Bashkim KOÇI/ Teki Sadiku mësuesi im, “Mësues i Popullit”

916
Sigal

Nuk është se u kujtova tani, që “jam i lirë”, për t’iu kthyer viteve të fëminisë, për të sjellë në kujtesë njerëz, të cilët më kanë lënë gjurmë në memorie e më shumë se kaq, por mësuesi im Teki Sadiku më ka “shoqëruar” gjatë gjithë viteve të jetës, e kam pasur si udhërrëfyes e si këshilltar, si një ikonë që nuk mund ta zëvendësonte kush.

Ai nuk jeton më, ndërroi jetë afro një dekadë më parë, në vitin 2005. Kësisoj, Teki Sadiku ka mbetur “i gjallë” tek ne të gjallët, duke na lënë thesare që nuk mund të ç’bëhen; breza të tërë kuadrosh e specialistësh të “kalibruar” nga mendja dhe zotësia e tij si edukator, si mësues. Dhe tjetër?! Të “shkruarat” në libra dhe shtypin e kohës, të cilat shkencëtarë që i përkasin brezit të tij, detyrohen ta përcaktojnë si “njeri që punoi më shpirt për arsimin, kulturën dhe  historinë e trevës ku punoi e jetoi, Mallakastrës”.

Lindi në fshatin Gorishovë më 5 Maj të vitit 1918. I përket fisit të Begajve, por iu ngjit për mbiemër emri i babait, Sadikut, të cilin siç thonë bashkëkohësit, e nderonte dhe e adhuronte si një hyjni. Aty kreu dhe mësimet e ulëta, uniken, për të vijuar më pas në Tiranë shkollën e mesme për mësuesi, të cilën e përfundoi në vitin 1937.

Ai qysh në fillimet e karrierës si mësues nuk preferoi të bënte jetë të qetë e të rrethuar nga nderet. Ndaj edhe “u arratis” për në qytetin e Delvinës, emrin e të cilës e kishte lexuar në vargje këngësh dhe ngjarjeve historike. Sigurisht, shkonte atje si mësues, si për tu bërë njësh me vogëlushët delvinjotë që, ashtu si ai dikur në moshën e tyre, kur i pyesnin “çdo të bëhesh kur të rritesh”, i përgjigjeshin: Mësues!. Qëndroi aty vetëm një vit. Nuk e dimë si e qysh, por mallakastriotin nga fshati Gorishovë, Teki Sadikun, fillimi i vitit mësimor 1938 e gjeti në Kosovë ku qëndroi deri në ‘42-shin, vitin kur në Shqipëri Lufta NÇ kish marrë hov të madh, ishte bërë “me zë” për të thirrur të gjithë patriotët, ishin e nga s’ishin, të rreshtoheshin në krah të çlirimtarëve. Mësues Tekiu u bë një i tillë, partizan me pushkë në krah, si të gjithë luftëtarët. Si mësimdhënës i nxënësve kosovarë punoi plot katër vjet. Por la emër si të kish lindur e bërë burrë aty, mes vëllezërve të një gjuhe, të cilët ndjeheshin krenarë e betoheshin për të njëjtin flamur, atë kuqeziun me shqiponjën dykrenore. Dhe ky emër mbeti jo vetëm në kujtesë të banorëve, të burrave, grave e fëmijëve që u mësoi shkrim e këndim, por edhe si emër i një shkolle në qytetin historik të Prizrenit në nderim të tij “si mësues i ardhur aty prej Toskërie”. Ndoshta është vendi për të kujtuar organet e pushtetit vendor, në veçanti ata të qytetit të Fierit, për të nderuar “Mësuesin e Popullit”, Teki Sadikun me emrin e një rruge, institucioni apo shkolle për të përjetësuar kontributin që ka dhënë si intelektual e drejtues i përmasave të admirueshme.

Thuhet se e thjeshta, e vërteta të zbukuron. Një shtëpi e ndërtuar më gur të zakonshëm e mbron njeriun po aq mirë nga të ftohtit, sa një tjetër e ngritur me mermer të ardhur nga jashtë. Mësues Teki Sadiku u rrit dhe u edukua me këtë filozofi, me këto kërkesa, të cilat ua bëri “dhuratë” kontingjente të tërë nxënësish, të gati-gati një shekulli për sa punoi në këtë front të bekuar nga njerëzimi. Ai në profesionin e mësuesit eci si në një marrshim ushtarak, me kërkesa të forta, në pamje të parë “të papërballueshme”. Mësues Tekiu njihej si “i egër”, që “nuk të falte”, i patolerueshëm nëse meritoje ndëshkim. Këtë “njollë të zezë” ia vinte vetes për hatër të punës, për hatër të atyre fëmijëve, të cilët meritonin që mësuesi i tyre të ishte kaq “i rreptë” edhe për faktin se ishin fëmijë “në formim” si qytetarë dhe si kuadro të ardhshëm.

