Bashkim KOÇI/Po vijnë kusarët..!

651
Sigal

 Kam qenë dhe jam ende i mendimit që klasa politike shqiptare në këta 22 vjet pluralizëm i ka sjellë dëme të pallogaritshme vendit. Madje, edhe ajo që na mbajti e na mban ende “entuziastë”, shpresa për ndonjë ndryshim të mundshëm të gjendjes, po ia zë vendin gjithnjë e më shumë dëshpërimi, mosbesimi vrasës, e tatëpjeta pa kthim. Dhe kjo pamje na shfaqet përpara si një guvë e erret. Sepse çdo ditë, muaj e vit që lëmë mbrapa, po na lë më të rrënuar ekonomikisht, moralisht, duke ecur me vrap drejt kufirit të një “vdekjeje klinike”. Ndoshta nuk na vjen mirë ta pranojmë, por të zezës nuk mund t’i thuhet e bardhë, nuk mund t’i thuhet “E bukura e Dheut” Shqipërisë, asaj që është katandisur në një gjallesë, e cila është duke dhënë shpirt. Dikush edhe mund të mos jetë dakord me këtë ç’ka po them, por jam i bindur se shumica e shqiptarëve, pjesa e popullatës “pa pushtet” dhe intelektualët e ndershëm, e kanë marrë vesh herët që politika, të paudhët që na kanë futur në këtë udhë pa krye, i kanë përdorur atë në mënyrën më të keqe mundshme. Janë sjellë me ne të gjithë si të ishin banda kusarësh. Propaganda, ulërimat që po dëgjojmë, qoftë edhe këto ditë nga politikanët në sheshet e mbushur me “skllevër” (që edhe ata “ulërasin” në mbështetje të kësaj propagande), po jep shenja aspak të mira për çka jemi e mbetemi me shpresë për 4 vitet që do të na qeverisin. Le të dalë kush nga këta qehallarë “të lindur për të udhëhequr”, deputetë apo drejtues institucionesh të rangjeve të larta, të na thonë, të na mbushin mendjen, jo me fjalë e shifra fluturake të nxjerra nga goja pa përgjegjësi, havadan, siç po dëgjojmë deri tani, por konkretisht, me diçka që shihet e preket dhe që të mund të ishte tregues shpresëdhënës për njeriun e thjeshtë, për ne që do të “zëmë radhë” për t’i votuar. Dhe për të qenë më i drejtpërdrejt, do të dëshironim t’i dëgjonim nga ata për programet apo projektet që kanë, fjala vjen, për ata që mbjellin perime e drithëra në Maliq të Korçës, për Tërbufin e Myzeqesë, i cili dalëngadalë po kthehet si dikur në kënetë, për të papunët që kanë “rrethuar” kryeqytetin, apo për të strehuar shtresën e “jevgjve”, “banesat” e të cilëve atje në bregun e lumit të Lanës të sjellin veçse keqardhje e dhimbje. Të paktën deri tani nuk kemi parë e dëgjuar premtime që bazohen tek logjika ekonomike, që të bindin votuesin se ke apo nuk ke këllqe për të mbajtur  fjalën e dhënë. Sepse fshati, fermerët, ata që kanë dëshirë të investojnë  në bujqësi etj. nuk i kanë qejf  premtimet alla karrikexhinjësh, si këta që po përrallisin këto ditë përpara kamerave.

E Majta e Bashkuar, ç‘është e vërteta, e ka shpresëdhënëse atë që e ka vendosur si kryefjalë të kësaj fushate elektorale, Rilindjen. Por votuesi i thjeshtë bën edhe ca hesape të tjera, futet pak më thellë në përmbajtjen e  kësaj fjale të madhe. Do të na rilindin, do të rilindin Shqipërinë dhe shqiptarët? Po cilët janë individët që kanë marrë mbi shpinë këtë barrë të rëndë, a janë prej vërteti dhe a kanë ndopak ngjashmëri me ata Rilindësit ku çuditërisht na shkon mendja? Të paktën, a u afrohen dhe a janë ndopak idealist si ata? Personalisht (por jo vetëm unë) edhe pse jam votues i këtij koalicioni, jam disi i pashpresë dhe në pikën fundore të optimizmit për të pasur si qeverisës ekipin që ëndërrojmë, apo skuadrën, siç dëshiron të shfaqen nëpër mitingje politikanët. Shenjat janë jo të mira, madje të frikshme. Pra ne, populli do të largojmë më votë popullore një bandë kusarësh dhe po me votë popullore, do sjellim si qeverisës një bandë tjetër kusarësh. Nuk mund të ndodhë ndryshe nëse “rilindësit” tanë do të jenë po ata të djeshmit, po ata zuzarë e zabërhanë, të cilët i kemi mbajtur mbi shpinë deri dje. Dhe gjasat janë se po zgjedhim me dorën tonë po atë racë që na kanë qeverisur. Më tregonte këto ditë një vlonjat, “i djegur” edhe ai për të sjellë ndryshimin, se një parti e rëndësishme e koalicionit “Rilindës”  po ndjek po ato rrugë, po atë rrufjanllëk si dhe më parë, për të grumbulluar vota, për t’u bërë “ajo që vendos” në qeverisjen e vendit për katër vjetët e ardhshëm. “Më siguro një mijë vota dhe ti do të zgjedhësh vendin që dëshiron (jo ministër) në qeverisjen e ardhshme”- paskësh qenë kërkesa, dhe njëherësh premtimi. Në pamje të parë këtu nuk ka asgjë për t’u alarmuar. Të gjithë subjektet politikë gjejnë rrugë e mundësi për të marrë e grumbulluar sa më shumë vota. Fëlliqësia, e cila baltos dhe e bën pis “Rilindjen” tonë të shumëpritur  qëndron gjetkë. Dhe e di ku? Personi, të cilit i premtohet shpërblimi “në një vend me para” mbi bazën e votave “të grumbulluara”, nuk premton të jetë “rilindës”, të jetë nga ata idealist që e ndjek populli nga mbrapa për ndershmërinë që e karakterizon, për kulturën dhe vizionin që ka për të qeverisur. Jo. Ai është një paralli, një pasanik, i cili është bërë i tillë duke vjedhur paratë tona dhe me ato para do të blejë vota, duke shfrytëzuar  varfërinë, fukarallëkun, gjendjen mjerane të njerëzve. Ky monstër do të jetë  dhe  “qeverisësi” ynë i pas 23 Qershorit. E keqja është se ai nuk do jetë i vetëm. I gjithë “shtabi” do të ketë po këtë fytyrë, do të jenë të së njëjtës racë, të ngjashëm me ata që kemi aktualisht në pushtet.  Dhe pyetja ime e frikshme është: Mos po fryhemi kot për gjoja “Rilindje” dhe realisht po na vijnë në pushtet një palë tjetër kusarësh?