djeshëm i kish kaluar të gjitha caqet, nuk kish lënë vend për “ta falur”, nuk kish lënë asnjë hapësirë për ta mbrojtur as “të tijtë“. Ai,- siç shprehet populli për kësi “personalitetesh”politikë, -nuk mundi të zbriste nga kali, i cili e çonte përditë drejt oreksit të papërmbajtur për sa më shumë pushtet. Dhe i erdhi dita për ta ndëshkuar, për ta larguar ditën kur ai ndjehej “më i fortë“, ditën kur ai priste ti thërrisnin “Skënderbe“.  Sali Berishën e rrëzuan “mbështetësit” e tij, këshilltarët dhe ata që ia “donin” të mirën. Nëse analistët e politikës do të merren (sigurisht që do të jetë tema më interesante e ditës) me shkaqet që i çuan zotin Berisha në situata kaq të vështira poshtëruese, një ndër to është ekipi i tij, të gjithë ata që i rrinin pranë dhe e ushqenin përditë me “optimizmin” për të qenë e mbetur për Shqipërinë e shqiptarët  udhëheqësi më i madh i të gjitha kohërave. Për të qenë të vërtetë, këta “të djegur” për Sali Berishën ia bënë hyzmetin punës, profesionit të fëlliqur të servilit dhe sahanlëpirësit. Ia bënë realitetin “shesh me lule”, i krijuan përfytyrime donkishoteske. E “droguan” deri në atë masë sa Tjetrit i iku mendja, filloi të fliste përçat. Është e pafalshme, në mos e turpshme që t’i flitet tjetrit, popullit tënd, mbështetësve të tu në fushatë elektorale me pretendim të madh për të mbajtur pushtetin se ai, pra populli, ka kapur nivelin e jetesës të vendeve  perëndimorë, ku e ku me Shqipërinë. Dhe ky popull, ai që i priti me qetësi përrallat e tij ia dha përgjigjen në vendin e duhur dhe në kohën e duhur me votë, përmbajtja e së cilës ishte shumë domethënëse: ne edhe dimë të dëgjojmë, por dimë edhe se si “të poshtërojmë”. Më ra rasti që të futesha këto ditë në bisedë me dy gra shkodrane. Ato pa u druajtur dhe  pa u përmbajtur fare për çka ngjau më 23 Qershor me votën e Shkodrës, ndjeheshin pak “fajtore” se përse duhej të zgjaste kaq vite, përse duhej menduar kaq gjatë për të përmbysur një regjim si ky që ua kish çuar në majë të hundës, i cili, përveç se ua kish bërë borxh, i kish zhgënjyer e bërë me turp përpara gjithë shqiptarëve.  Pra, u shprehën ato,  përse ne shkodranët të ishim të fundit në përmbysjen e Saliut, kur në vitet ‘90 u gjendëm të parët, madje na u desh të derdhnim edhe gjak?  Unë mendoj se votime si këto të 23 Qershorit kanë magjinë që të shkundin, që të sjellin në vete, ashtu siç kanë fuqinë që të mund të venë në mendime edhe ata që morën pushtetin. Vota ka një melhem çudibërës. Ajo edhe më trimin (në këtë rast “Skënderbeun”) e detyron të tulatet, të ndjehet i privuar nga liritë, duke u mbyllur e fshehur përpara së vërtetës. Atij tjetrit, fitimtarit, i jep fuqi, e bën entuziast, ia “merr mendjen”, duke i krijuar imazhin e shpëtimtarit. Është mençuri të vlerësosh, të peshosh e pastaj të mundësh të çosh në vend përftimet e premtimet, të cilat dyndën votuesit të përmbysnin një regjim dhe nga ana tjetër të jepnin “OK” për ekipin e Rilindjes.