Bashkim KOÇI/ Riza Bregu, inxhinieri që do t’i rezistojë “erozionit” të harresës

672
Sigal

Jeta e një njeriu, kushdo qoftë ai, “shkruhet” e “lexohet” në çka lë, në atë çka mbetet në memorien e bashkëkohësve, të cilët në rastin e inxhinierit famëmirë Riza Bregu (Kalaja) kanë mbetur të gdhendura si në një pllakë çeliku për t’i rezistuar “erozionit” të harresës.

Inxhinier Riza Bregu sapo mbushi vitin që është larguar nga kjo botë, por për meritën e tij, të gjurmëve që la kudo ku mësoi, punoi e jetoi  ka mbetur “bashkëshoqërues” i ne të gjallëve, i miqve e shokëve, si të paskësh qenë betuar “nëse trupi do të më bëhet pluhur, shpirtin do ta lë këtu tek ju!”.

Ai lindi në fshatin Kala, më 8 janar të vitin 1934, në atë vit, që siç e përshkruan në kujtimet e tij, do të pasohej nga vite të tjerë që ndillnin luftë, nga kohëra që do tu sillnin skamje e varfëri. Të voglit Riza do t’i mbeteshin të regjistruara si në një film me metrazh të gjatë lufta italo-greke, beteja e famshme e Tendës së Qypit, Operacioni gjerman i Qershorit i vitit 1944 e të tjera ngjarje madhore, siç ishte ai i Çlirimit të vendit nga okupatorët Nazifashistë.

Historia e shkollimit të tij është histori e të gjithë atij brezi kuadrosh e specialistësh, të cilët, për shkak të kushteve të krijuara nga luftërat dhe të prapambetjes shekullore të vendit, sakrifikuan gjithçka për tu bërë dikush në jetë. Dhe ja e pabesueshmja për ditët e sotme, për fëmijët tanë, kur mësojmë se personazhi i këtij shkrimi, Riza Bregu e kreu shkollën 7- vjeçare (9 – vjeçarja e sotme) pasi kish kryer shërbimin ushtarak, pasi ish rropatur në punë të ndryshme për të nxjerrë bukën e gojës, si traktorist në SMT-në e Korçës, punëtor në Rafinerinë e Naftës në qytetin e Cërrikut ku, pa u shkëputur nga puna me tre turne, mundi të mbarojë arsimin 7- vjeçar. E mbaroi arsimin 7 – vjeçar në moshën 22 vjeç, atëherë kur vërsnikët e tij kishin përfunduar universitetin. Jo për të kujtuar e treguar sakrificat e një njeriu si Riza Bregu, kjo po se po, por për të hedhur dritë për atë epokë, së cilës i duhen dhënë “dekoratat” që meriton. Ka qenë epoka e mësimdashjes, epoka që i bëri të rinjtë e atëhershëm të “digjeshin” për t’u arsimuar, për t’u bërë të zotë, për të përballuar jetën me ndershmëri, me djersën e ballit. Ishte kjo mendësi, ishte ky “prush” që detyroi djaloshin Riza të vijonte shkollën e mesme edhe pse dikush, për moshën madhore që kishte, mund ta qesëndiste si “babagjyshin e klasës”. Rruga Cërrik- Elbasan ishte e gjatë, ishte e lodhshme, gati-gati e papërballueshme derisa u detyrua ta linte vijimin e shkollës në mes.

Por fati nuk të vjen vetë, edhe kërkohet. Ashtu si të ish në kërkim të një “thesari” një ditë atij i ra në vesh një informacion se “Qeveria kish çelur një shkollë 2-vjeçare në Tiranë për përgatitjen e kuadrove dhe që, në këta dy vjet, “asimilohej” program mësimor si për shkollë të mesme. “Koha për tu regjistruar ishte shumë e shkurtër, punë ditësh. I nisëm dokumentet dorazi, me trenin e mbasdites Elbasan-Tiranë”- kujton në librin “Kujtoj nga jeta ime” inxhinieri Riza Bregu.

