Bashkim Koçi/ Të fala nga fshati

757
Sigal

Ajo çka ka ndodhur me fshatin shqiptar në këto vite të qeverisjes postkomuniste është pak të thuhet abandonim i plotë i tij, një braktisje përbuzëse dhe e turpshme. Sot ai përjeton kohërat më të vështira, një primitivitet të skajshëm. Dikush mund ta quante edhe hakmarrje ndaj një qenieje të pafajshme, ndaj atij që na ka mbajtur e na mban gjallë “me bukë e me gjellë”.

 Kudo, në çdo skaj të vendit ku i thonë Shqipëri, fshatrat janë kthyer “në rrënoja”, në mjedise të qelbura, ku banorët për gjendjen ekonomike që kanë, të kallin frikën. Ndërkohë, të futin edhe në mendime, nga pastaj, sado i pashpirt që të jesh, mbushesh me urrejtje, për t’i pështyrë në surrat të gjithë ata që na kanë qeverisur këto 23 vjet. Shkoni ku të doni, në Tomorricë, apo në Martanesh, në fshatrat e Çukave të Komanit në Berat, apo në Panarit të Korçës, në Dëshnicë të Përmetit, apo në fshatrat e Mokrës në Pogradec dhe  kini për të parë se ku janë kufijtë e fukarallëkut, kini për të parë e ndjerë “erën” e mizerabilitetit, atë që nuk mund të përfytyrojë fantazia e njeriut.  Fundi i fjalës ata njerëz janë kthyer në kafshë pune, të ngarkesës apo të tërheqjes së parmendës për të punuar tokën. Dhe e gjithë  kjo sfilitje bëhet  vetëm për të mbijetuar, për të mbajtur  frymën gjallë.

 Po pastaj? Që t’i japim përgjigje, që të gjejmë shkaqet dhe faktorët që e kanë katandisur fshatin në këtë farë feje, të shpërfytyruar dhe të skeletizuar si “një meit”, të vdekur, por të pa kallur në dhe, na duhet të japim ca shifra të cilat janë “fotografi” e përkujdesjes së qeverive, të majta dhe të djathta, pa përjashtim.

 Ca palo specialistë, të cilët këto ditë po rendin të bëjnë krahasime (në fakt ata rendin për të kapur ndonjë vend “pëllumbash” në qeverinë e re) për investimet në bujqësi, demek për fshatin, duke sjellë në kujtesë “ne kemi qenë tjetër gjë, na shikoni ne, shikoni edhe ata.  Dhe sjellin shifra nga viti në vit në rënie, krahasuar me vitin 2005, atëherë kur dorëzuan pushtetin socialistët, atëherë kur këta farë burrash kanë qenë më objektivë, më realistë me fshatin. Pra, me pak fjalë, duan të ngarkojnë me faj Demokratët sepse, sipas argumentit që sjellin, në vitet që kanë qenë në pushtet të Majtët, përkujdesja paska qenë më e madhe!  Po ç’thonë  këto shifra, të mbushin mendjen që përkujdesja ndaj fshatit, ndaj bujqësisë ka ndryshuar gjatë qeverisjes së Sali Berishës? Siç do vini re, diferenca është “e madhe”, por për peshën që zënë, nëse marrim Buxhetin e Shtetit, janë aty e aty, shifra që “përqeshin” njëra-tjetrën. Nëse për vitin 2005 (pra në kohën e Socialistëve) Buxheti i Shtetit për bujqësinë dhe ushqimin ishte 3 për qind e buxhetit të përgjithshëm, në vitin 2010 (vit që qeverisnin Demokratët) ka pësuar “një rënie”, vetëm 2.8 për qind. Mua nuk më çudit “diferenca” e investimeve në bujqësi midis njërit vit dhe tjetrit, të përkujdesjes të njërës qeveri apo të tjetrës, sepse janë aty e aty, por ajo më thelbësorja, ajo që tregon realisht se sa të vëmendshme kanë qenë qeveritë e derisotme për përparimin e bujqësisë dhe të fshatit njëkohësisht. Janë shifra të turpshme, deskriminuese, që të nxijnë faqen përpara atij elektorati të ndershëm e patriot.  Bujqësia, blegtoria dhe gjithçka që ka lidhje me fshatin ka qenë dhe mbetet vrima e fundit e kavallit. Propaganda që është bërë për gjoja “ndërtim” ujësjellësash, ngritje të plantacioneve me vreshta, ullinj, pemëtore e përralla të tjera, të servirura bujshëm në çaste ekzaltimesh të çmendura,  janë sa donkishoteske, po aq  dhe vrasëse për pjesën më vitale të popullsisë. Kjo shtresë, ky kontigjent njerëzish ndjehen  të zhgënjyer, të lënë pas dore, që iu “është vënë flaka” me dashje, për t’i shuar. Dhe kjo për një kohë mjaft të gjatë, plot 23 vjet.

Gjendja e krijuar e vë në siklet Qeverinë e Re, atë që do ta drejtojë zoti Rama. Ajo po gjen një fshat të shpërfytyruar, me bujqësi e blegtori primitive, me arsim e shëndetësi “të kohës së Nojes”, me moral të nëpërkëmbur në kufij fyes. Dhe që të mund të kapet koha e humbur, “duhet të kapet demi prej brirësh”, siç thotë fshatari, të fillohet me paratë, me vlerësimin dhe ndarjen e Buxhetit të Shtetit me atë “drejtësi” që të mund të kapërcehet hendeku që është krijuar, të mund të riparohen rrenat, tashmë të vëna stivë vit pas viti, zgjedhje pas zgjedhjesh. Nëse do flitet për Rilindje edhe për fshatin (kjo, besoj, nuk ka asnjë dyshim), për të gjitha hallet e problemet e bartura prej kaq vitesh, medoemos kërkohet mentalitet tjetër, këndvështrim që kërkon guxim, më shumë mend e fantazi shkencore, sesa “brohoritje” e shpalosje programesh të cilët e sollën fshatin, punët me të cilat ai merret, si të jetë në antikitet. Dhe, sipas mendimit tim, ajo do të mbajë mbi shpatulla tërë ato mori problemesh, tërë atë vandak hallesh të pazgjidhura kurrë, nuk mund të jetë vetëm një dikaster, vetëm Ministria e Bujqësisë. Fshati, ndoshta është i vetmi që kërkon dhe që meriton të jetë më “i previligjuari”, më “i përkëdheluri” nga Qeveria e zotit Rama. Dhe kjo merret vesh lehtas. Sepse për fshatin, për bujqësinë, për ata njerëz të mrekullueshëm  është punuar me hile, janë trajtuar si të ishin “sërë” tjetër. A nuk është ky një borxh që duhet larë? Qoftë e bërë!