Bashkim KOÇI/Taksa e gjakut

611
Sigal

Edhe gjatë fushatës elektorale, që sapo lamë prapa, ajo që tërhoqi vëmendjen e shqiptarëve dhe që ndikoi jo pak tek votuesit, ishte politika që do të ndjekë Qeveria  e ardhshme me taksat. Lidhur më këtë çështje u fol e u stërfol, u polemizua ashpër midis grupimeve politikë,  aq sa njerëzit u gjendën në kufij bezdisjeje. U premtua se do të hiqet taksa ndaj biznesit të vogël, do të hiqet taksa e sheshtë për ta zëvendësuar me atë progresive, por nuk u fol asnjëherë, qoftë dhe në një rast të vetëm, për një “taksë” të cilën qytetarët shqiptarë po e paguajnë me gjak, me humbje jetësh. Dhe fjala është për aksidentet rrugorë, për ato dhjetëra e qindra jetë njerëzish të humbura, për qindra të tjerë të sakatuar e që janë kthyer në invalidë të përjetshëm.

Çfarë po ndodh, ku qëndron kjo e keqe, e cila gati- gati na ka krijuar situatë frike, sikur vendi ynë të ishte në luftë me një pushtues? Dhe ky tmerr, pra frika e vdekjes nga një aksident i mundshëm, të kap sapo del nga shtëpia, sapo i jep çelësit për të ndezur makinën dhe sapo rrotullon çelësin për të mbyllur derën e shtëpisë. Të dy palët, edhe ai që i jep makinës, edhe ai që kalon rrugës si këmbësor i thjeshtë, përjetojnë ankthin e një aksidenti që mund t’i marrë jetën. E thënë pak frikshëm, ti mund të dalësh nga shtëpia e të mos kthehesh më kurrë.

Sipas mendimit tim, ashtu si për të gjitha problemet e tjera në këtë vend, e gjithë kjo situatë e rënduar dhe e dalë dore, vjen kryesisht për shkak të mos zbatimit të Ligjit, por dhe me kulturën tonë qytetare, me atë që thuhet shpesh me humor “jam denbabaden tiranas që nga viti 2002”. Ai i pari, pra Ligji, ka nevojë ndoshta të ribëhet, ndoshta të forcohet apo edhe të gjenden hapësira, përsëri ligjore, për të “disiplinuar” drejtuesin e automjetit dhe këmbësori nëse ai thyen, me dashje apo pa dashje, “rregullin e vijave të bardha”. Sepse nisur nga faktet, nga ato dhjetëra e qindra raste ku kanë ndodhur aksidente, të dy palët e përfshirë në “dyluftim” kanë qenë fajtorë. Drejtuesi i automjetit e ka kaluar tej normës shpejtësinë, ndërsa kalimtari është futur në autostradë “në qejfin e tij”, sikur ajo të ishte bulevard, shëtitore ku ndalohet lëvizja e makinave. Në kësi rastesh e kanë “paguar” të dy palët: kalimtari ka vdekur, ndërsa drejtuesi i automjetit, të cilit nuk i ka shkuar kurrë ndërmend, ka provuar ftohtësinë e hekurave, i është drejtuar derës së burgut. Dhe në jo pak raste të tjerë, atëherë kur makina del nga rruga, kur nxitohet për të parakaluar tjetrin, apo përplasjet me një automjet përballë, jeta është në dorë të fatit.

Duhet të pranojmë se shifrat që pasqyrojnë numrin e aksidenteve dhe jetëve të humbura janë alarmante, shumëfish krahasuar me ato të vendeve fqinj. Me Europën, me atë që pretendojmë të bëhemi pjesë e saj, krahasimi nuk shkon fare, na lë në një cep ku mendohet se “garojnë e bëjnë grushte” makinat me njerëzit. Brenda një viti humbasin jetën më shumë se 350 persona, aq sa banorë ka një fshat normal në Shqipëri. Numri ai atyre që mbetën invalid për tërë jetën është akoma më i madh, shumëfish i atyre që vdesin, ose e thënë ndryshe si të jenë “invalidë” banorët e një qyteti me mbi njëmijë banorë. Po të llogariten këto shifra, pra po të shumëzohen me numrin e viteve kur ka filluar ky “qamet i madh”, Shqipërisë i janë shuar mbi 20 fshatra e i janë paralizuar banorët e 20 qyteteve të vogla. Vetëm me këto shifra merret vesh se “ç’luftëra” janë bërë këto vite në këtë vend, se sa e madhe është gjëma që na ka ngjarë.

Dhe kjo hata vazhdon përditë, javë, muaj e vite të tërë dhe nuk po shikojmë të merren masa në zbatim të ligjit ku, duke e vlerësuar rigorozisht, në një farë mënyre shkelësit, drejtuesit e automjetit apo këmbësorit, t’i thuhet “shkele edhe një herë po deshe!”. Në këtë sens, nuk po përjetojmë as fushata sensibilizuese për ndërgjegjësimin e popullatës, e cila në pjesën dërrmuese është me prejardhje nga zonat rurale. Pa u futur në fakte, që pasqyrojnë ngjarje e ndodhi nga më tronditëset, duhet pranuar se ne jemi ku e ku me mendësinë e qytetarit europian, në korrektësinë që ka ai me lëvizjet që bën aty ku kalojnë automjetet, me hapin që hedh aty ku i rrezikohet jeta. Ne shqiptarët, si në shumë gjëra të tjera, jemi allasoj, “kapedanë” e “guximtarë” e që nuk pyesim as kur na rrezikohet jeta.

Për median, atë të shkruar dhe atë elektronike, është e njohur aksioma “është i mirë lajmi i keq”.  Kjo thënie, në një vend si i yni, ku aksidentet po bëjnë kërdinë, edhe për median po merr tjetër përmbajtje, po thuhet “është i keq lajmi i keq”. Dhe nëse ky problem vlerësohet  kështu, pra si një e keqe për të gjithë dhe që i duhet vënë fre, medoemos duhen zbatuar Ligjet. Togfjalëshi “tolerancë zero”, i cili shpesh përdoret me vend e pa vend, në këtë rast merr një kuptim tjetër, kuptim kapital, kuptimin e mbrojtjes së jetës.