Dhe në vitet që vijuan më pas ai “do t’i futej detit në këmbë”. Në moshën 27 vjeç ky djalosh i ri, i cili nuk mbahej edhe sikur “ta lidhje me zinxhirë” filloi studimet universitare në degën e inxhinierisë mekanike. Shkolla e mesme “e cunguar” nuk do ta pengonte, nuk do t’ja ulte kokën për të qenë një ndër studentët shembullorë, një ndër ata kuadro të ardhshëm, i cili për të qenë i kompletuar, për të mos i lënë “kusur” përvetësimit të mësimeve, të skicave e ekuacioneve, e mbante dërrasën e zezë në dhomën e gjumit.

Rizai ishte student maniak për të përvetësuar mësimet, i pakënaqur asnjëherë nga rezultatet. Por ai dinte edhe të dashuronte. Pa mbaruar universitetin, në vitin e fundit, lidhi jetën me vajzën korçare, bukuroshen Suzana Malollin me të cilën lindi e rriti dy fëmijë të mrekullueshëm, Gencin dhe Erandën.

Punën si specialist, si inxhinier mekanik ai e “investoi” kryesisht në Kombinatin Mekanik të Poliçanit. Punoi aty plot 12 vjet, duke lënë gjurmë të një specialisti me fantazi krijuese, të një njeriu që i deshi dhe e donin të gjithë, disa mijëra punëtorë. Përshkrimi që u bën punëve dhe të dhënat që sjell inxhinier Riza Bregu në kujtimet e tij për Kombinatin Mekanik të Poliçanit, janë tronditëse nëse i ballafaqojmë me atë çka ngjarë këto vite të të ashtuquajturës “demokraci”. Aty, sipas tij, prodhoheshin çdo vit 20 milionë fishekë për armë të lehta të këmbësorisë, 500 mijë granata ofensive, 150 mijë mina për granata, 500 mijë ndezës, pa përmendur produkte të tjera, të cilat prodhoheshin me teknologjinë e kohës. E gjithë kjo djersë e derdhur për vite të tërë nga mijëra punëtorë e qindra specialistë, shkoi për “dhjamë qeni”, e vodhën, e shitën, e grabitën  kusarët e “demokracisë”. Në shumicë të rasteve janë po ato armë e fishekë që ne ende po vrasim njëri-tjetrin, është po ai dinamit që ia vëmë “hasmit” tek dera e dyqanit apo tek pragu i shtëpisë.

Ishte muaji shkurt i vitit 1977 kur ai do të transferohej me detyrën e k/inxhinierit në Kombinatin Mekanik të Gramshit. Punoi aty plot 10 vjet, deri në vitin 1986. Ishte i njëjti mekanizëm, po ai “shërbim ushtarak” që kish kryer në Poliçanin e tij të dashur. Sigurisht, ai tashmë ishte “staxhionuar”, ishte bërë mjeshtër për punë e mjeshtër në komunikimin me punëtorët, me vartësit. Më pas do të transferohej në qytetin e Pogradecit, pranë Ofiçinës së një divizioni ushtarak ku edhe doli në pension. Meqë merrej me repartin e fortifikimit, ishte i diktuar të shkonte dhe të shihte “pëllëmbë për pëllëmbë” Malin e Thatë, Gurin e Kamjes, Malin e Harunit etj. Pra “ia zolli zoti” atë çka ai dëshironte, atë që të mund të “komunikonte” me male, me ata  që u ngjanin maleve të Skraparit.

 Kur pyet shokë, miq, bashkëpunëtorë të tij sesi e njihnin, ç’konsiderata e kujtime kanë nga ai, të thonë se Ing. Riza Bregu ishte gjigant, ishte nga ata njerëz ku përputheshin në mënyrë perfekte pamja e tij e jashtme prej një burri fisnik, me shpirtin po aq gjigant,  që mbante brenda vetëm mirësi.

Kemi një urim të bukur, të bekuar andej nga anët tona kur njeriu krijon familje, kur martohet: Të trashëgohesh! Familja e Riza Bregut (Kalasë) është trashëguar me dy fëmijë, Genci dhe Eranda si dhe me nipërit Dejvi, Kristi dhe mbesën Aislin ku në gjuhë të ndryshme, emrat Riza dhe Aislin në shqip përkthehen “Ëndërr”. Ëndërr e bukur kjo, e cila le të trashëgohet në breza njerëzish!