Bashkim Koçi/ Si sot, 50 vjet

960
Sigal

* ish- nxënës

 Janë shumë vite. Shumë. Një gjysmë shekulli. Është gati-gati jeta aktive e një njeriu. Dhe ne mblidhemi sot në qytetin e Fierit, aty ky dikur ka qenë godina e shkollës, e gjimnazit tonë  të dashur. Si të ishim në atë mot të largët të vitit 1963. Si sot, më një shtator.

 Vinim nga fshatra e qytete të ndryshëm të vendit, nga e gjithë Shqipëria. Më duhet të përmend disa nga emrat e atyre fëmijëve çamarrokë të dikurshëm, të atyre njomëzakëve të bukur e me plot shëndet, tashmë të ngjitur edhe “50 kate më lart”, të gjithë gjyshe e gjyshër, të “djegur” nga dashuria “për mjaltin e mjaltit”, nipërit e mbesat, tashmë  të ngjashëm me ata, kopja e tyre të 50 viteve të shkuara. Nuk e kam të lehtë që të mund t’i kujtoj të gjithë, me emra e me mbiemra. Janë shumë vite, gjysmë shekulli. Ja, më vjen ndër mend Athinaja, minoritarja me fytyrë të zeshkët, por nuk më kujtohet mbiemri i saj. Sepse ishin shumë, mbi pesëqind nxënës në të njëjtit kurs. Por nuk kam harruar Anastasi Kolën, Dhimitrulla Gramozin, Pandi Tulon e Vesel Abdullain të cilët vinin nga Saranda, Namik Veliun e Floresha Shehun nga Mallakastra, Vullnet Skëndaj, Gafur Brahimin, Rrahman Bitrin, Mynevere Hodaj, Milazim Xhaferin e Lefter Beqirin nga Vlora, Përparim Celibashin, Bashkim Dokon e Festim Myftarin nga Skrapari, Xhixh Xhixhën e Naim Topallin nga Kruja, Haxhi Haxhiun e Muharrem Sanxhakun nga Miloti, Xhemal Livadhin, Kujtim Xhepexhiun, Esat Markun, Kujtim Loga, Shyqyri Skrelin e plot të tjerë nga Tirana, Liljana Allkanjari, Lefteri Beqiri, Zenun Dedei, Vasil Sema, Bashkim Çela e Olimbi Bame nga Lushnja, Vjoleta Ameti, Leonora Mihali, Kristina Prifti e Filip Liço nga Fieri, Xhevdet Dule e Hajrie Çepele nga Reskoveci, Shqiponja Memeti e Drane Mirashi nga Thumana, Lek Çuka nga Shkodra,e shumë të tjerë, emrat e të cilëve i ka zënë pluhuri i harresës.

 Janë kohëra që nuk kthehen më. Janë vite, të cilët për nga “pasha e rëndesës” që zënë në formimin e njeriut, më duhet të them se aty, në atë gjimnaz me emër, mori drejtim, më të mirën e mundshme, jeta e një brezi kuadrosh të mrekullueshëm e që, shumica e tyre,  lanë gjurmë në fushën e arsimit, tek breza të tërë nxënësish, në mbarë vendin. Sa madhështor është ai njeri i cili vendos të arrijë “të paarritshmen”, por ndërkohë gjen edhe mjetet për të kapur atë cak magjik. “Madhështorët” e gjimnazit 3 vjeçar të fierit e gjetën këtë “magji” tek puna e tyre, tek vendosmëria për tu bërë dikush në jetë, tek forca shpirtërore për tu bërë ata që edhe u bënë, njerëz të cilët meritojnë tu thuhet me plot gojën: të sakrifikuarit për punë e dinjitet.

 Vrulli i vullnetit të këtij brezi erdhi e u bë uragan edhe sepse iu gjend në krah një brez edukatorësh po kaq dinjitoz e me preokupim të pafund. Një pemë të shëndetshme e rrit një kopshtar i kujdesshëm, pasionant, thotë i urti. Ashtu, me këtë kujdes u shkolluam dhe u edukuam ne  nxënësit e gjimnazit 3- vjeçar, sot të gjendur në këtë stacion të lakmuar e që shumë pak mundet ta gëzojë. Gjej rastin të përmend emrat e atyre mësues-prindër të cilët na kanë mbetur në kujtesë, ashtu si i njohëm këtu e 50 vjet të shkuara, të krahasuar me heronjtë e mitologjisë së lashtë, të paarritshëm. Drejtorin, të famshmin Teki Sadiku, “Mësues i Popullit”, “të rreptën”, atë që kujdesej për të na bërë “fëmijë” të mirë, të mbarë, që të përballonim jetën, drejtoreshën e konviktit, Ksanthipi Bufin; mësuesit pasionantë, ata që “konkurronin” me plot “inat”, që secili nxënës të përvetësonte lëndën që jepte ai, qoftë dhe ato më të “pavlefshmet”, muzikën dhe fizkulturën: Meliha Dodbiba, Jorgji Shundi, Hamza Myrtaj, Gëzim Gradeci, Liri Sota, Petrit Dule, Petrit Ristani, Dhimitër Dimo, Liri Saraçi, Ajganushe Migajasi, Minella Saro, Ana Millonaçi, Bubulina Mici, Anife Lagje, Gjergji Toska, mësuese Mira Beqiri, Marjana Shtëmbari. Kërkoj ndjesë nëse padashje kam harruar ndonjë emër. Në fakt “i harruari” jam unë, autori i këtyre radhëve. Ishim të gjithë konviktorë, na mbante me të gjitha të mirat shteti. Shtet që kujdesej, që merrte përsipër të të mbronte nga gjithçka, si një prind i mirë. Më vjen mirë të kujtoj emrat e kujdestarëve Merushe Klosi, Myfit Dhrami, Leonora Dapi dhe kuzhinierit Jani, të cilin nuk mund ta përfytyroje pa kapuçin e bardhë në kokë. Xha Dulja, ndërkohë, ai që mbronte hyrjen kryesore, postbllokun nga ku nuk kalonte as miza, mbetet në kujtesën time si ai “badigardi” i sotëm që i rri pas bythe një zyrtarit të lartë. Xha Dulja nuk kish një, por qindra fëmijë, të cilët i luteshin sa për të blerë një “ingranazh”, pesë metro larg derës.