Ai, gjatë gjithë karrierës së tij, nuk u bë kurrë skllav e rastësisë. I ndoqi punët me radhë, sipas peshës që ai ishte i aftë të mbante, për të arritur shkallë-shkallë në katet më të larta të përgjegjësisë. Pas çlirimit të vendit punoi si mësues në qytetin e Fierit, në fshatin Peshtan i Madh dhe për dy vjet të tjerë si shef i seksionit të arsimit për rrethin e Mallakastrës. Për aftësitë e rralla si mësues profesionist, por më shumë për korrektësi e merita të tjera të veçanta, u transferua inspektor arsimi për rrethin e Fierit, detyrë kjo kalimtare sepse shumë shpejt u caktua shef seksioni, pozicion që e mbajti deri në vitin 1961.

Mësues Tekiu nuk kërkonte nga të tjerët atë që nuk e kishte vetë. Kjo cilësi, ndër më të spikaturat në figurën e tij, e bëri që, edhe pse në moshën rreth 35 vjeç të mund të mbaronte Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Filologjisë. Dhe këtë “sakrificë”, nëse do ta quanim të tillë mbarimin e universitetit në moshë madhore, e bëri nga një thirrje “e brendshme”, e cila e shoqëroi gjatë gjithë jetës: secila fjalë që flet mësuesi, duhet të jetë mësim; secili hap që bën, duhet të jetë shembull i mirë. Ai nuk e harroi kurrë këtë këshillë “të pashkruar” kund në kërkesat e pedagogjisë, por nxjerrë nga përvoja e tij prej disa dekadash në fushën e arsimit. Të paktën nga kujtimet e mia si nxënës i një nga gjimnazet më në zë të qytetit të Fierit, ku ai ishte njëherësh mësues dhe drejtor për disa vjet, më duhet të jem i pakursyer në fjalët vlerësuese për të, më duhet të them që Teki Sadiku mbetet figurë e ndritur e arsimit shqiptar.

Ndonëse i dha lamtumirën punës si mësues në vitin 1973 ai nuk hoqi dorë, nuk u largua, duke “hedhur gurë prapa” për shërbimin në arsim për afro gjysmë shekulli. Mbaj mend që na përsëriste shpesh paksa si një këshillë të karakterit ultimativ: errësira nuk mund ta largojë errësirën. Vetëm drita mund ta bëjë këtë. E kishte fjalën që ne nxënësit e tij të ishim të palodhur për të mësuar, që të mos “ngopeshim” asnjëherë me dituri. Këtë këshillë mësues Tekiu e zbatoi vet në mënyrën më korrekte të mundshme kur doli në pension, në vitet që shpesh konsiderohen “të pleqërisë”. Madje në këto vite ai iu rikthye një pasioni të vjetër, atij të studimeve historike, të cilin ne nxënësve të tij na i kish “fshehur”, nuk na e tregoi asnjëherë. Në bashkëpunim me personalitete të kulturës dhe të shkencave të asaj kohe, të cilët punonin në qytetin e Fierit, si Paskal Milo, Myzafer Korkuti, Neritan Ceka, Myslim Islami e ndonjë tjetër, filloi të studionte, të gërmonte dhe të nxirrte në dritë atë që e kish mbuluar pluhuri i harresës, historinë e krahinës së Mallakastrës dhe të Muzeqesë së Vogël. Dorëshkrimet që la janë të rëndësishme dhe më karakter shkencor, të pa hulumtuara më parë. I gjithë ky material studimi voluminoz është botuar në një libër të veçantë “Mallakastra dhe Myzeqeja e Vogël në rrjedhat e historisë deri më 1890”, i cili për çka trajton e eksploron, i jep mësues Teki Sadikut vlerat e shkencëtarit.

Është e pamundur që puna pasionante, veprimtaria dhjetravjeçare si mësues dhe drejtues, përpjekjet për të studiuar historinë e vendit tënd, të humbasë, të mos lërë gjurmë në ndërgjegjen e kombit. Teki Sadiku është një ndër ata intelektualë që meritoi të jetë elitë, të ishte dhe të mbetet “gur i rëndë”  në historinë e arsimit shqiptar. Ai është dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme, por në vitin 1980 u vlerësua me titullin më të lartë, atë të “ Mësues i Popullit”.

Në radhën e punëve njerëzore, gjithçka që të duket se qëndron më lart se të tjerat, mund të arrihet, mund të shkosh tek ajo, por vetëm duke ecur në “monopate të vështirë”, që kërkojnë mundim, që kërkojnë të sakrifikohesh. Mësuesi im Teki Sadiku “e kapi” ç’synonte, u bë siç e vlerësonin intelektualë të sferave të larta, të asaj dhe të kësaj kohe, “Mësues i Popullit”.

Më kanë mësuar që në jetë gjithçka mund të harrohet, përveç të mirës që të kanë bërë. Unë i shkruajta këto radhë sepse nuk mund të harroja të mirat, mua dhe breza të tërë nxënësish, drejtimin e duhur që na për jetën mësues Teki Sadiku.