Ishin vite kur arsimit, formimit intelektual në shkolla, i kushtohej shumë rëndësi, i pakrahasueshëm me këtë të ditëve të sotme. Dhe në këtë çka po them nuk ka aspak nostalgji për kohën time të rinisë, për atë që sot e kanë në majë të gjuhës të thuhet “pushteti i diktaturës”. Jo! Në shkollë ne nxënësit ishim vërtet “nën diktaturë”. Është diçka që e kemi përjetuar, që e mbajtëm mbi shpatulla tona dhe, ca më shumë, ato që nxumë na udhëhoqën jo keq për të gjithë jetën, në punën tonë të disa dhjetëra vjeçarëve. Nuk është fantazi kjo që po them. Për të krijuar përfytyrim real për trupat gjeometrikë, p.sh, për të qenë sa më konkretë në një veprim të vështirë të zgjidhjes së problemit, tavolinat tona të punës gjatë orëve të studimit, në ato vite në gjimnazin e Fierit, mbusheshin me “piramida” e trupa të tjerë prej druri në miniaturë, të përgatitur gjatë kohës që bënim lëndën e përpunimit të drurit. U lutem, mund të më jepni një rast si ky, mund të më tregoni një shkollë ku një ndërthurje si kjo, ku gjeometria me “përpunimin e drurit” të jetojnë në simbiozë, kështu si vepronim  ne, mësuesit e ardhshëm që do të jepnim lëndën e matematikës?

 Po i çmoj mendimet, kujtimet e një kohe të shkuar, pavarësisht se kujt “epoke” i përkasin. Ato na sjellin e na shfaqen po me atë brishtësi, po me atë sinqeritet e dashuri që kishim atëherë, kur ishim të rinj, vetëm 16 vjeç. Dhe nëse jemi këta që jemi, nëse e mbajmë kokën lart për shkak të formimit që morëm në atë gjimnaz famëmadh, na duhet që këtë “pasuri” ta përcjellim tek brezat, tek fëmijët e fëmijëve, tek ata që jo rrallë na konsiderojnë “brezi i humbur”. Është e vërtetë? Po. Është një e vërtetë, është një fakt që ne gjimnazistët e asaj “epoke” nuk provuam kurrë (po kurrë, ama) ç’ishte droga, ç’ishte prostitucioni, ç’ishte “bota e qejfit”. E kaluam jetën bukur, ashtu si deshëm, me atë forcë sinqeriteti sa nuk e di nëse brezat e sotëm do të mund të bëjë kështu si po bëjmë ne, të mblidhen e të çmallen, pas 50 vjetësh.

 Ne tashmë jemi bërë gjyshe e gjyshër, po gëzojmë “mjaltin e mjaltit’, por asnjëherë, deri sa të jemi mbi këtë Dhe, nuk do të harrojmë vitet kur “morëm drejtimin”, vitet që “na shoqëruan” mot pas moti, deri tani kur edhe jemi bërë anëtarë të mirëpritur “të moshës së tretë”.  Dhe kur kthejmë kokën mbrapa mendja na shkon krejt e pa dashje në Fier, tek gjimnazi ynë i paharruar, tek ai, ndaj të cilit do të mbetemi përjetë borxhlinj, detyrim që do të na ndjekë pas sa të jemi gjallë. Ndërkohë, sa të jemi gjallë do të kujtojmë njëri- tjetrin, miq e shokë, duke mbajtur gjallë kujtimet e rinisë, të asaj kohe të qelibartë, të cilën e kemi “të shkruar” në mendje e në zemër, në thellësi të shpirtit.

Do të piqemi herë tjetër, do të festojmë ndonjë tjetër përvjetor? Është një “provokim”, i imi, është një shaka. Le të jetë ky një kujtim, homazh për kohën që nuk kthehet më.